Miliarda lekë vazhdojnë të qarkullojnë nga arka e Bashkisë përmes shoqërisë “Eco Tirana”, e cila është vërtetuar se kontrollohet nga pronarë të dyshuar për lidhjen me mafian në Verona. Kjo kompani u krijua nga kryebashkiaku Erion Veliaj me një firmë në Verona me qëllim të dyanshëm të pastrimit të parave në ndërmarrjen që duhet të largojë plehrat e Tiranës. Kjo firmë është 51% në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe 49% në pronësi të shoqërisë italiane AGSM Holding ALBANIA, e cila ka si kompani mëmë AGSM AIM S.P.A dhe AMIA VERONA . Këto kanë pronarë biznesmenin italian Andrea Miglioranzi, që në Itali është akuzuar për pastrim parash dhe lidhje me mafian.
Si mund t’i menaxhojë kjo kompani 2.2 milionë euro që u merren taksapaguesve kryeqytetas me një firmë të Erion Veliajt? “Eco Tirana” nuk i zhgënjen pritshmëritë: Dy tendera brenda këtij muaji denoncohen në KPP për manipulim të kritereve.
Prokurimi i parë është me numër reference ‘REF-01888-04-18-2024’ me objekt “Blerje mjete për inerte”, për të cilin është parashikuar të shpenzohen 332 milionë lekë. Sipas dokumentacionit do të blihen 8 kamionçina të vogla dhe do të merren në dorëzim në muajt gusht dhe korrik.
Plani është që të faturohen këto 332 milionë lekë për 8 kamionçina përmes ndonjë kompanie italiane dhe për këtë qëllim janë hartuar kritere të posaçme.
Por këtë herë, paska kompani që kundërshtojnë skemën e Lali Erit! Teksa parashikohet që gara për të këtë prokurim të mbyllet më 13 maj 2024, është bërë një denoncim në Komisionin e Prokurimeve Publike. Firma ‘LODI CONSTRUCTION’ shkruan në ankimimin e saj se dokumentet dhe specifikimet teknike nuk janë të qarta dhe krijojnë barriera për kompanitë që duan të aplikojnë.
‘Në dosjen e tenderit. Janë ngarkuar nga ana e autoritetit kontraktor dhe DST dhe Dokumentet e Tenderit dhe kërkesat lidhur me specifikimet teknike te mallrave të kërkuar. Duke gjykuar se këto specifikime janë te paqarta dhe ne disa raste krijojnë pengesa artificiale për hapjen e konkurrencës. I kundërshtojmë si më poshtë vijon’, thuhet në dokument, duke ngritur dyshime se këto kritere janë hartuar për një firmë të paracaktuar si fituese.
1.8 milionë euro për kazanë
Sapo mbaroi “pajisja” e kryeqytetit me kosha plehrash me ngjyra për ndarje të plehrave dhe riciklim, shoqëruar me automjete të reja teknologjike, vjen ky super tender për kazanë. Tani kërkohen kazanë të modës së vjetër metalikë. Dhe kushtojnë afro 1.8 milionë euro.
Edhe ky tender është denoncuar sepse fituesi dihet dhe termat janë përcaktuar që t’i përshtaten operatorit të paracaktuar. KPP nuk ka shqyrtuar akoma këtë ankesë që është bërë për firmën “Eco Tirana”, që vjen nga i njëjti biznes që përmendëm më lart. Bëhet fjalë për tenderin me objekt ‘Blerje kazanë të rinj hekuri 1700lt me kapak HDPE në dy pjesë’. Nuk do ta besoni por kjo kompani kërkon të shpenzojë 1.8 milionë euro për këto kosha mbeturinash. Dhe për më tepër “ECO Tirana” pastron vetëm një pjesë të kryeqytetit.
Ky tender është hapur më datë 19 prill 2024 dhe parashikohet që gara të mbyllet më datë 24 maj 2024. Siç duket tenderi ka ngecur dhe procedura do të vazhdojë gjatë deri sa të mbyllen pazaret.
Pra, e njëjta firmë LODI CONSTRUCTION ka bërë ankimimin në KPP për tenderin e kamionçinave, kundërshton edhe këtë pjesë të prokurimit. Edhe këtu “Eco Tirana” qëllimisht i ka lënë të paqarta specifikimet teknike, duke bërë që të paralizohen konkurrentët e tjerë, për t’i hapur rrugë firmës që favorizohet.
