Trupat gjykuese që kryen procesin e rivlerësimit në të dy shkallët e vetingut për gjyqtaren e Apelit Shkodër, Lindita Hoxha u ndanë në konkluzionet përfundimtare, ku në të dy rastet ajo u shkarkua nga detyra me shumicë votash.
Lindita Hoxha u shkarkua nga detyra më 6 gusht 2020, me votat e dy anëtareve të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, Etleda Çiftja dhe Xhensila Pine. Ato konstatuan pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 92 m² në Shkodër në vitin 2006 me vlerë 2 milionë lekë, pasi shumica nuk e konsideroi një hua prej 1 milion lekësh, të deklaruar në vitin 2006, por pa emrin e huadhënësit, identiteti i të cilit u shënua në deklaratën “veting”.
Shumica e Komisionit ekonsideroi se përcaktimi i identitetit të huadhënësit në deklaratën “veting” është konsideruar nga shumica si një përpjekje për të justifikuar burimin e huasë, që kishte shërbyer për blerjen e apartamentit.
Dy anëtaret e KPK-së argumentuan gjithashtu se një overdraft i pasqyruar si burim për blerjen e apartamentit ishte marrë disa ditë pas kontratës së shit-blerjes.
Por, relatorja Valbona Sanxhaktari nuk u pajtua me mendimin e shumicës dhe argumentoi se subjekti ka përmbushur detyrimin për të pasqyruar me saktësi të dhënat e pasurisë së saj në dekalaratën veting si edhe gjatë procesit të rivlerësimit.
Edhe trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Mimoza Tasi, Ina Rama e Sokol Çomo dolën me mendime të ndryshme.
Megjithëse shumica e përbërë nga kryesyesja Natasha Mulaj, relatorja Albana Shtylla dhe anëtarja Mimoza Tasi i kanë gjetur të drejta disa nga shkaqet e ankimit të ngritura nga ish-gjyqtarja Hoxha, ato janë konsideruar të pamjaftueshme për të ndryshuar vendimin e Komisionit. Sipas shumicës, subjekti rezultoi të ketë mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasuritë e krijuara dhe shpenzimet e kryera në vlerën prej 3.7 milionë lekësh dhe për rrjedhojë është çmuar se gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.
Po ashtu, janë rrëzuar si të pabazuara shkaqet e ngritura në lidhje me procesin e zhvilluar në KPK.
Për një apartament në Shkodër, subjekti ka shënuar si burime në deklaratën veting një hua në shumën 1 milion lekë, overdraft 270 mijë lekë dhe kursimet në vite. Komisioni ka arsyetuar se subjekti nuk arriti të shpjegojë bindshëm mospërputhjet midis deklarimeve të kryera ndër vite në lidhje me huadhënësin e një shume 1 milionë lekë që ka shërbyer si burim. KPK nënvizoi se në vitin 2006 nuk është deklaruar se kjo hua është marrë nga shtetasi S.B. ashtu si shënohet në deklaratën “veting”, por referohet si huamarrje në persona të afërm dhe familjarë. Edhe në deklarimin e vitit 2007 është shënuar shlyerja e huas, por pa përcaktuar shtetasin S.B. si huadhënës. Bazuar në këto të dhëna shumica e Komisionit arriti në përfundimin se Hoxha ka ndryshuar deklarimin për huadhënësin, që e konsideroi si përpjekje për të përmbushur detyrimin ligjor të justifikimit të burimit të ligjshëm.
KPK vlerësoi se nuk ishte përdorur si burim për apartamentin overdraft në shumën 270 mijë lekë dhe se subjekti nuk kishte deklaruar në vitin 2006 pakësimin e gjendjes cash, si dhe nuk ka deklaruar të ardhurat si burim krijimi.
Ish-gjyqtarja Hoxha e ka kundërshtuar si subjektiv e të pabazuar konkluzionin e Komisionit lidhur me vlerësimin e secilit prej burimeve të shënuara në deklaratën e rivlerësimit. Ajo pretendoi në ankim se kishte dhënë shpjegime të hollësishme dhe kishte paraqitur prova se, në ndryshim nga sa ka konkluduar Komisioni, kjo pasuri është krijuar me burime të ligjshme
Sipas subjektit, fakti që nuk ka deklaruar emrin e huadhënësit në deklaratën periodike, nuk e bën inekzistente huan, pasi është deklaruar në ILDKPKI në vitin 2015. Ajo ka theksuar se mosdeklarimi identitetit të huadhënësit ka qenë pa ndonjë qëllim, por për shkak të mungesës së përvojës në plotësimin e deklaratës së pasurisë.
