Një operacioni antikanabis u zhvillua në vitin 2015 në disa fshatra të zonës së Pultit në Shkodër. 400 forcave të Policie, të ndarë në 25 grupe, zbuluan në këtë aksion 53 parcela me 7 943 bimë kanabis.
Në operacion morën pjesë forcat speciale RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivë të Policisë së Shkodrës. Gjatë ditës që u zhvillua ky operacion, u asgjësuan afro 33 mijë rrënjë kanabis.
Kjo solli zhvillime të reja të organizatave kriminale në Shkodër. Në përgjithësi, grupet kriminale atje përdorin gjerësisht zonën e Velipojës, portin e Shëngjinit dhe portet e Malit të Zi për trafikun e narkotikëve. Ky trafik bëhet kryesisht me kontenierë ose anije peshkimi të cilët e çojnë “mallin” në det të hapur i cili më pas tërhiqet nga grupet e tjera kriminale që veprojnë në BE.
Organizatat kriminale në Shkodër kanë rritur gjithashtu veprimtarinë e tyre edhe në trafikun e armëve, të cilat i transportojnë nga Mali i Zi, nëpërmjet lidhjeve të tyre në Malësi të Madhe. Armët, së bashku me narkotikët, dyshohet se transportohen për në BE nëpërmjet skafeve të cilat nisen nga grykëderdhja e Bunës ose lugina e Vilunit në Velipojë.
Goditja e Lazaratit solli një rritje të çmimit të kanabisit në tregun ndërkombëtar dhe kjo u mundësoi grupeve kriminale jo vetëm rritje të ndjeshme të fuqisë ekonomike por mundësinë për të pasur qasje në mafian ndërkombëtare. Duke pasur parasysh edhe pozicionin strategjik të qytetit, Shkodra u kthye në një prej qendrave kryesore të organizatave kriminale më të rrezikshme në vend.
E teksa krimi po shfaqej frikshëm atje, me përplasje bandash kriminale, që përgjithësisht në Shkodër quhen familje kriminale, me shpërthime eksplozivi e atentate tipike mafioze, përgjegjësia binte mbi Policinë.
Në fakt ishte një përgjegjësi e dyfishtë për efektivët e Policisë atje. Po të mos raportonin rastet e kultivimit të kanabisit, pezulloheshin e madje edhe arrestoheshin, ndërsa kur i raportonin pasojat ishin edhe më të rënda. Hakmarrja në këtë rast u vinte nga krimi, duke u kthyer automatikisht në objekt sulmesh me armë, me eksploziv apo edhe zjarrvëniesh.
Viti 2022 shënoi një rritje të rasteve të kultivimit të kanabisit në Shkodër dhe Malësinë e Madhe.
Ervin Hodaj
Ne si punonjës policie ndiejmë përgjegjësi për parandalimin e kultivimit të kanabisit. E vlerësoj shumë këtë nismë, në mënyrë që qarku jonë të mos shënohet më me të kuqe në hartë. Duke bashkëpunuar në aspekte të ndryshme me të gjithë ju, me agjenci shtetërore të zbatimit të ligjit, përgjegjëse për edukimin, reduktimin e përdorimit të drogës, krimit dhe dhunës. Kjo strategji e re duhet të jetë gjithëpërfshirëse për të parandaluar fenomenin.
Në vitin 2022, janë zhvilluar 65 takime sensibilizuese, proceduar penalisht 7 inspektorë pyjesh dhe 16 punonjës të OSHEE. Kapacitet e Policisë janë të afta për të përballuar luftën ndaj drogës. Kërkon një qasje të re parandalimi i kultivimit. Jemi këtu për të gjetur një zgjidhje të rë duke përfshirë edhe moskontrollin e duhur të Dukagjinit.
Dhe kur Policia nisi të vinte në zbatim këtë qasje të re, nisën dhe sulmet ndaj saj. Përveç rritjes së rasteve të kultivimit të kanabisit, viti 2022 shënoi edhe shumë ngjarje kriminale kundër efektivëve të Policisë, që u konsideruan si paralajmërime për ata që raportonin parcelat e kanabisit. Pa përjashtuar këtu edhe implikimin e mundshëm të punonjësve të Policisë, që siç ka rezultuar ka pasur edhe të proceduar, të arrestuar e të pezulluar në radhët e tyre. Herë për shkak të indiferencës, herë për shkak të mosmbajtjes së premtimit për raportimin e parcelave e në raste më të rënda edhe për bashkëpunim me kultivuesit.
