Universiteti i Korçës “ Fan Noli” rrezikon mbylljen ose bashkimin me atë të Tiranës. Kjo situatë ka sjellë reagime të mëdha, ndërsa disa figura politike kanë dalë kundër. Kështu, mes shumë reagimeve, është dhe deputetja e PS-së për qarkun Korçë, Eni Zake e cila përmes një postimi në Facebook ka renditur disa nga disavantazhet që do sjellë bashkimi i universiteteve.
“E befasuar nga vendimmarrja e fshehtë, si ato vendimet e “njesiteve guerile” në kohë lufte, për “shkrirjen” apo “bashkimin” e Universitetit “Fan S. Noli” në një të vetëm me Universitetin e Tiranës, me argumentimin si e vetmja zgjidhje dhe shpëtim për një pjesë të stafit akademik”, shkruan deputetja.
Reagimi i plotë:
NË UNISON SOT, PËR TË EKZISTUAR NESËR
Rënia e Kostandinopojës (1453), na sjell vetiu ndërmend momentin deçiziv, të fundit të Perandorisë, atë të rrethimit të Kostandinopojës nga Perandoria Osmane, ku një portë e mureve mbrojtëse të qytetit, e njohur si Kerkoporta, u la e hapur nga një ushtar grek i quajtur Trapezountius. Kjo tradhti i lejoi osmanët të thyenin muret dhe në fund të pushtonin qytetin, duke çuar në fundin e Perandorisë Bizantine. Këto pak fjalë prologu, vlejnë për të kuptuar që në çdo kohë është dikush që le portat hapur…
E befasuar nga vendimmarrja e fshehtë, si ato vendimet e “njesiteve guerile” në kohë lufte, për “shkrirjen” apo “bashkimin” e Universitetit “Fan S. Noli” në një të vetëm me Universitetin e Tiranës, me argumentimin si e vetmja zgjidhje dhe shpëtim për një pjesë të stafit akademik, që për disa do të jetë vazhdimësi në punë si një avantazh personal “prim bonus shpërblimi”, e pra në një moment të tillë e ndjej detyrim moral të shpreh mendimin tim lidhur me vazhdimësinë e ekzistencës së Universitetit të Korçës, së pari si një ish studente e këtij Universiteti, si një pedagoge dhe si ish Admimistratore e këtij Universiteti. Ndjej detyrim për të gjithë ata kolegë, pedagogë e profesorë të nderuar të tij, që kanë kontribuar prej vitit të parë të funksionimit të tij në 1971 si Insitut i Lartë Bujqësor dhe deri më sot, që të jap edhe unë mendimin dhe mbështetjen time për këtë institucion të dijes dhe shkencës.
Ndjej po ashtu detyrim dhe për gjithë stafin administrativ dhe mbështetës të këtij Universiteti, me të cilët kam punuar për më se 4.5 vjet. Meqënëse “avantazhet” e bashkimit të Universitetit të Korçës me Universitetin e Tiranës janë bërë të qarta nga drejtuesit e këtij universiteti, unë po ndalem tek disavantazhet që do sjellë bashkimi apo shndërrimi në “filial” të Universitetit të Tiranës, siç thuhet në të përditshmen e bisedave në auditorët e universitetit nga drejtuesit e tij, megjithëse nuk ka asnjë parashikim ligjor, në Ligjin për Arsimin e Lartë, për të lënë kështu në gjykimin e gjithkujt, disavantazhet e vendimmarrjes të drejtuesve aktualë të Universitetit të Korçës.
Humbja e autonomisë:
Duke hequr dorë nga autonomia, Universiteti i Korçës do të humbiste aftësinë e tij për të marrë vendime në mënyrë autonome dhe për të formësuar politikat e veta akademike. Ai do t’i nënshtrohej vendimeve dhe rregulloreve të vendosura nga Universiteti i Tiranës, të cilat mund të mos përputhen domosdoshmërisht me nevojat dhe prioritetet specifike të Qarkut të Korçës.
Rëndësia e fokusimit në nivel lokal të çështjes:
Universitetet shpesh luajnë një rol vendimtar në adresimin e nevojave dhe sfidave specifike të komunitetit në nivel lokal dhe rajonal. Duke u bashkuar me një Institucion më të madh, siç është Universiteti i Tiranës, ekziston rreziku eminent dhe permanent që karakteri dhe fokusi unik i Universitetit të Korçës, i përshtatur me nevojat e rajonit të tij, të zbehet ose të zhduket. Kjo mund të rezultojë në humbjen e programeve të specializuara, iniciativave kërkimore dhe burimeve që janë krijuar posaçërisht për të përfituar komuniteti në nivel lokal.
