Ditën e martë mazhoranca dhe opozita ranë në një mendje për të rritur pagat e deputetëve, ministrave, kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit, duke i dyfishuar. Sipas projektligjit që u diskutua në Komisionin e Ekonomisë, pagat do të rriten gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, ku parashikohet qe rroga mesatare të arrijë në 900 euro.
Bashkë me administratën do të rriten dhe pagat e deputetëve dhe ministrave, bëhet fjalë për gati dyfishimin e tyre. Mazhoranca dhe opozita bashkuan votat në komision për këtë projektligj. Reforma ka një kosto totale prej 39 miliard lekësh.
Konkretisht, rritja e re e çon pagën e një deputeti në 3.1 milionë lekë nga 1.5 milionë lekë që është aktualisht. Ndërsa një ministër i qeverisë do të paguhet 3.2 milionë lekë nga 2.2 milionë që paguhet aktualisht. Ndërkohë, paga e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit shkon rreth 3.9 milionë lekë.
Sakaq, ditën e sotme deputetët do ta kalojnë këtë projektligj në Kuvend. Kryeministri ka argumentuar se ajo është e nevojshme në kushtet e emigrimit të fuqisë punëtore si dhe për t’i bërë pagat me konkurruese me vendet e rajonit.
Por, ekspertët e gjykojnë si të pa vend vendimin e tyre në këtë pikë që ndodhet ekonomia shqiptare. Gijotina.com ka komunikuar me eksperten e ekonomisë, Romina Radonshiqi, e cila shprehet se mund të pranohet rritja e pagës për deputetët e ministrat, por dyfishimi është i papërshtatshëm sepse do jetë kosto mbi qytetarët.
Duke treguar se këto para do të sigurohen nga taksat tona, Radonshiqi theksoi se ligjvënësit po harrojnë faktin se qytetarët shqiptarë po hasin kosto të larta jetese. Sipas saj, duke menduar për veten e tyre, deputetët po iu japin më shumë arsye të rinjve të largohen.
Sakaq, ajo thekson se ky vendim thellon mosbarazinë në shoqëri përsa i përket gjendjes financiare.
“Shqipëria radhitet e dyta me koston me të lartë të jetesës (pas Serbisë) në rajon dhe me pagat mesatare më të ulët. Edhe pse se fundmi kemi rritjen e pagës minimale përsëri vendi ynë ka pagën minimale më te ulët pas Kosovës. Nga kjo analizë arrijmë në përfundimin se të jetosh në Shqipëri është bërë e vështirë dhe se qytetarët po jetojnë në kufirin e varfërisë. Kjo është një nga arsyet madhore që të rinjtë dhe profesionistët po largohen nga vendi. Rritja e pagës së deputetëve, ministrave, kryetarit te kuvendit, zëvendës kryetarit, kryeministrit, zëvendës kryeministrit dhe krerëve të institucioneve në këtë moment ishte i papërshtatshëm. Mund të bëhej një indeksim i pagës së tyre jo një rritje që varion nga 72% deri ne 97,9%.
Shëndetësia, arsimi, policia janë tre sektor shume të rëndësishëm dhe me interes publik ku dhe këto sektor nuk kanë performancë të lartë pasi dhe pagat janë te ulëta. Gjithashtu pagat e ulëta në këtë sektor që un do i konsideroja si jetike për një shoqëri kanë dhe mungese profesionistësh pasi po zgjedhin të punojnë në vendet Europiane. Rritja e pagës përkthehet në rritje të performancës pikërisht në këto sektor nevojitet që të kemi motivim në pagë që te luftohet njëkohësisht dhe korrupsioni.
Kjo skemë e qeverisë ka vend për kritikë pasi rritja e pagës në këtë masë e pozicioneve më të larta qeveritare krijon një hendek pagash dhe mosbarazi. Kjo rritje pagash ka impakt vetëm në financat personaleve të zyrtareve nuk përkthehet në impakt në shoqëri apo në Mirëqenie. Mbështes faktin që duhet te ishin indeksuar pagat dhe për krerët e larte të qeverisë por nuk bie dakord me rritjen pothuajse dyfish”, u shpreh ekspertja.
