Sa më shumë të vonohet SPAK për të mbyllur hetimet për kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, alias Lali Eri, aq më shumë lekë të taksapaguesve do të shpërdorohen nëpër tendera të korruptuar. Dhe një nga ndërmarrjet më të pangopura që ka krijuar Lali Eri dhe miqve të tij mafiozë në Verona, është “Eco Tirana”.
Katër tendera të ‘Eco Tirana’ me vlerë totale 4.2 milionë euro kanë përfunduar të denoncuara në Komisionin e Prokurimit Publik, por me pak guxim kallëzimi mund të bëhej edhe në SPAK.
Le t’i marrim një nga një, ku do të sqarojmë edhe shkeljet e administratorëve të Veliajt. Tenderi i parë ka si objekt “Blerje Autobot 10,000 Lt në shasi të përdorur Euro 5 Me shirit anësor për korsitë e biçikletave”. Dhe mos u çudisni! Për këtë autobot të përdorur do të shpenzohen 416 milionë lekë!
Këto shpenzime tregojnë qartë që po abuzohet dhe skandali thellohet kur shohim lojërat me dokumentet. Firma LODI CONSTRUCTION, që është ankuar më 30 prill 2024 pretendon se “Eco Tirana” ka vendosur kritere të paqarta dhe madje specifika gjysmake, të cilat nuk kuptohen nga konkurrentët dhe cenojnë konkurrencën për këtë tender.
Denoncuesi ka listuar pikat që janë shkelur, bazuar në ligjin për prokurimet.
“Së pari lidhur me ngjyrën e autobotit duhet të specifikohet kodi i ngjyrës pasi thjesht emërtimin i ngjyrës ishte abuziv dhe i paqartë dhe për më tepër krijon hapësirë për abuzim në fazën e vlerësimit të ofertave.
Së dyti, nga ana e autoritetit kontraktor duhet të specifikohen përmasat e kabinës, pra nuk mund të pi shkruhet kabina thjesht e shkurtër pasi përcaktimi i gjatësisë duhet tejet konkret pasi thjesht emërtimi i shkurtër ishte abuziv dhe i paqartë.
Së katërti, autoriteti kontraktor kërkon: kondicioner me rregullim manual aksesor dhe pajisje për përdorim. nga ana e autoritetit kontraktor duhet të specifikohen çfarë aksesorësh dhe pajisjesh kërkon. thjesht citimi aksesor apo pajisje bien ndesh me kërkesa e ligjit”, citohen disa prej tyre që tregojnë se komisioni që ka hartuar dokumentet nuk njeh ligjin dhe nuk dinë të hartojnë dokumente për tenderë.
Ndërsa në faksimilen më sipër paraqiten të 9 pikat e abuzimit, që ka evidentuar ankimuesi.
Denoncimi për tenderin 684 milionë lekë
Më herët, në 6 mars 2024, firma LODI CONSTRUCTION kishte bërë një denoncim për tenderin me objekt ‘Blerje Autokarro skarabil me vinç merimange’, me fond limit 684 milionë lekë. Bëhet fjalë për blerjen e pajisjes në foto, që “Eco Tirana” e ka në dispozicion, por me siguri do jetë prishur nga mospërdorimi. Gjithsesi, ankimuesi në denoncimin e bërë shprehet se edhe në këtë blerje përdoren kritere dhe specifikime jo ligjore, që diskrimojnë pjesëmarrësit në tender.
Në ankesë thuhet se autoriteti kontraktor ka përdorur një përshkrim për objektin që kërkon, të cilin asnjë operator nuk e kupton, por edhe komisioni i vlerësimit të ofertave nuk do të ishte i qartë. Megjithatë, kjo nuk ka rëndësi për njerëzit e Lalit, sepse ata e dinë se kujt do t’ia japin porosinë për blerjen.
Për disa kritere AK ka përdorur terma të cilat krijojnë hapësira për abuzim dhe cenojnë zhvillimin e një gare të drejtë.
“Lidhur me kërkimin e autoritetit kontraktor për serbatorin e kamionit, autoriteti kontraktor ka përcaktuar: Serbator AdBlue prej afërsisht 50 litras. Përcaktimet e autoritetit kontraktor duhet të jenë të qarta jo vetëm për operatorët ekonomik pjesëmarrës por dhe Komisionin e Vlerësimit të Ofertave. Termi I përdorur ‘afërsisht’ është abuziv dhe sjell si mundësi një vlerësim subjektiv të ofertave të paraqitur nga ana e operatorëve ekonomik”, thuhet në ankesë.
Prej më shumë se një muaji, administratori i firmës Lazer Letja ka bërë këtë ankesë, ndërsa pritet vlerësimi nga KPP, edhe pse kriteret e shkelura janë të renditura qartë.
3.1 milionë euro për të blerë mjete kompaktuese
Por prokurimi më i kushtueshëm lidhet me makinat e transportit të plehrave. Më 29 prill 2024, KPP ka marrë një ankesë për tenderin me objekt ‘Blerje kompaktues 2/3 akse (18/27 mc)’. Ky tender është parashikuar të zhvillohet më 28 maj 2024, por ankesa e firmës LODI CONSTRUCTION mund ta vonojë disi zhvillimin e aferës. Në denoncimin e bërë për këtë tender kjo firmë evidenton se kërkesat kanë shumë boshllëqe dhe janë përdorur përshkrime që krijojnë konfuzione, hapësirë për abuzime dhe janë antiligjore.
