Këtë vit sportelet e Kadastrës kanë qenë pa qytetarë, pasi të gjitha shërbimet janë kthyer online. Por, pa shpjegim dhe me abuzime vazhdojnë projektet për rikonstruksionin e godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës në Tiranë. Për këtë seli në fund të vitit 2021 u firmosën dy kontrata, të cilat duhej të kishin përfunduar. Por si duket punimet nuk janë kryer dhe Dallëndyshe Bici po e shtyn afatin.
Konkretisht bëhet fjalë për tenderin me objekt “Punime përforcimi, rehabilitimi dhe rikonstruksion i godinës ne rrugën Jordan Misja, Tirane “ me vlerë 3.3 miliardë lekë , i cili në korrik të vitit 2021 është fituar nga firma AD-STAR“ SH.P.K, në pronësi të Alfred Çomajt.
Ky tender ka marrë “Flamurin e kuq” asaj kohe nga monitoruesi Open Data, pasi ishte anuluar më shumë se dy herë për shkak të shkeljeve që përmbante. Gjithsesi në korrik të 2021, kur u firmos kontrata, është përcaktuar edhe afati 12 mujor, pra në korrik të 2022 punimet për rikonstruktimin e Kadastrës duhej të kishin mbaruar.
Por, jo jemi një vit pasi ka përfunduar ky afat dhe Bici ka marrë vendimin për kohëzgjatjen e kontratës.
Sipas të dhënave nga dokumentet e firmosura nga të dy palët, punimet do të zgjasin deri në 2 tetor 2023. Drejtoresha Bici nuk jep shpjegime pse kontraktori nuk ka zbatuar afatet dhe çfarë penaliteti duhet të paguante kompania për këtë shkelje të kushteve të marrëveshjes. Për më tepër janë lekë të marra nga fondi i rindërtimit, me të cilat mund të bëheshin shuymë shtëpi për të pastrehët.
Sakaq, e njëjta gjë kë ndodhur edhe me tenderin që u hap për mbikëqyrësit e këtyre punimeve. Në qershor të vitit 2021 tenderin me objekt “Mbikëqyrja e punimeve për “Godinen ne rrugën Jordan Misja, Tirane (Programi i Rindertimit)”, u fitua nga firma TAULANT” SH.P.K. Për mbikëqyrësin e punimeve janë dhënë 38 milionë lekë. Por, edhe kjo kompani nuk e ka bërë si duhet punën e saj, ose vetëm ka bërë sehir pa shqyrtuar apo raportuar ndonjë problem gjatë punimeve.
Edhe për këtë tender Bici nuk ka kërkuar llogari në mënyrë të shpejtë ka kërkuar zgjatjen e kontratës. Njësoj si me tenderin e parë afati i kontratës është shtyrë deri në datën 2 tetor 2023.
KLSH zbulon skandalin
Çorbën e thurur për këtë projekt e ka zbardhur KLSH. Më poshtë dalin në pah abuzimet e nisura nga Artan Lame dhe që tani po vazhdohen nga Dallëndyshe Bici.
KLSH konstaton se ka nisur tenderi dhe janë lëvruar fondet pa u bërë më barë vlerësimi dhe vërtetimi i objektit. Pra në asnjë moment nuk është dëshmuar që godina e Kadastrës ka marrë dëmtime nga tërmeti i vitit 2019 për t’iu dhënë në dispozicion fondeve.
“Për objektin 6 kate me vendndodhje në rrugën Jordan Misja, Tiranë, nuk 182 ka fotografi apo video mbi dëmtimet e shkaktuar nga tërmeti i datës 26.11.2019 për themelet e strukturës, si dhe elementët strukturorë, soleta, trarë, kolona, etj.
Edhe pse konsiderohet ekspertizë e thelluar, konstatohet se, në asnjë rast nuk është realizuar marrje karotë betoni në elementet strukturorë të objektit të dëmtuar, për të përcaktuar edhe shkallën e dëmtimit, për kthimin e strukturës së objektit që është klasifikuar si objekt me dëmtime të mëdha strukturore ose dëmtime shumë të rënda jo strukturore”, thuhet në dokument.
Ndër të tjera KLSH ka konstatuar se punimet e ndërtimit që i përkasin periudhës 12.10.2021 (fillimi i punimeve) e deri më tani në datën e mbajtur të këtij akt konstatim, konsiderohen pune ndërtimi, jashtë periudhës së vlefshmërisë se Lejes së Ndërtimit.
Duke theksuar se nuk kanë vënë në dijeni institucionet përkatëse për shtyrjen e afatit të punimeve.
“Çdo punim pas tetorit të vitit 2021 është në kundërshtim me Lejen e Ndërtimit, dhe kontratën e sipërmarrjes dhe ngarkon me përgjegjësi: Drejtorin e Përgjithshëm të ASHK; Sipërmarrësin e punimeve dhe mbikëqyrësin e punimeve.
Nga DP-ASHK, nuk na u vu në dispozicion dokumentacioni tekniko-ligjor mbi shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së Lejes së Ndërtimit, për objektin: Rikonstruksion i 4 kateve të objektit ekzistues 6 kat, në pronë Republika e Shqipërisë dhe, në administrim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (Ish ZQRPP dhe ZVRPP Tiranë)”.
Ndërsa theksohet se nuk ka Leje Ndërtimi për Projektin e Zbatimit për 2(dy) katet e fundit (kati 4 dhe kati 5) që administrohen nga ZVRPP, ndërkohë që , u konstatua se po kryhen punime, pa Projektin e zbatimit, Arkitektonik, Elektrike, mekanike, MKZ, Hidraulike”, thuhet në raportin e KLSH.
Por pavarësisht këtyre shkeljeve të konstatuara nag KLSH, Kadastër vazhdon ta shtyjë afatin e punimeve përmes procedurave në kundërshti me ligjin. Sipas KLSH Kadastra ka shtyrë punimet në bazë të një oponence të hartuar nga vetë ajo, kur në fakt duhej bërë nga Instituti i Ndërtimit.
“Lidhur me kryerjen e Oponencës Teknike, për projektet: Arkitektonik, Elektrik, Hidrosanitar, HVAC dhe MNZ, mendojmë se kryerja e oponencës teknike është në konflikt institucional të hapur, sepse Projektuesi dhe Institucioni i oponencës është i njëjtë, pra, Universiteti Politeknik i Tiranës.
Veprim ky, në kundërshtim me Urdhrit të Ministrit Nr. 197, datë 09.10.2014 “Për miratimin e kushteve të përgjithshme të marrëveshjes për kryerjen e oponencës teknike për projektet e veprave të ndërtimit”, si dhe Ligjin Nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për Kontrollin dhe Disiplinimin e Punimeve të Ndërtimi”, i ndryshuar, neni 6.
Në gjykimin e audituesit, oponenca teknike, duhet të kryhet tek Instituti i Ndërtimit dhe sugjerojmë se, në vijim për projektet: Arkitektonik, Elektrik, Hidrosanitar, HVAC dhe MNZ, për katin 5 dhe katin 6, të godinës, OT të kryhet tek ky institucion. Për sa më sipër ngarkohet me përgjegjësi Drejtori i Përgjithshëm i ASHK”, thekson KLSH.
Mos ka ardhur koha që SPAK të trokasë në dyert e Lames dhe Bicit?!
Discussion about this post