Nga Agron Gjekmarkaj
Seanca në Kuvend për mua filloi me një lajm të trishtë. Atë ma përcolli Lideri në perspektivë Gazi pa iu dridhur qerpiku, as zëri, me qetësinë e atij që të thotë shëndet pasi je kollitur.
Ne u ulëm, madje edhe vetë Muçua hundë e buzë u rehatua me një tis përzhitjeje në ballë. Minutat si shekuj hijerëndë kalonin, po Jorushi i Tabakëve nuk po vinte. Madje edhe vetë shefe Albana me Mondin shfaqnin një të hollë shqetësim, të denjë per shpirtin e tyre delikat.
Tritani i sapo bërë 75 vjeç si djalosh i gatshëm për sakrifica pyeste mos ka ndodhur ndonjë gjëmë apo vaki, ndonjë hata apo pusi që ajo nuk vjen dhe kandilit të opozitarizmës, vaji i mungon?
Kur padurimi po bëhej ligj dhe interesimi, detyrë, me zë gazmor Lideri në perspektivë tha “po ç’kini xhanëm, ka thyer gishtin, e ka bërë copë copë, do ta bëjë operacion, mund t’ia shkurtojnë pak e asgjë më shumë” dhe buzëqeshi.
Desh me ra zali kur Sajme Koreshi, hukama shend e verë lëshonte, “gishtin ka thyer- jo kokën”.
Në këtë hallakatje lirike më gjet Salianji. Pikërisht ai që njohim, që nuk zhgënjen kurrë, pa të keq mbushur me dlirësi, më ngushëlloi kur më pa aq të rënë moralisht, “po merr shembull, mor i uruar, tha, e ka thyer duke bërë opozitë, duke hedhur bumje retorike mbi bashkinë e Lal Erit dhe qeverinë e Babos! Njëra syresh i ka plasur në dorë, ky është akt heroizmi; këngë trimërie duhen e jo qarje dhe tani ndiz një cigare e mblidh veten se më këpute shpirtin, more viran.”
Po ta thyejnë atë zemër flori, motrani e shoqeni të parlamentit.
Pasi bëri këtë të mirë, rrotulloi sytë mbi sallë, por gjithçka iu duk në rregull e s’kishte ku vë më dore paqëtimi, ndaj iku i përmbushur.
Kryezëvendës Lideri, Muli, prej ditësh mbart një brengë epike. I dashur, por i heshtur, i vëmendshëm, por i matur; enigma i rri mbi kokë si kurorë. Si një Hyqymet që kujdeset për të gjithë e gjithmonë, herë pas here merr mbi vete shikimet plot dashamirësi e mbështetje të Oerdit. Erdhi si Muji në Lugje të Verdha ku lëshoi ortekë e gurë kundër tiranisë së Elisa Spiropalit në mungesë të Skënderbeut të fshehur maleve, pasi Gaz Bardhi i ka zënë rrugën me dy kalorësit e tij besnikë, Marash Logun e Everest Dedajn.
Antoneta Dhima foli, dashurinë e saj për ndërtimin e socializmit e shprehu me gjuhën e thjeshtë të popullit punonjës, toptan, pa teprira.
Dilua, këmisha e të cilit ngjyrë ulliri me qëndisma thurur me pe të zi të linte pa mend duke sfiduar haptas pantallonat me shirita bardh e kaf si gjeneralët e Amerikës latine të Ermos, shfaqi xhelozi.
Çyrbja pothuaj tashmë i squllur si poet province pas fjalimit filozofiko- perkufizues të Aurorës kishte rënë në të thella dhe herë pas here ia ngjeshte rradakes me gjuajtje si pikëçuditëse.
Nuk mungoi as llaf i Etildës, plor rënkime me një oh… në fund të çdo fjalie ndaj të paudhëve, plot habira të tipit si kështu… drejtuar të ndërdyzurve, me mallkime për të pabindurit …harami ju mbuloftë!
Por, në fund si dielli që ngrihet në agim, shfaqej besimi se Babua trim për të gjithë do jetë vegim, duke lëshuar një ah…!
Të ndodhte ndryshe nuk kish sesi, u desh të zhdukeshin përbindëshat që te kjo botë te vije ti Babo – ishte kumti i Mamicës që i kishte lidhur metaforat si romët kur bëjnë dasmë, kutitë e teneqes pas makinës së çiftit, zhurmë e të cilave ajrin çante me rropamë.
Tao ngjante me Tursun pashanë , ndonëse i mungonte një çallmë, si një bablok jepte e merrte nga atje lart, i rënë në mendime tek sheh se zjarri i ka përvëluar kudo shtëpinë
Ulsiu kishte dhimbje veshi me ç’ka ka dëgjuar lart e poshtë, hatara, hatara.
Bela prej kohësh duket si një murgeshë që elaboron çështjet e virtytit dhe doktrinës teksa vesi ka pushtuar qeverinë.
Madje edhe vete Tezja kishte një aurë të përshpirtshme.
Ogi dukej si priftëresha e Delfit dhe iu lexonte dorën. Sapo Niko qau me dënesje… duke thërritur “jo, jo s’kam bërë gjë!”
Pirdeni i dha një gdhënjkë me ujë.
Olta Xhaçka ka marrë një ngjyrë të përhime dhe është murosur.
Mazniku është bërë def prej muajsh. Evlati! Gonxhe çeli per herë të parë dhe vetë u gëzua që nuk kishte harruar të fliste se vetëm ka firmosur gjithë jetën. Sa here e shoh atje lart më vjen t’i gërmushem “mos bëfsh hajër, mos bëfsh që vendin e Margeritit zure duke na pikëlluar shikimin, more zullap”!
Sapo Ermua mbretëresha e sherrit dhe zallamahisë u ngjit atje sipër, filloi potere e sherr që aman falë i kjoshim Zotit.
“Gaxhije, gjobaxhije”, hungëronte Lideri në perspektivë Gazi.
Ajo: “I paedukatë, të degdis në mal të Thatë”.
Damua në kafene tregonte muskujt, prek pak, prek i thoshte Braçes! Ai plot adhurim tha “uaaa mi, uaaa mi…. gur gur!”
Klosi dhe Mimia heshtën gjatë të velur nga e zakonshmja, por ende jo nga jeta.
Kur dëgjuan fjalimin e Petros, njëzëri thanë jeta nuk është një shaka. Laerti pasi nuk qan më askush kërkon pika loti si lëmoshë për magazen e tij.
Etjeni i ra në sy kronikës vetëm për intensitetin e kruarjes së mjekrës.
Ina, pasi mori komplimentin e Elisës për cilësi fjale, m’u hakërrye: “Dhe ti, mëso të shkruash!”
Discussion about this post