Asgjë për pensionistët
Ndërkohë, duke u bazuar në premtimet e shpeshta që ka bërë kryeministri për pensionistët, vëmë re se çdo premtim ka mbetur në letër. Sepse vetë të dhënat e ISSH tregojnë që rritja e pensioneve ka ecur shumë ngadalë përgjatë viteve 2014-2021 dhe është e papërfillshme në raport me kostot. Sepse në këto vite indeksi i çmimeve është rritur me 1.7%.
Në lidhje me këtë pikëm Radonshiqi u shpreh se ligjvënësit duke u bërë palë për mirëqenien e tyre kanë lënë nën hije pensionistët. Ajo tha se para rritjes së pagës për deputetët duhet të bëhet indeksimi i pensionistëve. Ekspertja shprehet se këto mosbarazi po thellojnë varfërinë në vend sepse do të ketë më pak investime.
“Së pari duhet të indeksohen pensionet sepse pensionistet për vitin 2023 akoma nuk kanë përfituar një indeksim duke marrë parasysh dhe rritjen e kostove të jetesës dhe faktin që ato jetojnë ne varfëri relative apo absolute. Vonesa e indeksimit dhe niveli i pensioneve në Shqipëri ka rritur nivelin e varfërisë në këtë target grup dhe ka ulur cilësinë e jetesës. Fale rezistencave dhe ndihmës se fëmijëve pensionistet mund të bëjnë një jetese normale dhe të plotësojnë nevojat bazë.
Rritja e pagesë së deputeteve përkthehet në me pak investime, subvencione për bujqësinë apo turizmin. Kjo rritje page behet nga taksat e qytetareve dhe nëse bëjmë një analize kosto – përfitim kemi vetëm kosto pa përftim publik”, theksoi Radonshiqi
Mjeku: Kryeministri gënjeu punonjësit e shëndetësisë
Nga ana tjetër, përveç faktit që ligjvënësit kanë dyfishuar rrogat e tyre, vëmë re se ata kanë kursyer dorën kur vjen fjala tek pagat e policëve dhe mjekëve.
Mësohet se, për mësuesit dhe mjekët parashikohet që ata do të përfitojnë rritje deri në 5900 lekë vitin e ardhshëm, pra jo ndonjë ndryshim në krahasim me pagat aktuale. Ndërsa infermierët dhe edukatoret në kopshte dhe çerdhe do të marrin çdo muaj 3500 lekë më shumë se sa sot.
Rritja e pagës për mjekët dhe infermierët ka qenë gjithmonë në nivele të papërfillshme, shpesh herë ta kanë dalë në protesta dhe zëri i tyre nuk është dëgjuar. Për këtë pikë Gijotina.com ka komunikuar me mjekun logoped Erges Eskiu.
Në këtë intervistë për redaksinë tonë, ai ka deklaruar se pagat e mjekëve vetëm kanë pësuar një indeksim që nuk jep efekt fare. Ndërsa thekson se premtimi për rritje pagash ka qenë vetëm një premtim elektoral i kryeministrit Rama. Sipas tij, mjekët dhe infermierët janë më të keqpaguarit.
“Për fat të keq nuk e quaj dot rritje, por indeksim. Indeksim page në baze të inflacionit i cili për vitin 2022 ishte 6.7%. Kur kryeministri e premtoi rritjen e pagave me 400 euro, kam deklaruar se është vetëm një premtim elektoral dhe nuk ka për te rezultuar i vërtetë sapo të kalojnë zgjedhjet. Ishte një mashtrim i radhës vetëm me qellim propagandistik që behej vetëm për efekt votash. Kam uruar dhe deklaruar publikisht, që e mirëpresim një rritje të tillë. Është e konsiderueshme. Nuk është ende në nivelin e Kosovës, por 400 euro të premtuara është një rritje e mire dhe nëse e bën, shumë mire do jetë sepse personeli shëndetësor është i keq paguar dhe ata meritojnë paga dinjitoze.