Ngjarja më e fundit, që kishte në shënjestër një punonjës Policie dhe që lidhet po ashtu me kanabisin, ndodhi mbrëmjen e 12 marsit 2024 në Grudë të Re. Inspektori i zonës së Shoshit, Gjergj Ndërshtiqaj, dhe kunati i tij, Gjon Nika, u qëlluan me 100 plumba kallashnikovi brenda makinës që më pas shpërtheu në flakë. Ata u plagosën rëndë, por fatmirësisht mbijetuan.
Prej dy vjetësh Ndërshtiqaj ishte dronist i Policisë së Shkodrës, dhe ka filmuar hapësira të tëra në Malësi, ku janë zbuluar edhe parcela më kanabis. Vitin e fundit, Gjergj Ndërshtiqaj, kaloi specialist në zonën e Shoshit, ku për shkak të profesionit, posedonte informacione në lidhje me fushën e drogës. Informacione që ai i kishte raportuar, në zbatim të detyrës së tij, por mesa duket u kishte rënë ndesh personave që mund të kenë pasur marrëveshje me njerëz të tjera brenda radhëve të Policisë.
Ngjarja vijon të jetë pa autor. Ndërsa provat kryesore të lëna në vendngjarje janë gëzhojat e armëve të përdorura, plot 100.
Atentati ndaj Gjergj Ndërshtiqajt nuk është i vetmi që realizohet kundër efektivëve të Policisë së Shkodrës dhe që motiv të përbashkët ka kanabisin. Në vitin 2022, kohë kur u raportua se pati rritje të rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, kryesisht në malësinë e Dukagjinit, pati të paktën 5 ngjarje, kryesisht sulme me eksploziv apo edhe zjarrvënie, që u konsideruan si paralajmërime nga grupet e kultivimit të drogës.
Por sulmet ndaj policëve të Shkodrës, nuk lidhen vetëm me kanabisin. Duket se personazhe të skeduar ose jo, apo thjeshtë që e konsiderojnë veten “të fortë” ose të paprekshëm, herë pas here vendosin të sfidojnë Policinë. Në rastet kur u bien ndesh vendosin të hakmerren, qoftë edhe pse ndonjë prej tyre u kërkon dokumentet e makinës. Guxim i tepruar për një vend ku duhet të sundojë ligji, por ku duket se në shumë sfida të tilla, guximi vjen edhe nga mbështetja që personazhe të ndryshëm të botës së krimit kanë marrë nga njerëz brenda Policisë. Madje edhe Prokurorisë, siç edhe u zbulua nga SPAK në dosjen “Metamorfoza”.
22 dhjetor 2020
Sulmohet me armë lokali i efektivit Albert Pjetri në Dobraç
Rreth orës 21:00 të datës 22 dhjetor 2020, në vendin e njohur si “Zona e Pompave”, në afërsi të rrethrrotullimit të “5 heronjve”, në fshatin Dobraç, sulmohet me armë zjarri një lokal. Breshëria e plumbave fatmirësisht shkaktoi vetëm dëme materiale dhe nuk pati të plagosur. Por ngjarja mori përmasa më të mëdha pasi lokali ishte në pronësi të një efektivi Policie. Bëhej fjalë për efektivin e forcave “Shqiponja” në Komisariatin e Policisë së Shkodrës, Albert Pjetri. Në vendin e ngjarjes shkua efektivët e Policisë, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa u ngritën pika kontrolli në të gjithë zonën për të bërë të mundur ndalimin e autorëve të kësaj ngjarjeje, por më kot.
Pas ngjarjes, efektivi Albert Pjetri bashkë me vëllezërit e tij u shoqëruan në Polici, ku edhe dëshmuan rreth ngjarjes së ndodhur. Njëri nga vëllezërit e pronarit të lokalit, Vlash Pjetri, ish-administrator i Njësisë Rrethina tregoi se asnjë nga vëllezërit nuk kanë qënë në lokal në momentin e sulmit.
