Edhe nëse talebanët nuk i ndihmojnë luftëtarët e tjerë ekstremistë, thjesht suksesi i tyre është një frymëzim, shkruan The Economist
Kur një president i ri amerikan merr detyrën, zakonisht udhëheqësit e vendeve të tjera bëjnë garë për të qenë të parët për ta takuar. Kur talebanët pushtuan Kabulin, pati një nxitim të ngjashëm për të takuar Abdul Ghani Baradar, udhëheqësin e grupit militant afgan.
Atë e takoi i pari Ismail Haniyeh, udhëheqësi i Hamasit, grupit islamik që kontrollon Rripin e Gazës. Zoti Haniyeh e përgëzoi Baradar për fitoren kundër “pushtimit amerikan” të Afganistanit. Ai tha se ky ishte vetëm fillimi i eliminimit të të gjitha forcave të huaja pushtuese, përfshirë pushtimin izraelit të Palestinës”. Baradar u përgjigj duke i uruar Hamasit “fitore dhe fuqizim si rezultat i rezistencës së tyre”.
Shkëmbime të tilla diplomatike u brohoritën nga xhihadistët e tjerë. Në provincën Idlib të Sirisë, të pushtuar nga Hayat Tahrir al-Sham, një grup që mendohet të ketë lidhje me Al-Kaedën, organizata që kreu sulmet e 11 shtatorit 2001, luftëtarët mbajtën një paradë të madhe dhe shpërndanë bakllava nëpër rrugë. Në periferitë e Somalisë Jugore të kontrolluara nga Al-Shabab, një tjetër degë e Al-Kaedës, u shpallën tre ditë festë. Nëpër mediat sociale, xhihadistët në të gjithë botën festuan gjithashtu fitoren e talebanëve.
Amerika dhe aleatët e saj e pushtuan Afganistanin më 7 tetor 2001. Osama bin Laden, organizatori i sulmeve të 11 shtatorit, jetonte atje nën mbrojtjen e talebanëve, të cilët gjithashtu po furnizonin me pajisje ushtarake mbështetësit e Al-Kaedës. Amerika kërkoi që talebanët t’i jepnin në dorëzim Bin Laden, por këta të fundit refuzuan. Brenda disa javësh, forcat antitalebane u përzunë nga Kabuli me ndihmën e forcave ajrore dhe tokësore amerikane.
Që atëherë, Amerika nuk ka pësuar një sulm terrorist të së njëjtës shkallë dhe Al-Kaeda nuk është më ajo që ishte. Osama bin Laden ka vdekur, i vrarë në Pakistan, në vitin 2011. Pasardhësit e tij jetojnë të fshehur nga frika se mos përfundojnë në mënyrë të ngjashme, të vrarë nga ndonjë dron apo nga forcat speciale, gjë që e bën të vështirë të organizojnë operacione terroriste.
Ayman al-Zawahiri, egjiptiani i cili u bë udhëheqësi i Al-Kaedës pas vdekjes së Bin Laden, nuk është parë më prej gati një viti: ose fshihet nga frika, ose ka vdekur vërtet. Megjithëse bashkëpunëtorët si Al-Shabab kanë festuar fitoren e talebanëve, organizata qendrore e Al-Kaedës nuk ka dhënë asnjë deklaratë.
Por sidoqoftë, islamizmi xhihadist i dhunshëm që nisi kjo organizatë, nuk është mundur aspak. Anëtarët e Al-Kaedës dhe grupet e tjera xhihadiste janë aktive në konflikte jo vetëm në Pakistan dhe Lindjen e Mesme, por në Sahel të Afrikës, në Indi, Indonezi, Malajzi, Tajlandë dhe Filipine.
Jo të gjithë ata që përqafojnë këtë ideologji e konsiderojnë veten si pjesë të një lufte globale; shumë janë më të fokusuar tek “armiqtë e afërt” sesa “armiku i largët” që është Amerika dhe aleatët e saj perëndimorë. Por edhe luftimet me armiqtë e afërt sjellin vuajtje, shkatërrim dhe i detyrojnë njerëzit të largohen nga tokat e tyre, duke u bërë refugjatë. Ato krijojnë paqëndrueshmëri.
