Sigurimi i kushteve për të vrarë Ervis Martinajn dhe njerëzit e tij është një çështjet e dosjes hetimore të mega-aksionit të Prokurorisë së Posaçme. Për këtë vepër penale janë akuzuar pjesëtarët e grupit të drejtuar nga Leonard Duka.
Dosja hetimore e prokurorisë zbardh komunikime përmes “SKY ECC” të anëtareve të grupit që tregojnë angazhimin në lokalizimin e Ervis Martinajt me qëllim vrasjen. Në një rast, ata pohojnë se janë zhvendosur në Surrel dhe ruajnë me dylbi pas informacioneve të marra se Martinaj mund të ndodhej aty, në një rast tjetër zhvendosen në jug pas dyshimeve se hasmi i tyre po pushon në rivierë.
Në dosjen hetimore është administruar edhe një komunikim mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës.
Nga miq në armiq
Sipas dosjes hetimore: Leonard Duka në bashkëpunim me shtetasit Fatmir Hyseni, Erlis Duka, Altin Gega, Drianto Bardhi dhe persona të tjerë ende të pa identifikuar janë organizuar me qëllim vrasjen e Ervis Martinajt, Erigers Mihasit dhe lidhjeve të tyre. Referuar bisedave të këqyrura dhe akteve të administruara nga procedimi penal Nr. 177/1, viti 2019 del në pah fakti që Leonard Duka dhe Ervis Martinaj kanë pasur shoqëri prej rreth 15 vitesh dhe kanë bashkëpunuar me qëllim zhvillimin e biznesit në fushën e lojrave të fatit dhe administrimin e bizneseve të llojit, Hotele, Bare, lokale në zonën e ish-Bllokut dhe zona të tjera të Tiranës. Gjithashtu këta dy shtetas kanë bashkëpunuar edhe me qëllim zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikut të narkotikëve me qëllim përfitimi.
Konflikti ndërmjet tyre ka nisur për shkak të një debati që Leonard Duka ka pasur me shtetasin e vrarë me datë 27.08.2019 Santiago Malko cili referuar të dhënave të përftuara ka dhunuar babain e Leonardit, Muhamed Duka. Santiago Malko dyshohet se ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme ne fushën e trafikimit të narkotikëve dhe krimeve kundër jetës dhe rezulton të ketë qenë lidhje e ngushtë e Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit.
Pas vrasjes së Santiago Malkos më datë 27.08.2019, Ervis Martinaj bën përgjegjës për këtë vrasje Leonard Dukën dhe lidhjet e tij, ku del në pah angazhimi i tij për të vrarë shtetasit Leonard Duka, Fatmir Hyseni, Erlis Duka, Altin Gega, Elvis Gacaj dhe lidhjet e tyre me qëllim hakmarrjen për vrasjen e Malkos.
Njëkohësisht, Leonard Duka duke bashkëpunuar me Fatmir Hyseni, Erlis Duka, Altin Gega, Drianto Bardhi dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar janë angazhuar me qëllim vrasjen e Ervis Martinajt, Erigers Mihasit dhe lidhjeve të tyre. Organizimi, planifikimi, sigurimi i informacioneve, ofrimi i shumave të parave me qëllim realizimin e vrasjeve nga këta shtetas kryhet në mënyrë të vazhdueshme dhe me angazhim maksimal.
Rolet
Po sipas dosjes hetimore: Leonard Duka ka pasur rolin e drejtuesit të këtij grupi, ku në lidhje me organizimin e vrasjeve konsultohej nga Fatmir Hyseni. Nga analizimi i komunikimeve, Fatmir Hyseni shfaqet si një person me eksperiencë në fushën e krimeve kundër jetës dhe është i angazhuar në mënyrë konstante për lokalizimin dhe vrasjen e Ervis Martinajt dhe lidhjeve të tij.
Erlis Duka, Altin Gega, Drianto Bardhi dhe persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë pasur rolin e sigurimit të informacioneve, kryerjen e vëzhgimeve për lokalizimin e Ervis Martinajt dhe lidhjeve të tij, sigurimin e logjistikes ku përfshihen armatimi, automjetet e vjedhura, banesat për strehim dhe veprime të tjera në funksion të grupit.
