Në 14 Qershor 2022, kryetari i bashkisë britanike Tees Valley, baroni Ben Houchen, zhvillon një takim në Tiranë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj.
Tema e diskutimit, siç raportohet në median zyrtare angleze, u fokusua tek bashkëpunimi shqiptaro-britanik në energjinë e rinovueshme dhe përparësitë ekonomike të saj.
Në këtë vizitë, Ben Houchen shoqërohej nga biznesmeni Martin Corney dhe dhëndri i tij shqiptar, Orion Kotrri.
Thuajse në të njëjtën kohë, mijëra kilometra larg, administrata e Arbitrazhit të Bankës Botërore (ICSID), po dërgonte njoftimin e fundit për të bërë pagesën paraprake tek kompania “Arka bv”, e cila është pronare e shoqërisë koncesioare së regjistruar në Tiranë, “Akërni Solar”, e cila kishte paditur Shtetin Shqiptar për një shumë prej 110 milionë euro.
Kompania me seli në zonën off-shore të Hollandës pretendoi në padinë para Arbitrazhit se Ministria e Infrastrukturës në Shqipëri i kishte ndërprerë në mënyrë të padrejtë dhe të njëanshme kontratën koncesionare për ndërtimin e një parku fotovoltaik për energji të rinovueshme, në Akërni të Vlorës.
Një muaj pas njoftimit të fundit, më saktësisht në 20 Korrik 2022, gjyqtarët e Arbitrazhit vendosën të ndërpresin procesin gjyqësor, për shkak të rregullës 14(3)(d), e cila lidhet pikërisht me mos-pagesën e faturës paraprake për procesin gjyqësor.
Duket disi e çuditshme se si, një kompani që pretendon 110 milionë euro, të humbë mundësinë e Arbitrazhit për një faturë minimale.
Kompania e regjistruar në Amsterdam, “Arka bv” ka administror në Shqipëri Klint Babliku dhe një prej pronarëve përfitues Marsid Uruçi.
“Gijotina” zbuloi më herët se Marsid Uruçi është lidhje miqësore e Orion Kotrrit, dhëndrit të biznesmenit britanik që shoqëroi kryebashkiakun e Tees Valley në udhëtimin e tij në Tiranë, në qershor 2022.
Madje, janë aq miq, sa Uruçi ishte ndër të paktët njerëz të pranishëm në ceremoninë private të Kotrrit me vajzën e biznesmenit britanik, Martin Corney, i cili gjithashtu shoqëronte kryebashkiakun, në vizitën e tij në Tiranë, në qershor të një viti më parë.
Deri në këtë pikë çështja duket e mjegullt dhe kushdo mund të ngrejë pikëpyetjen se si mund të lidhen vizita e një kryebashkiaku britanik me një proces Arbitrazhi ndërkombëtar, pavarësisht njohjes mes Orion Kotrrit dhe Mirsad Uruçit.
Do të mundohemi të shpërndajmë sa më shumë këtë mjegull. Fillimisht, e rëndësishme është të mbahet në vëmendje se kryebashkiaku Ben Houchen diskutoi me Edi Ramën për projekte të energjisë së rinovueshme, ndërkohë që kompania që përfaqëson Mirsad Uruçi fitoi një kontratë (të anuluar paraprakisht) për energji të rinovueshme, nëpërmjet impianteve fotovoltaikë në Akërni.
Sërish, elementët duket se nuk janë të mjaftueshëm për të shpërndarë mjegullën.
Po japim edhe një element tjetër-burime shumë serioze dhe të besueshme për “Gijotina” kanë deklaruar se qëllimi i vizitës së kryebashkiakun Ben Houchen ishte pikërisht investimi në impiante fotovoltaikë, të cilat mund të realizohen nga miku i tij, biznesmeni Martin Corney.
Dhëndri i tij, Orion Kotrri ka kontakte të ngushta me Marsid Uruçin dhe, mesa duket, të gjitha palët po shohin mundësinë për të bashkëpunuar në sektorin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri.
