Ndryshe nga javët e tjera, seanca plenare u zhvillua ditën e sotme dhe jo të enjten siç zhvillohet zakonisht. Kjo, sipas raportimeve mediatike, lidhet me kampionatin europian të futbollit ku pjesmarrëse është edhe kombëtarja shqiptare dhe shumë deputetë do të nisen drejt Gjermanisë për të ndjekur Shqipërinë në stadium.
Disa prej tyre do të udhëtojnë me makinë, pasi do të ndjekin Shqipërinë në tre ndeshjet në fazën e grupeve, përveç ndeshjes hapëse me Italinë, edhe ato me Spanjën dhe Kroacinë. Për këtë arsye, raportohet se edhe javën e ardhshme nuk do të ketë seancë plenare në parlament.
Ky ndryshim ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave të huaja, ku e përditshmja spanjolle sportive “AS” i ka kushtuar një artikull kësaj situate të krijuar së fundmi, duke e cilësuar skandal.
Në artikullin e titulluar “Skandal në Shqipëri: Europiani paralizon politikisht vendin”, “AS” shkruan:
Jo më pak se 50,000 shqiptarë, shumica me banim në Gjermani, por edhe disa mijëra të zhvendosur, pritet të ndjekin ndeshjen debutuese të kombëtares së tyre kundër Italisë në Westfalenstadion të Dortmundit. Shqipëria rikthehet në një kampionat madhor pas paraqitjes së parë të këtij lloji, në Francë 2016 dhe ky Euro 2024 e paralizon Shqipërinë: edhe politikisht.
Kuvendi i Shqipërisë ka ndryshuar rrënjësisht planet e tij për shkak të futbollit. Sipas shtypit vendas, një pjesë e mirë e 140 deputetëve që përbëjnë parlamentin do të udhëtojnë drejt trojeve gjermane dhe për këtë arsye seanca plenare e kësaj jave nuk zhvillohet të enjten, siç ndodh zakonisht, por këtë të mërkurë. Shumë prej tyre udhëtojnë me makinë dhe kanë nevojë për më shumë se një ditë për të udhëtuar.
Shumica e përfaqësuesve politikë do ta ndjekin ndeshjen në tribunat e stadiumit të Dortmundit. Dhe jo vetëm kaq. Në parim, të njëjtët deputetë do të qëndrojnë edhe për dy duelet e tjera të grupit, kundër Kroacisë në Hamburg më 19 dhe kundër Spanjës në Dusseldorf, më 24. Për këtë arsye javën e ardhshme nuk do të ketë seancë plenare në Kuvend dhe kjo ka shkaktuar një skandal të vërtetë.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i kërkoi mazhorancës së kryesuar nga kryeministri Edi Rama sqarime për këtë “shkelje të rregullores”: “Është e mërkurë dhe ju keni vendosur ta trajtoni Kuvendin si dyqanin tuaj personal. Në cilësinë e drejtuesit të seancës, do të duhet t’u sqaroni qytetarëve se përse ka ardhur një arsye fyese pse seanca është zhvendosur nga e enjtja në të mërkurë. Ju keni detyrimin, sepse keni marrë një vendim të njëanshëm pa u konsultuar me opozitën. Nëse kjo është arsyeja (udhëtimi për në Eurokupë) , është një veprim i turpshëm dhe ne distancohemi nga ajo arsye banale”.
Discussion about this post