Fshatit Vehçan pret të rregullohet rruga, ndërsa kryebashkiaku i Librazhdit, Mariglen Disha, e ka mendjen të përfitojë duke luajtur me tenderin. Në fushatë elektorale është zotuar se do të përmirësojë këtë rrugë, por me sa duket projekti do të shkojë në duart e një biznesmeni që ka përfituar miliona euro në tendera korruptivë.
Disha do të përdorë nga buxheti i shtetit 776 milionë lekë për t’i hedhur asfalt rrugës kryesore të fshatit Vehçan. Siç shohim në foto, destinacioni është një fshat i vogël me një rrugë të vetme kryesore.
Dhe sipas dokumenteve të projektit, gjatësia e kësaj rruge është vetëm 3.3 km. Në preventivin e publikuar tregohet se do të bëhen gërmime për të sheshuar rrugën, më pas do të hidhet çakëll dhe 4 cm asfalt. Sigurisht do vendosen dhe disa tabela sinjalistike. Por nuk flitet për ndriçim trotuare dhe kanale kulluese, këto mungojnë në projektin e firmosur nga Disha.
Ndërsa sqarojmë këtu se vlera prej 776 milionë lekë do të shpenzohet vetëm për fazën e parë dhe më pas do të zhvillohet një tjetër tender, që të përfundohet i gjithë aksi.
Tender me “Red Flag”
Sakaq, kjo vlerë e lartë për këtë shtresë asfalti mund të cenohet dhe të bëhet objekt i përvetësimit. Këtë e tregon ‘Flamuri i Kuq’ i vënë nga Open Data Albania për mungesë konkurrence. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit, që del pas analizave dhe filtrave që përdor ky monitorues i tenderave.
Kryetari Disha i kishte mundësitë për të zhvilluar një garë konkurruese, pasi fillimisht janë paraqitur 6 oferta, madje dy prej tyre ishin më të lira se sa propozimi i firmës fituese. Bashkia nuk i ka marrë në konsideratë. Sipas dokumenteve 5 firma janë skualifikuar që në fazën e parë, pasi nuk kanë dorëzuar dëshmi që zotërojnë 4 ekskavatorist, ose i kanë të angazhuar edhe në projekte të tjera. Kështu, në fazën finale mbeti vetëm firma “L.T.E CONSTRUCTION, me ofertë 612 milionë lekë. Dëshmi të tilla, janë mangësi të cilat mund të plotësoheshin shumë shpejt, nëse operatorët do ishin vënë në dijeni.
Por, Disha e ka parë më të arsyeshme që ta mbyllë shpejt e shpejt tenderin, duke e dhënë pa garë fare tek firma e Artur Caushajt.
Caushaj përfiton shumë tendera njëherësh! Si i përballon?
Në fakt, kompania fituese duhej skualifikuar sepse në të njëjtën kohë është e zënë me tenderat që ka fituar në bashki të tjera. Në tabelën më poshtë janë kontratat publike që ka në dorë Artur Caushaj dhe nuk i ka përfunduar.
Kështu, kompania L.T.E. Construction”, pasi fitoi “Flamur të kuq” kontratën nga Bashkia Kamëz “Ndërtim Rrugët Blloku Bathore 3 +4 deri tek Rr. Ibrahim Basha , Rr.Shupenze+ Rr. Padre Mateo Rici + Rr. Tomin+ Rr. Shën Pali II + Rr. Pingul me rr.Skavicë + 2 Rr. Paralele me Rr. Skavice + Rr.Paralel me Rr. Arbrit”, nuk e ka përfunduar këtë punë publike. Sigurisht, nëse i ke krahët e ngrohta nga kryetari bashkisë Rajip Suli mund t’i shkelësh afatet.
Në 7 qershor 2024, kompania e Artur Caushajt ka firmosur kontratë me Kryetaren e bashkisë Durrës, Emiriana Sako për “Rikostruksion rrugë në Njësinë Administrative Katund i Ri”.
Gijotina.com e verifikoi në terren dhe puna në këtë rrugë nuk ka nisur akoma. Përse Disha i jep një kontratë tjetër kësaj kompanie vetëm 12 ditë më vonë, kur kjo nuk garanton zbatimin e projektit duke qenë e shpërndarë në shumë punë publike njëherësh?
Në datë 10 qershor 2024, kjo kompani ka marrë edhe një kontratë tjetër nga kryebashkiakja e Durrësit, Emiriano Sako. Bëhet fjalë për projektin “Rikostruksion rruge në Njësinë Administrative Sukth”. Sipas verifikimeve të Gijotina.com kompania nuk ka nisur punë dhe nuk i dihet nëse do të hedhë ndonjë kovë serë në këtë rrugë.
Kujtojmë se kompania me pronar Artur Caushajn u favorizua në shkurt 2024 nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, për të fituar tenderin 800 milionë lekë “Rikonstruksioni i godinës se anatomisë”. Pas denoncimit të Gijotina.com dhe ankesës së dy kompanive në KPP, tenderi është anuluar.
Kompania 4 muaj nën sekuestro! Ku shkojnë paratë e tenderave?
Duke ndjekur fillin e këtyre tenderave abuzivë zbulojmë gjithashtu se kompania e Artur Caushajt, që merr miliona euro punë publike nga shteti, zhytet në borxhe dhe sekuestrohet nga përmbaruesit. Kështu, më 22 shkurt 2023, me anë të Urdhrit Nr.59, datë 9 shkurt 2023, lëshuar nga Zyra Përmbarimit “BESA” SHPK., u vendos e masa e sekuestros konservative në aksionet, kuotat e debitorit shoqëria “L.T.E CONSTRUCTION” SHPK, që zotëron debitori Caushaj, mbi të drejtat që rrjedhin nga zotërimi i këtyre aksioneve. Sekuestrimi zgjati deri në fund të muajit maj 2023.
Gjithsesi, Artur Caushaj është biznesmen i preferuar për zyrtarët e korruptuar. Kujtojmë se kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli dhe kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, që i kanë dhënë kësaj kompanie tendera korruptivë, janë tashmë vizitorë të rregullt të selisë së SPAK. Duket se edhe kryetari Disha po e shtron rrugën për në SPAK me dokumentet që firmos nëpër tendera abuzivë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post