“Eco Tirana”, ndërmarrja e pastrimit të kryeqytetit, është “joint venture” mes Lali Erit që ka 51% dhe disa biznesmenëve italianë në Verona, që shesin aksionet çdo vit se u del emri tek hetimet për Ndraghetën. Kjo shoqëri del me fitim, rreth 750 milionë lekë në vit, që ndahen mes partnerëve në këtë biznes. Theksojmë se një pjesë e aksionerëve (25%) janë anonimë.
Përveç sa deklarohet në biznesin e shoqërisë, fitime të shfrenuara vijnë nga korrupsioni me tenderat që është një cikël i mbyllur me subjekte përtej Adriatikut. Një nga tenderat simbolikë që kryhet çdo vit, ku derdhen fonde pa kursim është blerja e kazanëve për mbetjet. “Eco Tirana” blen mijëra kazanë në vit dhe gjithmonë i blen në Itali me tendera me një pjesëmarrës.
Tenderi i korruptuar merr “Flamurin e kuq”
Më 19 prill 2024, “Eco Tirana” ka njoftuar tenderin për blerjen e kazanëve të rinj metalikë për mbetjet. Fondi limit i caktuar është 187 362 961,00 lekë ( pa TVSH) por kontrata duke e përfshirë tatimin pritet të arrijë në vlerën 224 835 553,20 lekë.
Tenderi i kazanëve ka fitues të paracaktuar, pasi përgatitja e kritereve është bërë të favorizojë vetëm një kompani italiane. Siç duket qartazi nga dokumentet e tenderit, kriteret janë përkthyer nga italishtja siç ua ka dhënë operatori italian.
Megjithëse operatorët shqiptarë u ankuan në Komisionin e Prokurimit Publik, “Eco Tirana” këmbënguli dhe nuk bëri asnjë ndryshim thelbësor në dokumentet e tenderit.
Më konkretisht, më datë 25 prill 2024, “Lodi Construction” SHPK, denoncoi në KPP kriteret që favorizojnë një kompani të vetme në këtë procedurë prokurimi.
Në datën 5 qershor 2024, Komisioni i Prokurimit Publik mori vendimin të pranojë ankesën e operatorit ekonomik “Lodi Construction” SHPK, për procedurën e prokurimit të kazanëve.
Ndërsa më 11 qershor 2024, Komisioni i Prokurimit Publik, konstatoi se “Eco Tirana” nuk i kishte ndryshuar kriteret sipas vendimit të mëparshëm. Në këto kushte KPP u detyrua të marrë një vendim të ri sa për sy e faqe. Komisioni vendosi: Të mos lejojë autoritetin kontraktor për vijimin me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit “Procedurë e hapur”, me Nr. REF-01867-04-18-2024, me objekt “Blerje kazane të rinj hekuri 1700lt me kapak HDPE në dy pjesë”, me fond limit: 187.362.960 lekë.
Por dihet ndikimi politik që ka Lali Eri në institucionet shtetërore. Kështu, në datën 20 qershor 2024, Komisioni i Prokurimit Publik mori vendim të ri, “Të lejojë autoritetin kontraktor për vijimin me hapat e mëtejshëm të procedurës së prokurimit”.
Ndërkohë është edhe një tjetër operator që kam denoncuar kriteret (pas këtij vendimi), por tashmë KPP e kishte noterizuar pazarin e Lali Erit me partnerët italianë. Më konkretisht, në datën 28 qershor 2024, operatorit ekonomik “Clean Fast” SHPK ka bërë denoncimin Komisioni i Prokurimit Publik, për faktin se ECO Tirana duhet të modifikonte kriteret, që të garantonte barazi në tender.
KPP në vendimin e datës 1 gusht 2024 gjykon, se ankesa e operatorit ekonomik “Clean Fast” SHPK, për modifikimin e dokumenteve të procedurës së prokurimit objekt – ankimi është dorëzuar “jashtë afateve ligjore”.
Në këto kushte, administratorja e Lali Erit tek “Eco Tirana” Anjeza Çallpani u ka përkthyer në italisht vendimin kolegëve italianë (kompania ka edhe 5 administratorë të tjerë, që janë italianë) dhe tenderi është zhvilluar me një pjesëmarrës.
Kompania e favorizuar nga Lali Eri është “Officina Fiandri srl”, të cilës i xhirohen afro 2.3 milionë euro për kazanët.
Siç shihet më sipër në dokument, Open Data Albania i ka vendosur këtij tenderi një “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Ku shkuan kazanët e rinj, ku është teknologjia e re?
