Kombëtarja shqiptare U-17 nisi të shtunën grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të dy sfidave miqësore kundër përfaqësueses së Maltës. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ardi Behari do të zhvillojnë nesër takimin e parë në ‘Shtëpinë e Futbollit’ duke nisur nga ora 16:00, ndërsa të mërkurën do të luajnë edhe ndeshjen e dytë ndaj Maltës po në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në ora 16:00.
Nën 17-vjeçarët kanë zhvilluar dy seanca stërvitore ditën e djeshme, ndërsa po stërviten edhe sot në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’.
Dy sulmuesit e ekipit kuqezi U-17, Tedi Malaj dhe Bryan Gjyla shprehen të kënaqur që janë pjesë e këtij grumbullimi dhe që do të kenë mundësi të përfaqësojnë Shqipërinë U-17 në këto dy teste të rëndësishme.
Tedi Malaj, sulmuesi i cili luan në radhët e Partizanit nënvizoi në prononcimin e tij për fshf.org se objektivi i Kombëtares është të fitojë këto dy sfida, ndërsa vlerësoi të gjithë lojtarët e thirrur në këtë grumbullim.
Ftesa nga stafi i ekipit U-17 dhe atmosfera në ekip – Ndihem shumë mirë. Atmosfera është e ngrohtë. Lojtarët janë shumë cilësore dhe jam krenar që jam sërish pjesë e Kombëtares, pasi kam qenë te të gjitha grupmoshat e tjera. Uroj të fitojmë këto dy ndeshje dhe të shënoj gol.
Objektivi i kuqezinjve – Objektivi ynë është të fitojmë çdo ndeshje. Nuk i trembemi asnjë kundërshtari pasi kemi shumë cilësi në grup.
Ëndrrat për të ardhmen? – Synimi im është të luaj në Premier League dhe të jem pjesë e ekipit të parë Kombëtar.
Bryan Gjyla, sulmuesi i Feralpi Salo në Itali shihet si një lojtar mjaft premtues për të ardhmen. Djaloshi shqiptar ka qenë edhe më parë pjesë e ekipeve zinxhir, ndërsa vjen si risi në listën e thirrur nga trajneri Behari. Gjyla zbulon për fshf.org se si është atmosfera në skuadër, objektivat për dy ndeshjet dhe synimet për të ardhmen.
“Jam Bryan Gjyla, luaj me ekipin e Feralpi Salo në Serinë B në Itali. Ndihem shumë mirë që jam thirrur në këtë grumbullim dhe uroj të bëjmë rezultat pozitiv në këto dy ndeshje dhe të përgatitemi për Europianin. Kam gjetur një atmosferë të mirë në ekip, jo vetëm me stafin, por edhe me lojtarët. Ndjej që mund të bëjmë shumë mirë”- thotë Gjyla, i cili ka një ëndërr: Të jetë pjesë e Kombëtares A. “Për vete shpresoj që të arrij sa më lart, deri në ekipin A. Duhet të punoj shumë, me sakrificë uroj që të arrij deri në ekipin A”- përfundon Gjyla për fshf.org.
Discussion about this post