Duket se aftësia për të kryer sulme si ai i 11 shtatorit, është kufizuar tashmë nga shërbimet më të mira të inteligjencës, presioni mbi financat dhe sulmet me dronë. Por doktrinat xhihadiste vazhdojnë të frymëzojnë xhihadistë të vetmuar në Amerikë dhe Europë, edhe pse jo më me të njëjtin ritëm si në mesin e viteve 2010. Dhe vetë lufta kundër xhihadizmit mund të përdoret si pretekst për abuzimet me të drejtat e njeriut, si në Kinën Perëndimore, ku ajo përdoret si justifikim për shtypjen sistematike të ujgurëve dhe grupeve të tjera myslimane.
Ndërsa ideologjia xhihadiste është zgjeruar gjithnjë e më shumë, vendet perëndimore kanë dërguar trupa, këshilltarë dhe para, në gjithnjë e më shumë vende. Kundër-terrorizmi dhe “luftimi i ekstremizmit të dhunshëm” janë kthyer në industri në mbarë botën. Në vitin 2020, Amerika kishte 7,000 trupa aktive të stacionuara në një duzinë, apo më shumë vende afrikane, plus edhe misione stërvitore në 40 vende të tjera, duke shënjestruar islamizmin militant.
Rikthimi i talebanëve në pushtet është pa dyshim momenti më fitimtar për xhihadistët, që nga koha kur Shteti Islamik (IS) krijoi një “kalifat” në Irakun Perëndimor dhe Sirinë Lindore në vitin 2014. Kjo frymëzoi sulme terroriste në Europë dhe Indonezi. Por fitorja e tanishme është në njëfarë mënyre më e madhe.
Për herë të parë që nga humbja e Bashkimit Sovjetik në Afganistan në vitin 1989, islamikët kanë marrë një shtet nga një superfuqi. “Të gjithë të tjerët thonë, meqë ata arritën ta bënin, mund ta arrijmë edhe ne”, thotë David Kilcullen, një ish-ushtar dhe ekspert kundër terrorizmit në Akademinë Ushtarake të Forcave Australiane të Mbrojtjes. “Ata janë të verbuar, të mahnitur dhe të befasuar nga çfarë kanë arritur talebanët”, thotë Mina Al-Lami, e cila ndjek në mediat sociale reagimet e islamikëve të dhunshëm dhe jo të dhunshëm.
Fakti se çfarë nënkupton kjo në praktikë, do të varet nga mënyra se si shkojnë gjërat në Afganistan, sa do të transformohet ngritja e moralit në fitore në terren dhe si do të reagojnë vendet që janë shënjestruar prej xhihadistëve.
Një situatë delikate
Islamizmi militant nuk filloi me talebanët dhe Al-Kaedën. Origjina e tij daton që në vitet 1950 dhe 1960, kur radikalët në Egjipt nisën të zhvillojnë një ideologji të re të bazuar në refuzimin e socializmit, kapitalizmit dhe regjimeve laike. Sayid Qutb, udhëheqës i Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit, u bë teoricieni i madh i lëvizjes.
Gjatë qëndrimit në Amerikë, ku ishte arratisur për t’i shpëtuar policisë sekrete egjiptiane, ai u radikalizua nga neveria ndaj normave morale dhe zakoneve seksuale të vendasve, të cilët sipas tij përfaqësonin “pikën më të ulët të primitivitetit”. Ai u motivua gjithashtu nga ideja se myslimanët po brutalizoheshin nga regjimet në vendet e tyre, të cilët imitonin materializmin e vendeve jofetare.