“E rëndësishme është që përmes specifikimeve teknike, autoriteti kontraktor të mundësojë një konkurrim të drejtë, të hapur, e gjithëpërfshirës, të barabartë dhe jo diskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, si edhe të mos drejtohen drejt një produkti të vetëm të ofruar nga një operator i vetëm”, theksohet në këtë ankesë të kompanisë me bazë në Shkodër.
Kështu, rreth 2.2 milionë euro, që po prokurohen nga “Eco Tirana” janë nën riskun e korrupsionit.
Shtesë 3.3 milionë euro shtesë
“Eco Tirana” thith çdo vit një buxhet të madh nga taksat e mbledhura nga qytetarët e Tiranës. Ne presim që jo vetëm KPP t’i shqyrtojë me kujdes këto denoncime, por duke qenë se janë vënë shumë para në lojë, SPAK duhet t’i hedhë një sy këtyre tenderave.
Me vendim të Këshillit Bashkiak në fillim të muajit Prill 2024, kompania që tashmë është publikuar se ka lidhje me personazhet e “Ndraghetës” italiane, do të marrë një buxhet shtesë prej 3.3 milionë euro.
Megjithëse Erion Veliaj kishte premtuar në nëntor, kur e kaloi monopolin e pastrimit tek “ECO Tirana”, se kompania do të ofronte shërbimin në të gjithë territorin e kryeqytetit pa buxhet shtesë, sapo gllabëroi edhe 3,3 milionë euro nga paratë e shqiptarëve.
Dosja në SPAK
Sakaq, SPAK e ka në dorë një dosje për firmën “Eco Tirana”. Bëhet fjala për kallëzimin e një studio avokatie në Tiranë, e cila kërkon ndjekjen penale ndaj administratores së shoqërisë “Eco Tirana”, Anjeza Çapllani për akuzën e “Shkeljes së pabarazisë në tenderë dhe ankande publike” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Sipas kallëzimit kjo kompani organizon dhe menaxhon tenderët e pastrimit të qytetit të Tiranës, ndërkohë edhe vetë rezulton të jetë e përfshirë në këtë proces, ku është specifikuar në grumbullimin dhe diferencimin e mbetjeve urbane.
Për të njëjtat akuza kërkohet ndjekja penale edhe për kompaninë mëmë të kësaj shoqërie “AGSM Holding ALBANIA” dhe pronarin e kësaj kompanie, italianin Andrea Miglioranzi.
Gjithashtu SPAK po heton kontratën koncesionare dhënë me afat 84 vjeçar deri në vitin 2100. Shumë shpejt mafia italiane e plehrave që ka shpërndarë degët e saj në Shqipëri mund të kafshohet përmes hetimeve të SPAK.
Kush është ortaku i Erion Veliajt në Eco Tirana?
Në 4 maj 2023 përfundoi ka përfunduar në Gjykatën e Apelit gjyqi i 11 të pandehurve të arrestuar nga operacioni “Max” i koordinuar nga prokuroria e rrethit antimafia të Venecias, i cili zbuloi një dritare ku kishte infiltruar ‘Ndrangheta’ në provincën e Venecias. Në qershor 2020 ata kishin përfunduar në burg ose në arrest shtëpiak.
Nga organizimi mafioz i përshkruar nga prokurorët Buccini dhe D’Alessandro është vërtetuar se jo vetëm që ‘Ndrangheta” paraqitet e “përshtatur si kameleoni me ambientin”, por gjithashtu si një tentakulë depërtuese në strukturën ekonomike të bashkisë së Veronës.
Kështu është konfirmuar dy vjet e 8 muaj dënimi për Andrea Miglioranzi-n (ish-president i Amia i dënuar për një episod korrupsioni) i cili së bashku dhe veçmas me Nicola Toffanin të njohur si “avokat” realizonin lidhjet mes mafias dhe përfaqësuesve të kompanive dhe publike, rimbursonin shpenzimet e bëra nga palët civile (Amia spa, Cgil Veneto dhe Cgil Verona). / Esmeralda Hida/
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post