Sinkron Vlash Pjetri
“Si familje kemi qenë të gjithë në shtëpitë tona. Lokali ka pasur një orë që ka qenë i mbyllur. Kemi dëgjuar krismat dhe kemi dalë për të parë lokalin. Policia ka ardhur në vendngjarje. Kur e kanë thirrur vëllain që të vinte për të dhënë deklarime, kemi parë makinën, ka qenë e parkuar në oborr. Kanë hapur portën dhe kanë qëlluar edhe makinën. Nuk e dimë nga ka ardhur kjo ngjarje, Policia po heton”.
Në lidhje me këtë ngjarje, Policia shpalli fillimisht në kërkim 4 persona, Rivaldo Planaj, Orlando Planaj, Bardhok Planaj dhe Mirsad Shpellzaj. Në vendin e ngjarjes u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 33 gëzhoja.
Burimet thanë në atë kohë se efektivi i Policisë ditët e fundit ka ndaluar teksa ka qenë në shërbim shtetasin Rivaldo Planaj. Ky i fundit ka tentuar që të mos i bindet Policisë dhe ka debatuar me efektivin Pjetri, i cili i ka bllokuar makinën. Ndërkohë, gjatë deklarimit të tij ka sqaruar edhe ngjarjen, por në asnjë moment ai nuk e ka akuzuar drejtpërdrejtë Rivaldo Planaj, se mund të jetë ai personi që qëlloi me breshëri arme në drejtim të lokalit dhe makinës në pronësi të tij.
Bardhok Planaj bashkë me djalin, Orlandon dhe me nipat e tij qëndruan në kërkim policor vetëm 12 orë. Ai u paraqit në Polici së bashku me tre të tjerët, që po ashtu po kërkoheshin, duke treguar edhe një alibi. Sipas tij, nuk kishte qenë në Shkodër, në çastet kur në drejtim të shtëpisë të policit të Shqiponjave po zbrazej një karikator me fishekë. Kështu që ai shpëtoi paq dhe çështja për sulmin për shkak të detyrës ndaj policit, edhe sot e kësaj dite mbeti pa zbardhur.
Por nga ana tjetër, Planaj që iu rikthye lirisë, ra pre e atentatorëve më 4 prill të vitit 2021. Biznesmeni 46-vjeçar, që njihej edhe si “kumbari” i Shkodrës, ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Koplikut me mjetin e tij tip “Range Rover” kur është qëlluar me 132 plumba. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Instituti i Misrit, kur një mjet tip “Volkswagen Passat” me targa italiane është afruar në anën e shoferit dhe ka filluar të qëlloi në drejtim të Bardhok Planaj, i cili po i jepte mjetit të tij.
I gjetur në befasi Planaj ka tentuar të manovrojë por i ndodhur nën breshërinë e plumbave ka humbur kontrollin e makinës. Dyshohet se ekzekutorët kanë qenë tre person, një prej tyre shofer i makinës, ndërsa dy të tjerët të vendosur një në sendiljen e parë dhe tjetri mbrapa tij, kanë hapur zjarr me kallashnikov në drejtim të Planajt. Goditja ndaj Planaj ka vazhduar për rreth 300 metra.
Kur automjeti i viktimës është përplasur me rrethimin e një biznesi, autorët për një moment kanë ndalur të shtënat. Më pas kanë qëlluar sërish drejt automjetit “Range Rover” pa dalë nga mjeti i tyre, që më vonë u gjet e djegur në afërsi të stacionit të pompave në Dobraç.
4 janar 2020
Eksploziv në banesën e komandantit të Postës së Thethit Prelë Milani
Një sasi eksplozivi shpërtheu në orët e vona të natës së 4 janarit të vitit 2020, në shtëpinë e oficerit Prelë Milani, me detyrë shef stacioni i Policisë në Theth. Sulmi me tritol ndaj Milanit u dyshua se kishte lidhje me detyrën e tij. Sasia e eksplozivit ishte vendosur në pjesën e pasme të oborrit të shtëpisë pranë një magazine, në të cilën ai mbante veglat e punës, rreth 15 metra larg shtëpisë. Oficeri i Policisë Prelë Milani në momentin që ka dalë nga shtëpia dhe i është drejtuar Komisariatit të Policisë për të marrë shërbimin si oficer i gatshëm, ka dëgjuar fillimisht një shpërthim por pa i kushtuar rëndësi. Më pas kanë qenë familjarët ata që kanë kontrolluar shtëpinë dhe oborrin përreth kur kanë konstatuar derën e magazinës të dëmtuar dhe një gropë me një diametër rreth 30 cm në beton.