‘Gjuetia’ në Jug
Në rastin e datës 10.07.2020, Leonard Duka ka siguruar një informacion që Ervis Martinaj mund të jetë në plazh me një femër në Dhërmi tek një vend i njohur si “***”, Hotel *** ose *** dhe ka bërë me dije Fatmiri Hysenin për këtë fakt dhe ky i fundit ka dërguar një person që i drejtohet me emrin “nipce” për të shkuar në atë zonë që të verifikoj këtë informacion.
Gjithashtu edhe në datat 28-29-30 dhe 07.2020, Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni kanë angazhuar persona për të monitoruar zonën e plazhit Dhërmi-Himarë me qëllim konstatimin e Ervis Martinajt. Njëkohësisht janë angazhuar duke siguruar logjistikën, armë, automjete dhe banesa në atë zonë me qëllim realizimin e vrasjes. Një nga personat e angazhuar për lokalizimin e Ervis Martinaj në zonën e Dhërmi-Himarë është Drianto Bardhi i cili ka udhëtuar drejt asaj zonë bashkë me një person tjetër ende të pa identifikuar dhe atje janë takuar edhe me personin që Fatmir Hyseni i drejtohet si “nipçe”.
Kurthi me femra
Në periudhën kohore duke filluar nga data 01.08.2020 e në vazhdimësi, Leonard Duka ka siguruar informacion që Ervis Martinaj ka angazhuar disa femra që të afrohen me Leonardin me qëllim nxjerrjen e tij në pritë.
Leonard Duka menjëherë bën me dije Fatmir Hysenin dhe angazhohen për planifikimin e vrasjes së personave që do të afrohen për të vrarë Leonardin. Në këtë planifikim kanë marrë pjesë të gjithë pjesëtarët e grupit të drejtuar nga Leonard Duka ku ky i fundit do të luante rolin e “karremit” i cili do të takohej me këto femra në një vend ku terreni është i njohur mirë nga ai vetë dhe lidhjet e tij.
Erlis Duka është takuar me një personin “Sandri” i cili dyshohet se është pronar i objektit që do të kryhet takimi i Leonardit me femrat dhe i ka kërkuar të fikë kamerat. Fatmir Hyseni kishte rolin e ekzekutorit dhe ka udhëtuar nga Vlora është dislokuar në Tiranë bashkë me persona të tjerë ende të pa identifikuar, kanë sjellë edhe logjistikë (armatim dhe automjete që do përdoren për largimin nga vendi ngjarjes).
Altin Gega do të pozicionohej diku për vëzhgim me qëllim njohjen e personave që do të afroheshin për vrasjen e Leonard Dukës. Këtë rol do ta kryente Altin Gega pasi ai i njeh të gjithë personat që janë lidhje e Ervis Martinajt dhe në këtë mënyrë ekzekutorët nuk do të kishin gabim në objektiv. Altin Gega gjithashtu do të kishte edhe rolin e personit që do t’i priste ekzekutorët që t’i largonte nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së vrasjes.
Drianto Bardhi do të përdorte një motoçikletë bashkë me një person tjetër ende të pa identifikuar dhe kanë pasur rolin e vëzhguesit dhe ndjekjes së personave që do të afroheshin me qëllim vrasjen e Leonard Duka.
Leonard Duka dhe bashkëpunëtorët e tij kanë ngritur dyshime që për të kryer vrasjen e tij ditën e takimit me femrat, do të angazhohej Erigers Mihasi i njohur me pseudonimin “Boli” dhe një person tjetër që dyshohet se është punonjës policie që i thërrasin me emrin “Olci”.
Leonard Duka, me datë 12.08.2020, ka kontaktuar me femrat me të cilat do të organizonte takimin, por ato nuk janë treguar të disponueshme të takoheshin në këtë datë sepse njëra ishte në Shkodër ndërsa tjetra kishte angazhime.