Duket sikur kjo kompani po i ndërron të gjithë kazanët nga e para. Në fillim të vitit, më 1 mars 2024 shoqëria “Eco Tirana” bleu 300 milionë lekë kazanë të përdorur.
Me sa duket kazanët ishin aq shumë të përdorur sa nuk kishin rrota. Kështu, u bë edhe një tender tjetër për blerje rrotash.
Dhe për ta plotësuar ciklin, më 1 mars 2024 u ble edhe një tjetër vjetërsirë, që quhet “platformë për mbledhjen e inerteve” që kushton 128 milionë lekë.
Në fakt, kjo kompani gllabëron çdo vit fonde të mëdha për kazanë dhe kosha, ndërsa qëllimi për të cilën është krijuar “Eco Tirana” tashmë është harruar.
“Do fusim konceptin e riciklimit dhe ndarjes së mbetjeve, do sjellim fillimin e një kulture të re, ku publikja nuk shihet si diçka e shtetit po shihet si një gjë që menaxhohet mirë ndonjëherë siç është rasti i mbetjeve në Tiranë, ndoshta menaxhohet dhe më mirë sesa privati – deklaroi kryetari i Bashkisë Erion Veliaj gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me kryetarin e Bashkisë së Veronës në Itali, Flavio Tosi.
Këtij t fundit i kanë dalë lidhjet me mafian dhe është mënjanuar nga skena politike, por partneri i tij Lali Eri vazhdon vjedhjen me kazanë këtu në Tiranë.
Më 26 nëntor 2021, e njëjta shoqëri zhvilloi tenderin 1 miliard lekë me objekt “Blerje Sistem i mbledhjes së mbeturinave, teknologjia e re, i përbërë nga kazanë mbitokë dhe nëntokë dhe mjete të specializuara”. Tenderi ishte i dyshimtë sepse njëra kompani pjesëmarrëse ofroi zero lekë (Pastrime Silvio). Nga ana tjetër nuk ka fituar kompania që ka bërë ofertën më të ulët. Kjo pasi fituese është shpallur firma NORD ENGINEERING SRL e cila rezulton të ketë ofruar disa miliona lekë më shumë sesa një tjetër operator ekonomik.
Në vijim të projektit “Eco Tirana” mbyll një tjetër tender pa garë në nëntor të vitit 2022, me fond 154 mijë euro, për blerjen e automjetit për zbrazjen e kontenierëve të teknologjisë së re.
Ky tender u fitua nga shoqëria italiane “Nord Rent” srl, e cila ishte e vetme në garë dhe paraqiti ofertën 150 mijë euro, ose vetëm 4 mijë euro më pak se fondi limit.
Dy kompanitë fituese të këtyre tenderave kanë emra të ngjashëm (Nord Engieenering/Nord Rent), si edhe kanë të njëjtën adresë, në Cuneo të Italisë.
Ndërkohë, kryetari e pompon shoqërinë “Eco Tirana” me paratë e taksapaguesve kryeqytetas. Me vendim të Këshillit Bashkiak në fillim të muajit Prill 2024, kompania që tashmë është vërtetuar se ka lidhje me personazhet e “Ndraghetës” italiane, do të marrë një buxhet shtesë prej 3.3 milionë euro. Dhe do të shpërdorohen në tenderas të tillë.
Dosja në SPAK
Sakaq, SPAK e ka në dorë një dosje për firmën “Eco Tirana”. Bëhet fjala për kallëzimin e një studio avokatie në Tiranë, e cila kërkon ndjekjen penale ndaj administratores së shoqërisë “Eco Tirana”, Anjeza Çapllani për akuzën e “Shkeljes së pabarazisë në tenderë dhe ankande publike” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Sipas kallëzimit kjo kompani organizon dhe menaxhon tenderët e pastrimit të qytetit të Tiranës, ndërkohë edhe vetë rezulton të jetë e përfshirë në këtë proces, ku është specifikuar në grumbullimin dhe diferencimin e mbetjeve urbane.
Për të njëjtat akuza kërkohet ndjekja penale edhe për kompaninë mëmë të kësaj shoqërie “AGSM Holding ALBANIA” dhe pronarin e kësaj kompanie, italianin Andrea Miglioranzi. Procedimi zhvillohet paralelisht me hetimin e inceneratorit të Tiranës, për të cilin janë kryer arrestimet e para dhe është marrë në pyetje, edhe Erion Veliaj.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post