Sipas ekspertëve, kurset sportive kanë benefite në lidhje me shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve. Edhe në Shqipëri, psikologët thonë se vitet e fundit vihet re një preokupim dhe interesim i lartë i prindërve për të aktivizuar fëmijët në kurse pas shkolle. Deri më tani kurset ndahen në disa drejtime. Kurse formale të cilat kanë të bëjnë me përforcimin e informacioneve që kanë marrë fëmijët në shkollë dhe nga ana tjetër janë kurset e zhvillimit të talenteve siç janë kurset sportive, kurset e gjuhëve të huaja, kurset e artit etj.
“Kursi sigurisht që ka anët pozitive përsa i përket zhvillimit të fëmijëve”, tregon Llaha duke shtuar se, në një farë mënyre, me anë të kurseve, zhvillohet një drejtim i fëmijëve drejt asaj që duan të bëjnë. Me anë të kurseve, prindërit mund të kuptojnë se çfarë dëshiron të bëjë fëmija, ku dominon më tepër talenti i fëmijëve të tyre”, thotë hotë Psikologe Nereida Llaha për Gazetasi.al
Llaha thotë se kurset pas shkolle janë një mënyrë për të performuar më mirë në shkollë, për të arritur rezultate më të larta por problem është kur këto kurse janë shumë intensive. “Sigurisht që një mbingarkesë, sidomos në një moshë të shkollës fillore, është e dëmshme psikologjikisht sepse atëherë kur prindërit mundohen që të rrisin motivimin, kjo mund të kthehet në një arsye për ta ulur pjesën e vëmendjes, motivimin e kështu me radhë që kalon më pas në lodhje fizike. Çfarë unë e shoh si problematikë tjetër në ditët e sotme është se prindërit priren ti angazhojnë fëmijët në sa më shumë kurse si një mënyrë për të plotësuar nevojat e veta të paplotësuara. Mendimi që prindërit kanë, se angazhimi në shumë sporte do ti bëjë fëmijët e tyre më të devotshëm dhe më produktivë, është një problem në rritje”, tha Llaha.
Një problematikë tjetër janë edhe pritshmëritë që kanë prindërit për rezultatet e këtyre kurseve. “Janë pritshmëri që shpesh herë e kalojnë normalen”. Për fëmijët të moshës 6 deri në 10 vjeç, mbingarkesa me kurse shkaktojnë shqetësime që transmetohen në sjelljet që ato bëjnë duke rritur impulsivitetin, rrisin mungesën e vëmendjes, ndonjëherë dhe hiperaktivitetin dhe uljen e përqendrimit. Mirë është që nëse prindërit zgjedhin të çojnë fëmijën në një kurs matematike, sipas psikologes, duhet ta alternojnë atë me një kurs sportiv, pasi kështu të gjithë ngarkesën që marrin në një kurs formal, mund ta shkarkojnë në aktivitete sportive.
Psikologe Migena Kurushi thotë për Gazetasi.al se, duke çliruar energji me anë të sportit, fëmijët rrisin kapacitetin e tyre në aspektin akademik. “Me anë të çlirimit të energjive, rritet përqendrimi e njëkohësisht dhe vëmendja. Fëmijët ulin ndjeshëm nivelet e hiperaktivitetit të tyre(super energjive te akumuluara) dhe ndihmojnë dhe shëndetin fizik duke reduktuar mbipeshën etj.”, thotë Kurushi.
Po kur fëmija nuk dëshiron të ndjekë një kurs?
Psikologet janë kundër imponimit dhe përfshirjes pa dëshirë të fëmijës në kurse. “Përpara se ta imponojmë sportin që ne kemi dëshirë të përfshijmë fëmijën tonë duhet të diskutojmë gjerësisht me të dhe për të”, thotë Kurushi, e cila shton se disa mënyra për ti bindur fëmijët janë duke i bërë të ditur benefitet që përfiton nga kurset sportive, duke e pyetur ku ka dëshirë fëmija më së shumti të aktivizohet. “Mos të bëhen modeli i prindit autoritar duke ja imponuar atë që mendojnë se është më e mira”.
Një mënyrë është duke e dërguar për një kohë të shkurtër në ambientet e aktivitetit fizik, kështu ai do të krijojë një pasqyrë më të qartë të sportit që do të ushtrojë, të vendit ku ushtrohet, të trajnerit etj. Nëse sërish fëmija ka rezistencë dhe insiston të mos paraqitet as për t’u njohur më nga afër me sportin, “mund të shohin video të ndryshme në internet mbi aktivitetin që prindërit janë të interesuar për ti përfshirë”.
Psikologe Llaha thotë se për ti bindur fëmijët të jenë pjesë e kurseve, nevojitet kohë dhe durim nga prindërit. “Është e rëndësishme tu shpjegojnë arsyet, ti joshin ta provojnë një herë, të shohin ambientin, ta provojnë, të bëhen pjesë edhe prindërit ditët e para, ta motivojnë fëmijën”. Në rastet kur rrezikohet shëndeti, “është njësoj sikur fëmija të mos dojë të bëjë insulinën”, thotë Llaha duke shtuar se fëmija duhet të shkojë në atë kurs ndërkohë që mund të ndiqet me një psikolog për të kaluar frustimin emocional.
Discussion about this post