“Sa më sipër, konstatohet që organizimi i Leonard Duka, Fatmir Hyseni, Erlis Duka, Altin Gega, Drianto Bardhi dhe personave të tjerë ende të pa identifikuar me qëllim vrasjen e shtetasve Erigers Mihasi dhe personin që i thërrisin ‘Olci’ janë organizuar duke siguruar logjistikën, përcaktuar detyrat dhe kryerjen e veprimeve aktive. Vrasja e shtetasve Erigers Mihasi dhe personit që i thërrasin ‘Olci’ nuk është realizuar për arsye objektive dhe të pavarura nga organizatorët dhe pjesëmarrësit”, konstaton Gjykata e Posaçme.
Me dylbi në Surrel
Në një tjetër rast, komunikimet në “Sky” mes anëtareve të grupit të drejtuar nga Leonard Duka, flasim për përgjimin me dybli në zonën e Surrelit pasi kishin siguruar informacione se Martinaj ndodhej aty.
Më datë 17.06.2020, Leonard Duka komunikon me Drianto Bardhin, të cilin e pyet nëse e njeh Visin nëse e sheh si fytyrë dhe ai i përgjigjet që “vetëm nga foto internet e kam parë” dhe “nëse ke ndonjë foto ma nis dhe e fiksoj si fytyrë”. Leonardi i shkruan që: duhet ta ruajmë pak aty në Surrel se më duket se është aty, por nuk e di mirë. Do të të sjell Klajdi një palë dylbi dhe do të të tregoj shtëpinë dhe vendin ku do ta ruani, por nuk duhet ma ra në sy, se kto të mitë nuk i lej dot aty se mi njohin si ftyra. Dhe kur të shkoni lëre në makinë mbrapa këtë se ndoshta ka lënë ndonjë makinë ai për të ruajtur dhe e njohin këtë. Drianto i përgjigjet që: në rregull vëlla. Në vazhdimësi diskutojnë në lidhje me automjetin që do të përdorin për transport dhe Drianto në një moment e pyet nëse ka ndonjë makinë Tuci (Altin Gega).
Leonardi i tregon që: do të ikni me Audin dhe se po shkon Klajdi me i marr dylbit dhe kapelet ja dhash që ta kamufloheni mirë në ndonjë shkurre. Rrini aty deri sa të errësohet që të shikojmë mos është ai aty se na plasi. Do shkojë Klajdi të marri me atë Audin A3 tju lej aty dhe kur të mbaroni më shkruan ti mu dhe vjen Klajdi ju merr. Tani do të coj edhe foto të ftyrës së atij, si trup është mesatar me bark.
Në vazhdimësi Leonardi i dërgon dy foto të Ervis Martinajt.
Drianto i shkruan që: ktu jemi ne tek Tuci dhe se jam me Klajdin.
Leonardi i shkruan që: ju shpjegon Klajdi cdo gjë dhe se shikoni çdo lëvizje. Mbas 30-40 minutash Leonardi e pyet nëse keni arritur dhe a ka lëvizje, Drianto i përgjigjet që: kemi 30 minuta dhe se për momentin është qetësi nuk ka lëvizje. Leonardi i shprehet që: mos u mërzisni rrini edhe pak dhe Drianto i thotë që: ne nuk mërzitemi vetëm të kryejmë punë.
Në vazhdimësi Drianto i raporton që nuk ka asnjë lëvizje dhe se” lajmëroje Klajdin që të vij të na marri. Leonardi e porosit që” cdo gjë që bëjmë dhe bisedojmë përveç teje dhe atij shokut tënd nuk duhet ta di njeri tjetër. Drianto i shkruan që: nga unë dhe ky shoku im nuk do kesh devijim se unë t’i di hallet dhe Leonardi i shkruan që: edhe shokët duhen vu në provë ndonjë herë por do të na njohi koha.
Paralelisht Leonard Duka komunikon edhe me Fatmir Hysenin, të cilin e bën me dije që: ka çuar njerës të ruajnë në Surrel sepse i ka dhënë informacion Klajdi që mund të jetë në Surrel. Njëkohësisht i dërgon edhe fotot të cilat i ka dërguar Drianto nga pika e vrojtimit. Fatmiri shkruan që: nëse është aty më thuaj që të vij edhe unë andej dhe nëse të duhet njeri tjetër më thuaj të vij me mua. Leonardi i shkruan që: nëse është aty do t’i pakohemi dhe ishalla na jep mundësi.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
***
Discussion about this post