Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish drejtësinë përmes një postimi në rrjetin social “X” në lidhje me hetimin e SPAK për abuzimet me fondet në Universitetin Bujqësor të Kamzës.
Shefi i qeverisë njofton se ditën e nesërme do të mbledhë grupin parlamentar të PS, ku do të jetë i pranishëm edhe rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku. Sipas Ramës, rektori, i cili nuk është i përfshirë në hetimet e Prokurorisë, kërkon të dëgjohet publikisht në lidhje me lëshimin e 20 masave të sigurisë, sipas tij pa gjyq nga ana e Prokurorisë së Posaçme, por dhe për arritjet e universitetit që drejton.
“Nesër në 09:00, Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë, me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve më parë. Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor, që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njëhsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë 2030,” shkruan Rama në “X”.
Me urdhër të SPAK, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lëshuar 24 masa sigurie për stafin e Universitetit Bujqësor Tiranë. Sipas raportimeve, janë ekzekutuar nga policia masat e sigurisë për 5 persona “arrest me burg”, “arrest në shtëpi” për 10 persona si dhe për 9 të tjerë “detyrim paraqitje”. Personat e vënë nën hetim dhe për të cilët janë ekzekutuar masat e sigurisë, akuzohen për shpërdorim detyre, abuzim në detyrë dhe për korrupsion.
Discussion about this post