GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Kosovë & Rajon

Kryetarët në veri “nisin prej zeros”

21:44 - 24/05/23
në Kosovë & Rajon, Lajme
Kohë leximi: 5 min
A A
Kryetarët në veri “nisin prej zeros”
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Dhënia e betimit solemn nga ana e kryetarëve të tri komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – si dhe konstituimi i asambleve komunale në dy komunat e fundit, më 25 maj, nuk paraqesin sfidë, vlerësojnë kryetarët e rinj të këtyre komunave.

Sipas tyre, sfidat për ushtrimin e funksioneve, ballafaqimi me problemet infrastrukturore e të tjera do të nisin pas këtyre solemniteteve.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e rinj do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.

Në ndërtesa publike do të mbahen edhe seancat konstituive për asambletë komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Kryetarët e rinj – që të gjithë shqiptarë – kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, e ka bërë betimin para kuvendit komunal, më 19 maj.

Komuna e Mitrovicës së Veriut e ka objektin e saj, ndërsa në tri komunat tjera, deri më tash, në të njëjtat objekte komunale kanë vepruar edhe institucionet komunale sipas sistemit të Kosovës, edhe të ashtuquajturat organe të përkohshme sipas sistemit të Serbisë.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Nenad Radosavleviq, vlerëson se kryetarët e rinj kanë të drejtë të punojnë në objektet kryesore komunale.

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare Çohu, thotë se kryetarët e rinj të komunave në veri, por edhe asambletë komunale do të kenë mjaft vështirësi për ushtrimin e mandateve dhe funksioneve.

 

Qasja në objekte komunale – sfidë

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pritet ta bëjë betimin solemn në fshatin Çabër të kësaj komune, në objektin e zyrës komunale për komunitete.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë objekt janë zyrat për regjistrimin civil, për lëshimin e pasaportave, drejtoria për çështje sociale dhe të tjera.

Ky kompleks i zyrave, sipas tij, mjafton si pikënisje për punën dhe ushtrimin e funksioneve komunale. Por, shton ai, në rast se nuk bëhet një dorëzim i detyrës nga ish-kryetari i komunës dhe pranim i detyrës nga vetë ai, asetet që ka komuna, nuk do të mund të shfrytëzohen.

“Aty është një pjesë e madhe edhe e veturave të drejtorive të ndryshme, që janë pronë komunale. Pastaj, është vula, protokolli. Këto janë vështirësitë e para, por ne do të punojmë. Ne, fillimisht, duhet t’i paralajmërojmë [ish-udhëheqësit komunalë] që t’i dorëzojnë këto gjëra ose ta bëjmë pranim-dorëzimin. Në qoftë se jo, atëherë janë edhe format tjera”, thotë Zeqiri, por pa saktësuar se për çfarë formash të tjera e ka fjalën.

Kryetari i zgjedhur i Zveçanit, Ilir Peci, do ta bëjë betimin solemn në fshatin Boletin, përkatësisht në shkollën fillore “Isa Boletini”, ku do të konstituohet edhe asambleja e kësaj komune. Ai thotë se puna e komunës do të nisë në zyrat për komunitete në fshatin Lipë.

“Aty do të nisim që nga nesër [e enjte]. Mirëpo, për drejtori dhe të gjitha të tjerat, është pak… nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Te ne fillon gjithçka prej zeros. Te ne nuk ka as drejtori, të cilat kanë qenë më herët, as sekretar të komunës, as fare. Prej fillimit duhet t’i përgatisim të gjitha ngadalë. Ka për të qenë pak e komplikuar, por shpresoj t’ia dalim”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

Në Komunën e Leposaviqit, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”. Por, ai thotë se funksionin pret që ta ushtrojë nga zyra e kryetarit, në objektin kryesor të komunës.

“Nga Bistrica nuk mund të punosh për qytetarë të Leposaviqit. Ne synojmë të shkojmë, të ulemi në ulësen e kryetarit të komunës ku kemi fituar, në objektin e komunës ku është edhe sot. Nuk besoj… jam i bindur që nuk do të ketë probleme”, thotë Hetemi për Radion Evropa e Lirë.

 

“Kryetari është kryetar gjithkund”

Duke folur në një konferencë për media të mërkurën, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, nuk iu përgjigj direkt pyetjes së gazetarëve se ku do t’i ushtrojnë funksionet e tyre kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

Ai tha se “kryetarët do ta ushtrojnë mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor në komunën ku janë zgjedhur”.

“Kryetari është kryetar gjithkund. Por, sigurisht që kryetari do të jetë kryetar edhe në zyrë dhe do të vazhdojë të punojë dhe drejtojë komunën, t’i përmbushë detyrat e tij kushtetuese dhe ligjore nga aty ku edhe ka marrë pjesë në garën zgjedhore”, tha Krasniqi.

 

Radosavleviq: Kryetarëve nuk bën t’iu ndalohet qasja fizike në objekte

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Nenad Radosavleviq, aktualisht drejtor i Radio-Televizionit Mir (Paqja) në Leposaviq, vlerëson se kryetari i zgjedhur i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, por edhe kryetarët e dy komunave tjera, Zveçan dhe Zubin Potok, kanë të drejtë legjitime dhe legale të qasjes në objektet e komunave përkatëse.