Qutb u ekzekutua nga autoritetet egjiptiane në vitin 1966; Vëllazëria Myslimane që ai kishte krijuar, vazhdoi të ekzistonte në vende të ndryshme, shpesh në fshehtësi dhe jo shumë e përhapur. Por kur Afganistani u pushtua nga sovjetikët në vitet 1980, idetë e tij u bënë popullore, duke shkuar përtej rezistencës ndaj regjimeve individuale dhe duke u kthyer në një luftë të armatosur mbarëbotërore, të njohur si xhihadizëm.
Pushtimi nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1979, bëri që me qindra luftëtarë nga e gjithë bota myslimane, të shkonin në Afganistan për t’u bashkuar me muxhahedinët, ose “luftëtarët e shenjtë”. Bin Laden, një i ri saudit që kishte trashëguar pasuri nga firma e ndërtimit të të atit, ishte një prej tyre. I tillë ishte edhe Aden Hashi Farah Aero, një nga themeluesit e Al-Shabab. Abdelmalek Droukdel, një nga themeluesit e Al-Kaedës në Magreb, shkoi gjithashtu në Afganistan. Kështu, në këtë vend, u krijuan fillesat e një xhihadi që përfshiu idealet e një ekzistence më “të pastër” morale dhe nënshtrimin ndaj Zotit.
Origjina dhe besimi i përbashkët, përkrahja e një qëllimi më të lartë dhe taktikat barbare, nuk ishin ato që i bënë xhihadistët e botës një front të bashkuar. Të tillë i bënë luftëtarët në Irak që themeluan Shtetin Islamik sepse mendonin se Al-Kaeda ishte tepër e butë: dega afgane e Shtetit Islamik ka qenë prej vitesh në një luftë të ashpër me talebanët në Afganistanin Lindor.
Ai ishte një nga grupet e pakta islamike që nuk shprehu pëlqim pas rënies së Kabulit, përkundrazi, i denoncoi talebanët si, “vegla të Amerikës”. Gazeta e grupit, me emrin Al-Naba, shkroi se “Mbështetja e islamit nuk kalon nëpër hotelet e Katarit dhe as ambasadat e Rusisë, Kinës dhe Iranit”, duke iu referuar zyrave politike të talebanëve në Doha dhe marrëdhëniet e tyre me shtetet laike.
Kjo armiqësi është e ndërsjellë. Ekzekutimi i vetëm që talebanët kanë pranuar se kanë kryer që kur erdhën në pushtet, ka qenë ai i Abu Omar Khorasani, udhëheqësit të Shtetit Islamik në Azinë Jugore. Kilcullen nuk është i vetmi që mendon se talebanët mund ta lejojnë përsëri Afganistanin të bëhet një bazë për xhihadistët e tjerë. Në marrëveshjen e negociuar me Amerikën në Doha në vitin 2020, talebanët premtuan se do t’i shkëpusnin lidhjet me Al-Kaedën dhe misionin e saj ndërkombëtar. Ata kurrë nuk e bënë këtë. Sipas një vlerësimi të pakonfirmuar, mund të ketë midis 400 dhe 600 anëtarë të Al-Kaedës në vend, shumë prej tyre të strehuar nga talebanët.
Sirajuddin Haqqani, nënkryetari i talebanëve, drejton një zonë gjysmë-autonome të quajtur Haqqani. Anëtarët e degës Haqqani patrulluan Kabulin që kur ai ra në duart e militantëve.
Lidhje të tilla nuk do të thonë se Al-Kaeda do të jetë në gjendje të godasë pa u ndëshkuar duke i rindërtuar operacionet e saj. Nuk ka të ngjarë që talebanët të duan që dikush të planifikojë sulme kundër Amerikës dhe Europës, ose të paktën, jo menjëherë. “Tani për tani, Al-Kaeda nuk ka bërë zhurmë për shkak të udhëzimeve nga talebanët afganë”, thotë Asfandyar Mir nga Universiteti Stanford. Por ndryshimi i regjimit afgan mund të përhapë xhihadin edhe më tepër.
