Kombëtarja shqiptare është grumbulluar që prej ditës së diel në Varshavë, ku ka nisur përgatitjet për ndeshjen e katërt kualifikuese ndaj Polonisë, e vlefshme për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
Ndërkohë që pritet të kompletohet i gjithë grupi, në një konferencë zyrtare për mediat kanë dalë dy futbollistët kuqezi, Berat Gjimshiti dhe Klaus Gjasula, të cilët kanë folur për ndeshjen ndaj polakëve, por edhe për dy sfidat e tjera ndaj Hungarisë dhe San Marinos që do të zhvillohen në Shqipëri.
Mbrojtësi i talentuar kuqezi, pjesë e skuadrës së Atalantës në Serinë A në Itali është shprehur se Kombëtarja shqiptare ka bërë hapa pozitivë përpara dhe në Poloni skuadra do të japë maksimumin, pavarësisht emrave të mëdhenj që kanë përballë. Gjithashtu Gjimshiti foli edhe për dy ndeshjet e tjera që do të luhen në Shqipëri ndaj Hungarisë dhe San Marinos, ku tha se ndihet shumë i lumtur që më në fund tifozët do të rikthehen në stadiume. Në aspektin personal, mbrojtësi theksoi se kërkon të përmirësohet sa më shumë.
Rikthimi në Kombëtare – Ka qenë një sezon shumë i gjatë, sidomos për mua personalisht. Kemi pasur shumë ndeshje dhe me klubin dhe me Kombëtaren. Me Shqipërinë kemi bërë hapa përpara, pozitive. Besoj që në këto tre ndeshje që janë shumë të rëndësishme për ne, do të shikojmë si do të dalim dhe do të japim maksimumin të marrim sa më shumë pikë.
Mundësi për të marrë rezultati pozitiv në Poloni? – Sigurisht që po. Besoj, pasi siç e thashë edhe më sipër, kemi bërë hapa pozitivë. Duhet të kemi respekt, pasi ka një skuadër shumë të mirë, me lojtarë që luajnë në klubet më të mira në botë. Por duhet të shikojmë veten, si do luajmë ne dhe do të japim maksimumin për të fituar ndeshjen.
Sulmuesi Lewandowski? – Po të shikosh Bayernin, mund të shikosh edhe një Levandoëski në super formë, me shumë gola dhe siç e thatë edhe ju, është sulmuesi më i mirë në këtë moment, sigurisht, sipas golave dhe do jetë një duel shumë i bukur dhe do jap maksimumin tim.
Frikë ndaj kundërshtarit? – Në qoftë se frikësohesh, do të thotë se je gabim në këtë punë. Besoj siç e thatë, të gjithë lojtarët kanë marrë eksperiencat dhe kur të luash kundër një kundërshtari të këtij niveli shumë të lartë, besoj që do të rrisë edhe personalitetin dhe vetëbesimin, që rritet me sa më shumë ndeshje që luan dhe sa shumë gjëra merr me vete në karrierën tënde. Besoj që i gjithë ekipi ka një eksperiencë shumë më të mirë seç e ka pasur më herët.
Ndeshjet ndaj Hungarisë dhe San Marinos? – Çdo fitore të jep motivim më të madh. Për tifozët jam shumë i lumtur që do të kthehen sepse na kanë munguar. E shoh edhe në Serinë A se është më bukur të luash me tifozë dhe jam i lumtur që janë rikthyer.
Në mesfushën kuqezi rikthehet Klaus Gjasula, i cili në prononcimin e tij përpara mediave shprehet se është gjithmonë gati për Kombëtaren. Gjasula theksoi se ekipi ka treguar në ndeshjet e fundit një rritje, si dhe u shpreh se pavarësisht kundërshtarit që do të luajnë, do të japin maksimumin, pasi është një ndeshje e rëndësishme. Edhe për Klausin, rikthimi i tifozëve në stadiume është një lajm i gëzueshëm, teksa foli edhe për të ardhmen e tij me Darmstad, ekipi ku u transferua pak javë më parë.
Gati për tre ndeshjet e radhës me Kombëtaren? – Ndihem gjithmonë gati për të luajtur me Kombëtaren. Për mua është e rëndësishme tani që të bëj prapë minuta në fushë, sepse më ka munguar. Prandaj bëra këtë hap, te një klub pak më i vogël, për të luajtur dhe për të qenë gati për Kombëtaren.
Shqipëria, ekip më cilësor dhe më me eksperiencë? – Ndeshjet e fundit që kemi pasur e kanë treguar që fryma është shumë e mirë, që po rritemi bashkë dhe më e rëndësishme është që t’i fitojmë ndeshjet, pasi po fituam ndeshjet, secili ka më shumë besim dhe rritesh akoma më shpejt. Fryma është e mirë, përzierja e lojtarëve me eksperiencë dhe lojtarëve të rinj është shumë e mirë, harmonia është e mirë dhe më bëhet qejfi që jam këtu.
Kritikat për mesfushën kuqezi – Ne kemi edhe mesfushorë të mirë. Unë besoj, se secili prej tyre ka cilësitë e veta. Si ekip, nuk kam dëgjuar që në mesfushë, mbrojtje apo sulm jemi dobët. Ne kemi bërë paraqitje të mira dhe aty do të provojmë të vazhdojmë. Ndeshja nuk fitohet apo humbet në sulm, mesfushë apo mbrojtje. Jemi të gjithë si ekip për atë punë aty, që të forcohemi bashkë dhe do të provojmë më të mirën dhe do të japim maksimumin.
Kundërshtari polak? – Është një ekip me shumë eksperiencë dhe cilësi. Pa diskutim, edhe Gjimshiti e tha që kanë lojtarë që luajnë në ekipet më të mira në botë. Edhe pse nuk luajtën mirë në Europian, kanë cilësitë e tyre dhe e dimë që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Do të kemi respekt përballë kundërshtarit, por frikë asnjëherë. Po të japim ne maksimumin dhe secili të tregojë cilësitë e tij, besoj se i kemi të gjitha mundësitë.
Njohja e lojtarëve polakë që luajnë në Gjermani – Këtë nuk e di. Po ta fitojmë ndeshjen, është një plus për ne. Po ta humbim ndeshjen, nuk është mirë për ne. Prandaj, do të japim maksimumin, do ta kemi mendjen tek ne dhe jo te kundërshtari, që secili të ketë një formë të mirë dhe pastaj do të shohim si do të dalë.
Rikthimi i tifozëve në stadium në dy ndeshjet e radhës – Çdo futbollist gëzohet shumë dhe është i lumtur se do të vijnë tifozët në stadium sepse kështu e kemi mësuar futbollin, që të vegjël. Futbolli pa tifozë nuk është njësoj, mungojnë emocionet dhe besoj edhe për ne është shumë e rëndësishme të vijnë tifozët. Tani kemi njëherë ndeshjen me Poloninë, është e rëndësishme të bëjmë një paraqitje të mirë dhe për ato dy ndeshje do të shohim. Është e rëndësishme ta lëmë grupin hapur për ndeshjet në fund, që të kemi mundësi për t’i arritur të gjitha.
Shpresë për t’u kualifikuar? Është herët për të folur. Të përqendrohemi fillimisht te Polonia, të kapim sa më shumë pikë që kemi mundësi në këto tre ndeshje dhe pastaj të shohim.