Krimet gjatë fushatës zgjedhore në Shqipëri nuk kanë qenë të pakta gjatë viteve të fundit. Emisioni në “Në Shënjestër” sjell raste të tilla, mes të cilave vrasja e bujshme e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, ku u u vra Pjerin Xhuvani, një eksponent i fuqishëm lokal i lidhur me Partinë Socialiste, i cili ishte i përfshirë direkt në fushatën e PS në këtë qytet.
Një masakër e vërtetë kjo e ndodhur në mes të ditës, në prani të policëve, ku mbetën të plagosur edhe Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku si dhe Xhensila Sota, një punonjëse policie, që ishte thirrur aty bashkë me kolegët e saj të patrullës, për të shuar konfliktin midis militantëve të dy krahëve politikë.
Në njërin krah e ashtuquajtura struktura për mbrojtjen e votës e ngritur nga PD, ku kandidat për deputet në këtë qytet ishte Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi dhe në krahun tjetër, përkrahës të Partisë Socialiste midis tyre edhe me precedentë penalë, e cila kandidonte numrin 2 të saj, Taulant Balla.
Konflikt i armatosur i cili u konsumua në prani të drejtuesve më të lartë të policisë vendore, të cilët jo vetëm u treguan të paaftë për të zgjidhur situatën, por nuk morën asnjë masë për të bërë shoqërimin e palëve, të cilët para se të përdornin armët, si fillim u përplasën fizikisht.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, i gjithë konflikti nisi pasi e ashtuquajtura, struktura për mbrojtjen e votës e ngritur nga PD, në zgjedhjet që do të mbaheshin në qarkun e Elbasanit, e përbërë më së shumti nga ish-policë të liruar nga detyra apo ish-ushtarakë, rreth orës 14.00 të datës 21 prill 2021, pikasi në lagjen ‘5 Maji’ të qytetit të Elbasanit, një mjet Fuoristradë ngjyrë të zezë, ku pretendonin se në brendësi të këtij mjeti që drejtohej shtetasi Mehmet Greca, kishte para dhe lista emërore, që do të shërbenin për të blerë vota në favor të subjektit politik Partia Socialiste.
“Më datë 21 Prill 2021 në orën 13:58, shtetasi Arjan Hoxha i prezantuar si përgjegjës i sigurisë së shtabit elektoral të Partisë Demokratike në Elbasan, ka njoftuar Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, se në lagjen ‘5 Maji’ në rrugën ‘Lef Nosi’ të qytetit të Elbasanit, kishte nje incident me disa persona”, thuhet në dosjen hetimore.
Sipas dinamikës së ndërtuar tashmë të ngjarjes, të parët që mbërritën në vendngjarje, pa u shkrehur ende arma ishin dy zv-drejtorët e policisë së qarkut të Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla.
Fakt që konfirmohet edhe nga pamjet filmike të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, ku vihet re si Arjan Hoxha, komunikon me njërin prej tyre.
“Pasi shtetasi Arjan Hoxha ka kryer njoftimin përkatës, të parët në vendngjarje kanë shkuar Zv/ Drejtorët e Policisë Elbasan, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla të cilët udhëtonin me makinën tip Range Rover me targa AA 450 ZL dhe pothuajse në të njëjtën kohë ka shkuar në vendngjarje edhe një furgon policie me targa MB 640AA në të cilën ndodheshin tetë punonjës të repartit Shqiponja”, thuhet në dosjen hetimore.
Arjan Hoxha në cilësinë e shefit të grupit të mbrojtjes së votës së PD, ka marrë kontakt me dy zv/drejtorët e policisë, ku u ka bërë me dije se kanë bllokuar një mjet, që kishte materiale për të cilat ata dyshonin se po përdoreshin për blerjen e votës në favor të Partisë Socialiste.
“Në vendngjarje shtetasi Arjan Hoxha ka komunikuar fillimisht me dy zv/Drejtorët e Policisë të cilët kanë qenë në brendësi të mjetit të tyre duke thënë se ai bashkë me disa persona të tjerë kishin bllokuar një person për të cilin ai pretendonte se po bënte veprime për blerje votash për subjektin politik Partia Socialiste. Sipas tij ky person kishte një mjet Fuoristradë të zezë tip ML Mercedes-Benz pa targa dhe se brenda këtij mjeti kishte para (lekë), lista emërore dhe armë të ftohta. Gjatë këtij momenti shtetasi Arjan Hoxha ka qenë i shoqëruar nga shtetasit Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Arbër Paplekaj, Juljan Mataj, Erald Guga, Erion Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, ku pjesa më e madhe e tyre kishin qenë ish-punonjës të policisë së shtetit ose ish-punonjës të forcave të armatosura, të cilët nuk ishin banorë të qytetit të Elbasanit, por që pretendonin se ishin vullnetarë të mbrojtjes së votës për Partinë Demokratike, si dhe të gjithë ata qarkullonin me tre furgona të bardhë me xhama të zinj me sigla të kësaj force politike”, thuhet në dosje.
Por ndërsa përgjegjësi i sigurisë së shtabit elektoral të Partisë Demokratike në Elbasan, Arjan Hoxha dhe dy drejtuesit e lartë të policisë po bisedonin me njëri-tjetrin mbi atë që po ndodhte, po sipas dosjes hetimore, vetëm 10 minuta më pas në orën 14.07 minuta në vendngjarje, mbërrin Pjerin Xhuvani.
Ai shoqërohet nga disa persona, konkretisht të identifikuar si Klement Xhaferri, Gentian Sharra, Elton Bodinaku, Luan Tabaku, Mario Çela, etj.
Disa prej tyre të njohur edhe për aktivitetin e theksuar kriminal.
“Nga hetimi rezulton se shoqëruesit e shtetasit Arjan Hoxha në vendin e ngjarjes kanë marrë çelësin e mjetit Tip ML Mercedes-Benz pa targa, me qëllim që të mos largohej nga vendi ku ata e kishin konstatuar atë pasi shtetasi Mehmet Greca ka zbritur prej tij.
Pasi shtetasi Mehmet Greca i shoqëruar nga i pandehuri Arbër Papleka, Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, janë afruar pranë dy zv/drejtorëve të policisë, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, këta të fundit kanë komunikuar me shtetasin Mehmet Greca në prani të të pandehurit Arbër Paplekaj dhe më pas dhe të shtetasit Arjan Hoxha i cili është afruar pranë tyre.
Pasi dy zv/drejtorët e policisë Albert Nushi dhe Nikollaq Palla kanë komunikuar me shtetasin Mehmet Greca, në afërsi të tyre kanë shkuar dy punonjës të forcave të posaçme ‘Shqiponja’, Dedjon Duraku, i cili ka biseduar me zv/drejtorin e rendit Nikollaq Palla dhe poshtë trotuarit shumë pranë tyre ka qëndruar punonjësi i policisë Pëllumb Biçaku, të cilëve u është komunikuar situata me qëllim shoqërimin e shtetasit Mehmet Greca”, theksohet në dosje.
Po ndërsa pritej shoqërimi i Mehmet Grecës në polici, ky urdhër mbeti i pazbatuar.
Kjo pasi në vendngjarje, mbërriti Pjerin Xhuvani dhe grupi i tij shoqërues, të cilët kanë mbërritur në vendin që vetëm disa minuta më pas do të kthehej në një skenë masakre, me disa makina të ndryshme,për t’i ardhur në ndihmë, Mehmet Grecës, që në këto moment ndodhej i ndaluar nga grupi për mbrojtjen e votës i ngritur nga PD.
Në mesin e njerëzve që erdhën në ndihmë të Mehmet Grecës, i skeduar për çështje të trafikut të drogës në Britaninë e madhe, mbërrijnë edhe emra të njohur për policinë, si Klement Xhaferri i përfshjirë më herët në incidentin me policinë te Tregu Agroushqimor në Elbasan, apo Gentian Sharra, ky i fundit i ekspozuar nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani për përfshirje në krim të organizuar.