Një shqetësim i veçantë është Pakistani. Tehreek-e-Taleban Pakistan (TTP), një grup xhihadist i referuar zakonisht si “talebanët pakistanezë”, zhvilloi një luftë të egër në Pakistan nga viti 2007 deri në vitin 2014. Pasi u rigrupua sërish, TTP, shumë anëtarë të të cilit janë të lidhur me Al-Kaedën, kohët e fundit ka zgjeruar aktivitetet e tij, me 120 sulme në Pakistan vitin e kaluar dhe 26 muajin e kaluar. Kthimi i talebanëve në pushtet në Afganistan tashmë e ka nxitur grupin.
Nga ana tjetër, qeveria pakistaneze i ka mbështetur prej kohësh talebanët në mënyra të ndryshme. Ajo do ta mirëpresë dobësimin e ndikimit indian në Afganistan. Në televizionin pakistanez, më 23 gusht, kryetari i partisë së Imran Khan, kryeministrit të Pakistanit, tha se “talebanët janë me ne dhe do të vijnë dhe do të çlirojnë Kashmirin për ne”.
Megjithëse riformimi i grupit xhihadist TPP paraqet një problem për Pakistanin, vendi ndoshta mendon se grupi mund të mbahet nën kontroll nga presioni diplomatik dhe ekonomik. Afganistani varet nga Pakistani për shumë mallra të importuara. Por tani që talebanët janë kthyer në pushtet, ata mund të ndiejnë se do të kenë më pak nevojë për Pakistanin.
Afrimi i shkatërrimit
Edhe nëse nuk marrin mbështetje të drejtpërdrejtë nga talebanët, largimi i Amerikës nga Afganistani do të jetë një nxitje e madhe morale për xhihadistët. Kjo mund të jetë veçanërisht e vërtetë në konfliktet ku të huajt janë përfshirë në anën e qeverisë. Nga Afganistani, xhihadistët kanë nxjerrë mësimin se po të vazhdosh të luftosh, të huajt do të dorëzohen dhe do të largohen – edhe nëse kanë qenë në atë vend për dekada të tëra.
Kjo mund të jetë e vërtetë. Në qershor, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi se forcat franceze në Sahel, skaji jugor i shkretëtirës së Saharasë, nuk do të qëndrojnë atje “përgjithmonë”. Vendosja e forcave franceze në atë rajon, në një mision të njohur si Operacioni Barkhane, filloi në vitin 2013, pasi xhihadistët pushtuan gjysmën veriore të Malit. Xhihadistët e Sahelit kanë bërë vazhdimisht qëndresë që prej ardhjes së forcave franceze, që tashmë janë më shumë se 5100.
Edhe Amerika ka qenë e përfshirë në të njëjtën luftë. Ajo ndërtoi një bazë të madhe ushtarake në Agadez në Niger, një tjetër nga pesë vendet që përballet me kryengritës xhihadistë. (Tre të tjerat janë Burkina Faso, Çadi dhe Mauritania.) SHBA-ja gjithashtu dërgoi rreth 800 luftëtarë në forcat e saj speciale në Somali, ku ata kryen sulme mbi Al-Shabab dhe koordinuan më shumë se 200 sulme me dron.
Dhjetorin e kaluar, Donald Trump njoftoi tërheqjen e shumicës së trupave amerikane nga Somalia. Sulmet me dron u ndaluan, megjithëse në korrik filluan përsëri. Financimi europian për trupat afrikane në Somali është shkurtuar. Etiopia, e cila ka pushtuar pjesë të Somalisë që nga viti 2009, po i tërheq ushtarët e saj për të zhvilluar luftën civile në Tigray.
Franca ndërkohë ka nisur procesin për të përgjysmuar në madhësi operacionin e saj Barkhane dhe do të përqendrohet më tepër në vrasjen e terroristëve sesa në mbrojtjen e qyteteve. “Si afrikanë, ne po përballemi me pasojat, teksa Perëndimi po humbet vullnetin për luftë”, shkroi Muhammadu Buhari, presidenti i Nigerisë në Financial Times, më 15 gusht.