Të njëjtat burime të “dorës së parë” deklaruan se qeveria shqiptare po negocion sërish me “Akërni Solar” për të ri-aktivizuar kontratën koncesionare të anuluar.
Vetëm se kësaj radhe ka një ndryshim-pronarët fundorë të asaj kompanie që fitoi koncesionin e anuluar për parkun fotovoltaik në Akërni nuk janë më, pasi u larguan pak vite më parë.
Tashmë, “violinë e parë” e kompanisë ka dalë Mirsad Uruçi, një njeri për të cilin më herët është raportuar se ka lidhje me ish-ministrin e Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.
Pikërisht, tek ky “ri-negociim” duket se gjendet edhe përgjigja se përse shoqëria koncesionare “Arka bv” bëri që të dështojë procesi në Arbitrazhin Ndërkombëtar, duke mos paguar faturën minimale paraprake për gjyqin.
Gjithçka në vizitën e kryebashkiakut Ben Houchen në Tiranë duket se ka qenë një fushatë lobimi për të siguruar bashkëpunimin e biznesmenit britanik Martin Corney me Mirsad Uruçin dhe si pikë lidhjeje do të shërbente dhëndri Orion Kotrri.
Ky dyshim forcohet më tej, pasi kryebashkiaku Houchen është duke u përballur së fundmi me akuza se ka fshehur financimin e udhëtimit në Shqipëri.
Vizita “plot siklete” e Ben Houchen
Një vit pas vizitën në Tiranë, kryebashkiaku Ben Houchen po përballet me një furtunë politike dhe administrative, për shkak se nuk ka deklaruar financimin për udhëtimin në Tiranë.
Pas zbulimit të problemit, ai ka deklaruar se udhëtimi është sponsorizuar nga shoqëria “Tirana International Airport”. Por kjo e fundit, në një prononcim të publikuar në gazetën “Yorkshire Post” ka mohuar që të ketë paguar udhëtimin e baronit Houchen.
Median angleze kanë ngritur pikëpyetje për vizitën e kryebashkiakut Houche, edhe për faktin se ai ishte shoqëruar nga biznesmeni Martin Corney, i cili ka fituar një kontratë për shkatërrimin e 500 mijë ton skrap hekuri nga bashkia e Tees Valley.
Pak javë më parë, Dy javë më parë, qeveria britanike nisi një hetim për shitjen e skrapit, sipas një marrëveshje të bërë nga kryebashkiaku i Tess Valleyt Ben Houchen tek dy biznesmenë britanikë Martin Corney dhe Chris Musgrave.
Sipas laburistëve marrëveshjet i kanë shkaktuar miliona paund dëm qytetarëve britanikë.
Operacioni i shkrirjes së skrapit në terren drejtohet nga dhëndri i shqiptar i Corneyt, Orion Kotrri.
Mediat britanike raportojnë se Corney dhe Kotrri ishin pjesë e delegacionit të Houchen gjatë vizitës së tij në Tiranë, duke hedhur dyshimet se shqiptari mund të ketë qenë pika e kontaktit për takimet që kryebashkiaku zhvilloi me qeveritarët shqiptarë.
Pra, duket qartë që Ben Houchen ka pasur diçka për të fshehur në vizitën në Shqipëri, megjithëse takimet e tij u shoqëruan me foto me buzëqeshje me Edi Ramën dhe Erion Veliaj.
Koncesioni i Akërnisë
Në Dhjetor 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi përfundimin me sukses të procedurës të hapur konkurruese për përzgjedhjen e ofertuesit për zhvillimin e projektit për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në Zonën e Akërnisë (Vlorë).
Impianti parashikon një kapacitet gjenerues të instaluar 50 MË si pjesë e masave mbështetëse dhe ndërtimin e kapaciteteve të tjera shtesë prej 50 MW (100 MW në total), të cilat do të jenë lirisht të tregtueshme në tregun e energjisë.