Ne programin e rritjes së pagës duhet të ishim te gjithë mjekët dhe infermierët pa dallim. Nga ana tjetër do duhej, që një rritje e tillë të ishte edhe për mësuesit dhe policet. Sot jemi para faktit se kryeministri është një mashtrues i pacipë sepse rritje rroge nuk pati e nuk ka për të patur as në vazhdim sepse gjithsesi “rritja” e vitit të ardhshëm do të jetë serish indeksim në bazë të inflacionit”, theksoi ai.
Më tutje Eksiu tha se me këto veprime qeveria po tregon hapur që kërkon të nënshtrojë popullin, por edhe ata që janë truri dhe bërthama e vendit. Sipas tij, me këtë tallje që bënë për çështjen e pagave Rama tregon që i përçmon mjekët dhe po i detyron ata të largohen nga vendi. Sipas tij, deri më tani mjekët kanë marrë një indeksim pagash me vlere 25 euro, por që zërohet përballë rritjes së shpejtë të kostove te jetesës.
“Nuk është se janë kursyer, ata i përçmojnë mjekët dhe infermierët. Ata po tentojnë t’i largojnë akoma më shumë mjekët dhe infermierët nga Shqipëria me këtë sjellje fyese. Mjekët dhe infermierët kanë bërë të paktën 17 vite shkollë dhe askush në botë nuk mund të luaj apo të tallet me investimin e tyre në karrierë. Nuk mundesh ti mashtrosh ata, duke qenë në pozitën e kryeministrit. Kurrsesi! Kryeministri duhet të jetë një njeri serioz, një njeri që matet kur flet dhe atë që flet e mban ndryshe nuk meriton asnjë sekondë të qeveris vendin. Ata nuk është se kanë premtuar rritje 400 euro dhe kanë dhen ë 150 apo 200 euro. Ata kanë bërë vetëm indeksim, pra një rritje 25 euro”, shprehe mjeku.
Mjekët të ngrihen në protestë
Në përfundim të intervistës ai ka treguar se mjekët ndihen të fyer nga ky indeksim qesharak. Prandaj ai kërkon që të gjithë punonjësit e shëndetësisë të ngrihen në protestë.
“Njësoj si më parë, shtesa e pagës është e papërfillshme. Ndjehen të fyer tanimë, që vendin e drejton një njeri që mashtron pa iu dridhur qerpiku vetëm për të kaluar sikletin e radhës. Ata ndjehen madje të përdorur sepse u përdor profesioni i tyre fisnik, për të gënjyer një masë njerëzish sikur kryeministri i ka kthyer sytë nga shëndetësia, por edhe ata deklaratat se do u mbante peng diplomat mjekëve ishin vetëm për të ndërtuar fabulën në prag të zgjedhjeve se vonë, por të paktën u kujtua se duhet të punojë për shëndetësinë.
Komenti i fundit i imi në lidhje me këtë është një thirrje për mjekët, që të mos ngurrojnë, por të dalin në protesta të organizuara me seriozitet dhe vazhdueshme në mënyrë që qeveria të reagojë me veprime konkrete për një trajtim dinjitoz të mjekëve dhe infermierëve, por edhe për të përmirësuar kushtet e punës. Mjekët gëzojnë ndikim të madh në shoqëri ndaj ta përdorin këtë ndikim për veten e tyre dhe për vet sistemin shëndetësor në vend”, tha ai.
Ndërsa duhet të përmendim se edhe për policët indeksimi i pagave është i papërfillshëm në raport me kostot e jetesës dhe vështirësisë që ata hasin në punë.
Esmeralda HIDA
Pagat/ Mjekët e familjes letër Ramës: Mos na denigroni figurën!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post