Dalja nga izolimi i pandemisë COVID-19, ishte më i dhimbshëm për buxhetet familjare. Përpos propagandës se qeverisë së masat e marra me paga luftë e garanci sovrane ishin të suksesshme dhe parandaluar përkeqësimin e varfërisë, të dhënat e Institutit të Statistikave flasin për një të vërtetë tjetër. Varfëria u rrit në vitin 2021!
“Në vitin 2021 janë vlerësuar rreth 622.705 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qënë të varfër, kundrejt rreth 621.504 individë të vlerësuar në vitin 2020. Numri I individëve në rrezik për të qenë të varfër është rritur me rreth 0.2 %”, thuhet në raportin e INSTAT.
Bazuar në këtë shifër rreth 22% e shqiptarëve jetojnë në varfëri, duke dëshmuar se rritja ekonomike në 2021 që erdhi pas rënies në vitin e izolimit prej pandemisë, nuk ka pasur efekt në rritjen e mirëqenies në shoqëri.
Sipas të dhënave të INSTAT, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2021 është vlerësuar me 191.791 lekë, ose 15,982 lekë muaj dhe e përkthyer në pagë ditore, është 5 dollarë dita.
Këto shifra pritet të jenë edhe më te ashpra për vitin 2022, që kulmoi me krizën e çmimeve, dhe me nivel rekord inflacioni që prej vitit të frikshëm të 1997 dhe përjetimi I pasojave në 1998. Inflacioni (rritja e çmimeve) në vitin 2022 ishte 6.7% niveli më I lartë që prej viteve të lartëpërmendura, dhe parashikimet e institucioneve ndërkombëtare flasin varfëria të jetë thelluar me 1-2% në vitin 2022.
Shtrenjtimi më I madh referuar INSTAT ishte tek ushqimet dhe karburanti. Të dyja këto kategori marrin deri në 50-53% të buxhetit të familjeve me nivel ekonomik mesatar. Por kur zbresim tek familjet me nivel të ulët ekonomik vetëm ushqimet pa përfshirë karburantet marrin rreth 60% të buxhetit të tyre.
Pavarësisht se këto luhatje të forta të çmimeve erdhën si pasojë e luftës në Ukrainë dhe daljes nga izolimi pandemik çka shtoi kërkesën për produkte, doli në pah edhe një niveli I varfërisë që është në Shqipëri.
Por varfëria mund të jetë edhe më e thellë në familjet shqiptare që të ardhurat e vetme që kanë janë pensionet urbane mesatarisht janë 17.2 mijë lekë dhe akoma më keq pensionet rurale që janë 9.6 mijë lekë. Po nëse familjet jetojnë vetëm me pensione invaliditeti apo familjare? Gjendja është e rënduar.
Pse nuk përcaktohet minimumi jetik?
Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka përcaktuar minimumin jetik, pra që nuk e ka përcaktuar se sa është vlera e parave që i duhen një personi në muaj për të jetuar me dinjitet dhe pa i privuar nga nevojat bazike të jetesës. E thënë ndryshe nuk e ka të përcaktuar tavanin monetare poshtë të cilit familjet do të konsiderohen të varfëra.
Ekonomisti Koço Broka thotë për Gijotina se tentativa për të përcaktuar minimumin jetik janë bërë por kanë dështuar pasi nuk ka pasur vullnet politik.
Minimumi jetik thotë Broka është studiuar në vitin 1989 nga Ministria e Ekonomisë dhe Instituti I Studimeve të Ekonomisë por nuk u botua pasi rezultatet ishin tepër negative.
