I njohur si ‘Lypeni’ shqiptar, Lajden Kadilli, i cili u arrestua pasi kanosi me armë zjarri djalin e ish-deputetit të Partisë Socialiste në Durrës, Spartak Braho, Kreshnikun, ka fituar të drejtën për tu rigjykuar pasi gjykata harroi t’i njoftojë avokatin që ai kishte zgjedhur.
Raportimi
Gazetarja Anila Hoxha raporton për Top Channel se Kadilli ka përdorur si provë në Gjykatën e Lartë rrëmujën që shkaktoi vettingu në procesin ndaj tij, ku pas shkarkimit të gjyqtarëve, të rinjtë shmangën mbrojtjen.
“29-vjeçari tha në Gjykatën e Lartë se teksa po gjykohej në apelin e Durrësit, katër gjyqtarë u shkarkuan nga vettingu dhe të tjerë që ndërroheshin ishin nën stresin e këtij procesi aq sa në një nga seancat zëvendësuan avokaten personale duke caktuar një nga shteti,”- thotë Anila Hoxha.
Mënyra se si gjyqtarët formuan trupën kur apeli i Durrësit kishte kaluan në krizë dhe vendimmarrja që u dha, konsiderohet absolutisht e pavlefshme në adresë të të pandehurit.
I dënuari përdori si provë bindëse edhe një ngjarje tjetër si tërmeti i vitit 2019 që dëmtoi dhe gjykatën e Durrësit dhe që për këtë shkak, gjykimi i të riut u krye në një qytet tjetër. I burgosuri kapi mat gjykatën e Durrësit që akuzoi avokaten e tij se ishte bërë shkak për zvarritjen e gjykimit jo vetëm me mungesën e proces verbalëve, por edhe me një provë tjetër, atë të pandemisë e cila vështirësoi shqyrtimin gjyqësor.
Kush është Lajden Kadilli?
Lajden Kadilli është një personazh shumë i njohur i botës së krimit në Durrës. “Lypeni” ka marrë pjesë në 11 ngjarje kriminale, ‘miqësinë’ me armën, i riu e nisi në moshën 11-vjeçare, kur për herë të parë ka qëlluar vëllain e tij.
Lajden Kadilli u arrestua më 29 shtator të vitit 2020, në Tiranë. Gjatë aksionit, Kadilli, ka “nuhatur” lëvizjet e shpeshta të agjentëve dhe menjëherë është shkëputur, duke u larguar me vrap. Në ikje e sipër, Lajden Kadilli, ka hedhur në rrugë një armë zjari pistoletë, por pa kaluar shumë minuta, ai është rrethuar dhe më pas arrestuar nga një patrullë e policisë “Shqiponja”.
Tentoi të vrasë punonjësin e policisë
Më pas, më 18 korrik të vitit 2013, Lajden Kadilli u shpall në kërkim nga policia, pasi në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”, në Durrës, tentoi të vrasë me autoveturën me targa AA 272 CB, punonjësin e policisë Arben Luçi. Pas ngjarjes së rëndë ai u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë prokuroria dhe policia e këtij qyteti, nisën penal ndaj tij për akuzën e “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Për këtë ngjarje Kadilli ka dalë nga kërkimi në datën 20 gusht 2013. Nuk dihet ende sesi u pushua kjo çështje.
Gjashtë muaj më vonë Kadilli, më konkretisht në datën 8 janar 2014, shpallet sërish në kërkim. Kjo pasi prokuroria e Apelit Durrës dërgoi një urdhër për ekzekutimin e Vendimit Penal të Gjykatës Apelit Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për akuzën e “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, “Kundërshtim te punonjësve të policisë së rendit publik”.Ky urdhër është anuluar dy muaj me vonë, pikërisht në datën 18 mars 2014, dhe Kadilli ka dalë nga kërkimi.
Sërish problematik
Ai u shpall sërish në kërkim, më datën 4 dhjetor të 2014,pasi në rrugën nacionale të lagjes nr.4, Durrës, goditi me makinën me targa “AA 165 KF”, mjetin motoçikletë të efektivit të policisë rrugore në detyrë Çlirim Çopa. Ky i fundit ngeli i plagosur. Për këtë ngjarje, është akuzuar për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës” dhe është shpallur në kërkim në 4 dhjetor 2014 ndërsa në 21 maj 2015 kërkimi është anuluar për Kadillin.
Gjithashtu në 15 dhjetor 2014, prokuroria e Durrësit ka lëshuar fletë-arresti për Kadillin për akuzën e “Kundërshtim i punonjësve të policisë së rendit publik” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, për të cilën është vendosur masa e “arrestit në burg” por në 21 maj 2015 Kadilli sërish ka dalë nga kërkimi.
Sakaq, më 19 maj të 2015, Kadilli është pikasur nga forcat e policisë në zonën e “Unazës së Re” në Tiranë. Ai nuk i ka ndaluar thirrjeve të punonjësve të policisë, por ka tentuar t’i shtypë ata me automjetin e tij, duke i aksidentuar punonjësit e policisë. Për këtë ngjarje ai është akuzuar për “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta e mbetur në tentativë”, dhe është shpallur në kërkim në datën 20 maj 2015.
Tentativa e vrasjes
Po kështu më 19 qershor të viti 2016, në Golem të Kavajës pranë hotel “AS”, ai ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë Albi Çelçima dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Ndaj tij ka filluar dosje penale për akuzën e “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Kadilli është shpallur në kërkim në datën 19 qershor 2016 dhe ka dalë nga kërkimi policor pas tre viteve, pikërisht në datën 18 qershor 2019. Për plagosjen e Albi Çelçimës në Golem të Kavajës Kadilli është dënuar në muajin qershor 2019 nga gjykata e Kavajës me 4 vjet burgim, duke ja konvertuar këtë dënim me 5 vjet qëndrim i lirë në periudhë kushti.
Kanosja e djalit të Spartak Brahos
Sakaq, në muajin gusht të vitit 2019, ai është shpallur në kërkim nga policia, pasi ka kanosur me armë djalin e deputetit të PS në Durrës, Spartak Braho dhe i ka thyer xhamin e makinës.Në momentin që ndodhi ngjarja, djali i deputetit, Kreshnik Braho ishte në shoqërinë e dy fëmijëve të mitur që ndodheshin në makinë me babain e tyre, por fatmirësisht nuk pësuan asnjë lëndim.
Por një muaj më vonë, më 11 shtator të vitit 2019, Kadilli u bë sërish pjesë e një tjetër ngjarjeje kriminale. Ai u shpall në kërkim nga Gjykata e Tiranës, vendim i cili u dha nga gjyqtari, Altin Abdiu, pasi prokuroria e Tiranës e akuzon 26-veçarin për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë në dëm të Gentian Rrahmanit dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake dhe municionit”.
Discussion about this post