Në fazën finale të vlerësimit, u kualifikuan 3 ofertues, ku sipas procesit të vlerësimit, oferta që u vlerësua me më shumë pikë si kombinim i besueshmërisë teknike, financiare, eksperiencës së ngjashme, çmimit dhe kapaciteteve shtesë të instaluara, ishte oferta e paraqitur nga bashkimi i shoqërive India Poëer Corporation ltd e regjistruar në Indi, Mininig Resources FZE, e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Midami Limited, e regjistruar në Hong Kong.
Uruçi dhe koncesioni i fotovoltaikut
Më herët, në media është raportuar për rolin e Mirsad Uruçit në koncesionarin e fotovoltaikut të Akërnisë.
Sipas atyre raportimeve, shoqëria indiane “India Poëer Corporation”, bazuar në faqen e saj si dhe nga kërkim i thjeshte, nuk rezulton te jetë shoqëria të ketë përvojë në fushën e prodhimit të energjisë nga dielli. Në faqen e saj përmendet vetëm një përvojë me kapacitet 2MË. Ndërkohë që impianti konkret është 50 MW.
Gjithashtu shoqëria me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe, Mining Resources World Wide FZE, rezulton se operonte në fushën e nxjerrjes së mermerit, pra veprimtari e tipit minerar.
Shoqëria me seli në Hong Kong “Midami Limited”, rezulton një shoqëri e krijuar në gusht 2015.
Midis shoqërisë arabe dhe shoqërisë nga Hong Kongu, duket se ka disa fije që i lidhin me njëra tjetrën.
Shoqëria arabe Mining Resources Word Wide FZE, në vitin 2009 ka qenë ortake e shoqërisë “Melova” shpk, e krijuar në 2009. Kjo shoqëri është ortake me 35% dhe qysh nga 2015, Mirsad Uruçi, bëhet ortak me 20%.
Në 24 shtator 2014 shoqëria arabe çel degë të saj në Shqipëri. Në 12 maj 2015, përfaqësues i saj bëhet Klint Babliku.
Shoqëria arabe bëhet ortake (40%) e shoqërisë “Mining Ventures Albania”, regjistruar ne 10 tetor 2014.
Në 28 maj 2015, Mirsad Uruçi, bëhet ortak (në 2019 kishte 20% aksione) edhe tek kjo shoqëri. Administrator i saj, në 24 korrik 2018 emërohet Klint Babliku.
Nga ana tjetër, në 5 janar 2018 regjistrohet shoqëria “Midami” shpk, me ortak të vetëm dhe administrator Mirsad Uruçin. Shoqëria me të njëjtën emër është regjistruar në gusht të 2015 në Hong Kong, shoqëria Midami Limited, e cila është pjesë e konsorciumit fitues.
Pra, Mirsad Uruçi dhe Klint Babliku lidhen nga shoqëritë/dega e shoqërisë arabe dhe Mirsad Uruçi me shoqërinë nga Hong Kongu.
Arbitrazhi i papërfunduar
Në 18 dhjetor të vitit 2020, pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u regjistrua çështja “Arka Energy bv kundër Shqipërisë”.
Kompania nuk ishte dakord me tërheqjen e qeverisë shqiptare nga një kontratë për një park fotovoltaik. Koncesionari kërkoi 110 milionë euro dëmshpërblim.
Më 10 nëntor 2018, qeveria shqiptare shpalli fituesin që do të ndërtonte parkun e parë fotovoltaik në vend, atë të Akërnisë, dhe bëhej fjalë për konsorciumin “India Poëer Corporation LTd”.
Dy vite më pas, kontrata me këtë konsorcium nuk u nënshkrua asnjëherë. Parku fotovoltaik i Akërnisë parashikohej që të ndërtohej me vlerë 70 milionë euro nga “India Poëer”.
Në atë kohë, ankandi do të përgëzohej si nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, ashtu edhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Më vonë, qeveria do të shpallte një tjetër garë për një park fotovoltaik në Karavasta. Edhe pse procedurat e garës u vonuan, për shkak të situatës së pandemisë, në maj të vitit 2020 u shpall kompania fituese për këtë projekt, francezja “Voltalia”.