Pas verifikimeve dhe deklarimeve, Policia e Shkodrës arriti në përfundimin se vendosja e tritolit kishte lidhje me detyrën e Milanit si shef i Postës në Theth, si dhe për shkak të operacioneve të kryera në zonën e Dukagjinit në luftë kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
Më 28 janar të vitit 2023 Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 32-vjeçarin Dedë Nikaj, si autor të dyshuari për vendosjen e eksplozivit në shtëpinë e oficerit të policisë Prelë Milani. Gjithashtu ai dyshohet edhe për një tjetër ngjarje, të ngjashme, që kishte ndodhur në të njëjtën natë, në një tjetër shtëpi, në fshatin Grude e Re. I arrestuari u dyshua se vendosjen e tritolit në shtëpinë e oficerit të Policisë, e kishte bërë në shenjë hakmarrjeje, pasi ai i kishte shkatërruar një serë të mbjellë me kanabis.
27 prill 2022
Digjet makina e efektivit Dritan Turhani
Automjeti i efektivit të Forcave Operacionale të Shkodrës, Dritan Turhani është shkrumbuar gjatë natës së 27 prillit pranë banesës së tij në lagjen “Perash” të Shkodrës. Hetuesit patën dyshime se bëhej fjalë për një djegie të qëllimshme, pasi u konstatuan mbetje të lëndëve djegëse.
Oficeri i policisë e kishte parkuar automjetin pranë banesës së tij dhe sapo ka parë që makina e tij është përfshirë nga flakët ka lajmëruar në sallën operative. Provat i orientuan hetuesit drejt një ngjarjeje të qëllimshme. Vetë oficeri Dritan Turhani është shprehur se nuk ka pasur konflikte dhe se shkak i zjarrit mund të ketë qenë vetëm puna e tij, pasi kohët e fundit ka qenë pas ndjekjes së personave të shpallur në kërkim, si dhe në kontrolle të territorit për kultivimin e lëndëve narkotike.
14 maj 2022
Digjet makina e efektivit Sokol Kroni
Në orët e para të mëngjesit të 14 Majit të vitit 2022, në lagjen “Tre Heronjtë” të Shkodrës i është vënë flaka makinës në pronësi të Sokol Kronit, punonjës i policisë në Drejtorinë Vendore të Shkodrës. Një person i maskuar është fiksuar nga kamerat e sigurisë duke i hedhur benzinë automjetit tip “Mitsubishi” i parkuar pranë banesës së 54-vjeçarit Kroni. Personi pasi i vë flakën largohet me shpejtësi.
Ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg shtëpisë së policit Sokol Kroni. Ai kishte parkuar automjetin e tij, si çdo natë tjetër, teksa rreth orës 4 të mëngjesit ka vënë re zjarrin. Mbërritja e zjarrfikëses ka bërë të mundur shuarjen e flakëve por makina është djegur pjesërisht. Kamerat e sigurisë kanë filmuar momentin kur një djalë i ri, më kapuç, afrohet pranë automjetit, e spërkat me lëndë djegëse dhe i vendos flakën. Zjarri ka rrezikuar edhe autorin, i cili ka shpëtuar mrekullisht pa u përfshirë edhe vetë nga flakët. Me pas, autori është larguar me shpejtësi nëpër rrugicat e lagjes. I pyetur nga kolegët e tij dhe prokurori i gatshëm, oficeri i policisë, Sokol Kroni ka deklaruar se nuk ka konflikte me njeri. Në kohën kur ndodhi ngjarja ai mbante detyrën e inspektorit të zonës në pikën turistike të Thethit. Dyshimet e para lidheshin me detyrën e tij, kryesisht aksionet dhe kontrollet në zonë për kultivimin e kanabisit.
