Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shprehur bindjen se opozita do të arrijë një fitore të thellë në zgjedhjet e 11 majit. Në një intervistë nga burgu për Syri TV, ai ka nënvizuar rëndësinë e listave të hapura dhe ka argumentuar se kandidimi i tij në Tiranë është një mesazh i qartë për forcimin e demokracisë dhe llogaridhënies.
Meta është shprehur se koalicioni opozitar ka potencialin për të siguruar 20 mandate në kryeqytet, ndërsa ka parashikuar ndryshime të mëdha edhe në qarqe të tjera. Sipas tij, Berati do të përjetojë një përmbysje historike, ndërsa Durrësi, Elbasani dhe Lezha do të jenë epiqendra të fitores opozitare. Ai ka kritikuar listën e Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si të dobët dhe të kontrolluar nga Edi Rama për interesa personale.
Meta ka theksuar se Partia e Lirisë synon një rezultat dyshifror, duke siguruar një përfaqësim cilësor në parlament. Ai ka denoncuar përpjekjet e mazhorancës për të përçarë opozitën përmes krijimit të partive të reja artificiale. Sipas tij, kurrë më parë opozita nuk ka qenë kaq e bashkuar dhe e vendosur për të fituar. Me optimizëm dhe vendosmëri, ai ka bërë thirrje për një mobilizim të madh qytetar për të sjellë një ndryshim rrënjësor në vend.
Z. Meta, në momentet e fundit ju shpallët kandidaturën tuaj në listat e hapura për Tiranën, ndërkohë që priteshit në listën e mbyllur në Fier. Përse duhet të rrezikoni kaq shumë?
Janë disa arsye parimore por edhe pragmatike. Parimore sepse unë dhe LSI kemi qenë të parët kundër listave të mbyllura që u miratuan me ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008 dhe për këtë bëmë edhe grevë urie duke paralajmëruar dobësimin e parlamentarizmit dhe vetë llogaridhënies në interes të forcimit të autokracisë, siç e provoi koha. Së dyti, unë besoj se jo vetëm duhet t’u qëndroj besnik bindjeve të mia, por edhe kam besim se me këtë mënyrë jap shembullin më të mirë për të gjithë, se duhen edhe sakrifica ekstreme për Fitoren kundër mafias në pushtet. Ndërkohë jam besimplotë se koalicioni ynë i ka të gjitha potencialet për të fituar 20 mandate në qarkun e Tiranës dhe në këtë mënyrë për të futur nga listat e hapura 8 deputetë. Emrat dhe personalitetet e opozitës në listat e hapura janë tepër superiorë dhe mobilizues dhe përfaqësojnë një spektër të gjerë dhe domethënës.
Po listën e PS-së si e shikoni?
Lista e “Rilindjes” në Tiranë i jep lamtumirën e fundit edhe atyre pak emrave socialistë që Rama i kishte ruajtur deri tani sa për “shenjë”.
Në ato pak mandate që Rama mund të marri do favorizojë ministrat që ka në lista të hapura duke u thënë kandidatëve socialistë që nuk ju votuan njerëzit. Aty nesër në opozitë, i duhen njerëz që t’i jenë vetëm atij borxhli pse do jenë deputetë dhe të mos i dali partia nga kontrolli.
Po qarqet e tjera si i shikoni?
Përveç Tiranës, mund të them me bindje të plotë se përmbysjen më të madhe nga ana cilësore e sasiore do e bëjë Berati, të cilin e njoh shumë mirë. Pra nga 5 – 2, ky qark do të shkojë 4 – 3 për opozitën. Të mos harrojmë se zgjedhjet e fundit LSI ja vodhën mandatin për 75 vota, e kjo ishte marrëveshje e dy palëve. Po kështu, Lefter Maliqi, nga që ishte gënjyer nga Luli, bëri fushatë kundër opozitës. Tani situata është krejt e kundërt. Po kështu edhe ekipet. Koalicioni i bërë i jep me lehtësi maksimale 3 deputetë në cdo rast opozitës, por përballja e dy ekipeve, e ndryshon balancing në 4 me 3 për opozitën. Për këtë duhet vetëm 1 votë më shumë. Lista e opozitës me shumë personalitete, ndërsa lista e PS më pak përfaqësuesja e mundshme . Skrapari jo vetëm është krejt i papërfaqësuar edhe formalisht, por edhe rruga Skrapar – Përmet ka mbetur atje ku e kam lënë unë në 2017. Ndaj Skrapari do votojë Lefter Maliqin dhe bashkë me Lefterin do e lidhim brenda një viti Skraparin me Përmetin.
Si e parashikoni rezultatin e PL?
Rezultati i PL është i lidhur me rezultatin e PD – ASHM. Ndaj prioriteti i parë për mua dhe PL është maksimizimi i votës për koalicionin, sepse kështu jo vetëm prodhohen më shumë mandate, por rritet propabiliteti për kandidatët e PL për të fituar mandatet. Kjo vlen edhe për partitë e tjera të koalicionit. Në cdo rast, si Parti e Lirisë, do kemi rezultat dyshifror dhe një përfaqësim tepër cilësor, sic është edhe ai i katër deputetëve në listat e sigurta.
A ju prishin punë partitë e tjera opozitare?
Edi Rama e ka zakon, çdo palë zgjedhje sponsorizon parti të “reja” si G99, për të krijuar idenë e përcarjes dhe mbushur emisionet që financohen nga inceneratorët, me “keqardhje” për gjoja përcarjen e opozitës. Askush nuk do e çojë votën dëm në 11 Maj. Kurrë opozita s’ka qenë më e bashkuar se sot. Kurrë “Rilindja” s’ka qenë më inekzistente se sot (shikoni listat përfundimtare në 11 Maj). Kurrë opozita s’ka patur një program më konkret dhe bindës si dhe një model të ri ekonomik që mbështet prodhimin vendas dhe eksportet, përkundër Narkoekonomisë që ka varfëruar skajshëm shqiptarët.
Pra ju jeni shumë optimist për 11 Majin?
Optimizmi im bazohet te realizmi dhe përvoja ime. Gjithçka është në favor të opozitës dhe ne duhet të bëjmë cdo sakrificë për ta realizuar Fitoren. Edhe qejfi do mundim dhe sakrifica, thoshte Dritëro Agolli. Po Fitorja ndaj një regjimi mafioz? Padyshim që kërkon shumë sakrifica.
Po rezultatet në qarqet e tjera si i parashikon?
Jam i bindur se Durrësi dhe Elbasani do bëjnë një ndryshim të madh, ndërsa Lezha do shënojë një diferencë të thellë 5 – 2 për opozitën.
Ndërkohë që Qarku i Korcës do jetë një surprizë tjetër ku Partia e Lirisë padyshim ka përfaqësimin më dinjitoz që ka pasur ndonjëherë me Dr. Gentian Çala, një personalitet i shkëlqyer jo vetëm i mjekësisë.
Discussion about this post