Nga Nikola Kedhi
Që prej ditës së shtunë, pjesa më e madhe e mediave në vend janë marrë normalisht me Opozitën siç ndodh shpesh këto kohë, dhe më konkretisht me numrin e pjesëmarrësve, organizimin dhe kohëzgjatjen e hapjes së fushatës së saj. Padyshim që organizimi linte për të dëshiruar. Kohëzgjatja ishte e madhe, duke i gjetur njerëzit mbase të papërgatitur. Ishte fundjavë Pashke, e gjithashtu është periudhë Ramazani. Gjithsesi, është e tepruar të diskutosh për numra, pasi u pa qartësisht që stadiumi ishte plot. Njerëzit ju përgjigjën thirrjes për të treguar mbështetjen e tyre, dhe as nuk vihej në diskutim që Kryetari i PD Berisha mbush sheshe dhe stadiume. E ka treguar mjaftueshëm në këto tridhjetë vite dhe çdo diskutim për numrat në stadium është i kotë, dhe mbi të gjitha ka gjasa të bëhet për të hequr vëmendjen nga thelbi.
Ajo që mua më është dukur krejtësisht e pavërtetë dhe tërësisht nihiliste ka qenë ideja e hedhur nga shumë analistë në studiot televizive apo median e shkruar që ngjarja e ditës së shtunë ishte bosh nga ana e mendimit dhe ideve politike, nga hapja e fushatës nuk mbahet mend asgjë, dhe se këta kandidatë të së djathtës janë njësoj me të së majtës. Ndoshta nuk kemi ndjekur të njëjtën ngjarje, pasi unë për herë të parë në shumë vite pashë mendim politik dhe alternativë.
Si një prej njerëzve që ka shkruar mjaft shpesh për faktin se PD për vite me radhe ngelej në rrafshin e denoncimeve, fjalimeve bajate e krejtësisht boshe dhe nuk prodhoi dot kurrë ide, shumë prej fjalimeve të kandidatëve dhe sidomos ai i Doktorit, më duken një filiz i vogël që simbolizon një ndryshim të domosdoshëm e të kërkuar nga shumë. Në vend që të goditet me cinizëm për hir të sportit kombëtar të goditjes së Opozitës me dhe pa të drejtë, kjo gjë duhet mbrojtur dhe inkurajuar të vazhdojë dhe të përmirësohet.
Përtej denoncimeve, luftës në terren ndaj shitblerjes së votës apo vështirësive të tjera, aksionit parlamentar apo marrëdhënieve ndërkombëtare, një forcë politike e ka jetike të ofrojë një vizion dhe alternativë se ç’do të bëjë ajo në pushtet si dhe të shpalosë vlerat e parimet e saj në bazë të një filozofie politike. Nuk fitohet dot asnjë palë zgjedhje pa afruar elektoratin gri dhe shtresën e mesme. Ata presin ide dhe program. Si në çdo vend në botë, këto grupe shoqërore duan sigurinë që ai që kërkon votën dhe do vijë nesër në pushtet, të ketë të qartë se çfarë do të bëjë. Duke pasur një alternativë, elektorati gri e ka të qartë se për çfarë duhet të kërkojë llogari nesër. Duke dëgjuar një alternativë dhe një vizion, bazuar mbi disa parime e vlera të shpjeguara qartë dhe që janë të logjikshme, për qytetin, për rajonin, vendin, elektorati gri frymëzohet mjaftueshëm që ditën e votimit të shkojë të votojë. Në të kundërt, me gjuhën a zakonshme të denoncimit e përbaltjes politike, ndihmuar dhe me retorikën e analistëve të përnatshëm që në arenën politike janë të gjithë njësoj, këta individë qëndrojnë në shtëpi.
Në fakt, po të dëgjoje me kujdes shumë prej kandidateve të shkëlqyer dhe me stof politik te dalë nga primaret te cilët folën ditën e shtunë, kishin në retorikën e tyre mendim politik qartësisht të djathtë, duke venë theksin te individi, identiteti i qytetit, decentralizimi, taksat e ulëta, liritë e individit, sipërmarrja, çlirimi i potencialit të gjithsecilit, atdhedashuria. Rrallëherë kam parë kandidatë që largohen nga fjalimet bajate për t’u përqendruar te vizioni, idetë e alternativa politike dhe kjo përgjithësisht ndodhi të shtunën.
Për të marrë një shembull që më ka bërë përshtypje, kam ndjekur me kërshëri fushatën e Luciano Boçit në Elbasan, dhe fjalimin e tij të shtunën. Zoti Boçi i referohet identitetit të qytetit, historisë, traditës, e kulturës së tij. Diskuton për çlirim të individit nga burokracia e barra e tepërt shtetërore. Shpesh flet për ulje taksash, incentivim i sektorit privat për të krijuar vende pune, mirëmenaxhim i fondeve publike. Pra, zhvillim duke ruajtur e duke respektuar vlerat tradicionale të qytetit. Kjo është një qasje tërësisht e djathtë fuzioniste – pra liberalizmi ekonomik për të ruajtur vlerat konservatore.