20 maj 2022
Tritol në lokalin e efektivit Ndrek Rrasa
Në orët e para të mëngjesit të 20 majit të vitit 2022, një shpërthim eksplozivi ndodh në lokalin e oficerit të policisë Ndrek Rrasa në Shkodër. Kamerat e sigurisë kishin fiksuar një person të maskuar si femër, me paruke me flokë të gjata në kokë dhe të veshur me një fustan, që ndizte fitilin e pakos me tritol që kishte vendosur në lokalit në pronësi të oficerit të Policisë në Grudë të Shkodrës dhe më pas të njëjtin veprim kryen duke i vendosur lëndën plasëse poshtë automjetit të tij. Gjithçka ndodhi për 20 sekonda, rreth orës 2 e 30 minuta, ku autori nëse nuk do të vraponte mund të rrezikonte edhe veten. Policia e Shkodrës njoftonte se nga shpërthimi kishte vetëm dëme materiale në lokal, ndërsa ishte djegur plotësisht automjeti në pronësi të 46-vjeçarit Rrasa. Ai ishte oficer i Policisë së Shkodrës pranë sektorit të Patrullës së Përgjithshme dhe gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se nuk kishte asnjë konflikt me persona të tjerë. Dyshimet e para nga grupit hetimor ishin se ngjarja mund të kishte ndodhur për shkak të detyrës.
Gjatë deklarimeve, Rrasa ishte shprehur se kishte krijuar konflikte për shkak të parcelave me kanabis që ai dhe kolegët kishin asgjësuar në zonën e Dukagjinit, kur ishte me detyrë atje, ndaj një muaj e gjysmë para ngjarjes kishte kërkuar transferimin në komisariatin e Shkodrës.
2 Qershor 2022
Tritol shtëpisë së oficerit Pëllumb Vukaj
Rreth orës 2 e 25 pas mesnate të datës 2 qershor 2022, shtëpisë së oficerit të Policisë së Shkodrës Pëllumb Vukaj, i vendosin një sasi eksplozivi. Ngjarja ndodhi në fshatin Hot i Ri. Sipas asaj që raportonte Policia në atë kohë, tritoli ishte vendosur në murin e banesës dhe si pasojë e shpërthimit kishte vetëm dëme materiale. Po ashtu ishte dëmtuar edhe një makinë tip “Benz” që ishte parkuar para banesës së policit. Pëllumb Vukaj në atë kohë kishte detyrën e oficerit të krimeve në Komisariatin e Policisë së Shkodrës. Në momentin e shpërthimit ai ka qenë në shtëpi së bashku me familjen e tij. Pista kryesore e hetimeve ishte ajo e një sulmi për shkak të detyrës. Në dëshminë e parë të dhënë para kolegëve, Vukaj ka deklaruar se nuk kishte konflikte me persona të tjerë.
Pëllumb Vukaj, gjatë operacionit “Dukagjini” që u zhvillua në vitin 2018, së bashku me kolegë të tjerë të policisë, asgjësuan mbi 150 mijë rrënjë kanabis dhe çuan në arrestimin e 90 personave, mes tyre punonjës të policisë, 4 kryepleq fshatrash që ishin natyralizuar në kultivues dhe trafikantë të tjerë të zonës.
30 dhjetor 2022
Tritol banesës së efektivit Valter Serra
Më 30 dhjetor të vitit 2022 i vihet tritol banesës së efektivit të policisë së Shkodrës, Valter Serra. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Bardhaj. Autorët e kanë hedhur lëndën plasëse brenda oborrit nga një makinë në lëvizje. Valter Serra ishte me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Si pasojë e shpërthimit u dëmtua automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të punonjësit të Policisë dhe u shkaktuan dëmtime të lehta në banesën e tij. Grupi hetimor e lidhi këtë ngjarje me detyrën e Serrës, pa çka se nuk pati ndonjë të dyshuar konkret.
Në banesën ku ndodhi shpërthimi nuk ka pasur kamera sigurie por Policia sekuestroi kamerat e sigurisë në kryqëzime të ndryshme për të arritur në identifikimin e autoreve dhe me pas gjetjen e kapjen e tyre.
Efektivi Serra punonte prej afro 3 vitesh në Policinë Vendore të Shkodrës duke shërbyer në Patrullën e Përgjithshme. Pas ngjarje efektivi ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me persona të ndryshëm apo ndonjë kërcenim të mëparshëm.