Sipas dosjes hetimore është pikërisht ky momenti, kur gjakrat ndizen midis dy grupimeve të shumtë në numër, të cilët fillimisht përplasen me fjalë dhe më pas fizikisht.
Të parët që përleshen janë Eldjon Bodinaku, dhëndrri i viktimës së kësaj ngjarje Pjerin Xhuvani dhe Erjon Demushi, nga grupi i vullnetarëve të mbrojtes së votave të PD.
“Nga provat rezulton se në momentin kur shtetasi Eldjon Bodinaku ka qenë duke u afruar pranë vendit ku ndodheshin Mehmet Greca së bashku me dy zv/drejtorët e policisë Albert Nushi dhe Nikollaq Palla dhe shtetasi Arbër Papleka, ai ka vënë re se shtetasi Erjon Demushi po filmonte me një aparat telefoni celular që nga hetimi doli të jetë i shtetasit Arjan Hoxha. Për këtë shkak Eltjon Bodinaku është konfliktuar Erjon Demushin duke e goditur me grushte në fytyrë”, thuhet në dosje.
Por ashtu siç tashmë është mësuar, konflikti në emër të votës atë mesditë të datës 21 prill 2021 në Elbasan, vetëm katër ditë përpara se të mbaheshin zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, rezultoi më i përgjakshëm se disa shkëmbime grushtash.
Në këtë ngjarje u përdorën disa armë zjarri, nga ku rezultoi se njëra prej tyre, i përkiste Arbër Paplekaj.
Xhuvani, me profesion mjek psikiatër, dikur kryetar i degës së LSI-së në qytetin e Elbasanit,
i cili më herët ishte arrestuar për korrupsion, në kohën kur ishte drejtor në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Por që në korrik të vitit 2016, Gjykata e Tiranës e dënoi vetëm me shërbim prove, ndonëse akuzat mbi të ishin të rënda, si ‘mashtrim’, ‘shpërdorim të detyrës’, kryer në bashkëpunim dhe ‘falsifikim të dokumenteve’.
Një personazh edhe ky kontrovers politik lokal, që pasi kishte lënë LSI-në në vitin 2017, u bë pjesë e PDIU-së derisa në vitin 2021 u pa të punonte për Partinë Socialiste në Elbasan.
Personi kryesor ende në akuzë për vrasjen e Pjerin Xhuvani, është Arbër Paplekaj, baba i katër fëmijëve, i cili pas ngjarjes u dorëzua në repartin Renea në Tiranë.
Ai thuhet se para se të shërbente në grupin e mbrojtjes së votës së ngritur nga PD në Elbasan. kishte shërbyer në Afganistan,
Ndërsa më herët kishte punuar si pjesë e stafit të sigurisë së Ambasadës Amerikane.
Më pas edhe si shoqërues i një biznesmeni në Tiranë.
“Nga 20 gëzhojat dhe një predhë objekt ekspertimi të fiksuara si prova materiale në ngjarjen e datës 21 Prill 2021, ku është vrarë shtetasi Pjerin Xhuvani, 12 gëzhoja dhe 1 predhë u përkasin fishekëve standart luftarak të kalibrit 9mm me gjatësi gëzhoje 19 mm, që përdoren si municion nga pistoletat Beretta, Parabel, Glock dhe të ngjashme me to, si dhe automatikët e këtij kalibri si MP5, Beretta, MP40, MP41.
Nga shqyrtimi i provave të administruara del qartë se, i pandehuri Arbër Paplekaj pas një konflikti të çastit, me dashje ka qëlluar me armë zjarri pistolete në drejtim të disa personave duke arritur të vrasë shtetasin Pjerin Xhuvani, si dhe të plagosë rëndë shtetasin Eltjon Bodinaku dhe të plagosë lehtë shtetasen Xhensila Sota”, thuhet në dosje.
