Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni ku ndahen rregullisht paratë e buxhetit të shtetit për oligarkët e punëve publike. Kështu, drejtori i ri Gentian Gjyli po tregon hapur që do të ecë në gjurmët e paraardhësit të tij Evis Berberi. Pra, është emëruar aty që “kontrata” me Shkëlqim Fushën dhe Rrok Gjokën të vazhdojë, pavarësisht rrezikut me pranga nga SPAK.
Projekti i radhës ka risjellë në vëmendje rrugën Elbasan-Qafë Thanë, e cila sipas letrave vazhdon të zgjerohet. Tre tenderë ka zhvilluar ARRSH për këtë segment rrugor dhe të tre mbajnë ‘Flamurin e Kuq’, sipas vlerësimit të riskut të korrupsionit nga Open Data Albania.
Prokurimi i parë ka si objekt “Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë (Faza V)”, për të cilin janë lënë në dispozicion 25 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Duhet të theksojmë se rruga nuk po kthehet në autostradë, por do të vazhdojë të mbetet në të njëjtën kategori që është sot.
Ky është një rast për të kuptuar se si abuzohet me fondet e rrugëve, ku dalin miliarda lekë pa kritere nga arka e shtetit. Termi i zgjedhur “zgjerim” apo “rikonstruksion” i rrugës ekzistuese e bën të vështirë të kuptosh se si është caktuar fondi limit, pasi në dokumente nuk jepen çmime për njësi.
Gara për këtë tender është hapur në prill dhe afati i fundit ka qenë deri më datë 8 maj 2024.
Sipas të dhënave të dokumenteve deri në këtë afat kanë dorëzuar ofertat e tyre 5 operatorë ekonomikë, ku propozimet e “RSM Company” SHPK & “AURORA CONSTRUKSION” SHPK & “DESARET COMPANY” SHPK ishte më të ulëtat, me vlerë 21 miliardë lekë.
Por sëbashku me 3 operatorë të tjerë, ky bashkim operatorësh është përjashtuar që që fazën e parë me argumentin se do të bashkëpunojnë më kompani të tjera që nuk përmbushin kapacitetet teknike. Skualifikimi është bërë, edhe pse këta operatorë kanë specifikuar që secili prej tyre do të merret me punët që mund të mbulojë.
Gjithsesi kjo nuk është marrë në konsideratë nga komisioni i vlerësimit të ofertave në ARRSH. Për në fazën finale është lënë e vlefshme vetëm oferta e firmës GJOKA KONSTRUKSION, në pronësi të Rrrok Gjokës me vlerë 24.6 miliardë lekë.
Pra, ka fituar një ofertë shumë pranë fondit limit dhe për më tepër, pa asnjë konkurrent në fazën e fundit. Gjoka e ka përfituar këtë tender pa garë siç e kërkon ligji mbi prokurimet. Për këto arsye Open Data Albania i ka vendosur tenderit ‘Flamurin e Kuq’. Duke dhënë alarmin për rrezikun që 25 miliardë lekët të keqpërdoren. Dhe Gjoka e ka treguar se çfarë bën me fondet. Mjafton të shohësh Rrugën e Arbërit që Gjoka e ka marrë me koncension, ku i janë dhënë zgjatje afatesh dhe buxhete të paparashikuara pa e përfunduar ndërtimin.
25 miliardë lekë edhe për “Fazën 8”
Kjo rrugë po bëhet një tjetër gropë e zezë ku zhduken paratë e taksapaguesve. Në të njëjtën ditë (5 qershor 2024) drejtor Gjyli ka firmosur një tjetër kontratë për këtë segment. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë- Thanë (Faza VIII)’, ku fondi i përcaktuar është pothuajse i njëjtë, rreth 25 miliardë lekë. Për këtë prokurim janë dorëzuar 8 oferta, por sërish Gjyli zgjodhi ta kalojë pa garë. Duket qartë që kontrata i ishte premtuar një oligarku dhe tenderi është thjesht fasadë. Të shtatë ofertat e tjera janë skualifikuar me argumentin se nuk kanë kapacitetin e mjeteve, pasi janë duke i përdorur në një projekt tjetër.
