Hapen aplikimet për 500 vende në shkollën bazë të policisë, për “Patrullë të Përgjithshme”
Procesi i aplikimit është i hapur deri në datën 16 tetor 2021.
Formularin e aplikimit e shkarkoni ONLINE:
Nga data 16 shtator 2021 procesi i aplikimeve është i hapur për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”.
Aplikimet dorëzohen pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në qarkun ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Kuota e pranimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2021-2022 është 500 kursantë, nga të cilët 1.9% nga minoritetet.
Kuota e përgjithshme e pranimit do të ndahet sipas nevojave organike të Drejtorive Vendore të Policisë dhe Drejtorive Vendore të Kufirit dhe Migracionit.
Në përfundim të gjithë procesit të konkurrimit, 500 kursantët fitues do të ndjekin studimet në Kolegjin Profesional të Lartë “Kolegji i Policisë” për “Patrullë të Përgjithshme”, në Akademinë e Sigurisë.
KRITERET E APLIKANTIT
Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme” janë:
a) të jetë shtetas shqiptar;
b) të ketë mbaruar arsimin e mesëm dhe të jetë i moshës deri në 30 vjeç;
c) të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
ç) të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
d) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
dh) të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
e) të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
ë) të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
f) të jetë pajisur me vërtetimin e besueshmërisë (procedurë që kryhet në fazën e
verifikimit përfundimtar);
DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM
Aplikanti duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën e motivuar, ku shpreh arsyet për t’u pranuar në Policinë e Shtetit
b) formularin e aplikimit dhe autorizimin për sigurimin e dokumentacionit;
c) fotokopje të kartës së identitetit;
ç) dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm;
d) fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
dh) certifikatë e gjendjes gjyqësore (nxirret nga struktura policore ku kryhet aplikimi)
e) certifikatë familjare (nxirret nga struktura policore ku kryhet aplikimi)
ë) vërtetim nga gjykata;
f) vërtetim nga prokuroria;
g) raport mjeko-ligjor;
gj) Fotokopje të librezës së punës ose vërtetim që ndjek arsimin e lartë (nëse i disponon);
h) Mandat-pagesa e tarifës së aplikimit (1.000 lekë të rinj);
Dëshmia e penalitetit dhe certifikata familjare nxirren nga vetë strukturat policore ku kryhet aplikimi.
Kontrolli mjekësor dhe analiza që vërteton se nuk je përdorues i lëndëve narkotike janë procedura që kryhen në fazën e kontrollit shëndetësor. Gjithashtu, dhe vërtetimi i besueshmërisë bëhet nga strukturat e Policisë vendore ku aplikanti ka kryer aplikimin.
SHQYRTIMI I DOKUMENTACIONIT DHE PROCESI I ANKIMIMIT
Afati i shqyrtimit dhe verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve.
Aplikanti, që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet duke u njoftuar me shkrim nga struktura e Burimeve Njerëzore.
Aplikanti ka të drejtën e ankimit tek Drejtori i Policisë Vendore, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes. Drejtori i Policisë Vendore shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.
FAZAT E KONKURRIMIT
Aplikanti që kualifikohet për të vazhduar procesin e pranimit në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme të konkurrimit:
– Testimi me shkrim;
– Testimi i aftësive fizike;
– Intervistë me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testim i aftësive të të shkruarit;
– Testimi psikologjik;
– Kontrolli shëndetësor;
– Marrja e shenjave të gishtave;
– Verifikimi përfundimtar i aplikantit që përkon me pajisjen me vërtetimin e besueshmërisë.
Procesi i ankimimit realizohet pas çdo faze konkurrimi, brenda dy ditëve nga Komisioni i Apelimit i ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Aplikanti skualifikohet në rastet e mëposhtme:
a) nuk kalon testimin me shkrim;
b) nuk kalon testimin e aftësive fizike;
c) nuk kalon testin psikologjik;
ç) nuk paraqitet në kohën e caktuar në një nga fazat e testimit;
d) ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara;
dh) pas procesit të verifikimit përfundimtar, rezulton se ai është dënuar me vendim gjykate
të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo të një kundërvajtje penale me dashje;
e) rezulton përdorues droge;
ë) rezulton të ketë varësi nga alkooli;
f) nuk kalon kontrollin shëndetësor ose gjatë këtij kontrolli evidentohen tatuazhe në pjesët e dukshme të trupit, diagnostikohet me sëmundje ngjitëse HIV, Hepatit B dhe Hepatit C, nuk ka shikim 10/10 në çdo sy, si dhe nuk plotëson kriteret e tjera
shëndetësore të përcaktuara në Procedurën Standarde për Pranim në Akademinë e Sigurisë.
g) Nuk gëzon besueshmëri për të qenë në radhët e Policisë së Shtetit.
Të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ose pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Po ashtu, mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën: [email protected]
Policia e Shtetit është e interesuar që të ketë sa më shumë aplikime dhe në këtë kuadër fton gjithë moshat e reja që të aplikojnë, duke iu garantuar një proces konkurrimi transparent dhe të paanshëm, sipas parimit të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritës.