Sot, Komisioni Rregullator me pesë vota pro miratoi rregulla për regjistrimin e zgjedhësve nga jashtë vendit dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve. Nga ana tjetër, diaspora kërkon veprime urgjente për këtë çështje.
Ky vendim parashikon rregulla të përgjithshme të përcaktuara në Ligj sa i takon procesit të regjistrimit të zgjedhësve dhe institucionit kompetent për të administruar këtë proces, ku përcaktohet se regjistrimi i zgjedhësit në listën e zgjedhësve jashtë vendit bazohet në vullnetin e vetë zgjedhësit për ta ushtruar të drejtën e votës jashtë vendit. Regjistrimi në listën e zgjedhësve jashtë vendit passjell ç’regjistrimin e tij nga lista e zgjedhësve që votojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Parashikohen rregulla të posaçme që lidhen me paraqitjen e kërkesës për regjistrim, afatet dhe dokumentacionin shoqërues që do të duhet të plotësojë zgjedhësi nga jashtë vendit. Hapja e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit dhe regjistrimin e tyre bëhet nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Kërkesa për regjistrim do të bëhet në mënyrë individuale nga zgjedhësi dhe kjo kërkesë i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sipas procedurave dhe afateve të parashikuara në këtë vendim.
Kërkesat për regjistrim do të bëhen në platformën elektronike e cila krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga KQZ. Platforma Elektronike të Regjistrimit, (referuar si “PER”) në të dy versionet mobile dhe desktop do të jetë pa pagesë për zgjedhësit me qëllim uljen e barrës së kostos tek zgjedhësi, si dhe për të rritur aksesueshmërinë për këdo në mënyrë që të mos jenë të varur nga teknologjia që gjithsecili disponon.
Në vendim përcaktohet edhe mënyra e shqyrtimit të kërkesave të ardhura dhe përbërësit e listës së zgjedhësve jashtë vendit, mënyra dhe afatet e komunikimit me RKGjC, si dhe modalitetet e rregullat e tjera teknike të hartimit të kësaj liste
Gjithashtu, janë parashikuar rregullat që lidhen me mbikëqyrjen dhe kontrollin e procesit të regjistrimit për të siguruar transparencë dhe qasje të të gjithave palëve në çdo hap përgatitor apo të zbatimit të procesit, të tilla si vijon: e drejta e partive politike, organizatave joqeveritare shqiptare dhe të huaja, si dhe organizatat ndërkombëtare të specializuara ose të angazhuara në mirëqeverisjen dhe demokratizimin, përfaqësuesit e shteteve të huaja të akredituar në Shqipëri, si dhe të medias, të njihen me të gjitha elementët dhe veçanërisht gjatë proceseve të testimit operacional, kontrollit apo auditimit të së saj, si dhe për të marrë pjesë në testime gjatë procesit të regjistrimit të kërkesave të zgjedhësve nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Letra nga Diaspora
Përmes një letre zyrtare, Diaspora e Lirë i ka rikujtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se kanë mbetur vetëm 22 ditë deri më datën 13 Nëntor 2024 për të përfunduar procesin e miratimit të akteve nënligjore të nevojshme për mundësimin e votës së shqiptarëve jashtë vendit.
Letra e plotë:
Lënda: Mosmiratimi i akteve nënligjore për votim nga diaspora në zgjedhjet Parlamentare 2025
Drejtuar: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)
Për dijeni:
Keshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë
Partive Politike në Shqipëri
Organizatave të Shoqërisë Civile
Përfaqësive Diplomatike të Republikës së Shqipërisë
Misionit të OSBE/ODIHR në Shqipëri
I nderuar Komision Qendror i Zgjedhjeve,
Me këtë kërkesë, deshifrojmë t’ju rikujtojmë se kanë mbetur vetëm 𝟐𝟐 𝐝𝐢𝐭ë deri më datën 𝟏𝟑 𝐍ë𝐧𝐭𝐨𝐫 𝟐𝟎𝟐𝟒 për të përfunduar procesin e miratimit te të gjitha akteve nënligjore të nevojshme për mundesimin e votës së diasporës.
Ky afat eshtë jashtëzakonisht i shkurtër, duke pasur parasysh kompleksitetin e procesit që përfshin hartimin, hapjen për diskutim publik, zhvillimin e diskutimeve në grupet e punës dhe miratimin perfundimtar të këtyre akteve.
Çdo vonesë e mëtejshme do te rrezikojë seriozisht të drejtën kushtetuese të votës për qytetarët shqiptare qeë jetojnë jashtë vendit dhe do të minojë përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet e ardhshme.
𝐊ë𝐫𝐤𝐞𝐬𝐚 𝐣𝐨𝐧ë:
Me besim të plotë, ju nxisim te veproni me urgjencë për të permbushur detyrimet ligjore që lidhen me përgatitjen e akteve nënligjore, duke perfshire si gjithmonë të gjitha palët e interesuara në procesin e diskutimit deri në miratimin e tyre.
Koha është e kufizuar, dhe çdo hap i mëtejshëm eshtë thelbësor per te garantuar te drejtën e votës për diasporën.
Në pritje te veprimeve tuaja, mbetemi me respekt.
gijotina.com/
Discussion about this post