Por tërheqja perëndimore nuk është aspak një shenjë suksesi. Ajo që ndodhi në Kabul mund të ndodhë edhe në Mogadishu. Al-Shabab ka përdorur taktika të ngjashme me talebanët, thotë Samira Gaid, drejtoresha e Institutit Hiraal, një institut i sigurisë në Mogadishu. Ata dëmtojnë qeverinë dhe forcat ndërkombëtare me sulme terroriste, ndërsa drejtojnë një qeveri në hije, edhe në zonat e kontrolluara nga qeveria zyrtare.
Ashtu si talebanët, ata lulëzojnë duke u dhënë banorëve një sens sigurie. Dhuna e tyre nuk është e përhapur, thotë Hussein Sheikh Ali, por efikasiteti i tyre admirohet. “Shteti i Somalisë vazhdon të renditet në nivel ndërkombëtar si më i korruptuari në botë.
Në Sahel, mbi 700 njerëz janë masakruar nga Al-Kaeda këtë vit. Sulmi i fundit, në një fshat në Mali pranë kufirit me Nigerin, rezultoi në 51 persona të vrarë. Kjo bie në kundërshti me deklaratën e gjeneralit francez Marc Conruyt, se “forcat saheliane sot janë në gjendje t’i përballojnë grupet e armatosura terroriste”.
Më keq se më parë
Për shkak se militantët zakonisht rekrutojnë luftëtarë nga pakicat Tuareg dhe Fulani në veri të Malit, burrat nga këto grupe etnike shpesh profilizohen në mënyrë brutale nga ushtarët nga jugu i vendit, ku militantët janë më pak të përhapur.
Përkatësia etnike nuk është e vetmja gjë që mund të çojë në një sulm. E tillë është edhe veshja e mbathjeve (shumica e malianëve nuk veshin, kështu që kjo shihet si dëshmi se personi ka qenë në Libi). “Shumë njerëz që njoh që kanë pasur baballarë, vëllezër dhe djem të vrarë, më pas u janë bashkuar militantëve”, thotë Corinne Dufka, një studiuese për Human Rights Watch, me seli në Nju Jork.
Përgjigjja ndaj terrorizmit islamik, e promovuar nga Perëndimi, shpesh është përqendruar në trajnimin e forcave të sigurisë, thotë Michael Keating, një ish-diplomat britanik që ka punuar në Somali dhe Afganistan dhe tani është drejtor i Institutit Europian të Paqes. Do të ishte më mirë të sigurohej një hapësirë politike për të operuar. “Ka një fokus të jashtëzakonshëm në trajnime, komunikime, dhe gjëra të tilla teknike”, thotë ai. Por “nëse doni të ndërtoni një institucion të qëndrueshëm, duhet të siguroheni që institucionet të kenë një bazë të fortë mbështetëse”.
Në Somali, ku trupat britanike dhe turke kanë trajnuar forcat e sigurisë, marrja e tyre për të luftuar nuk është vetëm një çështje e aftësive teknike. Është një çështje e ndërtimit të institucioneve vendase për të cilat ia vlen të luftosh.
Pra, çfarë ndodh nëse xhihadistët kanë sukses? Pak militantë islamikë në botë kanë arritur të qeverisin më tepër se disa fshatra dhe rrethe rurale. Kur ato përhapen më gjerësisht, mbështetja popullore është thelbësore. Kur u pushtua qyteti irakian i Mosulit, militantët fillimisht u mirëpritën nga banorët sunitë, të cilët i panë ata si një alternativë më e mirë ndaj dhunës dhe korrupsionit të shërbimeve irakiane të sigurisë, të dominuara nga shiitët. Qeveritë e mbështetura nga Amerika ose Europa kanë prirjen të jenë të korruptuara, pasi zyrtarët e tyre kërkojnë të fitojnë para nga financimet perëndimore.
