Bashkia e Tiranës me drejtoritë e saj mbajë vendin e parë për tenderat pa garë. Zhvillohen prokurime çdo javë dhe të gjithë jepen pa konkurrencë, duke dëmtuar Buxhetin e Shtetit. Shkeljen e radhës e ka bërë Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit. Më datë 16 tetor 2024, drejtoria ka shpallur tenderin me objekt “Blerje pllaka dhe bordura”.
Sipas dokumenteve, do të furnizohet bashkia me anësore betoni për trotuare, vazo betoni për lule, pllaka të vogla trotuari me ngjyra, pa u përcaktuar se ku do të përdoren ato.
Në tetor 2024, pas hetimeve të nisura nga SPAK, Erion Veliaj bëri një rokadë drejtorësh dhe në krye të kësaj ndërmarrje erdhi Piro Sinjari.
or pavarësisht nëse drejtor është Piro apo Herioni, këta vetëm firmosin, sepse urdhrat i jep kryetari. Komisioni i tenderit ka llogaritur që duhen shpenzuar 270 milionë lekë për pllaka e bordura.
Është një fond i konsiderueshëm dhe për këtë u la një luaj afat për dorëzimin e ofertave. Gjatë kësaj periudhe shfaqen interes 4 kompani me oferta të ndryshme.
Siç është bërë publike nga raportimet e mediave dhe organet e kontrollit, Komisionet e Vlerësimit të Ofertave në bashkinë Tiranë janë fiktivisht sa për të firmosur, sepse kryebashkiaku ua shkurton procesin e punës duke dhënë porosi se cila kompani fiton.
Kështu, 3 prej ofertave janë skualifikuar menjëherë nga gara me argument të njëjtë ‘nuk kanë plotësuar të gjitha kriteret’, pa u specifikuar cilat kushte.
Gjithsesi, në këtë mënyrë u përjashtuan nga gara ofertat më të ulëta dhe iu hap rruga firmës “ARJEIL” SHPK, me ofertë 250 milionë lekë (pa TVSH). Është e qartë se pa asnjë konkurrent përballë, kjo kompani u shpall menjëherë fituese. Pa garë, pa kaluar në filtrat e komisionit më datë 11 dhjetor 2024, është bërë publike kontrata.
Ndërkohë, Open Data Albania i ka ngritur bashkisë “Flamurin e Kuq” për këtë tender, me shenjën e riskut të korrupsionit. “Skualifikim i të gjithë operatoreve konkurrues përveç fituesit/Skualifikim i ofertës me vlere më të ulët”, ky është përshkrimi i tenderit nga Open Data Albania.
Ndërsa duhet të theksojmë se firma në fjalë me pronar Arjan Latifin është e privilegjuar nga Bashkia Tiranë dhe ajo e Kamzës.
Drejtorët e Veliajt nuk pyesin për KLSH-në
KLSH ka lënë detyra për këtë drejtori që të mos bëjë tendera pa garë, por në këtë institucion ligji është vetëm porosia e Lali Erit. Raporti më i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit i ka ngritur si një shqetësim serioz procedurat që ndjekin në tendera.
Sipas KLSH-s, një e treta e kontratave janë realizuar pa garë, me vetëm një operator ekonomik pjesëmarrës dhe në shkelje të ligjit.
Madje është konstatuar se tenderat janë shpërndarë në vetëm disa kompani dhe sistemi i vlerësimit nga ana e institucioneve që i ka zhvilluar procedurat ka qenë i pabarabartë.
“Dy tendera të zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik i janë dhënë pa garë të njëjtës kompani. Vlera e këtyre dy procedurave arrin në 25.6 milionë lekë dhe të dyja procedurat janë shoqëruar me flamurin e kuq nga Open Data për mungesë konkurrence. Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj vijojnë të prokurojnë miliona lekë nga buxheti i shtetit në tendera, një pjesë e mirë e të cilëve pa garë”.
Rasti më i fundit i përket Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik e cila ka zhvilluar dy procedura që kapin vlerën e 25.6 milionë lekëve dhe që janë marrë nga e njëjta kompani.
Institucioni i drejtuar në atë kohë nga Herion Rrapaj ka hapur thirrjen për blerjen e materialeve për mirëmbajtjen e rrjetit semaforik me fond limit 13 milionë e 957 mijë lekë.
Pjesëmarrës në këtë procedurë rezultonte vetëm IDK Kontruksion, që pa asnjë konkurrent përballë, me një diferencë shumë të vogël nga fondi i vënë në dispozicion arriti të nënshkruajë kontratën me ofertën e paraqitur prej 13 milionë e 905 mijë lekësh.
Ndërkohë që tenderi tjetër kishte për qëllim blerjen e semaforëve për pika të reja me vlerë 11.6 milionë lekë.
I njëjti fenomen, me një procedurë pa asnjë konkurrent përballë, IDK Kontruksion u shpall fitues për 11 milionë e 598 mijë lekë.
Të dyja këto procedura janë sinjalizuar si problematike nga Open Data me flamurin e kuq me shënimin mungesë konkurrence.
Kujtojmë se Erion Veliaj dhe familja e tij po hetohen për korrupsion. Disa ditë pas marrjes në pyetje për çështjen e inceneratorit të Tiranës, kreu i Bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj, është vënë nën hetim nga prokurorët e posaçëm të SPAK.
Mësohet se ndaj Veliajt ka filluar procedimi penal dhe se SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna Shqiponjë Veliaj.
Para disa ditësh Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontroll personal të bashkëshortes së Erion Veliajt, Ajola Xoxës, të cilës i është sekuestruar një telefon celular.
Agjentët e BKH kanë kryer edhe në cilat e vëllait të Erion Veliajt në Tiranë dhe në Qerret. Duke mos dhënë detaje për kontrollet në një reagim zyrtar SPAK shkruan “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment”.
Së fundmi, kryetari i të bashkisë iu komunikuan akuzat nga SPAK për korrupsion, fshehje pasurie dhe favorizim të paligjshëm në tendera.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post