Mijëra shqiptarë marshuan më 2 nëntor në rrugët e Tiranës, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Protesta, pjesë e një lëvizjeje që ka hyrë në muajin e nëntë, nisi si kundërshtim ndaj projekteve turistike në zona të mbrojtura, por tashmë është shndërruar në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë dhe korrupsionit.
Në një artikull të publikuar nga gazeta studentore kanadeze The Concordian, tre aktiviste të reja shqiptare rrëfejnë zhvillimin e lëvizjes së njohur si “Revolucioni i Flamingos”, arsyet që i nxorën të rinjtë në rrugë dhe përshkallëzimin e protestave.
Jesmina Sengla, 24 vjeçe, studente, aktiviste dhe koordinatore projektesh pranë Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim në Tiranë, thotë se pjesëmarrja e të rinjve nuk lidhet thjesht me dëshirën për t’u mbledhur në protesta, por me një lëvizje që ka nisur që në janar.
Sipas saj, “Revolucioni i Flamingos” lindi si reagim ndaj situatës në zonën e mbrojtur të Nartës dhe Zvërnecit, ku ishte parashikuar një projekt zhvillimi turistik i lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
“Kjo është një nga pjesët më të bukura që kemi në Shqipëri, por në atë moment po përpiqeshin t’ia jepnin këtë zonë të mbrojtur një zhvilluesi për të ndërtuar, i cili ishte gjithashtu i lidhur me Jared Kushnerin”, shprehet Sengla për The Concordian.
Fatma Paja, 20 vjeçe, e cila është pjesë e protestave që prej janarit, tregon se lëvizja nisi me vetëm 20 persona në një plazh. Në shkurt, aktivistët realizuan edhe grafika në rërë, ndërsa në maj u organizuan protesta në zonën e Nartës nga organizatat për mbrojtjen e mjedisit. Më 31 maj, protesta e zhvilluar në Tiranë mori përmasa të mëdha.Paja thotë se zemërimi i qytetarëve lidhet me faktin se qeveria, sipas saj, është më e përqendruar te projektet që sjellin përfitime për të pasurit sesa te përmirësimi i jetës së shqiptarëve.
“Nuk kemi shërbime të mira mjekësore, nuk kemi një sistem të mirë spitalor, nuk kemi një sistem të mirë arsimor. Na mungojnë nevojat bazë dhe, megjithatë, qeveria jonë është më e përqendruar te ndërtimi i një resorti luksoz”, shprehet ajo.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe Livia Dedej, 23 vjeçe, studente e psikologjisë. Sipas saj, investimet në resorte luksoze dhe projekte të ngjashme thellojnë hendekun e pasurisë, ndërsa përfitimet ekonomike nuk rikthehen te qytetarët që kanë më shumë nevojë.
Dedej thotë se kërcënimi ndaj ishullit të Sazanit, Zvërnecit dhe deltës së Vjosë-Nartës u kthye në pikën e kthesës për protestat, duke nxjerrë në sipërfaqe edhe pakënaqësi të tjera të akumuluara ndër vite.
“Nuk është thjesht një protestë për natyrën, biodiversitetin apo korrupsionin. Është një protestë që erdhi pas vitesh shtypjeje dhe mungese të perspektivës për të ardhmen e vendit”, shprehet ajo.










Discussion about this post