Igli Cara në Durrës flet gjithashtu për individin durrsak, për lehtësimin e jetës së tij, dhe për çlirimin e potencialit të tij. Nga ana tjetër, vendosja e theksit te Porti i Durrësit, përveç ekspozimit të korrupsionit, mungesës së transparencës dhe shkeljes së MSA, është dhe për të ruajtur identitetin e portit, dhe të qytetit mijëra vjeçare. Sërish bëhet fjalë për një diskurs e propozime në frymë të djathta. Belind Këlliçi në Tiranë me nënkalimin te Sheshi Skënderbej, me uljen e taksave, me parqet e gjelbërta etj. ofron zgjidhje praktike për disa prej problemeve që hasen në kryeqytet, të cilat sërish vendosin theksin te përmirësimi i jetës së individit dhe familjes shqiptare, te përmirësimi i mjedisit si koncept i djathtë. Hysni Sharra në Vlorë ka përqendruar propozimet e tij te turizmi, infrastruktura e qytetit, mirëmenaxhimi i fondeve, ulja e taksave lokale. Të njëjtën qasje pashe te kandidati për Lushnjen, Eduart Sharka, i cili foli për teza konservatore gjatë fjalës së tij, dhe me çfarë kam parë dhe gjatë fushatës. Fisnik Qosja në Kavajë, Bardh Spahia në Shkodër, AdmirSinamati në Kukës, e ndoshta shumë të tjerë që nuk patëm mundësi t’i dëgjonim ishin në të njëjtën linjë që shpaloset dhe te Kushtetuta e vlerave e PD. Patjetër, me vend për përmirësim.
Në thelb, ajo çka unë pashë të shtunën ishte një përpjekje për të ofruar zgjidhje konkrete për problemet që hasen lokalisht nga individët e familjet shqiptare, ruajtja e asaj çka ka mbetur nga identiteti tradicional i bashkive, incentivat që kompanitë private të shkojnë në këto qytete e të hapin vende pune, ulja e barrës fiskale brenda mundësive të pushtetit lokal, mirëmenaxhimi i fondeve publike e përpjekje për të ulur borxhet tepër të larta, balancim i pushtetit, rikthim i jetës në qytetet e tjera përtej Tiranës. Ne harrojmë që pushteti lokal pas Reformës Administrative ka ngel me fare pak kompetenca. Ndaj, këto propozime mund të duken të vogla por janë brenda atyre kompetencave të limituara që kanë bashkitë. Sidoqoftë, ato përmirësojnë jetën e qytetarit, rigjallërojnë jetën nëpër qytete, dhe japin mundësinë që të krijohen shembuj se si politikat e djathta funksionojnë, si kudo në botë.
Kjo është rruga për të afruar dhe elektoratin gri. Tashmë ata e dinë se për çfarë vizioni e alternative mund të votojnë. Mbase kjo cilësi e mire e këtyre kandidateve te dale nga primaret, dhe ky artikulim qe ata bene sot dhe qe mund te kenë bere në javët e kaluara ka ndihmuar në krijimin e entuziazmit e frymës. Primaret dhe riformatimi i vlerave dhe mendimit politik ishin dhe dy prej premtimeve kryesore të Doktorit në Foltore, dhe të lidhura ngushtësisht me njëra tjetrën.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, bëri një përshkrim të shkëlqyer të Kushtetutës së vlerave të PD, që hartuam së bashku me Edith Harxhi, Melisa Braci, Gjorg Kodrën, Albert Bikaj e Gent Kaprata dhe që Partia Demokratike e Shqipërisë e pranoi në themel të saj. Me kënaqësi, të shtunën pashë që të paktën në retorikë e djathta ka filluar të rikthehet në diskursin publik duke e çuar Partine Demokratike, drejt një partie fuzioniste te vlerave konservatore dhe politikave te liberalizmit ekonomik.
Fjala e Doktorit në thelb ishte tërësisht politike, ishte e djathtë, jepte alternativë dhe vizion të qartëqë bënte kontrast me të filozofinë e majtë, dhe përbën modelin dhe frymën mbi të cilën duhet të qeveriset Shqipëria dhe çdo qytet. Ka qene padyshim një nga fjalimet e tij më të mira. Ishte gjithashtu një përgjigje për ata që thonë se Doktori nuk ka çfarë të japë më. Në fakt, pas një dekade idesh boshe e fjalimesh pa thelb e mendim në arenën publike shqiptare, nga liderët e tjerë të dekadës së fundit, Doktori është ai që po sjell diçka ndryshe.
Për më tepër, ai po jep mundësinë për të diskutuar sërish për ide e për mendim politik, me një vizion të qartë, me shpresën se politikanët e tjerë të së djathtës do mund t’i bëjnë të tyret këto ide dhe t’i flasin, argumentojnë, përhapin e mbrojnë në diskursin publik për të arritur te çdo qytetar. Përveç aksionit politik, një lider, siç e tregoi dhe Doktori, duhet të ketë patjetër dhe mendimin e filozofinë politike. Është vetëm kjo e fundit që inspiron shtresën e mesme. Dhe ne duhet të inkurajojmë që këto ide e kjo retorikë të vazhdojnë e të kthehen në normalitet. Pasi, në fund të fundit, në qeverisjen e nesërme, politikat që impaktojnë jetën e gjithsecilit do jenë të bazuara mbi një filozofi të caktuar.
Natyrisht rruga është e gjatë, pasi ky është një proces, ashtu si i ai primareve, që do të duhet të shkojë drejt përmirësimit, por kjo hapje fushate ne këndvështrimin tim ishte një hap i mire përpara për rikthimin e ideve, vizionit dhe mendimit politik dhe e prezantimit të alternativës që ndikon direkt në jetën e qytetarit.
Nikola Kedhi është ekspert ekonomik, konsulent financiar dhe kontribuues në media të ndryshme si FoxNews, DailySignal, Newsweek e Il Giornale. Kedhi është dhe një nga hartuesit e Kushtetutës së Vlerave të Djathta.
Discussion about this post