13 Janar 2023
Eksploziv në derën e shtëpisë së shefit të Krimeve Pëllumb Shpati
Më 13 janar të vitit 2023, në lagjen Dobraç të Shkodrës ndodhi një shpërthim i fuqishëm eksplozivi. Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit, para derës së shtëpisë së shefit të Krimeve të Shkodrës, Pëllumb Shpati. Ai vetë tha se nuk kishte konflikte me askënd, ndërsa i ati e lidhi ngjarjen me detyrën e tij si shef krimesh.
Babai i Pëllumb Shpatit
“Rreth orës 4 kam qenë në gjumë. Dëgjova krismën dhe dola e pashë vendin të shkatërruar. Në shtëpi kemi qenë 17 vetë, nga kati i parë deri në katin e tretë. Tri familje. Ishte shpërthim i fuqishëm, ka shkatërruar shumë. Kemi dëme në dritare, dyer, në fasada, në automjete. Për shkak të detyrës ka ndodhur se ne nuk kemi ngatërresa me askënd”.
Në një zonë si Dobraçi, rrethuar nga çdo kënd me kamera sigurie, supozohej që Policia ta kishte më të thjeshtë zbardhjen e ngjarjes.
Në fakt ndodhi e kundërta. Oficerët e Policisë u përballën me refuzimin për të bashkëpunuar dhe ndihmuar. Pronarët e këtyre kamerave nuk pranuan t’u dorëzonin filmimet. E duket se një ndër arsyet e nisjes së aksionit për mbledhjen e kamerave të sigurisë në Shkodër, që dyshohej se përdoreshin nga grupet kriminale, ishte edhe kjo. Ata i përdornin jo vetëm për sigurinë e tyre, por edhe për të vëzhguar lëvizjet e Policisë. E në rastet kur nevojiteshin për të zbardhur ndonjë ngjarje kriminale, ata refuzonin bashkëpunimin dhe kamerat nuk viheshin në dispozicion të hetimeve.
Por gati 5 muaj pas kësaj ngjarje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi për një aksion të madh në Shkodër, ku objekt ishin efektivë dhe oficerë të lartë që u dyshuan se kishin favorizuar kultivimin e kanabisit. Mes tyre ishte edhe Pëllumb Shpati, ndaj të cilit ishte caktuar në mungesë masa “arrest shtëpie”.
Ai u akuzua për shpërdorim të detyrës duke lejuar kultivimin e kanabisit, si dhe mbështetje të autorëve të dyshuar për këtë veprimtari kriminale.
Në fakt operacioni që u zhvillua në qershor të vitit 2023, nxori në skenë edhe anën tjetër të punës së Policisë në Shkodër. Pra kishte efektivë që ishin goditur nga krimi sepse kishin raportuar parcelat e kanabisit, por kishte edhe nga ata që nuk kishin mbajtur fjalën që u kishin dhënë kultivuesve. E duket se disa nga sulmet kishin ndodhur edhe paratë e hedhura që ishin zhdukur bashkë me kanabisin.
Në këtë operacion u ndaluan dhe u vunë nën akuzë 13 punonjës të policisë së Shkodrës. Mes të ndaluarve ishte edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Shkodrës Hajri Kushe. Efektivët e akuzuar u dyshuan se kishin lejuar dhe favorizuar kultivimin e bimëve narkotike në njësinë Administrative “Ana e Malit”, si dhe kishin neglizhuar marrjen e masave të domosdoshme për arrestimin e autorëve.
Edhe zëvendësdrejtori Hajri Kushe u dyshua se kishte shpërdoruar detyrën duke lejuar kultivimin e kanabisit në disa zona të Shkodrës. Ndaj tij është marrë masa e pezullimit të detyrës dhe ndalimi i udhëtimit jashtë vendit për sa kohë të jetë nën hetim.
