Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u dha porosi nga qelia e burgut strukturave që të luftojnë në këto 6 javë që kanë mbetur nga zgjedhjet e 11 majit.
Meta, i cili ndodhet në qeli që prej 21 tetorit, e cilëson 11 Majin ditën e fitores së lirisë mbi tiraninë, dita e fitores së programit mbi pushtetin dhe ditën e fitores të patriotëve ndaj mercenarëve.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë numrin 1 në fletë, Aleancën për Shqipërinë Madhështore.
“Kuptohet edhe këtu ikin dritat herë pas here, për bashkëpunëtorët, për anëtarët e Partisë së Lirisë, për shokët, për miqtë, për të afërmit.
Për t’u kujtuar të gjithëve se sa e rëndësishme është të mos humbasim asnjë sekondë kohë kot në këto 6 javë që kanë mbetur.
Që t’i njohim shqiptarët me programin tonë, që është edhe shpëtimi i tyre nga shtypja, nga bullizimi dhe nga grabitja e këtij sekti të papërgjegjshëm, që pasi hëngri dhe grabiti taksat e shqiptarëve për 12 vjet, tani po ha dhe vetveten në mënyrën më të pabesë”, shkruan mes të tjerash kreu i PL.
Mesazhi i plotë:
Të dashur qytetarë, të dashur miq!
Edhe 6 javë na ndajnë nga 11 Maji, dita e fitores së lirisë mbi tiraninë.
Dita e fitores të programit mbi pushtetin.
Dita e fitores të patriotëve ndaj mercenarëve.
Dita e fitores së Shqipërisë, që prodhon dhe eksporton dhe asaj që vetëm importon.
Pasi vodhi për 12 vjet taksat e shqiptarëve me inceneratorët që nuk ekzistojnë dhe me rrugët që më shpejt rrëzohen sesa inagurohen, si ajo e Ersekës dhe shumë të tjera.
I mbetur pa program, se i kanë shteruar të gjitha mashtrimet e mundshme elektorale prej 12 vitesh, tani Edi Rama ka nisur të vjedhë edhe premtimet elektorale të opozitës, të cilat për muaj të tërë i quante të parealizueshme.
I pamundur për të dalë në debate me kundërshtarët politikë.
I pamundur të dalë në konferenca shtypi me gazetarët e pavarur, si detyrim ndaj qytetarëve që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie, Kryetari i Organizatës ka zgjedhur të flasë me vetveten përmes autointervistave të fabrikuara.
Dhe ai ka të drejtë që i fshihet debatit të vërtetë dhe llogaridhënies.
Ç’të thotë ai për zgjidhjen e plotë të ujit të pijshëm, që brenda mandatit të parë qeveritar, kur edhe sot, mbas 12 vjetësh në pushtet, shumica e kryeqytetit është pa ujë dhe për ujë të pijshëm as që bëhet më fjalë.
Po për legalizimet që do t’i zgjidhte që në mandatin e parë, ç’të thotë ai pas 12 vjetësh?
Po për shëndetësinë falas, e cila është 60% më e shtrenjtë për shqiptarët, ç’mund të thotë?
Apo për ilaçet që mungojnë tek Onkologjiku.
Po për arsimin që premtoi se që në mandatin e parë do e çonte buxhetin në 5% të GTP-së, ndërkohë që sot është në nivelin mjeran 2.3%, mbas 12 vitesh çfarë mund të thotë?
Po për fëmijët që vriten me thika në oborret e shkollave, në mes të Tiranës dhe askush nuk mban përgjegjësi, çfarë mund të thotë?
Vetëm për shkak të korrupsionit të tij dhe të Organizatës që drejton, Shqipëria ka, pas 12 vitesh, nivelin më skandaloz të mbledhjes së të ardhurave deri në 28% të PBB, ndërsa Bosnja, Mali i Zi, Serbia arrijnë të mbledhin nga 41 në 42.6% të PBB.
Kjo diferencë prej 14% me mesataren e vendeve të rajonit tonë është 3.3 miliard euro në vit ose 13.2 miliard euro në katër vite, pra në një mandat qeverisës, e cila grabitet prej Edi Ramës dhe Organizatës të tij në tatime, dogana dhe kudo.
Me këto të ardhura, tejkalohen të gjitha premtimet e opozitës, por edhe ndryshon rrënjësisht situata sociale dhe ekonomike për të gjithë shqiptarët, 50% e të cilëve jetojnë sot në varfëri zyrtare.