Po ashtu, Hoxha ka sjellë në vëmendje se ka ka paraqitur dokumentacionin që provon mundësinë financiare të z. S. B. për të dhënë huan në shumën 1 milion lekë. Lidhur me overdraft-in subjekti ka pretenduar se e ka marrë dhe e ka përdorur për blerjen e apartamentit. Për kursimet nga puna ndër vite, Hoxha ka theksuar se në ankim se, duke qenë se ka deklaruar blerjen e apartamentit dhe burimet e kësaj blerjeje, nuk e ka vlerësuar se duhet të deklarohej pakësimi i gjendjes cash. Por, këtë pasaktësi nuk e ka përdorur në asnjë nga deklaratat në vijim për të shtuar në mënyrë fiktive të ardhurat apo pasuritë.
Edhe shumica e trupit gjykues të Kolegjit vëren se Hoxha në vitin 2006 nuk ka deklaruar burimin e krijimit të apartamentit në Shkodër; nuk ka pasqyruar arsyet e marrjes dhe destinacionit e përdorimit të huas, si dhe nuk ka përcaktuar identitetin e huadhënësve.
“…Edhe pse ka deklaruar shlyerjen tërësisht të huas, subjekti i rivlerësimit përsëri nuk ka deklaruar se kujt ia ka shlyer këtë detyrim. Identiteti i personit huadhënës shfaqet për herë të parë në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit, në të cilën qartësohen elementet e tjera të marrëdhënies së huas konstaton Kolegji dhe nuk e vlerëson bindës pretendimin se e subjktit se nuk ka pasur përvojë në plotësimin e deklaratave të pasurisë.
Por për shkak të mungesës së përvojës në plotësimin e deklaratës së pasurisë, pasi kanë qenë vitet e para në plotësimin e saj, trupi gjykues nuk e vlerësoi bindës, pasi formulari i deklarimit të interesave privatë dhe pasurisë së vitit 2006, në faqen nr. 5, në rubrikën “Detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë”, ndër të tjera shpjegonte: “Të dhënat për emra personash ndaj të cilëve keni detyrime financiare të plotësohen në fletën nr. 6, për të ruajtur konfidencialitetin e tyre”. Subjekti i rivlerësimit, në cilësinë e zyrtarit deklarues, ka plotësuar këtë fletë të formularit duke deklaruar vetëm detyrimin në shumën 1.000.000 lekë dhe jo të dhënat e personave ndaj të cilëve e kishte këtë detyrim. Në faqen nr. 6, në rubrikën “Të dhëna konfidenciale”, formulari kërkonte qartësisht nga zyrtari deklarues, të plotësonte të dhënat konfidenciale lidhur me identitetin e personit juridik ose fizik, huadhënës a huamarrës. Subjekti nuk e ka përmbushur këtë detyrim, duke mos deklaruar identitetin e personave huadhënës, por ka deklaruar vetëm faktin se huadhënësit janë persona të afërm të familjes dhe të njohurit.
“…Formulari i deklarimit ishte i qartë në kërkesat e tij, duke i dhënë mundësinë subjektit ta plotësonte saktësisht atë. Në ndryshim nga sa ka deklaruar në këtë formular, se huaja është marrë nga disa individë, të afërm dhe të njohur, në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit, bashkëshorti i subjektit ka deklaruar se kjo hua është marrë nga një individ i vetëm, nga z. S. B., i cili rezulton me një lidhje farefisnore të largët me të”, konstaton shumica dhe e cilëson të drejtë konkluzionin e arritur nga Komisioni se Hoxha ka ndryshuar deklarim.
Megjithatë, KPA vlerëson ndryshe nga Komisioni lidhur me konkluzionin se subjekti ka deklaruar qëllimisht ndryshe në mënyrë të rreme. Sipas shumicës, Komisioni nuk gjendej në kushtet e pamundësisë për të arritur në një konkluzion mbi situatën e vërtetë faktike lidhur me huan dhe huadhënësin. Sipas Kolegjit, burimi i krijimit objekt kontrolli duhej të verifikohej nga Komisioni sipas deklarimit të subjektit në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit.
