Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Emiljano Shullazit për t’u liruar nga regjimi ’41-bis’, burg ky i sigurisë së lartë. Ishte Shullazi ai i cili bëri kërkesën me anë të përfaqësuesve të tij ligjor për t’u larguar nga izolimi fillimisht me pretendimin se në momentin e dhënies së vendimit, ndaj tij nuk kishte një vendim të formës së prerë.
Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese, thuhet se Shullazit iu mohua e drejta për të pasur një proces të drejtë gjyqësor. Kushtetuesja ka gjetur parregullsi ligjore, qoftë në procesin gjyqësor në shkallën e parë, qoftë në atë të Apelit të posaçëm.
Prej 1 gusht anëtarët të bandës së Emiljano Shullazit, por edhe të dënuar të tjerë si Arbjon Aliko, Arbër Çekaj dhe Genci Balla janë disa prej të dënuarve që janë izoluar në regjimin ‘41-bis’. Shullazi dhe grupi i tij është dënuar me 55 vite burg në total, vendim i dhënë nga Gjykata për Krimet e Rënda.
Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja u arrestuan pas bërjes publike të kërcënimit ndaj ish-rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Më pas u mësua se ishte kërcënuar dhe profesori Dhori Kule po nga ky grup. Grupi i Emiljano Shullazit ka shkatërruar me eksplozivë në dy raste prona, në formë presioni që biznesmenët të paguanin gjobat e vendosura nga Shullazi dhe grupi i tij.
Grupi u arrestua në vitin 2016, të akuzuar për disa vepra penale të ndodhura në periudhën 2014-2016. Emiljano Shullazi dhe grupi i tij akuzohen për gjobëvënie, shkatërrim të pronës me eksploziv, armëmbajtje pa leje dhe krijimin e një grupi të strukturuar kriminal. Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në vitin 2017. Në vitin 2018 ata janë dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 55 vite heqje lirie në total.
Shullazi u dënua me vendim të formës së prerë pas 83 seancash gjyqësore që u zhvilluan në harkun kohor të më shumë se 2 viteve në GJKKO (Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar). Ai u dënua me 14 vite burg, ndërsa me 12 vite burg u dënua Gilmando Danin, Endrit Qyqja me 10 vite, Indrit Zela me 10 vite dhe Blerim Shullazi me 9 vite burg. Por Shullazi akuzohet edhe për vrasjet e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, në vitin 2005. Megjithatë për këtë ngjarje hetimet ende vazhdojnë.
Discussion about this post