Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu në një dalje për mediat pas mbledhjes së qeverisë, u pyet në lidhje me çështjen e hapur që ka paraardhësja e saj, Belinda Balluku me drejtësinë, si dhe bllokadën e PS në Kuvend, që me forcën e kartonit refuzoi të jepte autorizimin për arrestimin e socialistes.
Edhe pse shpëtuan Ballukun nga prangat, Koçiu shprehet se PS nuk e ka penguar asnjëherë drejtësinë të bëjë punën e saj. Sipas Koçiut, fakti që u miratua raporti i IBAR, tregoi se qeveria nuk e ka penguar asnjëherë drejtësinë.
Pyetje: Një nga pikat që ju përmendet është drejtësia. BE ka ngritur shqetësimin se mazhoranca ka penguar drejtësinë në rastin e ish-paraardhëses tuaj, Belinda Balluku. A do të ndryshojë qeveria qasjen e saj ndaj drejtësisë dhe vendimmarrjet?
Koçiu: Qëndrimin ka qenë i qartë. Ky qëndrim nuk ka penguar dhe as pengon BE dhe negociatat. Vendimmarrja e fundit e tregon më së miri se qeveria shqiptare, institucionet, por dhe PS në Kuvend, ka zhvilluar dhe vijon të diskutojë në qasje konstruktive dhe vijon të dialogojë. Këto vendimmarrje nuk e kanë cënuar drejtësinë shqiptare dhe nuk vihet në pikëpyetje raporti i saj me drejtësinë. Këto janë aludime të opozitës dhe atyre që e njollosin dhe përbaltin Shqipërinë përditë, por nuk ia dolën sot. Por ne jemi këtu për të diskutuar sot për të mbyllur kapitujt brenda kësaj dekade. Ne bëjmë detyrat, me përkushtim dhe me seriozitet. Nuk është e thjeshtë, por është një punë e jashtëzakonshme e administratës publike. Raporti i IBAR do të duhet të lexohet i qartë, siç është shkruar. Mirë do të ishte që mos të bënim interpretime të gabuara.
Por jo më lard se një ditë më parë, me rastin e Konferencës Ndërqeveritare të ditës së sotme me Shqipërinë në Bruksel, ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, deklaroi sot se lufta kundër korrupsionit në nivelet e larta është një kusht i panegociueshëm.
“Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzoj me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim.
Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e „Fundamentals“ përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Ndaj arritja e objektivave të ndërmjetme përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm të Shqipërisë në funksion të forcimit të shtetit ligjor. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse.
Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias.
Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar shumë qartë këto pritshmëri në Deklaratën e tyre të Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave”, theksohej në deklaratë.










Discussion about this post