Kuvendi miratoi sot me 71 vota pro, dy kundër dhe asnjë abstenim Buxhetin Faktik të vitit 2023.
KLSH: Buxheti keqmenaxhohet
Jo vetëm opozita, por edhe KLSH ka pasur kritika të forta për keqmenaxhim të buxhetit dhe hartimin e ligjeve fiskale në shkelje me rregullat.
“Menaxhimi i financave publike në vitin 2023 është kryer në mungesë të një dokumenti strategjik, pasi Strategjia sektoriale për menaxhimin e financave publike 2023-2030 është miratuar në qershor 2024, duke krijuar shkëputje nga strategjia e mëparshme 2019-2022”, raporton KLSH.
Sipas raportit, ndryshimi i ligjit të buxhetit 2023 ka vijuar të bëhet me dy Akte Normative, pa ndjekur procedura të zakonshme parlamentare, si dhe koha e ndryshimeve të tyre është në fund të vitit kryesisht në fushën e shpenzimeve, me pasoja në përdorimin racional dhe të balancuar të fondeve publike;
“Fenomeni i përqendrimit të shpenzimeve publike në muajin dhjetor, rrezikon të ndikojë negativisht në disa tregues të tjerë ekonomik si në kursin e këmbimit, presionet inflacioniste, si dhe rrit riskun e parregullsive në përdorimin e fondeve publike”, konstaton KLSH.
-Ndryshimet e konsiderueshme të treguesve gjatë fazave të hartimit dhe zbatimit të buxhetit shfaqin mangësi në aftësinë e parashikimit dhe planifikimit me saktësi të arsyeshme të tyre, e konstatuar në vijimësi nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit;
“Janë miratuar tre ligje tatimore me efekte në të ardhurat buxhetore në muajin dhjetor 2023, jashtë afatit të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit për t’u miratuar, jo më vonë se tre muaj përpara fillimit të vitit të ri fiskal”, thekson KLSH.
Ministria e Financave nuk e shoqëron rritjen e të ardhurave nga TVSH me rritjen e shumave për rimbursimin e saj, duke rezultuar në vijimësi me tejkalim të këtij treguesi me ndikim në uljen e të ardhurave në dispozicion të buxhetit të shtetit për këtë lloj tatimi;
Ndërkohë një numër i konsiderueshëm i njësive të qeverisjes qendrore por edhe ato vendore nuk kanë arritur plotësimin e strukturave të tyre, duke shfaqur jo vetëm mangësi planifikimi por duke rrezikuar dhe performancën institucionale, me riskun për ofrimin e shërbimeve publike pa cilësi dhe jo në afatin e duhur;
Në vitin 2023 ka një nivel të ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale me burim të huaj financimi krahasuar me planin dhe një vit më parë, duke shfaqur mangësi të ministrive të linjës lidhur me planifikimin e saktë të projekteve me financim të huaj.
“Fondi i rindërtimit vijon të mbetet një çështje emergjente, për vetë karakterin social por dhe peshën që zë në shpenzimet e buxhetit të shtetit. Ndryshimet e shpeshta dhe të konsiderueshme të buxhetit për rindërtimin shfaqin mungesë qartësie në objektiva dhe mangësi në monitorimin e ecurisë së këtij procesi”, zbulon KLSH.
Nga ana tjetër Fondi rezervë është denatyruar gjatë përdorimit të tij, pasi është akorduar dhe përdorur për rastet e financimit të shpenzimeve të njohura dhe mund të parashikoheshin gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit;
Kontrolli i Lartë i Shtetit, vijon të konsiderojë risqe fiskale me impakt buxhetor çështjet që kanë të bëjnë me performancën e Ndërmarrjeve Shtetërore kryesore; shpenzimet për kontratat koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP) me mbështetje buxhetore; detyrimet e prapambetura të Qeverisjes
Vendime për anëtarët e komisioneve
Po ashtu, Kuvendi miratoi me 72 vota pro, asnjë abstenim dhe 1 votë kundër, disa ndryshime në vendimin “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
Sipas këtij vendimi, deputeti Erion Meka u caktua anëtar në komisionin e Ligjeve, deputetja Teuta Ramaj anëtare në komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, deputetja Flutura Açka anëtare në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Kuvendi miratoi edhe projekvendimin “Për një ndryshim në vendimin ‘Për caktimin e anëtarëve zëvendësues së Komisioneve të Përhershme të Kuvendit’”.
Sipas këtij vendimi, deputeti Erion Meka u caktua anëtar zëvendësues në komisionin për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
gijotina.com/
Discussion about this post