Një konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama u shoqërua me tension dhe ndërprerje të papritur të komunikimit me gazetarët.
Debati me gazetaren e Syri TV gjatë sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve e çoi situatën në përplasje të drejtpërdrejtë, ndërsa kreu i qeverisë vendosi të ndalojë për 5 minuta konferencën.
Situata u tensionua pasi gazetarja ngriti një pyetje për atë që u konsiderua përdorim i standardeve të dyfishta në raport me ndëshkimet penale për qytetarët dhe çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.
Rama reagoi duke kundërshtuar pretendimin se ka folur ndonjëherë për burg ndaj qytetarëve që nuk paguajnë energjinë elektrike.
Ai sqaroi se ndëshkimi penal lidhet me vjedhjen e energjisë dhe jo me mospagesën e faturave. Shkëmbimi i replikave me gazetaren u ashpërsua, ndërsa kryeministri i kërkoi asaj të mos e kthente konferencën në debat politik dhe të kufizohej në formatin e pyetjeve dhe përgjigjeve.
Pas këtij momenti tensioni, Rama vendosi të ndërpresë konferencën për pesë minuta, një vendim i pazakontë për komunikimet e tij publike me median.
“Kush je ti që ndërpret. Me lër te mbaroj, nuk ke ardhur këtu as për miting as për debat. Ta mbaroj unë.
Kështu është kur nuk ka prokurori. Ai tv që thua ti është në prokuror për pastrim parash, është në prokurori me një denoncim të bërë nga organet shtetërore.Nuk lejon njerëzi të peshojnë të dyja palët, mbylle të flas unë, jo ta mbyll unë 20 herë që të flasësh ti. Juve abuzoni me njerëzit, me ata që merrni nëpër gojë në mënyrën më të ulët, abuzoni me faktet, ju jepni njerëzve çdo dite gënjeshtra dhe askush nuk ju thotë plaç.
Më lër të mbaroj fjalën, marrja peng e një bisede me dhunë, mund ta bësh, unë nuk kam çfarë bëj tjetër, por kjo është dhunë, më lër të mbaroj fjalën. Do ti përgjigjen që do ti, nuk ta jap unë, se unë nuk punoj për qimin. Subjekt i denoncuar për pastrim parash me fakte, me prova, me të gjitha, dhe natyrisht që paratë në atë televizion pastrohen për të bërë këtë që bëhet çdo ditë, që përmbyten njerëzit me gënjeshtra dhe pisllëk.
Po bën heroinën për ata që të kanë sjellë këtu, do bëhesh heroinë e ditës. Boll tani! S’kam më asnjë fjalë për të thënë, u mundova shumë gjatë për të të dhënë përgjigje deri në fund. Qytetarëve u përgjigjem çdo ditë, nuk i përgjigjem nëpërmjet televizioneve që pastrojnë paratë e grabitura nga qytetarët dhe që gëzojnë imunitetin e dhunuesve”,tha Rama.
Pas pauzës, konferenca rifilloi dhe komunikimi me gazetarët vazhdoi me pyetje të tjera.










Discussion about this post