Dy ditë pasi Këshilli i Mandateve votoi me 6 vota pro kërkesën e SPAK që kërkon autorizim për arrestimin e Sali Berishës, janë zbardhur edhe dy raportet të hartuara për t’ia dorëzuar Kuvendit, i cili do votojë ditën e nesërme.
Të dy raportet, i Alibeajt 17 faqe dhe i socialistëve 24 faqe, kërkojnë dhënien e autorizimit për t’i hapur rrugë kërkesës së SPAK që kërkon heqjen e imunitetit të Sali Berishës dhe më pas arrestimin e tij.
Në raportin e Alibeajt ndër të tjera thuhet “ndryshimet kushtetuese të vitit 2012, që u frymëzuan nga nevoja për të intensifikuar luftën kundër pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë, reformuan thelbësisht konceptin e imunitetit parlamentar. Rregullat e reja kushtetuese kanë tentuar të afrojnë zyrtarin e lartë shtetëror me qytetarin e zakonshëm në raport me përgjegjësinë penale dhe përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit. Një ndryshim i tillë, erdhi si nevojë, jo vetëm e një orientimi politik qeverisës në vitin 2012, por edhe si një detyrim për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe të disa marrëveshjeve ndërkombëtare, mes të cilave spikat “Konventa penale kundër korrupsionit” e GRECO-s.
Sipas rregullimeve normative, aktualisht deputeti ka vetëm 2 lloj imunitetesh në nivel kushtetues. Së pari, deputeti ka imunitet substancial dhe është i mbrojtur nga përgjegjësia “për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij në ushtrim të funksionit”. Ky lloj imuniteti nuk ekziston për rastin e shpifjes.
Së dyti, deputeti ka imunitet procedural për lirinë e lëvizjes dhe për privacinë, që nënkupton se nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria, pa autorizimin e Kuvendit. Ndaj tij nuk mund të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit. Për kryerjen e këtyre veprimeve procedurale nevojitet autorizim i Kuvendit. Është ky shkaku për të cilin, nga ana e Prokurorisë është paraqitur edhe kërkesa konkrete e marrë në shqyrtim nga
Këshilli i Imuniteteve.
Imuniteti procedural përfaqëson një lloj pengese procedurale, që i shfaqet sipas rastit prokurorisë apo gjykatës, për të kryer veprime hetimore të lidhura me lirinë e lëvizjes dhe privatësinë e deputetit. Në njëfarë mënyre, imuniteti procedural mbron dinjitetin e deputetit, që atij të mos i cënohet liria dhe jeta private në mënyrë abuzive, pa patur një shkak të ligjshëm nga organet ligjzbatuese. Premisa bazë, që ligjëron heqjen e imunitetit”.
Në vijim, Alibeaj shkruan “ndaj deputetit Sali Berisha ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet. Ky dyshim i arsyeshëm, është i konfirmuar jo vetëm nga veprimtaria hetimore e SPAK, por për më tepër edhe nga vendimet e GJKKO, teksa kjo e fundit ka
miratuar masat e sigurimit që janë në fuqi. Kuvendi, në asnjë rast nuk ka kompetencë të analizojë themelin për konceptin e “dyshimit të arsyeshëm”. Ai duhet të mjaftohet që nga ana e organit të prokurorisë janë dokumentuar, akte administrativo-hetimore në kuadër të procedimit penal, pra veprimtari faktmbledhëse, që krijojnë dyshimin se mund të ndodhet në situatën ligjore të shkeljes eventuale të një dispozite penale. Është një kufi i qartë, ai sipas të cilit një organ jo gjyqësor, sic është Kuvendi, (dhe askush tjetër në fakt, përveç gjykatave) nuk ka asnjë të drejtë të marrë nën shqyrtim apo kontroll masën e dyshimit, mbi
të cilin prokuroria ka vendosur të nisë një procedim penal. Është kompetencë vetëm i organit procedues (dhe eventualisht gjykatës). Për më shumë në rastin konkret, masa e dyshimit, arsyeshmëria e tij, bazueshmëria në fakte, dhe masa sasiore apo cilësore e provave, kanë kaluar edhe në testin e gjykatës, të shkallës së parë dhe të apelit (GJKKO), të cilat e kanë konfirmuar këtë konsideratë fillestare të SPAK. Ndaj, për më shumë, në këtë rast Kuvendi, nuk ka asnjë kompetencë të ndërhyjë në vlerësimin që edhe gjykatat kanë marrë. Për të gjitha këto arsye, konsiderohet i përmbushur standardi i “dyshimit të arsyeshëm
bazuar në prova” për rastin konkret”, thuhet në raportin Alibeaj.
