Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Zv.Presidenti i UEFA-s, Armand Duka, ka dhënë një intervistë ekskluzive për mikrofonat e “Sky Sport Italia” nga stadiumi i “Wembley”-t, ku do të ndjekë finalen e Champions League sot në mbrëmje mes Real Madridit dhe Borusia Dortmundit.
Konsideratat e tij të para janë sigurisht të rezervuara për ndeshjen e sotme:
“Ndeshjet e Champions League janë në fakt festa më e mirë që mund të përjetojmë. Ne të gjithë presim ndeshjen më të mirë të sezonit para nisjes së Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”. Le të shohim, sot një nga dy skuadrat do të fitojë”.
I pyetur në lidhje me në parashikim për rezultatin ai shprehet: “Të gjithë mendojnë se Real Madridi do të fitojë, por nëse lojtarët e tyre vijnë me mendjen se e kanë fituar trofeun do ta kenë të vështirë. Nëse ju kujtohet finalja e vitit të kaluar, të gjithë mendonin se Mançester Siti do të fitonte lehtësisht, por nuk rezultoi kështu. Do të jetë një ndeshje e vështirë, Reali është një ekip me përvojë, por Dortmundi ka bërë mirë dhe mund të krijojë probleme, mund edhe ta fitojë kupën madje”.
Më pas ka vend për disa mendime në lidhje me ndeshjen e grupeve të Euro 2024 mes Italisë dhe Shqipërisë:
“Në Dortmund do të luhet ndeshja më e rëndësishme, ndeshja e jetës për ne. Marrëdhëniet tona me Italinë janë të veçanta, shumë shqiptarë jetojnë në Itali, do të jetë një ndeshje speciale. Në Xhenova, në ndeshjen miqësore të disa viteve më parë, tifozët tanë kënduan himnin italian. Shpresoj që kjo të ndodhë dhe ne Dortmund”, – thotë Presidenti i FSHF-së, teksa shton:
“Në ‘Signal Iduna Park’ presim një ‘mur të kuq’, mendoj se më shumë se gjysma e tifozëve në stadium do të jenë shqiptarë, është një nga ndeshjet e grupeve me më shumë kërkesa për bileta, e dyta pas Gjermani-Zvicër. E dimë se çfarë kundërshtarësh do të kemi përballë, ata janë skuadra të mira, Italia është kampione në fuqi e Europës. Por edhe ne kemi një skuadër të mirë, kemi bërë paraqitje shumë të mira në kualifikuese. Shpresoj që lojtarët tanë t’i përdorin këto ndeshje për të treguar më të mirën e tyre, pa presion. Nëse ia dalim të kualifikohemi do të jemi shumë të lumtur, por do të jemi të lumtur edhe nëse nuk ia dalim”.
Në fund, Presidenti Duka e mbyll me një koment tjetër për sfidën speciale me Italinë.
“Italia është gjithmonë ndër skuadrat favorite në Kampionatin Evropian, ata janë gjithmonë aty dhe mund të fitojnë. Ata janë një ekip historik, kampion i Evropës, me shumë cilësi, por lojtarët tanë janë të përgatitur mirë. Italia është favorite, shpresoj të jetë një ditë feste në Dortmund”.
Discussion about this post