Konkretisht, thuhet se AK ka bërë specifikime për pajisjen jo sipas direktivave europiane, por sipas dëshirës së vetë edhe pse nuk ka atributin të kontrollojë apo certifikojë pajisje të tilla.
“Lidhur me kërkimin e autoritetit për kutinë plotësisht të izoluar se: Kutia e mbajtësit duhet të përbëhet nga një trup fletë çeliku e vetme, plotësisht e salduar me rendiment të lartë dhe rezistencë ndaj konsumit është një kërkim i paqartë. . Autoritetit Kontraktor duhet ti referohet manualeve ose standarde kombëtare ose ndërkombëtare lidhur me cilësinë e produktit dhe jo të përshkruaj procese të punës apo specifikime të mallit të cilat as vet nuk mund të kontrollojë apo certifikojë”, theksohet në ankesë.
“Autoriteti kontraktor të mundësojë një konkurrim të drejtë, të hapur, e gjithëpërfshirës, të barabartë dhe jo diskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, si edhe të mos drejtohen drejt një produkti të vetëm të ofruar nga një operator i vetëm”, nënvizohet ndër të tjera në këtë denoncim.
Dhe, tenderi i fundit i cili ka përfunduar në KPP është ai me objekt ‘Blerje automjet i përdorur me kapacitet te vogël kompaktor 7 mc Euro 5’, për të cilin parashikohet të shpenzohen rreth 80 milionë lekë. Pra një makinë e vogël plehrash. Edhe pse në një vlerë më të vogël se kontratat e tjera, në këtë rast fondi limit është fryrë, duke marrë parasysh se do të blihet një automjet i përdorur.
Lidhur me kriteret që kundërshton, në ankesën e bërë ankimuei shprehet se ‘Kërkimi i autoritetit kontraktor për vitin e prodhimit në një kohë që ka kërkuar maksimumin e km që duhet të ketë, kjo pajisje dhe emetimet e motorit është një kërkim i pabazuar dhe ka për qëllim uljen e konkurrencës”.
Me këtë denoncim LODI CONSTRUCTION tregon se si vepron firma e Lali Erit me paratë e taksapaguesve kryeqytetas duke blerë mjete të vjetra tek klientët e tij.
Hetimi
Sakaq, SPAK e ka në dorë një dosje për firmën “Eco Tirana”. Bëhet fjala për kallëzimin e një studio avokatie në Tiranë, e cila kërkon ndjekjen penale ndaj administratores së shoqërisë “Eco Tirana”, Anjeza Çapllani për akuzën e “Shkeljes së pabarazisë në tenderë dhe ankande publike” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Sipas kallëzimit kjo kompani organizon dhe menaxhon tenderët e pastrimit të qytetit të Tiranës, ndërkohë edhe vetë rezulton të jetë e përfshirë në këtë proces, ku është specifikuar në grumbullimin dhe diferencimin e mbetjeve urbane.
Për të njëjtat akuza kërkohet ndjekja penale edhe për kompaninë mëmë të kësaj shoqërie “AGSM Holding ALBANIA” dhe pronarin e kësaj kompanie, italianin Andrea Miglioranzi.
Gjithashtu SPAK po heton kontratën koncesionare dhënë me afat 84 vjeçar deri në vitin 2100. Shumë shpejt mafia italiane e plehrave që ka shpërndarë degët e saj në Shqipëri mund të kafshohet përmes hetimeve të SPAK.
Kush është ortaku i Erion Veliajt në Eco Tirana? Kjo firmë është 51% në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe 49% në pronësi të shoqërisë italiane AGSM Holding ALBANIA, e cila ka si kompani mëmë AGSM AIM S.P.A dhe AMIA VERONA . Këto kanë pronarë biznesmenin italian Andrea Miglioranzi, që në Itali është akuzuar për pastrim parash dhe lidhje me mafian.
Në 4 maj 2023 përfundoi ka përfunduar në Gjykatën e Apelit gjyqi i 11 të pandehurve të arrestuar nga operacioni “Max” i koordinuar nga prokuroria e rrethit antimafia të Venecias, i cili zbuloi një dritare ku kishte infiltruar ‘Ndrangheta’ në provincën e Venecias. Në qershor 2020 ata kishin përfunduar në burg ose në arrest shtëpiak.
Nga organizimi mafioz i përshkruar nga prokurorët Buccini dhe D’Alessandro është vërtetuar se jo vetëm që ‘Ndrangheta” paraqitet e “përshtatur si kameleoni me ambientin”, por gjithashtu si një tentakulë depërtuese në strukturën ekonomike të bashkisë së Veronës.
Kështu është konfirmuar dy vjet e 8 muaj dënimi për Andrea Miglioranzi-n (ish-president i Amia i dënuar për një episod korrupsioni) i cili së bashku dhe veçmas me Nicola Toffanin të njohur si “avokat” realizonin lidhjet mes mafias dhe përfaqësuesve të kompanive dhe publike, rimbursonin shpenzimet e bëra nga palët civile (Amia spa, Cgil Veneto dhe Cgil Verona).
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post