Pas rrënimit përfundimtar të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës, në qytetin e Ballshit – pjesë e bashkisë së Mallakastrës ofrohen vetëm shërbime administrative për banorët e të gjithë zonës.
Qyteti shërben si qendra kryesore e Mallakastrës edhe për tregtimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale të banorëve të paktë që kanë mbetur në zonat rurale, si dhe të produkteve industriale që shërbejnë për aktivitetin e përditshëm.
Banorët e qytetit të naftës, siç u njoh për dekada me radhë, duket sikur e kanë hedhur pas krahëve atë periudhë kur jeta e tyre ishte e lidhur ngushtësisht me uzinën. Edhe historia e pagave të prapambetura, nuk ishte më pjesë e bisedave të atyre me të cilët folëm të premten në 5 maj, në mes të fushatës për zgjedhjet vendore.
Por as fushata mes tre kandidatëve për kryetar bashkie nuk ngjall ndonjë interes.
Të dhënat tregojnë se megjithë një rritje të vogël të numrit të votuesve që tashmë është 31 mijë, pjesëmarrja në votime është në rënie të vazhdueshme, duke reflektuar edhe emigrimin masiv nga zona, ku industria që shërbente si punëdhënësi kryesor është mbyllur.
Shumica e atyre që takuam nuk pranuan të flisnin fare për zgjedhjet. Pjesa tjetër folën vetëm për të treguar pakënaqësi dhe mosbesim te sistemi.
“I jep urdhrat partia që zgjidhen njerëzit, nuk zgjidhen vërtet me votë. Për këtë arsye unë nuk marr pjesë në votime,” thotë Maksimiljan Zenelaj, pronar i një biznesi të vogël në Ballsh.
Premtime dhe akuza të njëjta
Dy prej tre kandidatëve për kryetar në Bashkinë Mallakastër janë të provuar si drejtues të pushtetit vendor në zonë për një kohë të gjatë. Kandidati i Partisë Socialiste, Qerim Ismailaj, përpara se të merrte drejtimin e Bashkisë Mallakastër në vitin 2019, është zgjedhur si kryetar i ish-Komunës Kutë për tre mandate radhazi prej vitit 2000 deri në 2012-ën.
Kandidati i Partisë Demokratike, biznesmeni Agron Kapllanaj, drejtoi Bashkinë Mallakastër gjatë periudhës 2015-2019, ndërsa prej 2007-ës ka drejtuar si kryetar ish-Komunën Qendër.
Të dy po ashtu kanë një të shkuar me probleme për shkak të dënimeve në Itali për Kapllanajn dhe Greqi për Ismailajn, por KQZ vendosi të lejojë kandidimin e tyre. Për Ismailaj nuk u konsiderua nga KQZ pengues as dënimi me 40 orë punë publike për mosdeklarim të dënimit në shtetin fqinj.
Ndërsa kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Resmi Shanaj me profesion arsimtar, kandidon për herë të parë për t’u zgjedhur në një pozicion të tillë.
Kandidatët na rezervuan vetëm pak kohë për të biseduar. Të tre këmbëngulën se ishin të zënë në takime të shumta me elektoratin, çka krijonte përshtypjen e një fushate intensive.
Megjithëse të tre e cilësojë të qetë fushatën, po ashtu të tre ngrenë pretendime dhe akuza ndaj njëri-tjetrit për presione apo blerje vote.
Por veç emrave dhe subjekteve për të cilat kandidojnë, programet dhe premtimet nuk ndyrshojnë shumë njëra nga tjetra. Të tre kandidatët, premtojnë përmirësim në furnizimin me ujë të pijshëm dhe infrastrukturën rrugore.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Resmi Shanaj tha se fushata në Mallakastër ka qenë shumë qytetare dhe pa probleme, po ai u ankua gjithashtu se administrata ishte tejfryrë nga punësimet në muajt e fundit.
Ai renditi problemet që ka konstatuar gjatë takimeve me elektoratin, ato ekonomike, në infrastrukturën rrugore e të ujësjellësve, shëndetësi e arsim. Shanaj premton se do ta vendosë administratën në shërbim të qytetarëve, duke pasur prioritet kategoritë e njerëzve që kanë më shumë nevojë, po ashtu premton investime në infrastrukturën rrugore në zonat rurale dhe sigurimin e ujit të pijshëm për të gjithë qytetarët.
Agron Kapllanaj i Partisë Demokratike, premton se do t’u rikthehet projekteve që sipas tij i ka lënë përgjysmë në 2019-ën, duke specifikuar si prioritete të programit të tij investimet në ujësjellës, infrastrukturën rrugore, si dhe për kujdesin për shtresat në nevojë.
