Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë me dije se situata e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme, pas përshkallëzimit të konfliktit ushtarak.
Në një njoftim të përditësuar, ministria këshillon fuqimisht shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.
Shtetasit shqiptarë që ndodhen aktualisht në rajon këshillohen të tregojnë vigjilencë maksimale, të shqyrtojnë mundësinë e largimit përmes linjave ajrore të funksionale, të ndjekin burimet e besueshme të informacionit dhe udhëzimet e autoriteteve lokale, si dhe të mbajnë gjithmonë dokumentet dhe mjetet e komunikimit të gatshme.
Në rast nevoje, qytetarët duhet të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë në rajon dhe të veprojnë sipas udhëzimeve të tyre.
Ministria paralajmëron se mbyllja e hapësirës ajrore mund të zgjerohet dhe fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim, ndaj qytetarët duhet të kontaktojnë direkt kompanitë ajrore për çdo çështje të fluturimeve.
Njoftimi i Ministrisë:
Njoftim i përditësuar mbi situatën në Lindjen e Mesme
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se, në vijim të përshkallëzimit ushtarak në rajonin e Lindjes së Mesme, situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme dhe e paparashikueshme.
Ministria këshillon fuqimisht shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, shtetasit e Republikës së Shqipërisë të cilët gjenden aktualisht në rajon këshillohen:
• Të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë me përparësi mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.
• Të ndjekin zhvillimet përmes burimeve mediatike të besueshme dhe kanaleve zyrtare të informacionit;
• Të respektojnë dhe ndjekin në çdo kohë udhëzimet e autoriteteve lokale;
• Të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit gjithmonë të gatshme;
• Në rast nevoje, të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në rajon dhe të veprojnë në përputhje me udhëzimet e tyre.
Në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës së sigurisë, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë sesa vendet e prekura deri tani mbetet një mundësi reale, dhe fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim. Për çdo çështje që lidhet me fluturimet, qytetarët këshillohen të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë ajrore përkatëse.
Autoritetet shqiptare janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë në kohë reale për çdo zhvillim të ri.










Discussion about this post