Qasje dhe burime të reduktuara:
Në një sistem më të gjerë universitar, burimet shpesh shpërndahen nëpër kampuse, apo departamente. Si rezultat, ekziston mundësia që Universiteti i Korçës të ketë akses të reduktuar në financime, grante kërkimore dhe burime të tjera që janë thelbësore për avancimin akademik dhe shkencor të institucionit dhe personelit akademik. Kjo mund të ndikojë në cilësinë e arsimit të lartë në nivel Universiteti, në mundësi të reduktuara / minimale lidhur me fushën e kërkimit, por edhe zhvillimin e përgjithshëm dhe të gjithanshëm të institucionit.
Identiteti dhe njohja:
Universiteti i Korçës ka ndërtuar një identitet dhe reputacion unik ndër vite, i cili mund të sfumohet, zbehet nëse përthithet apo bëhet “gisht gjymtyrë” në një Universitet qëndror si ai i Tiranës, më i madhi në vend për nga numri i studentëve dhe pedagogëve. Historia, traditat dhe arritjet e dallueshme të Universitetit të Korçës mund të errësohen, të anashkalohen, të treten, të humbasin brenda një kuadri më të madh institucional, ku Universiteti i Korçës shndërohet në një copëz që tretet në sipërfaqen e një masivi.
Ndikimi ekonomik në nivel lokal:
Universitetet shpesh kontribuojnë në ekonominë lokale duke tërhequr studentë, pedagogë dhe staf, të cilët nga ana e tyre kontribuojnë në komunitet dhe në ekonominë lokale, si rezidentë të një rajoni të caktuar lokal.
Nëse Universiteti i Korçës humbet autonominë e tij, mund të ketë një ndikim të mundshëm negativ në ekonominë lokale, pasi studentët dhe pedagogët mund të zgjedhin të ndjekin arsimin, ose mundësitë e punësimit, diku tjetër.
Të kufizosh rininë në zgjedhje, për një qytet apo qark, do të thotë të pengosh zhvillimin, të stoposh investimet, të lëkundësh konsolidimin e sektorit të turizmit, zhvillimin e bizneseve lokale etj.
Humbja/ Largimi i Ekspertizës Akademike Lokale:
Universiteti i Korçës ka një trupë të përkushtuar profesorësh, hulumtuesish që kanë zhvilluar aktivitetin e tyre kërkimor dhe akademik në përmbushje edhe të nevojave të ekonomisë në nivel lokal. Kjo trupë akademike duke iu bashkëngjitur Universitetit të Tiranës, ky burim i ekspertizës akademike në nivel lokal, duke u shkrirë në një institucion masiv, mund të injorohet në më të keqen, por sigurisht nuk do të përdoret frytshëm në suazën e një shkrirjeje të institucioneve.
Si rezultat, atë që pedagogët e Korçës mbartin si dije, njohuri apo ekspertizë, mund të humbasë rëndësinë aktuale, duke penguar zhvillimin e programeve arsimore dhe iniciativave të kërkimit shkencor, të përshtatura specifikisht dhe të rëndësishme për zhvillimin e rajonit.
Mundësi të kufizuara për studentët në nivel lokal:
Ruajtja e një universiteti autonom në Korçë, lejon studentët nga rajoni të hyjnë në arsimin e lartë pa u zhvendosur në një qytet më të madh si Tirana. Duke iu bashkëngjitur Universitetit të Tiranës, studentët mund të ballafaqohen me sfida shtesë si; rritje e kostove të jetesës, kufizime të opsioneve të akomodimit dhe qasje të kufizuar në burime për arsimim.
Prishje e Historisë dhe Traditës Institucionale:
Universiteti i Korçës ka ndërtuar një histori të pasur dhe një traditë arsimi ndër vite. Bashkëngjitja / shkrirja me Universitetin e Tiranës mund të zvogëlojë ose fshijë tërësisht këtë identitet historik të këtij institucioni arsimor, duke privuar brezat që vijnë për arsim në qytetin që themeloi shqipen, që konsolidoi arsimin në nivelet më të larta të tij.
