Federata Shqiptare e Futbollit po organizon që prej ditës së hënë kursin për trajnerin e përgatitjes atletike, një figurë shumë e rëndësishme e stafit teknik në futbollin e sotëm e që është bërë një rol thelbësor për çdo klub profesionist.
Ky edicion i katërt i kursit për trajnerë të përgatitjes atletike po udhëhiqet nga specialistë të Drejtorisë Teknike në FSHF, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit do të marrin leksione nga trajnerë shumë të njohur të përgatitjes atletike në të gjithë botën, si edhe lektorë nga Shqipëria.
Deklarata
Në një prononcim për fshf.org, përfaqësuesi i Sektorit të Përgatitjes Atletike në FSHF, Iris Selimi njëkohësisht një nga udhëheqësit e kursit, theksoi rëndësinë e kësaj figure që po bëhet gjithmonë e më e rëndësishme në një skuadër futbolli.
https://www.youtube.com/watch?v=OMOR_n6GakM&feature=emb_imp_woyt
“Ky është edicioni i katërt i kursit për përgatitës atletik. Sot në futbollin modern kemi gjithmonë e më shumë kërkesa më të larta fizike. Po të shikojmë edhe stafet e ekipeve janë shumë më të mëdha. Përgatitësit atletikë marrin një rol shumë të rëndësishëm në skuadër, sidomos për kërkesat fizike që kërkon lloji i sportit dhe parandalimit të dëmtimeve që është shumë i rëndësishëm sot” – tha Iris Selimi për fshf.org, ndërsa theksoi se ky kurs do të zgjasë katër javë e kursantët do të trajnohen nga emra të njohur përgatitësish atletikë në botë, por edhe nga lektorë të Universitetit të Sporteve në Shqipëri, si edhe nga përgatitës atletikë që kanë dalë pikërisht nga ky kurs gjatë tre edicioneve të para.
Ndër të tjera, Selimi nënvizoi edhe se ky kurs jepet vetëm nga Federata Shqiptare e Futbollit.
“Ky kurs është intensiv dhe do të zgjasë rreth 4 javë javë e ku studentët do të marrin leksione nga 16 lektorë të huaj, shumë të njohur në rang botëror. Janë trajnerë që kanë stërvitur edhe Kombëtaren italiane, emra si Claudio Gaudino, Francesco Perondi etj., që janë shumë të famshëm dhe kanë kontribuar në këtë fushë. Po ashtu, në këtë kurs kemi edhe lektorë nga Universiteti i Sporteve në Shqipëri, por edhe përgatitësit tanë që kemi trajnuar në tre edicionet e para e që tashmë janë pjesë e klubeve të ndryshme në futbollin shqiptar. Kursi i përgatitjes atletike jepet vetëm nga Federata Shqiptare e Futbollit sepse është një kurs specifik në futboll.” – nënvizoi Iris Selimi për fshf.org.
Siç është bërë e ditur, ky kurs merr një rëndësi të madhe për faktin se FSHF ka përfshirë në rregulloret e sezonit të ardhshëm detyrimin që çdo klub të ketë në stafin teknik një trajner të përgatitjes atletike të licencuar pikërisht nga Federata e Futbollit. Kursi i përgatitjes atletike nisi të hënën e 9 janarit e do të jetë i ndarë në katër periudha të ndryshme gjatë vitit për t’u finalizuar më 17 mars 2023.
Discussion about this post