Por këto përfaqësuesit e tyre shprehen në dokumente se bashkëpunëtorët në këtë ofertë, posedojnë mjete të lira!
Por, sërish stafi i Gjylit nuk i ka shqyrtuar me detaje dokumentet. Drejtori i skualifikoi me një të rënë të lapsit të gjitha kompanitë, përveç firmës “Fusha”. Kështu, pa garë më datë 5 qershor 2024 u firmos kontrata me oligarkun e koncesioneve dhe punëve publike të kryeqytetit, Shkëlqim Fusha.
Epo, të gjithë e njohim tashmë firmën “Fusha”. Pronari i saj është shpërblyer në vite duke marrë pa garë projektet gjigande të ARRSH, tenderët nga Bashkia Tiranë, koncesionet nga qeveria, në mes të të cilave Sheshin Skënderbej, Teatrin e ri apo “rijetësimin e Piramidës”. Me meritë, Fusha dhe Gjyli valëvisin “Flamurin e kuq” të korrupsionit edhe për këtë tender.
Supervizorët marrin 211 milionë lekë pa garë
Supervizorët janë ata që firmosin përfundimisht dhe duhet të mbikëqyrin kryerjen e punimeve. Roli i tyre shkëlqen nga cilësia e dobët që kanë shfaqur në vite punët publike. Në këtë kuadër, Gjyli ka hapur edhe një tender tjetër, po këtë herë paratë i duhen për supervizorët që do mbikëqyrin punimet në ndërtimin e këtij aksi rrugor. Po flasim për tenderin me objekt “Supervizion punimesh Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë (Faza VII)”, për të cilin do të shpenzohen 211 milionë lekë. Edhe ky tender është mbyllur pa garë sikur kërkohet në ligjin për prokurimet publike, edhe pse kanë shfaqur interes 22 firma. Nëntë oferta kanë qenë më të lira se ajo e kompanisë fituese, ku do të veçonim propozimin me vlerë 170 milionë lekë të operatorit ekonomik “A & E ENGINEERING sh.p.k” dhe ofertën e bashkimit të subjekteve “NOVATECH STUDIO” & “PROJECT DALUZ 2019” me vlerë 188 milionë lekë. Por, të dy operatorët janë përjashtuar nga gara me argumentin se nuk kanë dorëzuar dëshmi për punë të ngjashme.
Mbase Gjyli nuk e di, por ligji kërkon që në këto raste operatorët ekonomikë të vihen në dijeni për mangësitë dhe t’u jepet një afat kohor për plotësimin e tyre. Këtë rregull ARRSH e ka shkelur, duke lënë për në fazën finale vetëm ofertën e bashkimit të operatorëve “TRANSPORT HIGHËAY CONSULTING” dhe “ARABEL – STUDIO, me pronarë përkatës Engjëll Caka dhe Ana Nishku.
Kjo e fundit është përmendur në shtator të vitit 2023, pasi është akuzuar nga SPAK në dosjen e ish-kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Allës për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
“Ana Nishku, akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga personi qe ka për detyrë të lëshojë dokumentin, kryer në bashkëpunim e me shumë se njëherë, parashikuar nga neni 186/3 e 25 i K.Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Me këtë fakt, kreu i ri i ARRSH mund të përshkruhet si një “drejtor-kamikaz” që i shërben Belinda Ballukut dhe kryeministrit Rama duke sfiduar ligjin dhe SPAK-un.
Kujtojmë se paraardhësi i Gjylit përfundoi në burg për aferat me tenderët. Nga hetimet ka rezultuar se Berberi është i përfshirë në 6 tenderë që SPAK pretendon se janë dhënë në mënyrë abuzive, tre në kohën që ishte drejtor i Eficencës së Energjisë dhe 3 si drejtor i ARRSH. Totali i tenderëve kap një vlerë prej rreth 2.2 milionë euro.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post