Ish-deputeti demokrat Lefter Maliqi ka reaguar ashpër për shoqërimet e qytetarëve gjatë protestave, duke ngritur shqetësimin për trajtimin e të miturve 15–16-vjeçarë dhe duke akuzuar qeverinë për presion ndaj protestuesve.
Maliqi shprehet se edhe kur protestat zhvillohen në mënyrë paqësore dhe civile, shoqërimet policore, sipas tij, përdoren për të krijuar panik dhe për të frikësuar qytetarët, përfshirë edhe të miturit.
“Turp! Jemi në regjim, që duhet rrëzuar sa më parë me mjete demokratike!”, shkruan Maliqi, duke e krahasuar situatën me periudhën e luftës së klasave dhe duke përmendur gjoba, presione, dhunë, kërcënime, shoqërime dhe arrestime.
Ai ngre gjithashtu pikëpyetje për mungesën e reagimit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa rendit një sërë problematikash që, sipas tij, po përballon vendi, mes tyre mungesa e demokracisë dhe e drejtësisë, shpopullimi, pagat dhe pensionet e ulëta, si dhe problemet në bujqësi, arsim dhe shëndetësi.
Maliqi fton më tej opozitën, diasporën, studentët, gjimnazistët dhe qytetarët që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për të shtunën, në orën 12:00, përballë qeverisë.
Reagimi
Narkoshtet! Diktaturë!
Po si ka mundësi që, edhe kur protestat janë shumë të qeta e civile, përdoren shoqërimet për të krijuar panik dhe për të futur frikën, duke terrorizuar edhe fëmijët e mitur 15–16-vjeçarë?! Ndërkohë, dihet që s’ka gjykatë në botë që i mban në burg!
Turp! Jemi në regjim, që duhet rrëzuar sa më parë me mjete demokratike!
Çfarë nuk ka ndodhur dhe çfarë nuk po ndodh në këtë vend?! Si në kohën e luftës së klasave: gjoba, presione, dhunë, kërcënime, shoqërime, arrestime, panik! Diktaturë e pastër!
Po Evropa, po SHBA-ja, pse ende nuk reagojnë? Si ka mundësi që disa drejtues shtetesh në Evropë thonë se ne do të futemi në Evropë?!
Kur s’ka demokraci, kur s’ka votë të lirë, kur s’ka drejtësi, kur shpopullimi është masiv, kur gjysma e qeverisë është në burg, kur ka vetëm abuzime e skandale, kur s’ka trena as metro, kur pagat e pensionet janë të ulëta, kur bujqësia, arsimi dhe shëndetësia kanë dështuar, kur policia është politike, kur deputetët nuk zgjidhen nga populli dhe kur parlamenti është i kapur, etj., etj.!
Vendi është në rrezik serioz! Në Kamëz, godinat janë mbushur me indianë, filipinezë e irakianë. Çfarë po ndodh?!
Forca Rini! Mos u dorëzoni!
Të shtunën, në orën 12:00, opozitë, diasporë, studentë, gjimnazistë, burra e gra, prindër, të gjithë në këmbë përballë qeverisë së krimit!
Fitore!










Discussion about this post