Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend raportin e 5 anëtarëve të opozitës në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit duke kërkuar heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun, për të cilën SPAK kërkon arrestin. “Jemi pro kërkesës së SPAK dhe pro drejtësisë”, tha kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi në një konferencë për mediat, duke renditur të gjithë arsyet përse demokratët e mbështesin kërkesën e SPAK.
Ligjvënësi i Partisë Demokratike u shpreh se SPAK ka depozituar në Kuvend gjithsej 80 prova për arrestimin e Ballukut, duke shtuar se sipas prokurorisë, ajo ka paracaktuar garën për 11 procedura publike, rrezikon 35 vite burg dhe se ka kërcënuar dëshmitarët përmes vartësve të saj dhe personave të “fortë”.
“Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish Zëvendëskryeministria Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro. Sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të sa.
Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria”, tha Bardhi.
Ndonëse Belinda Balluku është shkarkuar nga detyra e saj si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, Bardhi tha se ajo ende rrezikon të prishë provat përmes të besuarve të saj në qeveri dhe administratë, duke përmendur edhe ministrin e ri të propozuar nga Edi Rama për drejtimin e ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi.
“Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputetja Belinda Balluku. Pozicioni i saj si deputet i mazhorancës, ish-Zëvendëskryeministër dhe ish-ministër; lidhja e ngushtë me një numër të konsiderueshëm të ministrave aktual në detyrë apo funksionarë të lartë të administratës publike (drejtorë të përgjithshëm të promovuar në detyra prej saj), është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së saj për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal”, tha Bardhi.
Në rast se Kuvendi refuzon t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut, për Bardhin kjo do të ishte një ndërhyrje në kompetencat e pushtetit gjyqësor.
“Nëse Kuvendi do të vlerësonte që një masë e caktuar sigurimi është më e përshtatshme sesa një tjetër, apo një masë e caktuar sigurimi është e mjaftueshme, kjo do të përbënte ndërhyrje në kompetencat e pushtetit gjyqësor dhe për pasojë ndërhyrje e drejtpërdrejtë, në mënyrë antikushtetuese, në hetimin penal. Në rastin në shqyrtim Kuvendi nuk është ftuar për të caktuar një masë sigurimi, sepse nuk është kompetencë e tij caktimi i masës së sigurimit. Kuvendit i është kërkuar autorizim nga Prokuroria, që ajo të ketë mundësi t’i drejtohet gjykatës për caktimin e masës së sigurimit”, tha Bardhi.
Mazhoranca ende nuk ka paraqitur raportin e saj, por Kryeministri Edi Rama është shprehur në Asamblenë e PS se shkarkimi i Ballukut nga detyra e bën të pavlefshme kërkesën e SPAK. Dy raportet, ai i opozitës dhe mazhorancës, pritet të kalojnë për votim në seancën plenare të 12 marsit. Bardhi tha për Report Tv se opozita do të thërrasë protestë ditën që Kuvendi do të shqyrtojë kërkesën dhe paralajmëroi përshkallëzim nëse Kuvendi refuzon t’i heqë imunitetin Ballukut.
“Dua sot të njoftoj që ditën kur Kuvendi do të shqyrtojë mandatin e Ballukut, PD do të thërrasë në protestë qytetarët përpara parlamentit. Nëse shkon skenari i refuzimit, dhe shndërrimin e Kuvendit në bunker qytetarët do ta trajtojnë kuvendin si bunker ku janë strehuar të korruptuarit dhe do duhet të shembet”, tha Bardhi.
Socialistët ende nuk e kanë dhënë vendimin e tyre. Edhe vetë Kryeministri Rama e përsëriti dje qëndrimin se do të fliste vetëm pasi socialistët e Këshillit të Mandateve ta bënin gati raportin paralel të tyre.
gijotina.com/









Discussion about this post