Liderët e rinj në pushtet ofronin shërbime që ishin neglizhuar prej kohësh nga qeveria, si faturat e thjeshta të energjisë elektrike dhe grumbullimi i plehrave. Dhe ardhja e tyre në pushtet u shoqërua me një rënie të dhunës terroriste, pasi vetë ata kishin qenë përgjegjës për pjesën më të madhe të dhunës së mëparshme.
Sidoqoftë, njerëz të tillë ishin gjithashtu të përkushtuar në ndërtimin e një kalifati të orientuar përgjatë linjave të “qytetërimit më të hershëm mysliman”. Ata shpejt i ndaluan gratë që të udhëtonin të vetme jashtë shtetit, ndaluan pirjen e duhanit dhe alkoolit dhe filluan të përndiqnin pakicat fetare. Kështu, u rrit niveli i pakënaqësisë popullore me një pushtet të tillë.
Paraja gjithashtu ka rëndësi. Gjatë luftimeve, xhihadistët janë në gjendje të rrëmbejnë të ardhura duke taksuar trafikun në rrugë dhe industritë e paligjshme; talebanët kanë përfituar nga prodhimi i opiumit. Në pushtet, ata zakonisht kanë nevojë për më shumë të ardhura dhe nuk mund t’i rrisin ato pa delegjitimuar veten.
Në Siri dhe Irak, është zhvilluar zakoni i nxjerrjes së fitimeve të mëdha nga të huajt. Në Mozambik, xhihadistët që morën përsipër Cabo Delgado në fillim të gushtit, u mbështetën në plaçkitjen e bankave dhe grabitjen e bizneseve. Me këto para, ata mund të paguajnë luftëtarët, të blejnë armë dhe të vazhdojnë luftën. Por paratë e grumbulluara nga plaçkitjet ose pengmarrjet mbarojnë shpejt dhe situata bëhet e dëshpëruar.
E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me talebanët. Përpara rënies së Kabulit, mësuesit që punonin në shkolla dhe mjekët në klinikat në territoret e pushtuara nga talebanët, ende paguheshin nga qeveria qendrore në Kabul – dhe nga donatorët e huaj. Taksimi i transportit të karburantit funksionon vetëm nëse ka valutë të huaj për ta paguar. Rezervat e Afganistanit, tani janë ngrirë; nuk është e qartë nëse ndihma dypalëshe për qeverinë do të vazhdojë.
Penë dhe shpatë
Në parim, xhihadi nuk është mënyra e vetme për të krijuar një shtet strikt islamik që dëshirojnë ndjekësit e tij. Ata edhe mund të votohen në pushtet. Qeveritë me përfaqësim të konsiderueshëm islamik kanë pasur sukses në disa pjesë të Azisë.
Por përpjekjet për të krijuar një qeveri plotësisht islamike në botën arabe, kanë rezultuar shumë të ndjeshme ndaj reagimeve kundërshtare, kur popullariteti i tyre fillestar bie. Vëllazëria Myslimane sundoi Egjiptin për më pak se dy vjet para se të rrëzohej nga një grusht shteti. Muajin e kaluar, presidenti i Tunizisë shpërndau Parlamentin në të cilin foli një udhëheqës islamik.
Prandaj shpata bëhet më tërheqëse se pena. Islamikët që kujtojnë ish-udhëheqësin e Vëllazërisë Myslimane të Egjiptit, Muhamed Badie, i cili u bënte thirrje mbështetësve që të përballeshin me tanket me aktivizëm paqësor, thonë se ide të tilla tani janë tallur dhe denoncuar në internet.
“Talebanët po kapin imagjinatën popullore. Kur shprehni mendimet tuaja kundër kësaj dhune, shumë ju sulmojnë. Është shqetësuese”, thotë Osama Gaweesh, një gazetar egjiptian i internuar në Londër. Me varfërinë në rritje dhe politikën e shtrënguar në shumë shtete të Lindjes së Mesme, lind zemërimi. “Ata kanë hequr dorë nga besimi në partitë dhe organizatat islamike të falimentuara dhe elitare”, thotë Naim Tilawi, një islamik jordanez në Siri. “Ata duan xhihadizëm masiv në vend”.