Salla e ahengjeve “Golden Imperial” në Prishtinë po përballet me falimentim, si pasojë e masave të ndërmarra për frenimin e pandemisë së koronavirusit.
Pronari i këtij biznesi, Driton Hoti, thotë se e ka të pamundur të vazhdojë punën. Masa kufizuese, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë qysh në pranverë të vitit 2020, kur edhe ka shpërthyer pandemia.
“Për 18 muaj, ne kemi punuar vetëm dy muaj gjatë verës së këtij viti”, thotë Hoti, i cili i ka të punësuar rreth 30 punëtorë.
Ai thotë se humbjet i ka të mëdha, por nuk jep ndonjë shifër të saktë.
“Shifra nuk mund të jap, por, në bazë të qarkullimit që kam pasur në vitin 2019, atëherë ka qenë 400 mijë euro, tani nuk kemi fare… vetëm ata dy muaj që kemi punuar”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Me masat e Qeverisë së Kosovës, të ndërmarra më 30 gusht, është ndaluar organizimi i ahengjeve dhe dasmave. Në atë kohë, Kosova ka regjistruar mbi 1,000 raste të reja me koronavirus në ditë dhe dhjetëra viktima.
Puna e klubeve të natës dhe ahengjet vazhdojnë të jenë të ndaluara edhe me masat e fundit të Qeverisë, që kanë hyrë në fuqi më 6 dhjetor. Hoti thotë se nuk pajtohet me këtë vendim, tani kur situata me koronavirus duket më stabile.
“Në muajin gusht, kur na mbyllën, ne jemi pajtuar që të mbyllemi, për shkak të rasteve të shumta me koronavirus, por me shpresën se kur të stabilizohet situata dhe të vaksinohet një përqindje e madhe e qytetarëve, do të na lejohet puna”, thotë ai.
Kosova, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka situatë më të qetë epidemiologjike. Nga data 1 deri më 6 dhjetor, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 48 raste të të infektuarve me koronavirus dhe një viktimë. Numri i rasteve aktive të hënën ka qenë 322.
Me masat e fundit kufizuese, veç tjerash, ashpërsohen edhe kushtet për hyrje në Kosovë, ndërsa kufizimi i lëvizjes vazhdon të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00. Orari i punës së gastronomisë, po ashtu, nuk ndryshon; puna e këtij sektori lejohet deri në orën 23:00, ndërsa muzika ndalohet pas orës 21:30.
Vranica: Qeveria nuk e menaxhoi shëndetin e ekonomisë
Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, e cila përfaqëson mbi 500 biznese, thotë se Qeveria është dashur të marrë masa në përputhje me situatën epidemiologjike.
Nëse tani e disa muaj, Kosova po shënon numër të vogël të rasteve, thotë Vranica, Qeveria është dashur të mendojë edhe për “shëndetin e ekonomisë”.
“Nuk ka pasur vullnet të Qeverisë për të menaxhuar shëndetin e ekonomisë. Këto masa kanë krijuar një revoltë të madhe, sidomos të klubeve të natës dhe sallave të dasmave dhe estradës. Po ballafaqohemi me probleme të rënda. Shumë biznese janë duke falimentuar”, thotë ai.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, për gati dy vjet pandemi, janë shuar mbi 2,600 biznese.
Për t’i përballuar pasojat e pandemisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon e ringjalljes ekonomike, në vlerë prej 420 milionë eurosh. Në kuadër të kësaj pakoje, bizneset janë ndihmuar kohë pas kohe.
Sogojeva: Jo kufizime, por lehtësime
Vendimin e Qeverisë së Kosovë për masat kufizuese e kundërshtojnë edhe në Odën e Hotelerisë dhe Turizmit.
Hysen Sogojeva, i cili përfaqëson mbi 300 biznese në fushën e hotelerisë dhe turizmit në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë pritur lehtësim të masave.
“Këto masa nuk janë në harmoni me bizneset. Ne, si Odë, kemi kërkuar që bizneset e sektorit të gastronomisë, hotelerisë, turizmit, të punojnë me 30 deri në 50 për qind të kapaciteteve. Pastaj, iu kemi thënë se e marrim vetë obligim që asnjë person të mos hyjë në ato salla pa pasur dy vaksina [kundër koronavirusit] dhe testin [negativ] PCR”, thotë Sogojeva.
Sipas tij, çdo masë që ndalon punën e bizneseve, është humbje. Nëse vazhdohet me masa të tilla, deri në 35 për qind e bizneseve në këtë sektor do të falimentojnë, thotë ai.
Kurti: Masat, për shkak të variantit Omicron
Pavarësisht situatës së qetë epidemiologjike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se masat po merren për shkak të rrezikut nga varianti i ri i koronavirusit, Omicron.
Ky variant është identifikuar për herë të parë muajin e kaluar, në Afrikën e Jugut, dhe është kategorizuar si shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në përpjekje për të parandaluar përhapjen, disa vende i kanë kufizuar udhëtimet me vendin afrikan.
Duke folur të dielën, Kurti ka thënë se janë disa rreziqe me të cilat Kosova mund të përballet shumë shpejt.
“Ardhja e mërgatës për festat e fundvitit, situata e rëndë epidemiologjike në shtetet nga vjen numri më i madh i mërgatës, shkalla e ulët e vaksinimit me të dyja dozat në Kosovë dhe shfaqja e variantit të ri të koronavirusit, i njohur si varianti Omicron, e që është më lehtë i transmetueshëm sesa varianti Delta”, ka thënë Kurti.
Derisa shkencëtarët vazhdojnë të studiojnë efektet që mund t’i shkaktojë Omicroni, zyrtarët shëndetësorë në Kosovë u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.
Në Kosovë, shkalla e vaksinimit të plotë kundër koronavirusit aktualisht është mbi 42 për qind.
Sipas profesionistëve shëndetësorë, një vend duhet të vaksinojë mbi 85 për qind të popullatës, për ta pasur situatën nën kontroll./REL/
Discussion about this post