Ai thotë se në objektin e Kuvendit Komunal të Leposaviqit, aktualisht, punojnë persona që u takojnë organeve të përkohshme të Serbisë, të cilët vijnë kryesisht nga Lista Serbe. Disa prej tyre, shton ai, vazhdojnë të punojnë edhe sipas sistemit të Kosovës. Ai nuk beson që ata mund t’i pengojnë strukturat e reja të zgjedhura komunale që të punojnë në këtë objekt.

“A janë ata të gatshëm të bëjnë diçka? Mendoj që jo, sepse në çdo rast, çfarëdo që të tentohet, do të kishte reperkusione ligjore. Kjo, më pas, mund të jetë përgjegjësi penale, mbase jo në atë moment. Por, ndonjë ndalim i hyrjes në objekt, unë mendoj që nuk mund të ndodhë. Këtë nuk guxojnë ta bëjnë. Ata njerëz jetojnë këtu. Policia është këtu dhe ligji ekziston”, thotë Radosavleviq.

Ai shton se strukturat që janë në objektin e Komunës së Leposaviqit, mund të protestojnë, por nuk beson se dikush mund ta marrë guximin për ndalimin fizik të qasjes në objektin komunal.

 

Demhasaj: Asnjë veprim i pakoordinuar me SHBA-në

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare Çohu, thotë se vetë fakti që betimi i kryetarëve të rinj të tri komunave në veri të vendit, si dhe konstituimi i dy asambleve komunale do të bëhen në objekte publike dhe jo në objekte komunale, është sinjal sesa i vështirë do të jetë ushtrimi i funksioneve nga kryetarët e rinj.

Demhasaj sugjeron që kryetarët, pas dhënies së betimit, të koordinohen me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës për t’i tejkaluar sfidat e mundshme.

“Unë mendoj që edhe kryetarët e zgjedhur të komunave në veri, por edhe asamblistët që kanë marrë mandatin atje, duhet të jenë të kujdesshëm për secilin veprim që e marrin. Këtë duhet ta bëjnë gjithmonë në bashkëpunim të afërt, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ambasadën e saj që është këtu, që të mos ndodhë që veprimet dhe vendimet që ata i marrin, ta çojnë edhe një herë veriun në bllokim. Pasojat më pas do të jenë për ne. Kështu që duhet të jemi të kujdesshëm”, thotë Demhasaj.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë më 18 maj se nuk duhet përdorur forcë për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

Zgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri janë mbajtur më 23 prill, pasi Lista Serbe është larguar nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet me targa ilegale serbe.

Çështja e targave ka shkaktuar tensione të njëpasnjëshme në veri, vitin e kaluar, të cilat kanë kulmuar edhe me ngritje të barrikadave në rrugë./REL

Etiketa: Kosovakryetaret ne veriMitrovica e VeriutZubin PotokZvecan

Lajme të lidhura

Itali/ Prokuroria vendos nën hetim 5 persona mes tyre Guvernatorin e Kalabrias dhe ortakun e tij me kompani në Shqipëri
Aktualitet

Itali/ Prokuroria vendos nën hetim 5 persona mes tyre Guvernatorin e Kalabrias dhe ortakun e tij me kompani në Shqipëri

16:58 - 12/06/25
Kërkon të hyjë në BE duke fyer grupimin më të madh politik në Parlamentin Europian, Rama: Ju bashkuan kënetës
Aktualitet

I rrëzoi padinë ndaj Bashës, Rama sulmon drejtësinë: Gjyqtarja nën nivelin logjik të një 12-vjeçari, kërkon rritje page 700 Euro

16:40 - 12/06/25
I dënuar në Itali për krime seksuale, kapet në Elbasan
Aktualitet

I dënuar në Itali për krime seksuale, kapet në Elbasan

16:22 - 12/06/25
Para
‘I kam shumë borxhe Tiranës’, avokati Gjokutaj kandidon…

Gjokutaj: Basha dështues serial, model i mbaruar

Discussion about this post

TË FUNDIT

Itali/ Prokuroria vendos nën hetim 5 persona mes tyre Guvernatorin e Kalabrias dhe ortakun e tij me kompani në Shqipëri
Aktualitet

Itali/ Prokuroria vendos nën hetim 5 persona mes tyre Guvernatorin e Kalabrias dhe ortakun e tij me kompani në Shqipëri

16:58 - 12/06/25

Nën akuzën për korrupsion Prokuroria italiane ka vënë nën hetim Guvernatorin e rajonit të Kalabrias Roberto Occhiuto, i Partisë Forza...

Lexo më shumë
Kërkon të hyjë në BE duke fyer grupimin më të madh politik në Parlamentin Europian, Rama: Ju bashkuan kënetës

I rrëzoi padinë ndaj Bashës, Rama sulmon drejtësinë: Gjyqtarja nën nivelin logjik të një 12-vjeçari, kërkon rritje page 700 Euro

16:40 - 12/06/25
I dënuar në Itali për krime seksuale, kapet në Elbasan

I dënuar në Itali për krime seksuale, kapet në Elbasan

16:22 - 12/06/25
LDK kërkon “Qeveri Uniteti” dhe planin me 15 pika: Zgjedhje të reja brenda 10 muajsh, rivendosim lidhjet me BE dhe SHBA

LDK kërkon “Qeveri Uniteti” dhe planin me 15 pika: Zgjedhje të reja brenda 10 muajsh, rivendosim lidhjet me BE dhe SHBA

16:18 - 12/06/25
Paraqitjet e legjionarëve/ Shkëlqejnë Muçi dhe Daku, Balliu vendimtar me asist

Merkato – Muçi dëshiron të largohet nga Besiktas

15:59 - 12/06/25

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com