Edi Rama, duke ju fshehur llogaridhënies, pas 12 vitesh, për të gjitha ato mundësi që i kishte në dorë, premton sot, çuditërisht, ato që si ka në dorë.
Kush ja ka fajin Edi Ramës që edhe fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë, i çoi te inceneratori që nuk ekziston dhe klientët e tij që nuk merren fare me aktivitete bujqesore dhe blegtorale.
Kush i zeroi fondet europiane të IPARD-it për bujqësinë?
Vetëm korrupsioni i Edi Ramës dhe i klientëve të tij.
Pse Shqipëria në këto 12 vite është vendi i fundit përfitues nga projekte të financuara nga Bashkimi Europian apo “Procesi i Berlinit” me nivelin më të ulët të disbursimit dhe përfitimit .
Kush e mbylli Ministrinë e Integrimit Europian në vitin 2017, kur e mori edhe timonin edhe tepsinë i vetëm Edi Rama.
Të gjithë e dinë se e mbylli shakaxhiu i integrimit, Edi Rama.
Kush refuzoi thirrjen dhe përpjekjen serioze të Bundestagut Gjerman në Qershor 2019, që Shqipëria të mos bënte zgjedhje vendore pa opozitën, sepse do të humbiste shansin për Çeljen e Negociatave, njëkohësisht me Maqedoninë e Veriut që kishte arritur Marrëveshjen historike të Prespës.
Përsëri këtë refuzim e bëri shakaxhiu i integrimit, sepse për Edi Ramën, pushteti absolut dhe korrupsioni absolut është i vetmi prioritet, ndërsa integrimi është gjëja më e parëndësishme.
Sepse projekti i tij i vërtetë ishte dhe ende është “Ballkani i Hapur” që ka rrënuar fermerët dhe blegtorët shqiptarë.
Kush ja ka fajin Edi Ramës, që në 8 vite që ai drejton i vetëm, është përgjysmuar numri i gjedhëve dhe i të imtave dhe që prodhimi bujqësor është në pikiatë?
Kush ja ka fajin Edi Ramës që Shqipëria eksporton edhe pas 12 vitesh, që ai është në pushtet, vetëm 8% të PBB, kur Maqedonia e Veriut fqinje eksporton 57%?
Ndërkohë eksportet shqiptare vazhdojnë pikiatën e tyre të pandalshme për shkak të Narkoeuros, por edhe të klimës diskriminuese ndaj prodhuesve vendas dhe ndaj investimeve prodhuese dhe eksportuese.
Ndaj shqiptarët jam i bindur do të votojnë për programin e opozitës që është tepër realist dhe në interes të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.
Për programin e opozitës që synon fuqizimin e ekonomisë familjare, por edhe të ekonomisë kombëtare në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Opozita është edhe garantja e përshpejtimit të integrimit europian, sepse ajo i ka dhënë të gjitha provat për këtë.
Po kështu, Partia Demokratike është anëtare e Partive Popullore Europiane, të cilat drejtojnë Bashkimin Europian dhe tani do të marrin dhe drejtimin e Gjermanisë.
Opozita ka edhe ekspertët më të mirë për çështjet me Bashkimin Europian, një pjesë e të cilëve do të jenë edhe në Kuvendin e ardhshëm.
Ndaj të gjitha votat për numrin 1 në fletën e votimit.
PD – ASHM.
Unë çdo ditë, këtu, në kushte ekstreme izolimi, përpiqem të shkruaj 50 deri në 100 letra, sepse kuptohet edhe këtu ikin dritat herë pas here, për bashkëpunëtorët, për anëtarët e Partisë së Lirisë, për shokët, për miqtë, për të afërmit.
Për t’u kujtuar të gjithëve se sa e rëndësishme është të mos humbasim asnjë sekondë kohë kot në këto 6 javë që kanë mbetur.
Që t’i njohim shqiptarët me programin tonë, që është edhe shpëtimi i tyre nga shtypja, nga bullizimi dhe nga grabitja e këtij sekti të papërgjegjshëm, që pasi hëngri dhe grabiti taksat e shqiptarëve për 12 vjet, tani po ha dhe vetveten në mënyrën më të pabesë.
Besoj që të gjithë ju që më dëgjoni, keni shumë më tepër mundësi se sa unë që të lëvizni, që të takoni dhe që të luftoni në këto 6 javë në mënyrë që 11 Maji të jetë dita historike e triumfit të lirisë mbi tiraninë.
Discussion about this post