Çmimi i dhënë nga kjo e fundit ishte 24.89 euro, shumë më poshtë sesa tavani 55 euro i vendosur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në një nga daljet publike, duke komentuar edhe çmimin e arritur në ankandin e dytë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të linte të kuptonte se projekti për Akërninë nuk do të kishte kontratë, pasi çmimi i dhënë nga “India Poëer” ishte i lartë.
Në një tjetër dalje në fund të vitit 2020, ministrja Belinda Balluku tha se kompania nuk kishte arritur të provonte ato që kishte deklaruar gjatë fazës së garës e për rrjedhojë, e cilësoi atë një kompani fantazmë, me të cilën nuk do të kishte kontratë dhe shprehu bindjen se në Arbitrazh, fitues do të ishte shteti shqiptar.
Por, në Korrik 2022, në faqen e gjykatës së Arbitrazhit (ICSID) të Bankës Botërore, njoftohet se çështja “Arka Energy bv kundër Shqipërisë” është ndërprerë, sipas nenin 14(3)(d) të Rregullores për Çështjet Administrative dhe Financiare.
Në këtë nen thuhet se: “Të gjitha paradhëniet dhe tarifat do të paguhen, në vendin dhe në monedhat e përcaktuara nga Sekretari i Përgjithshëm, sapo të bëhet një kërkesë për pagesë prej tij. Nëse shumat e kërkuara nuk paguhen plotësisht brenda 30 ditëve, atëherë Sekretari i Përgjithshëm do të informojë të dyja palët për mospagimin dhe do t’i japë mundësinë secilës prej tyre të bëjë pagesën e kërkuar. Në çdo kohë, 15 ditë pas dërgimit të këtij informacioni nga Sekretari i Përgjithshëm, ai mund të kërkojë që Komisioni ose Tribunali të pezullojë procedurën, nëse deri në datën e një mocioni të tillë ndonjë pjesë e pagesës së kërkuar është ende e papaguar. Nëse ndonjë procedurë pezullohet për mospagesë për një periudhë të njëpasnjëshme më shumë se gjashtë muaj, Sekretari i Përgjithshëm, pas njoftimit dhe për aq sa është e mundur në konsultim me palët, mund të kërkojë që organi kompetent të ndërpresë procedurën”;.
Pra, shihet qartë që ndërpreja e procedurës së Arbitrazhit për çështje faturash dhe tarifash ndërpritet në konsultim me palët. Kjo do të thotë që edhe paditësi, “Arka Energy bv” duket se ka qenë dakord për ndërprerjen e procedurës, në të cilën kërkonte 110 milionë euro.
Kaq lehtë hiqet dorë nga 110 mln euro?
Duket disi e pabesueshme që një kompani, e cila pretendon se është dëmtuar nga prishja e njënashme e kontratës, të heqë dorë kaq lehtë nga shërblimi i mundshëm prej 110 milionë euro.
Për një shumë të tillë, biznesmeni italian Francesko Beketi ka mbi 8 vjet që lufton me Shtetin Shqiptar, duke rrezikuar edhe burgosjen në Shqipëri.
Ndërkohë, “Arka Energy bv”, e cila zotëron kompaninë koncesionare “Akërnia Solar”, duket se ka rënë dakord për ndërprerjen e Arbitrazhit kundër Shtetit Shqiptar.
“Gijotina” ka mësuar se, prej disa kohësh, aksionerët kryesorë fillestarë të koncesionarit e kanë humbur interesin për investim në Shqipëri dhe janë larguar.
Tashmë, një prej aktorëve kryesorë të “Arka Energy bv” në Hollandë, është Miras Uruçi, njeriu që duket se po ri-negocion me qeverinë shqiptare për të marrë parkun fotovoltaik.
Dhe, kësaj radhe, partnerët e tij duket se nuk do të jenë indianë apo nga Azia e Largët, por në Britaninë e Madhe.
Kjo do të ishte një kredencial tepër i lartë për Mirsad Uruçin. Për këtë arsye duhen miqtë si Orion Kotrri dhe lobimi i kryebashkiakut të Tees Valley, Ben Houchen.
Discussion about this post