Kapllanaj prek edhe vështirësitë e krijuara për ish-punëtorët e rafinerisë së Ballshit pas mbylljes; ai tha se do t’i kenë në vëmendje ato familje duke i trajtuar fillimisht me ndihmë ekonomike.
Njësoj si Shanaj, ai po ashtu e konsideron fushatën të qetë, por nga ana tjetër vëren se ka ankesa nga qytetarët se gjenden nën presion, sidomos pjesa e administratës.
“Madje një pjesë e tyre kërcënohen duke u thënë se më datë 14, as nuk duhet të shkoni të votoni dhe nëse shkoni do të pushoheni nga puna,” pretendon Kapllanaj.
Edhe kandidati i Partisë Socialiste, Qerim Ismailaj, ashtu si rivalët e tij, ka në program si prioritet investimet në ujësjellës dhe në infrastrukturën rrugore lokale e nacionale, për të cilën përmend mbështetjen nga qeveria. Ismailaj u shpreh krenar për punën e kryer nga bashkia gjatë mandatit të tij, duke theksuar se administrata dhe ai vetë janë gjendur pranë qytetarëve.
Ai pretendon se qytetarët e kanë të lehtë zgjedhin mes modelit që ai ka ofruar gjatë katër viteve të fundit dhe atij të rivalit Kapllanaj, gjatë viteve 2015-2019.
Ismailaj po ashtu thotë se fushata është e qetë dhe i cilëson të pavërteta akuzat e kundërshtarëve se po përdor administratën. “Mund të jemi një nga bashkitë e vetme që të kenë përfaqësues të gjitha forcat politike brenda administratës dhe pranë komisioneve zgjedhore,” pohoi Ismailaj.
Nga ana e tij, ai u ankua se kishte sinjalizime që sipas tij, nga rivali Kapllanaj po bliheshin vota, si dhe se po intimidoheshin qytetarët nëpërmjet presionit “Ne kemi sinjalet dhe mbi bazën e tyre, çdo rast do ta referojnë në organet e drejtësisë,” pohoi ai.
Por Kapllanaj në një përgjigje të mëvonshme për këto akuza i mohoi ato. “Humbësi po përgatit alibinë,” tha ai, duke bërë kundërakuza të ngjashme.
Mosbesim dhe indiferencë
Shumica e qytetarëve dhe të moshuarve që kalojnë kohën në sheshin kryesor të qytetit të Ballshit, refuzojnë të flasin për zgjedhjet vendore në bashkinë e tyre. “Nuk kemi lidhje me këtë punë,” thonë ata dhe kërkojnë të lihen të qetë të vijojnë bisedat mes tyre.
Ata pak që pranojnë flasin e përshkruajnë situatën dëshpëruese. “Kjo fushatë zgjedhore mbase nuk do jetë për popullin se nuk kanë kthyer sytë nga neve. Po bënë katër vjet dhe askush nuk i ka kthyer sytë,” deklaron një banor i fshatit Usojë, që preferon të mbetet anonim.
“Nëse populli është helmuar në kockë nga moskryerja e punëve e vjedhjet, ta ndryshojnë njëherë pllakën,” shton ai.
Një tjetër banor që pranoi të identifikohej vetëm me emrin Shpëtim, nuk sheh ndryshim mes partive politike dhe garuesve. “Fushata? Ka marrë dy makina të zeza ai, ja njëra është e mbushur, e ka mbushur vetë…, tjetra merr këto çon ato të tijat ai. Kështu kanë bërë. Mbushin kutitë. Nuk ka zgjedhje,” thotë ai.
Akuzat e Shpëtimit shkojnë kryesisht ndaj atyre që janë në Tiranë. “Janë ‘bastardë’. Kopjojnë njëri-tjetrin, janë bashkë të katërt, kanë 30 vjet. U bë dhe ai Luli me ta. U bënë pesë ‘yje’ që po na shkatërrojnë neve,” shtoi ai.
Maksimiljan Zenelaj, pronar i një biznesi të vogël në qytetin e Ballshit është po ashtu mosbesues. Ai thotë se në vend nuk ka një garë të ndershme, njerëzit nuk marrin atë që meritojnë dhe se ka vendosur që të mos marrë pjesë në votime.
“Për zgjedhjet jam krejt indifferent, sepse në votimet që bëhen në Shqipëri, nuk shikoj asnjë lloj zgjidhje për problemet e njerëzve që janë jashtë qeverisë, jashtë administratës dhe jashtë partive,” përfundoi Zenelaj./Reporter.al
Discussion about this post