Mirlinda Karçanaj u dha dy kompanive rreth 4 miliardë lekë për sistemin e gjobave të Policisë Rrugore, por ky program nuk arrin të vërtetojë kundërvajtjet. Me taksat dhe tarifat e gjobave të qytetarëve u bë tenderi i dyshimtë “Përmirësimi i sistemit eGjoba, integrimi me pajisjet radar dhe plotësimi me tableta për Policinë e Shtetit”, ndërsa sot nuk kryen funksionin për të cilin është investuar.
Kontrata që mban datën 16 gusht 2022 është nënshkruar nga Mirlinda Karçanaj e AKSHI-t si titullare e Autoritetit Kontraktor dhe institucioni që kryen detyrimet financiare, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që është përfituese e “përmirësimit” të këtij shërbimi të informatizuar.
Vlera e kontratës për përmirësimin e këtij sistemi është 327,963,170 lekë pa TVSH ose rreth 4 miliardë lekë përfshirë TVSH, ku 257,963,170 lekë është zbatimi, ndërsa vlera e mirëmbajtjes është 70,000,000 lekë. Afati i implementimit të këtij përmirësimi ishte 12 muaj, ndërsa mirëmbajtja për 24 muaj. Audituesit e KLSH ishin në Policinë e Shtetit më 6 janar 2024 dhe kostatuan mosfunksionimin e shumë zërave të këtij sistemi.
Kujtojmë se në tender kanë marrë pjesë vetëm dy konkurrentë, nga të cilët është shpallur fitues bashkimi i operatorëve “Image & Communications Development” në pronësi të Igli Gjelishtit dhe “S&T ALBANIA” NIPT të administruar nga Kleanthi Prifti. Theksojmë se kompania e Igli Gjelishtit ka qenë e përfshirë në rikonceptimin, rindërtimin dhe zhvillimin e një pjese të shërbimeve elektronike në portalin e-Albania.
Sistemi nuk vërteton kundërvajtjen, nuk ka foto, as kohën dhe vendin
Nga auditimi mbi procesverbalet e konstatimit të shkeljes përshkruhet se fotografimi nuk është bërë pjesë e formularit të miratuar për kundërvajtjen, miratuar me VKM nr. 42, datë 30.01.2019 “Për disa shtesa në VKM nr. 153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave”.
Fotografimi është prova që vërteton shkeljen e konstatuar. Mungesa e kësaj prove në informacionin që i vihet në dispozicion kundërvajtësit nëpërmjet shërbimeve online në eAlbania, bën që të ketë një numër të lartë ankesash në këtë drejtim.
Elementët kryesorë që vërtetojnë kundërvajtjen janë: Data, Ora, Vendi. Ndërsa, fotografimi është prova që vërteton tre elementët që përcaktojnë kohën dhe vendin. Fotografimi nga radari, jep të dhëna mbi targën, orën, datën, shpejtësinë e matur, shpejtësia e korrigjuar, numrin serial të pajisjes, lloji i automjetit, indeksi i vendit, etj. Por në modulin e regjistrimit të të dhënave nga Salla e Monitorimit “Gjobë nga SM”, për kundërvajtjet e pajisjeve inteligjente, nuk ruhej asnjë e dhënë e cila është gjeneruar prej fotografimit. Data dhe ora që plotësohen në sistem janë datë regjistrimi dhe orë regjistrimi, të cilat nuk tregojnë kohën e saktë që ka ndodhur kundërvajtja. Pronarët e mjeteve, kur informohen për gjobat nëpërmjet e-Albanias apo bankave te nivelit te dytë, informohen për kundërvajtjet të cilat nuk tregojnë kohën reale të shkeljes, çfarë sjell dhe një numër të lartë ankesash e shqyrtimesh të panevojshme.
Gjatë auditimit mbi ndërfaqen e ndërtuar në sistemin eGjoba për regjistrimin e të dhënave të gjeneruara nga radar, u konstatua se nuk ishin të dhënat parësore për datën dhe orën kur ka ndodhur kundërvajtja.
Po ashtu, gjatë auditimit mbi ndërfaqen e ndërtuar në sistemin eGjoba për regjistrimin e të dhënave të gjeneruara nga radari, u konstatua se nuk populloheshin të dhënat parësore për datën dhe orën kur ka ndodhur kundravajtja.
Nga auditimi u konstatua se njoftimi i shkelësit jo prezent për kundërvajtjen duhet të bëhet dhe me shkresë në adresën e tij bazuar në procedurën nr.1719, datë 20.11.2023. Për të realizuar këtë detyrë, punonjësit e policisë që kanë konstatuar dhe regjistruar shkeljen në sistem, detyrohen t’i njoftojnë me shkresë shkelësit që nuk janë konstatuar prezentë. Edhe, kjo procedurë rezulton se nuk bëhet për shkak, sipas policisë, të adresave të gabuara apo të paplota në sistemin e adresave, të dhëna këto që lexohen nga regjistri i adresave në Gjendjen Civile.