Prokuroria thotë se nuk ka asnjë dyshim në faktin se personi që ka qëlluar me armë zjarri është i pandehuri Arbër Paplekaj dhe se qëllimi i tij i vetëm ka qenë të gjuajë në drejtim të shtetasve të cilët i janë kundërvënë dhe janë konfiktuar, por nuk sqaron se kush ishin personat e tjerë që përdorën armët mesditën e 21 prillit.
Por në akuzë për këtë ngjarje, për neglizhencën që ata treguan në vendngjarje, duke mos parandaluar një masakër që mori përmasa të tilla, ranë edhe dy drejtuesit e lartë të policisë si edhe pjesëtarët e patrullës së policisë.
“Është e provuar katërcipërisht, që asnjë prej punonjësve të Policisë nuk kanë kryer asnjë veprim në përputhje me detyrimin ligjor të detyrës së tyre funksionale.
Nëse nga ana e trupës së Policisë së Shtetit të ndodhur në vendngjarje, do të ishte kryer shoqërimi i shtetasit Mehmet Greca në kohë reale duke vepruar procedurialisht për zgjidhjen e situatës dhe jo për verifikim informacioni pasi jemi në kushtet e njoftimit të kryerjes së një vepre penale, në detyrim të nenit 30 dhe 32 dhe nenit 283 Kodit të
Procedures Penale duheshin ndërrmarë hapa konkret për kryerjen e veprimeve proceduriale.
Momenti i dytë i shpërdorimit të detyrës nga trupa e policisë përfshirë dhe dy zv/drejtorët e policisë, është mosveprimi me shoqërimin e personave të parë në vendgjarje dhe si rrjedhojë e mosveprimit kanë lejuar personat që kanë ardhur në ndihmë të shtetasit Mehmet Greca, të dalin nga makina, të identifikojnë lehtësisht personin që filmon me telefon i ndodhur në afërsi të dy zv/drejtorëve dhe dy punonjësve të policisë, të debatojnë me personat përkrahës të Partisë Demokratike, të konfrontohen fizikisht e mě pas. të lejojnë dhe përdorimin e armëve duke sjellë si pasojë vdekjen e shtetasit Pjerin Xhuvani dhe plagosjen e katër personave të tjerë”, thuhet në dosjen hetimore.
Përpos mosveprimit të zyrtarëve të policisë, më e rëndë ishte edhe tentativa për ta manipuluar këtë ngjarje, që do të mbetet si një njollë e zezë në raportet e ndërkombëtarëve për certifikimin e zgjedhjeve.
Por ato që e kompromentuan edhe më shumë zbardhjen e ngjarjes së rëndë që tronditi fushatën e zgjedhjeve në Elbasan, ishin deklaratat e mëtejshme të Drejtorit të Përgjithshëm, atë kohë të Policisë Së Shtetit, Ardi Veliu.
I cili tha se në makinën tip Fuoristradë të ndaluar nga grupi i mbrojtjes vullnetare të votës, nuk u gjet asnjë material zgjedhor, apo kompromentues që mund të përdoreshin për shitblerje të votës.
“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 gëzhoja të kalibrave 9 dhe 11.1 milimetra, 4 predha, tre furgonë me logo të subjektit politik Partia Demokratike, automjeti fuoristradë ML pa targa dhe një automjet tjetër tip Benz, 11 telefona celular, pamje filmike etj.
Grupi hetimor nuk ka konstatuar sende të kundërligjshme apo të dyshuara se mund të përdoreshim për shitblerje të votës”, deklaronte Ardi Veliu më 22 prill 2021.
Faktet dëshmuan të kundërtën.
Në automjetin e Mehmet Grecës u zbuluan lista me emrat dhe fotokopje kartash identiteti, një bllok shënimesh ku shkruhej pagesa, disa fletëpalosje të Partisë Socialiste, që sugjeronin që kishin të bënin me një krim zgjedhor, por dështuan të bënin arrestime dhe ngrinin akuza për personat e përfshirë, mes tyre eddhe një person me nofkën Met Dafllaku emri i të cilit ishte i shkruar mbi bllokun me shënimin pagesa.