“Së fundmi, nuk mund të anashkaloj edhe raportin njerëzor që krijohet mes kolegësh deputetë. Pavarësisht rreshtimit politik, pavarësisht qëndrimeve partiake, pavarësisht divergjencave dhe qëndrimeve antitetike të kohërave politike më të fundit, marrëdhënia njerëzore është e jo e papërfillshme. Aq më shumë kur bëhet fjalë që me deputetin, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, kam ndarë për shumë kohë, (sidomos për periudhën kohore përgjatë së cilës vendosen kronologjikisht faktet e pretenduar si penale), të njëjtën anë të pozicionimit politiko-partiak, të njëjtat angazhime qeverisëse apo parlamentare.
Megjithëkëtë përgjegjësia e lartë, e pozicionit të deputetit të Kuvendit, kur thirret në situata të tilla delikate si në aspektin emotiv, ashtu edhe atë politik e më së shumti ligjore, duhet të prevalojë qoftë mbi brengat njerëzore që natyrshëm krijohen, qoftë mbi përllogaritjet e vogla partiake që bashkëshoqërojnë pandashëm aktivitetin politik apo solidaritetin partiak.
Angazhimi si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, mbart si një vlerë të patjetërsueshme, komponentin e mbrojtjes së interesit publik dhe të gjithë vendit. Duhet të jetë ky pozicionimi politik i epërm, mbi të cilin duhet gjetur objektiviteti dhe shpirtqetësia në ndërmarrjen e një konkluzioni për gjykimin mbi pozitën politike dhe imazhit publik të cdo përfaqesuesi të lartë politik.
E në kushtet, kur pranoj se së paku në imazhin publik, vendosja (apo vetvendosja) e një deputeti para situatës kur duhet t’i nënshtrohet drejtësisë, e krijon një bjerrje të imazhit apo goditje të vleresimit që publiku ka pas krijuar për të, zgjedh të vendos se zgjidhja optimale, pragmatiste, politike dhe etike që figura publike e atij deputeti, të rikuperohet, të ruhet, mbrohet, ndoshta të përforcohet është ajo që tejkalon domosdoshmërisht testin e drejtësisë.
E gjykoj si një mundësi të mirë për ruajtjen e dinjitetit politik të deputetit në fjalë, përballjen me drejtësinë.
Thënë e gjitha kjo sa më lart, besoj se krijohet premisa, sot dhe në të ardhmen, që situata të tilla të trajtohen njëlloj, e ndoshta kështu krijohet edhe pjekuria publike dhe ajo politike që të mos shihet e nevojëshme në ligje dhe Kushtetutë të ruhen hije të imunitetit duke e abroguar atë plotësisht apo edhe faktikisht.
Është detyrim im në cilësinë e deputetit të kontribuoj në këtë drejtim. Në sintezë të të gjithë analizës ligjore, dëshiroj të evidentoj se në nxjerrjen e rekomandimit u mbështeta pikë së pari, në ruajtjen e interesit publik, në mbrojtjen e imazhit të politikës, në mospengimin e drejtësisë, në mosndërhyrjen e kompetencave të sistemit të drejtësisë dhe në dhënien e mundësisë vetë deputetit të cilit i kërkohet heqja e imunitetit, që të pastrojë figurën e vetë politike, në mënyrë të padyshimtë, nga një autoritet i pavarur dhe i paanëshëm sic është sistemi i drejtësisë.
Përfundimisht, si anëtar i Këshillit për Imunitetin, i rekomandoj seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin kërkesës për dhënien e autorizimit, të kërkuar me shkresën nr. 16688 prot., datë 12.12.2023 të SPAK “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, thuhet në konkluzionet e Alibeajt.
Raporti i PS
Ndërkohë në raportin e përgatitur nga Klodiana Bushka thuhet “nga hetimi vlerësohet se është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se personi nën hetim Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, përgjatë periudhës kohore që shtrihet që nga viti 2005 e në vijim, ka kryer veprime konkrete, aktive, me miratim ligjesh, apo akte nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familje ish-pronare, me qëllim kthimin dhe në vijim shfrytëzimin si troje ndërtimore të territoreve ku janë shtrirë ish-Klubi shumësportësh “Partizani” dhe ish-Klubi i Futbollit “Partizani”, ku përfitues i drejtpërdrejte ndër të tjerë rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi.
Sipas organit të akuzës, nga ana e shtetasit Sali Berisha janë kryer veprime aktive, në cilësinë si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e kontrolleve administrative me qëllim ushtrimin e presionit dhe dhënien e urdhrave konkretë për veprime që duhet të kryenin funksionarët që pengonin përfundimin e procesit të privatizimit, në favor, ndër të tjera, të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij”.
“Anëtarët e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, duke vlerësuar parimet kushtetuese për funksionimin e shtetit së drejtës, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, barazisë para ligjit së të gjithë shtetasve, respektimit të të drejtave të njeriut dhe garancive procedurale në hetim dhe procesin penal, me qëllim që drejtësia të ushtrojë funksionet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës, nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit, unanimisht i rekomandojmë Kuvendit: Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, përarrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha”, u shprehën deputetët e mazhorancës, pjesë e këtij këshilli.
Discussion about this post