Larg qoftë, nëse të goditet ky sistem nga piratët informatikë, të dhënat humbin përgjithnjë. Për sistemin eGjoba nuk është hartuar dhe dokumentuar Strategjia e Backup e dedikuar dhe Strategjia e Rikuperimit e dedikuar me elementët që duhet të përfshihen sipas manualit të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Nga audituesit u konstatua se në dokumentet përgjatë periudhës së mirëmbajtjes në disa raste mungojnë e në disa të tjera janë nënshkruar në grup për 2 apo 3 muaj shërbime njëkohësisht, çfarë tregon për një vijimësi formale në ndjekjen e zbatimit të kontratës. Nuk janë raportuar problematika në lidhje me sistemin eGjoba duke lënë të kuptohet se nuk ka pasur asnjë shqetësime, megjithëse vetë agjentët e policisë u shprehën se deri në fund të vitit 2023 sistemi ka shfaqur probleme të vazhdueshme.
Nga kompanitë që fituan kontratën nuk është ndërtuar ndërveprim ndërmjet sistemit eGjoba dhe DPSHTRR, për periudhën e plotë që drejtuesi rezulton i pajisur me leje drejtimi, me qëllim përllogaritjen për zbritjen e pikëve në rast të një kundra vajtjeje. E dhëna që lexohet nëpërmjet ëeb-servisit është data e lëshimit të leje drejtimit, ku në rastet kur ajo është e rinovuar, nuk tregon kohën e plotë që drejtuesi është pajisur me leje drejtimi. Agjenti i policisë nuk ka një mënyrë se si të përllogarisë zbritjen e pikëve mbi një leje drejtimi në rast se diferenca ndërmjet datës së konstatimit me datën e lëshimit të lejes tregon se ai/ajo është një drejtues i ri ndërkohë që leja e drejtimit është e rinovuar.
Vetë punonjësit e policisë rrugore në terren u shprehen se kanë marrë vërejtje për vendosjen e masave plotësuese jo të sakta për këtë arsye: Pikët e zbritura nga patenta, për një kundërvajtje të caktuar nuk pasqyrohen saktë në sistemin eGjoba, ndryshe nga portali e_Albania, ku situata mbi pikët e zbritura dhe të shtuara duket e saktë. Kjo tregon se ndërveprimi ndërmjet DPSHTRR-së dhe sistemit eGjoba nuk është ndërtuar në mënyrën e duhur; Nuk lexohen elektronikisht të dhënat mbi kontrollin teknik. Ky verifikim aktualisht bëhet vetëm në prezencë të drejtuesit duke parë dhe verifikuar dokumentin fizik të lëshuar nga DPSHTRR; DPSHTRR dhe DPPSH nuk kanë aktualisht të ndërtuar një bashkëveprim me qëllim vjeljen e gjobave duke lexuar nga sistemi i eGjoba detyrimin e kundërvajtësit përpara kolaudimit.
Akoolmatësit nuk tregojnë sa ka konsumuar drejtuesi i mjetit?!
Por situata që paraqesin policët në terren është edhe komike. Letrën e printerave termikë që e kanë të lidhur me tabletët, agjentët e sigurojnë në mënyrë individuale pasi prej kohësh nuk ka patur gjendje; Në disa raste, agjentët shprehën shqetësimin se dhe radiot e komunikimit i sigurojnë po në mënyrë individuale pasi nuk janë furnizuar. Ky element cenon sigurinë në komunikimin ndërmjet tyre pasi radiot që shiten në treg jo gjithmonë i plotësojnë kriteret e nevojshme për të qenë të sigurta;
Dhe qershia mbi tortë: Vetë agjentët shprehen se pajisjet alkoolmatëse, megjithëse janë të kolauduara, nuk japin të dhëna të afërta me sa konstatohet nga ky verifikim.
Nga auditimi mbi funksionalitetet e sistemit eGjoba për kundërvajtjet e konstatuara në mjetet me targa të huaja, u konstatua se: Nuk hidhen në sistemin gjoba, në mënyrë që këto të dhëna të jenë të vlefshme për t’u ekspozuar në sistemin TIMS për kontrolle në pikat kufitare. Përcjellja me rrugë shkresore për në pikat kufitare, tregon se lidhja ndërmjet sistemit TIMS dhe eGjoba nuk është bërë për njoftime automatike për këto raste të kundërvajtjeve nga mjete me targa të huaja, megjithëse të dy sistemet janë në përdorim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Hartimi shkresor i “Njoftimit në kufi” është joefektiv për sa i takon vjeljes së kundërvajtjes për arsye se identifikimi i rasteve dhe komunikimi deri në njësitë kufitare bëhet për më shumë se 24 orë.
Dy gjëra mësojmë nga ky kontroll: 1-Çdo qytetar i gjobitur nga rrugorët mund të bëjë padi dhe ta fitojë gjyqin, se policia nuk ka provat; 2- Drejtuesit e Policisë së Shtetit tregojnë mungesë trimërie duke mos kallëzuar në prokurori këtë situatë.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post