Po përse gënjeu drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, në deklaratën e tij publike, vetëm një ditë pas ngjarjes.
Këtë shpjegim ish-drejtuesi i lartë i policisë nuk e ka dhënë as sot.
Por ajo që e bëri edhe më kompromentuese, mosveprimin e policisë në atë që njihet si masakra e fushatës së Elbasanit, është fakti se kjo ngjarje nuk ishte e pa lajmëruar.
Kjo pasi një ngjarje gati e ngjashme, por pa përdorimin e armëve, ishte konsumuar në këtë qytet, ditën e Verës, ditë kur në qytet zbritën për të festuar, por për të treguar edhe forcën e tyre elektorale, kryeministri Rama dhe kryetari atë kohë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ku ndërsa dy drejtuesit kryesore të fushatës po parakalonin në të njëjtin orar në Bulevardin e qytetit, pas tyre dy grupe përkrahësish filluan të përplasen me njëri-tjetrin duke shkëmbyer fyerje dhe grushta.
Njëri prej të cilëve ishte edhe Pjerin Xhuvani, i cili u akuzua po atë ditë nga Partia Demokratike si militant i Partisë Socialiste.
Ndërkohë që ndër personat që i qëndronin në krah, gjatë përplasjes ishte edhe Kelmend Xhaferri.
Një nga personat e pranishëm edhe në masakrën e 21 prillit 2021.
Nëse policia do të kishte marrë masa për ngjarjen e 14 marsit 2021 vrasja e Pjerin mund të ishte shmangur.
Vrasja e tij mund të ishte shmangur mesditën e 21 prillit, nëse dy zv-drejtorët e policisë që ndodheshin në vendngjarje do kishin ndërhyrë në kohë dhe do kishin zbatuar detyrat që u ngarkon ligji.
Por pse Elbasani u bë arenë e një skene të tillë të përgjakshme?
Çfarë do të thoshte ky qytet në hambarin e votave dhe përse ishte kaq i rëndësishëm deri aty sa njëra palë të krijonte struktura sfiduese paralele me shtetin sipas tyre për të mbrojtur votën, dhe në krahun tjetër të kishte një strukturë gati të ngjashme, të përbërë edhe nga elementë kriminale?
E vërteta është që sa herë politikës i duhet krimi, anasjelltas edhe krimi është i gatshëm të vihet në përdorim të politikës.
Dhe ky duket se është rasti i Elbasanit.
Ku si të mjaftonte tronditja e madhe që ky qytet kishte përjetuar ndër vite, për shkak të krimeve të përbindshme që bandat kishin kryer, tashmë u duhet të përjetonin edhe frikën e një fushate e cila përfundoi e përgjakur keqasi.
Në një ngjarje që ngriti dyshime të forta se si Policia e Shtetit jo vetëm nuk dokumentoi personat me precedentët penalë të përfshirë në krim zgjedhor, por edhe mashtroi publikun duke dhënë prova të rreme.
Duke fshehur faktin që në makinën e Mehmet Grecës kishte listë me emra dhe fotokopje kartash identiteti, bllok shënimesh ku shkruhej “pagesa” si dhe një dokument format A4 me përshkrimin “formular patronazhi”, bashkë me disa fletëpalosje të Partisë Socialiste.
Ndërkohë që edhe sot nuk dihet se kush ishin dy personat e tjetër, nga grupi tjetër që qëlluan me armë ndaj strukturës së ngritur për mbrojtjen e votës nga PD.
Por ashtu si fushata edhe dita e zgjedhjeve në Shqipëri, ka qenë një histori e gjatë përgjakje.
Gjon Gjoni u vra me 23 qershor 2013, pikërisht në ditën kur Shqipëria po mbante zgjedhjet parlamentare, ndoshta më të rëndësishmet, e dy dekadave demokraci.
Pas 8 viteve në qeverisje, Partia Demokratike, tashmë pa LSI-në në krah, që ishte bashkuar në koalicionin me Partinë Socialiste, kërkonte edhe një tjetër mandat legjitimues.