Integriteti i Pedagogëve dhe alumn (të diplomuarit):
Numri i pedagogeve pas shkrirjes me UT do të ulet, sepse tashmë vendimet do i marrë tjetërkush. Përcaktimi i degëve apo programeve që do të ketë UK, nuk do u përgjigjen dëshirave dhe nevojave të studentëve për degët që ata kanë nevojë dhe deshire, pasi ato do të përcaktohen nga Senati dhe Bordi i UT në varësi të prioriteteve dhe politikave të zhvillimit të këtij Universiteti.
Si do ndihet një alumn i këtij universiteti kur ta pyesin: Ku e ke mbaruar Univesitetin? Dhe ai/ajo do përgjigjet: Ja, tek ai Universiteti që është mbyllur.
Po ti profesor ku ke punuar? Ja tek ky universiteti që është mbyllur.
STOP!
Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë!
Unë si staf i atij universiteti dikur, por dhe tashmë si deputete Qarkut Korçë, mendoj se kam bërë sa kam mundur për rivitalizimim dhe konsolidimin e këtij institucioni të arsimit të lartë, kam ndihmuar gjithmonë sa herë që më është kërkuar që ky krater i dijes të marrë dritë dhe të shtrihet përtej kufijve të vendit. Por kësaj here jo vetëm që nuk më është kërkuar ndihmë, por as opinioni im dhe i çdo korçari që ka kontribute në Universitetin e Korçës nuk është marrë në konsideratë. Mospërfillja e shumicës është ngutje e pakicës, që duket se nuk është në gjendje të reformojë një Universitet përpos kërkesave të kohës.
Me “propozimin e famshëm” të shkrirjes në dy (2) fakultete, nga katër (4) qe ka aktualisht në UK, kostot e arsimimit për studentët do të rëndohen, pasi shumë prej tyre nuk do kenë mundësinë e larmishmërisë së preferencave për arsim të lartë në Korçë, por do të duhet të shkojnë ne Universitete te tjera. Për të mos folur për stafin administrativ dhe mbështetës që shumë shpejt do të përballen me papunësi (do të dalin në rrugë të madhe me vendimet e drejtuesve që nguten), pavarësisht se ky personel ka vite, madje dekada, që kontribuon për këtë Universitet.
Duke humbur autonominë dhe duke qenë të varur nga Tirana, ky Universitet nuk mund të ndërtojë projekte apo te bëjë marrëveshje bilaterale, multilaterale, kontrata, bashkëpunimi / partneriteti, platforma zhvillimi me universitetet rajonale, pjesëmarrje në përthithje programesh dhe fondesh të BE-së, sepse vendimarrja do të jetë e tjetërkujt. Këto janë disa nga disavantazhet, këto janë traumat apo pasojat ulëritëse për Korçën dhe korçarët që do të shkaktojë dëshira e disave, që lidhet me vendimin “për të hequr” dorë nga automomia dhe për t’iu bashkuar Universitetit të Tiranës si gishti i vogël i njërës prej gjymtyrëve.
Është e rëndësishme të theksohet se implikimet specifike do të vareshin nga konteksti, kushtet e bashkimit dhe veprimet pasuese të ndërmarra nga palët e përfshira.
A KA PËRGJEGJËSI PËR KËTË❗️❗️
Kolegë, qytetarë, miq dhe mikesha, vendime të tilla i përkasin gjithkujt dhe jo vetëm një grupi njerëzish, që jo pak plagë kanë shkaktuar ndër vite. Ambiciet apo planet personale, nuk mund të tejkalojnë interesa komunitare, lokale dhe rajonale, kurrësesi. Parashuta për shpëtimin e disave nuk do të bëhet kurrë Universiteti FILIAL që projektojnë.
Të nderuar pedagogë, e ardhmja e Universitetit është në dorën e të gjithëve, por nën VERDIKTIN tuaj. Korçarët janë të mençur dhe në fund janë ata që vendosin dhe kurrësesi “parashutistët” e filialit. Sot drejtuesit e UK po japin provim dhe qytetaria po i vlerëson me notë jo kaluese. Provimin do e japin sërish në vjeshtë. Jemi këtu, të gjithë prezent, për të bërë drejtuesit e UK që të marrin provimin e Mbrojtjes së Universitetit të Korçës që në këtë sezon, sepse nuk ka më kohë për të humbur.
Discussion about this post