Këtë analizë e ka kryer KPA prej nga është arritur në përfundimin se mbetet i paprovuar pretendimi i subjektit se ka arritur të vërtetojë mundësinë financiare të të shtetasit S.B. për dhënien e huasë.
Ashtu si Komisioni, edhe KPA vlerëson se overdrafti nuk mund të ketë shërbyer si burim për blerjen e apartamentit pasi shuma është tërhequr pas krijimit të kësaj pasurie. Kolegji i ka dhënë të drejtë Komisionit edhe për konkluzionin se kursimet nuk mund të kenë shërbyer si burim, pasi nuk është deklaruar pakësimi i tyre.
Bazuar në këto arsyetime, shumica çmon se Hoxha është gjendur në pamundësi financiare në shumën 1.5 milionë lekë për krijimin e kësaj pasurie.
Pakica e Kolegjit e përbërë nga gjyqtarët Ina Rama dhe Sokol Çomo ndan të njëjtin qëndrim me shumicën se Komisioni duhej t’ia nënshtronte verifikimit mundësinë financiare të huadhënësit. Por, Rama dhe Çomo vlerësojnë se ish-gjyqtarja Hoxha ka depozituar dokumentacion organet tatimore që vërtetojnë se huadhënësi ka rëalizuar xhiro në vitet 2005 dhe 2006 në shumën totale 14.1 milionë lekë.
“…Kemi vlerësuar se Komisioni, por edhe Kolegji, e kishte lehtësisht të përllogaritshme normën e fitimit të realizuar prej huadhënësit, të paktën për këto vite, duke pasur në konsideratë të dhënat që vijnë nga shkresa e cituar më lart, se personi tjetër i lidhur ka ushtruar aktivitetin si person fizik nën fashën e tatimit të thjeshtuar, si edhe legjislacionin e zbatueshëm për këtë kategori subjektesh tatimore në këto vite”, argumenton pakica.
Sipas pakicës, faktet e konstatuara mbi aktivitetin tregtar të huadhënësit, që duket se ka qenë i qëndrueshëm dhe me një qarkullim të lartë të të ardhurave në vitet për të cilat ka të dhëna, janë elemente që bëjnë të besueshme si mundësinë për krijimin e shumës prej 1 milionë lekësh, ashtu edhe huadhënien në vetvete si marrëdhënie.
Megjithëse. Çomo i është bashkuar shumicës lidhur me konkluzionin për burimin nga kursimet, gjyqtarja Ina Rama në pakicë vlerëson se subjekti ka pasur mundësi për krijimin e shumës së pretenduar prej 700 mijë lekësh.
“…Mungesa e deklarimit se janë pakësuar kursimet e krijuara deri në momentin e blerjes së pasurisë, është e besueshme që është një pasaktësi, siç është pasaktësi edhe mungesa e deklarimit të përdorimit të huas si një burim krijimi, në një kohë që ajo e ka deklaruar në DPV-në e vitit 2005, si një veprim juridik që ka ndodhur pikërisht këtë vit”, shprehet Rama dhe kërkon që të konsiderohet si burim dhe shiuma 700 mijë lekë. Sipas saj, mbetet pamundësi vetëm shuma 270 mijë lekë nga overdrafti. Sipas shumicës, Hoxha është gjendur në pamundësi financiare edhe investimin e kryer në një objekt informal, në të gjitha versionet e analizës financiare.
Ndërsa pakica çmon se, mungesa e burimeve të ligjshme për apartamentin dhe ndërtimin informal e vendosin subjektin në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive, balancat negative nuk duhen konsideruar si të tilla, qëta vendosin subjektin në kushtet e mosprovimit bindshëm të burimeve të pasurive dhe as në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.
“Pakica ka vlerësuar se pesha e kësaj diference duhet vlerësuar në zbatim të parimeve të objektivitetit dhe proporcionalitetit, edhe në raport me qëndrimet e tjera të mbajtura nga Kolegji në raste të mëparshme, duke qenë se së pari, ajo u atribuohet dy pasurive modeste të subjektit të rivlerësimit, të cilat dëshmojnë për një sjellje të subjektit për të realizuar nevojat bazike të familjes së tij për strehim dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës”, argumenton pakica dhe vlerëson se vendimi duhej ndryshuar dhe subjekti të konfirmohej në detyrë. /TPZ/
Discussion about this post