Ndërsa Partia Socialiste pas viteve të gjata në opozitë kërkonte një revansh, për t’u kthyer edhe njëherë në pushtet, tablo elektorale e cila kishte sjellë edhe tensione të shumta gjatë fushatës, por edhe në ditën e votimit, e cila u shoqërua me përplasje të shumta.
Ajo më e rënda ishte përplasja me armë në njërën prej KZAZ-ve në Kurbin, aty ku u qëllua me armë ndaj Mhill Fufit, kandidat për deputet, në siglën e Partisë Demokratike.
Përplasje me armë ku mbeti i vrarë militanti i LSI-së Gjon Gjoni, po ku mbeti i plagosur vetë kandidati i PD-së, Mhill Fufi si edhe një i afërm dhe mbështetës i tij.
I identifikuar si Kastriot Fufi
“Më datë 23 Qershor 2013, rreth orës 8:30 min në rrugën kryesore para gjimnazit ‘At Shtjefen Gjeçovi’ të qytetit Kurbin, ka patur të shtëna me armë zjarri ku si pasojë ka mbetur i vdekur shtetasi Gjon Gjoni si dhe janë plagosur shtetasit Mhill Fufi dhe Kastriot Fufi.
Shtetasi Mhill Fufi, i dëmtuar nga qitjet me armë zjarri ishte kandidat për deputet në qarkun e Lezhës i subjektit Partia Demokratike e Shqipërisë dhe i pozicionuar i 5-ti në listën e këtij subjekti dhe më pas është zgjedhur edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e policisë së Kurbinit.
Por përse erdhi kjo përplasje, që agravoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit?
Sipas dinamikës së ngjarjes, Mhill Fufi, akuzonte militantin e LSI-së, Gjon Gjoni, se po blinte vota.
Duke e këshilluar këtë të fundit që të mos përzihej me punë politike pasi ai nuk e njihte situatën në Laç.
Por ndërsa zhvillohej kjo bisedë, e cila kaloi deri në fyerje personale, thuhet se njëri nga ndjekësit e Fufit qëlloi me levë në drejtim të Gjon Gjonit.
Konflikt i cili u përshkallëzua deri në përdorimin e armëve ndërda të shtënat vijuan për disa minuta.
Vetëm pas pushimit të tyre, dëshmitarët në vendngjarje, konstatuan plagosjen e Mhill Fufit dhe kushëririt të tij të dytë Kastriot Fufi, si edhe humbjen e jetës së Gjon Gjonit.
Një nga personat që u shpall në kërkim për këtë ngjarje ishte Enver Curri, por dyshimet ndaj tij ranë nga grupi hetues.
Emisioni “Në shënjestër” zbulon për jherë të parë dëshminë që dha Mhill Fufi, një tjetër personazh kontrovers në zonë, që ka ndërruar disa herë kahet politike.
“Ditën e ngjarjes unë kam dalë nga shtëpia rreth orës 07-07:30. Pasi piva një kafe në lokalin tim në Mamurras, u nisa drejt Laçit.
Ku ndalova në shkollën ‘At Shtjefën Gjeçovi’, kus ishte vendosur KZAZ-ja
Sapo u nisa drejt gjimnazit dëgjova të shtëna dhe ndjeva një goditje të fortë në krahun e majtë dhe jam shembur në tokë.
Në lidhje me shtetasin Gjon Gjoni e njoh prej vitesh pasi ka qenë shok me vëllain tim Nik Fufi.
Unë këtë shtetas kisha 5 vjet pa e parë dhe nuk kam pasur asnjë konflikt me të apo me familjarë të tij. Ndërsa me Kastriot Fufin jam lidhje fisnore e tij jo e afërt”, thuhet në dëshminë e Mhill Fufi.
Edhe pse përplasja ishte e ashpër dhe në fundit rezultoi me një viktimë, Mhill Fufi, mohoi që të kishte parë armë në vendin e ngjarjes, nga personat me të cilët shoqërohej.
