Nga Agron Gjekmarkaj
E djeshmja nuk qe si të tjerat ditë. Vetëm Bela rrezatonte ngjyra. Në lëshimin… e ngadoshem ajo mbahej. Në rënien e përgjithshme nga zvogëlimi i rrogave të deputetëve ajo ngrihej. Edhe pse zbriste nga malet e Dibrës, nuk e kishte humbur energjinë.
As pluhuri i ngritur nga troku i kalit nuk ia kishte mbuluar elegancën. Edona Bilali i fërkoi pak supet që të shkrydhej më lehtë. Niko përsëri i çoi një kafe dhe priti derisa të mbaronte për të marrë filxhanin. Duke e ndjerë thellë dhimbjen time të shkaktuar nga mëria e Teta Gertës m’u gjend pranë. Me qortoi pak pse e kisha ngatërruar Oltën me këtë mesele se ajo rri me Blinkenin, merret me diplomaci shtetesh dhe jo me cicmice të vogla duke më thënë që padija nuk është argument.
Me aftësinë për ta kuptuar autokritikën dhe ndjesinë e fajit mori përsipër pajtimin e madh me kusht që unë të hiqja dorë nga nominativi “Teta”, që në fakt nuk është i imi, por i Borës. I shpjegova që respekti për të vërtetat e Borës me kishte shtyrë në përdorimin e tij se Gerta dukej si filiz e aspak “Teta”. Më vonë mora vesh që mes Borës dhe Gertës ishte zhvilluar një dialog intensiv. Bora pothuaj e shushatur i shpjegonte “s’e kisha menduar kurrë që ai i ligu, i paudhi, dashurinë time për ty ta keqpërdorte kështu, mua më vjen zor të të drejtohem me emër se Babo ka thënë qe ne jemi parti e brezave, Gjyshi, Babo, Bija, ndaj duhet të kemi edhe Teta edhe Xhaxhi, kësisoj të thërrisja Teta”.
Ndërsa Gerta i ishte përgjigjur, “e çmoj shumë devocionin tënd, po nuk është nevoja tani e më pas me thirr vetëm Gerta që t’i heqim çdo shkak përgojuesit”. Bora: “Po kujt t’i drejtohem me Teta, Mimisë, Ermos, Antonetes? …dhe me xhaxhi, Pandit, Nasipit, Xhemalit, Ulsiut? “Shih e fol”, i tha ajo. “Mirë, Gerta”, u përgjigj Bora dhe një lotëz i rrëshqiti nëpër faqet e zbehta, e prekur nga kjo barazi. Mendoja që ndjeshmëria më kishte braktisur me kalimin e viteve, por kur m’u rrëfye kjo u preka dhe vendosa ta respektoj këtë kthesë emocionuese.
Ndonëse për forcë zakoni maxhoranca dhe opozita flisnin, mendjen të gjithë e kishin te gjëma që na ra nga pullazi. Më dukej vetja fajtor me shkrimet pesimiste që kisha bërë dy ditë rresht. Fillova të mbjell optimizëm me vargjet “Babos dy gisht kartë i nisim/këtë punë ta bitisim/Babua të shohë dhe të vetët/ Të na nderojë deputetet/ nuk i prish punë miletit statusi i deputetit”. U thashë ja, do ta shihni, Babo do vërë dorën në zemrën e tij të madhe e do të na ëmbëlsojë jetën. Nuk e bën ai që nga 60% e rrogës së Bakes, të na e ulë në 36 %. Do të na vërë në provë sa durim kemi, kush llap më shumë, kush zaliset i pari, cili llafin e keq lëshon dhe pastaj që të ndihemi fajtorë e më ndërgjegje si brazdë të palëruar do na ta bëjë 70% të rrogës së Presidentit.
“Babo është i mirë, Babo është i dëlirë”, tha me emocion Eni Zake. Teksa këto ndodhnin, Tezja, kur më kalonte pranë, shtrembëronte fytyrën, lëshonte pasthirrma padurimi e përçmimi dhe qortonte deputetët socialistë që më ngjatonin me përzemërsi tek gajret shpërndaja. Tezja që dikur ka qenë vetë liberalizma dhe marifeti tani është bërë më socialiste se Petrua dhe Pandi që ngjajnë si axhaminj para saj në ideologjinë e mëngjër. Në këtë vorbull më gjet ai që me një fjali kujdeset të mërzisë nja 10 veta, të helmojë 7 të tjerë, t’i fryjë sherrit e zallamahisë, poteres e zjarrmisë vetë Salianji. E pe dërgatën e Vulës, tha, në takim me Eskobarin? Jo, vallahi, më ka rrëshqitur në detaje, po vetëm një resme ku i priste Enkeledi. Joo, more i uruar, tha, ishin katër, por nuk i shfaqi partia ata të tjerët.
Qerratenjtë, tha, ja s’e morën Joridën dhe as ty si Nënkryetar Kuvendi!! Po unë jam mbi palët more i uruar, i thashë, e shoh nga lart e nga anash Foltoren dhe Vulën, po Jorin e ngratë si nënkryetare partie ta merrnin se helbete flet ëmbël anglisht, buzëqesh qashtër e pafajshëm dhe mbulon marrëdhëniet ndërkombëtare. Si zog dreqit erdhi, la një grusht miza aty dhe po ashtu si shejtan iku të hidhte vajguri mbi zjarret e ndezur gjetkë. Ferdinand Xhaferri e ndiqte pa keqardhje gjithësa e me gëzim të përmbajtur se me gjasë mendonte të njëjtat gjëra, por nuk donte të prishte gojën.
Ngrohte duart që nuk pat nevojë t’i lante si Pilati. Gaz Bardhi mes dilemash të mëdha në duhet të vejë një kurorë me lule në vendin ku ulej Basha me mbishkrimin “i përjetshëm qoftë kujtimi i tij politik” apo t’i gatisë udhën e kthimit nuk ndihej rehat mbi asnjë karrige. Borxh i ka t’i rrijë besnik! Për ardhjen e Xhelës më lajmëroi miku, Isuf çela. Qe si myzhde ai lajm! Por Xhela dukej i pikëlluar. Me Ed Palokën në një qoshe nuk është çudi që lëvdonin trimëritë e kryezëvendësliderit Muli, sakrificat e Albanës gjatë “operazioni të Dimrit”. Shpesh biseda u ndërpritej dhe shikimet përhumbeshin në ujdhesat e heshtjes.
Kosta kishte humbur gjallërinë dje. Nuk u besonte veshëve kur i thosha është vetëm harresë, lajthitje, që e quaja vetëm “Kosta i Gramozit” pa shtuar edhe Linditën e Babon. Di ndonjë gjë e nuk ma thua, dridhej si purtekë gjithë ai burrë që në mëngjes më kërkoi t’i shërbeja kafenë. Kur i bëra be në Krisht, iu kthye buzëqeshja si ylber, sikur të kishte takuar vetë Etildën si tjetër herë. Në një moment i harruam të gjitha. Na mungonte Frida Krifca. Ajo e sheh që Babo nuk vjen dhe s’e begenis më Parlamentin e zënë me ciklin e ri të leksioneve në Akademinë e Barinjve. Elisa mbet e vetmuar në podium dhe askush nuk ia zinte diellin. Herën tjetër do flasim shtruar e ndershmërisht për ndryshimet që Babo do të bëjë në qeveri me emra.
Discussion about this post