Por vetëm 5 muaj më pas, Gjykata e Apelit në Tiranë i hoqi masën e pezullimit nga detyra Kushes dhe disa prej efektivëve të tjerë, pavarësisht kundërshtimit të Prokurorisë. Organi i Akuzës kishte kërkuar që Hajri Kushe dhe të tjerët të vijonin të qëndronin të pezulluar, pasi hetimi ishte kompleks dhe ata mund të prishnin provat ose të frikësonin dëshmitarët. Por, trupa gjykuese e Apelit vlerësoi se Kushe, me gjithë detyrën e rëndësishme në Policinë e Shkodrës, nuk mund të cenojë hetimet e Prokurorisë. Për këtë arsye, i hoqi Kushes masën e pezullimit, duke i hapur rrugën rikthimit të tij në funksion.
Në këtë formë, operacioni i zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore u shfry brenda pak muajsh.
Duke filluar prej mesit të vitit 2021, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishte të dhëna se drejtues dhe efektivë të Policisë së Shkodrës toleronin mbjelljen e parcelave me kanabis në zonën e Mbi-Shkodrës. Për shkak të çështjeve delikate dhe ruajtjes së sekretit, agjentët e AMP-së e zgjatën për disa kohë verifikimin dhe, rreth pranverës së vitit 2022, mesa duket pas një rrjedhjeje informacioni, Drejtoria e Policisë së Shkodrës ndërhyri në disa parcela të sapo mbjellja me kanabis.
Ndërhyrja e policisë mbi parcelat rrëzoi përkohësisht indiciet e AMP-së për bashkëpunim të mundshëm mes zyrtarëve policorë lokalë dhe kultivuesve të drogës. Por, në periudhën Maj-Qershor 2023, një seri informacionesh, të mbërritura kryesisht nga institucionet e inteligjencës dhe agjenci partnere ndërkombëtare, rikthyen sërish dyshimin për një bashkëpunim të mundshëm mes policisë dhe trafikantëve të fshatrave mbi Shkodër.
Pas sulmit të vitit 2022 dhe ndonjë rasti të izoluar gjatë vitit 2023, duket sikur po arrihej qetësia dhe po vendosej një lloj balance në Shkodër. Derisa ndodhi atentati i frikshëm mbrëmjen e 12 marsit. Kjo ngjarje riktheu në skenë ashpërsinë e krimit që duket se vuri sërish në shënjestër Policinë.
Tri ditë pas asaj ngjarje, siç ndodh rëndom të ketë plane masash e kontrolle të shtuara, Policia në Shkodër ndaloi Safet Bajrin. Ai u shoqërua në Komisariat pasi u ndalua teksa lëvizte me një automjet të blinduar pa autorizim përkatës. Automjeti tip “Mercedes Benz” nuk ishte i pajisur me autorizim të lëshuar nga organi kompetent dhe për këtë arsye është bllokuar. Vetë Bajri që e drejtonte është gjobitur dhe më pas është lënë i lirë. Ndërkaq policia njoftoi se kishte nisur procedurat për konfiskimin e makinës.
Ndalimi i një personazhi të tillë në Shkodër, kërkon guxim, që duket se nuk u ka munguar efektivëve të Policisë. Atje nuk kanë munguar sulmet ndaj efektivëve edhe për kaq. Qoftë edhe për një kontroll dokumentacioni.
Dosja “Metamorfoza”, pjesë e të cilës është edhe Behar Bajri, madje me një rol kryesor në këtë grup të strukturuar kriminal, nxori të skenë emra personazhesh mjaft të rrezikshëm të botës së krimit. Nga të dy krahët. Ata që do vrisnin dhe ata që do vriteshin. Tregoi se si oficerë Policie e prokurorë në Shkodër, ishin në shërbim të grupit Bajri. Ashtu siç u pa edhe në dosjen e SPAK, ka njerëz që lehtësisht vrasin dikë sepse kanë detyrim ndaj dikujt. Madje siç i shkruante Behar Bajri Pëllumb Gjokës: Për ty e vras për qejf…
E nëse dikush në Shkodër vret “për qejf”, dikush tjetër nuk e ka për gjë as të kërcënojë me armë, me tritol apo edhe me zjarr. Madje edhe efektivët e Policisë. Por për personazhe të tillë duhet të ketë një fund. Jo vetëm për t’i përkulur ata para ligjit, por edhe për të ngritur dinjitetin e Policisë. E mbi të gjitha për të siguruar jetën dhe pronën e çdo punonjësi të ndershëm Policie.
/Emisioni “Gjërat Tona”
Discussion about this post