Ndërkohë që në vendngjarje, grupi hetues gjeti plot 15 gëzhoja.
Të dala nga shkëmbimi i plumbave midis palëve.
“Në lidhje me shtetasin Enver Curri, e njoh edhe kam marrëdhënie të mira dhe nuk kemi pasur asnjëherë ndonjë konflikt.
Unë nuk kam parë njeri të armatosur apo duke qëlluar. Dhe as unë, as familjarët apo të afërmit e mi nuk kanë konflikte”, deklaronte Mhill Fufi.
I pyetur në lidhje me ngjarjen, edhe i plagosuri i dytë në ngjarjen e 23 qershorit 2013, Kastriot Fufi, mohoi që të ishte i përfshirë në konflikt.
“Ditën e ngjajes, gjatë kohës që unë parkova makinën pranë shkollës ‘At Shtjefën Gjeçovi’ dhe po i drejtohesha një lokali për të pirë kafe me motrën time, 50 metra, pranë gjimnazit, dëgjova të shtëna.
33-
Menjëherë u fsheha pas një makine dhe u përkula. Aty ndjeva një goditje në kokë dhe humba ndjenjat. Në Spitalin Ushtarak në Tiranë mjekët më thanë se një plumb më kishte hyrë dhe dalë në pjesën e pasme të kokës afër qafës. Unë nuk kam parë persona duke qëlluar.
Po kështu deklaroj se nuk kam qenë unë objektivi. Gjon Gjonin e njoh prej vitesh si laçian.
Unë kam pasur marrëdhënie korrekte me të. Ka pasur raste që jam ulur të pi kafe me të. Me Gjon Gjonin kemi edhe krushqi. Në lidhje me Enver Currin e njoh si laçian. Enveri është kunat me Gjon Gjonin”, deklaronte Kastriot Fufi.
Por teksa u konsumua kjo ngjarje e rëndë, ndërsa militanti i LSI-së Gjon Gjoni humbi jetën, me të lënë spitalin, kandidati i PD-së Mfill Fufi u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Detyrë të cilën ai e ushtroi deri në vitin 2017.
Periudhë pas të cilës ai u emërua Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor për Qarkun e Lezhës, i shpërblyer aty nga qeveria Rama me të cilin Fufi ishte kundërshtar në zgjedhjet e vitit 2013.
Ndërsa LSI, për të cilën Gjon Gjoni, dha edhe jetën në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, doli në vitin 2017 nga koalicioni me Ramën dhe u bashkua në opozitë me Partinë Demokratike.
Kjo ngjarje mbetet edhe sot e pazbardhur.
Prokurorët e Kurbinit ua pasuan topin kolegëve të tyre të Prokurorisë për Krime të Rënda, të cilët në finale e pezulluan dosjen.
Por humbjet e jetëve në ditën e zgjedhjeve nuk është një histori që fillon dhe mbyllet këtu.
Learton Vathi, komisioner i Partisë Republikane, u ekzekutua ditën e zgjedhjeve, me 3 korrik 2005.
Ai u qëllua për vdekje nga komisioneri i Partisë Socialiste, Bashkim Kulla, në oborrin e qendrës së votimit në prani të punonjësve të policisë, të cilët kishin ardhur aty pas një njoftimi për konfliktin.
Komisioneri i opozitës u vra pranë Qendrës së Votimit të zonës nr. 37 në Tiranë, ku kandidonin për deputetë Edi Paloka i PD dhe Shpëtim Idrizi i PS.
Vrasja e cila u thuhet se u krye pas një debati për përdorimin e certifikatave falco nga socialistët në votime.
Në këtë ngjarje u evidentua përfshirja e elementëve kriminalë në fushatë, çka vetvetiu bën të lindë pyetja se përse politika është kaq e interesuar ta ketë krimin aleatë në zgjedhje?
Dhe për sa kohë do e vazhdojë këtë bashkëpunim??? /News24/
Discussion about this post