Plot 10 vite më vonë, kur mendohej se ai skenar ishte harruar, u zbulua se transporti i drogës përmes postës ishte riaktivizuar.
Kutia kishte një peshë prej 2.2 kilogramësh. Adresa dërguese ishte “Kristina Mills”, numër 3150, “Melrose Street Spokane” në Uashington. Nuk dihet nëse është prangosur dërguesi, por sipas rregullave postare, të dhënat e tij duhet të jenë të sakta që pakoja të niset.
‘Në rregullat e UPU gjithë dërguesit në momentin e dërgimit dorëzojnë mjet identifikimi, dërguesi është real, ndërsa marrësi ka mospërputhje me emrin mbi pako.Sipas konventës fundit UPU, në tetor 2024 edhe emri marrësit duhet të jetë i saktë e validohet në sistemin e CDS’ u shpreh Petrit Kola, përgjegjsi i sektorit doganor, ‘Posta Shqiptare’
Adresë pritëse rezultonte emri i një vajze në Tiranë, me inicialet D. C., që mendohet se nuk ka asnjë lidhje me linjën e trafikut. Pas peshimit, rezultoi se në pako ndodheshin një sasi prej afro 1.7 kilogramë kanabis.
Një ditë më pas, në datën 13 Janar, prokuroria urdhëroi ripaketimin e drogës për të realizuar dorëzimin e kontrolluar, një strategji për të arritur te pritësit e drogës. Lënda narkotike u mor në dorëzim në pikën doganore nga punonjësit e një poste private dhe u transportua drejt një prej pikave në rrugën dytësore Tiranë-Durrës.
Në pikën postare, u paraqit për tërheqjen e pakos një shtetas i quajtur Gledis Dikellari, 23 vjeç. Njëjtë si rastet e tjera, ai përdori një taksi si mjet transporti. Oficerët e operacionales ndërhynë menjëherë sapo konstatuan që mori pakon në dorëzim.
Pakoja dhe personi u bllokua nga ana e shërbimeve të policisë dhe rezultoi se gjatë intervistimit në disa mesazhe në telefonin që kishte me vete Gledis Dikellari, pakon do t’ja dorëzonte një personi moshë e re në afërsi të xhamisë te kodra e Selitës, Tiranë, të cilit i thërriste Çërri”.
Në telefonin e këtij shtetasi, u konstatuan fotot e pasaportave të dy vajzave që në kanalet zyrtare postare, ishin shënuar fiktivisht si pritëse të pakove. Mendohet se shtetaset me inicialet D.C. dhe P.L, nuk kanë lidhje me trafikun. Por, pyetja që ngrinte dyshime ishte fakti se ku kishin arritur të gjenin trafikantët fotot e pasaportave të tyre…
“Shërbimet e policisë në Selitë, Tiranë, u vendosën te vendi ku do të behej takimi mes Gledis Dikellarit dhe personit që i thërriste Çërri ku do të dorëzonte pakon me e lëndë narkotike. Rezultoi se aty ndodhej një djalë moshë e re, i cili ishte veshur me xhup ngjyrë të zezë, me karakteristikat që tregoi Gledis Dikellari, i cili tha se ky ishte personi që do ti dorëzonte pakon”.
Në momentet që do të behej dorëzimi, policia ndërhyri dhe vuri në pranga këtë person, që rezultoi minoren vetëm 16-vjeçar. Ai ishte nxënës në vitin e parë në gjimnaz me inicialet S.K. Për shkak të moshës, identitetin e tij nuk po e japim të plotë. Ajo që bën përshtypje është përfshirja në këto raste trafiku të minorenëve. Madje, nga hulumtimi mbi dosjen hetimore, bie në sy përgatitja e tyre proceduriale duke ndërtuar strategji mbrojtje njëjtë si profesionistë të botës së errët. I mituri, por edhe personi tjetër ka refuzuar të përgjigjet në momentet e para të ndalimit, me sa duket, për të shmangur deklarime që mund ti dëmtojnë në fazat e tjera të hetimit./ TCH
Discussion about this post