“Është pranuar se minimumi jetik, është studjuar e përllogaritur për herë të parë në Shqipëri në monizëm në vitin 1989, rillogaritur në vitin 1991-1992,nga Ministria e Ekonomisë dhe Instituti I Studimeve të Ekonomisë por që nuk kanë parë dritën e botimit. Nga studimi rezultoi se 28 % e punonjsve të sektorit shtetëror ishin me pagë nën minimumin jetik. Rezultatet e studimit të minimumit jetik në kushtet e monizmit nuk I u bënë të njohura opinionit të gjërë publik dhe nuk kanë gjetur ende dritën e botimit. Pra përqindja e të punësuarve dhe popullsisë nën minimumin jetik ishte shumë e lartë dhe si e tillë përbënte një llambë të kuqe”, thotë Broka.
Një tjetër studim për këtë çështje është bërë më pas nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike.
“Mbështetur në studimin e Avokatit të Popullit ( më saktë realizuar nga ACER- Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike) dhe indeksimet përkatëse, niveli I minimumit jetik prej 16 mijë lek për vitin 2016 ose 20 mijë lek të reja në fund të 2022, vlerësohet si I pamjaftueshëm dhe për rrjedhojë ai duhet të studjohet e miratohet zyrtarisht me ligj”, pohon Broka.
Pas kërkesës së vazhdueshme të Avokatit të Popullit dhe ekspertëve për të përcaktuar minimumin jetik, ende nuk ka asnjë dritë jeshile. Pas këtyre tentativave pa rezultat Organizata Politika dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 21 mijë firma të mbledhura nga qytetarët për miratimin e ligjit për këtë çështje.
“Edhe Shqipëria të veprojë si gjithë vendet e tjera veçanërisht, pas rritjes së çmimeve dhe vështirësimit të jetesës në vend. Edhe unë jam nënshkrues I peticionit, dhe jam dakort jo vetëm me këtë kërkesë, por dhe me etiketimin se studimi e miratimi me ligj I minimumit jetik, është emergjencë kombëtare”, thotë ekonomisti.
Ekonomisti thotë se duhet që institucionet të ngrihen mbi drejtuesit e diktaturës që e lejuan studimin e minimumit.
“Personalisht unë nuk shoh ndonjë pengesë objektive, për mos miratimin e këkesës për studimin e minimumit jetik, përveç faktit se institucionet e sotme që kanë në kompetencë ti hapin dritën jeshile e ta miratojnë atë, është e nevojshme të ngrihen të paktën deri në nivelin e drejtuesve të shtetit të diktaturës që inicuan e pranuan studimin e minimumit jetik, të lënë pas, interesat e ambicjet e ngushta politike për pushtet, mbajtjen me çdo kusht të tij dhe egocentrizmin e demagogjinë e tyre”, pohon Broka.
Përballimi I jetesës është tejet I vështirë jo vetëm nga pensionistët, familjet në nevojë por edhe për familjet e reja.
“Familjet e të rinjtë e të rejat duke parë se me të ardhurat që marrin e përballojnë me zor shpenzimet e tyre të jetësës përfshi ato të banesës, zgjedhin të largohen. Atakimi i kundërshtarit politik me vend e pa vend por pa bërë një studim e miratim zyrtarisht me ligj të minimumin jetik, nuk është dhe nuk mund të jetë frenim e epidemisë së emigracionit masiv, por është një kopje e shëmtuar e bariut që thëriste pa vend ujku, ujku, ndërsa tani bërtitet çpopullimi çpopullimi.”, pohon Broka.
Por çfarë është minimumi jetik?
Bazuar në studimin e bërë nga ACER pas konkurrimit që hapi Avokati I Popullit- “Minimumi jetik është shuma monetare e një sërë produktesh ushqimore të përshtatshme për të siguruar funksionimin normal të trupit të njeriut dhe ruajtjen e shëndetit, plus një numër minimal artikujsh jo-ushqimorë dhe një numër minimal shërbimesh të nevojshme për të përmbushur nevojat bazë social-kulturore.
Lexo edhe: Indeksimi i pensioneve dhe i pagave/ Eksperti i ekonomisë, Koço Broka: Të caktohet minimumi jetik
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post