Një dokumentar satirik, i quajtur “Gregg Wallace: British Miracle Meat”, ndoqi prezantuesin e saj në një fabrikë ku prodhohej “mish laboratorik njerëzor”, të cilin ai e provoi. Megjithëse programi i transmetuar në Channel 4 ishte thjesht parodi, shumë shikues e besuan ndërsa shprehën edhe neveri.
Nisur nga kjo, çfarë shijeje ka mishi njerëzor?
Kanibalizmi është pranuar si një akt i gabuar, por ka patur njerëz përgjatë historisë që kanë qenë kureshtarë. “Daily Mail” është ‘zhytur’ në rrjedhën e kohës për të zbuluar mendimet e personave që e kanë provuar.
Në 1920, eksploruesi amerikan William Buehler Seabrook shkroi një libër të detajuar mbi shoqëritë kanibaliste. Ai shkoi aq thellë sa e provoi vetë kur takoi fisin Guero në Afrikën perëndimore dhe e përshkroi eksperiencën e tij në librin “Jungle Ways”, publikuar më 1931. Seabrook shkroi se mishi i pagatuar dukej si biftek, por më pak i kuq dhe me dhjamë në ngjyrë të verdhë të zbehtë. Pasi gatuhej, kthehej në gri dhe kundërmonte si biftek. Shijen e përshkruan kështu:
“Ishte thuajse si viç i shijshëm, i rritur plotësisht sa mendoj që asnjë njeri me një qiellzë normale mund ta dallonte nga viçi”. Fjalët e eksploruesit rezultuan të pavërteta pasi më vonë ai rrëfeu se fisi Guero nuk e kishte lënë të merrte pjesë në ritualin e tij.
Ai tha se për t’i shkuar deri në fund, mori një copë mishi nga një trupi i një pacienti të vdekur në Francë dhe e gatoi. Megjithatë, ekspertët kanë rezerva për përshkrimin e tij pasi komentet për kanibalizmin që vijnë nga kriminelët e sëmurë mendërisht janë kontradiktore.
Kanibali gjerman Armin Meiwes këmbëngulte se mishi njerëzor ka shijen e mishit të derrit, por “pak më i hidhur, më i fortë” ndërsa japonezi Issei Sagawa e përshkruan “të butë dhe të njomë” si peshku ton.
Të mbijetuarit e një avioni të rënë në vitin 1972 në Ande u detyruan të hanin pasagjerët e tjerë që të mos vdisnin, por thanë se mishi i ngrirë nuk kishte shije.
“Kur hëngra kafshatën e parë, nuk kishte shije. E detyrova veten të gëlltitesha, pa ndjesi faji. Po haja që të jetoja”, u shpreh i mbijetuari Nando Parrado.
Vitin e shkuar, vrasësi rus Vladimir Nikolayevich Nikolayev rrëfeu se në vitin 1997 kishte ngrënë mish njeriu për herë të parë. Ai u grind me një burrë që po rrinte në derën e ndërtesës së tij, e goditi, e vrau dhe më pas i copëtoi trupin.
Pasi i preu kokën dhe gjymtyrët, kuptoi se asgjë nuk mund ta ndalte kuriozitetin e tij për ta ngrënë. “Preva një copë nga kofsha dhe e zieva”.
Më pas, Nikolayev tha se nuk i “pëlqeu” shija dhe vendosi ta skuqte. Ai u akuzua për shitjen e 5 kg mish njeriu në një treg të hapur të cilin e reklamonte si mish kanguri. Vrasësi u zbulua nga një grua që vuri re shijen e pazakontë, e çoi mishin te një doktor për ekzaminim dhe rezultoi se ishte mish njeriu.
Në 2006, kërkuesit e NEC System dhe Mie University krijuan një robot që mund të identifikonte verën nga shija, një “somelier elektromekanik”.
Por kur gazetarët nisën të fusnin duart në nofullat e robotit, ky i fundit përcaktoi se shija ishte si proshutë ndërsa këmbët si mish derri.
Në 2014, gazetari i “BBC”, Greg Foot hoqi një pjesë muskuli nga pulpa për të ditur çfarë shijeje kishte. Ai nuk e hëngri, por u krye një biopsi për të studiuar teksturën përpara se të gatuhej dhe të analizoheshin aromat.
“Ka erë të mirë. Shumë mishtore, më e pasur se sa e derrit apo e pulës”, përshkroi gazetari.
Foot mësoi se muskuli kishte fibra të ngjashme me ato që gjenden në gjoksin e pulës dhe në disa pjesë të biftekut.
Duke qenë se kanibalizmi është një vepër me natyrë tabuje, shumë pak studime shkencore kanë studiuar shijen e vërtetë të mishit njerëzor të gatuar. Mishi i njeriut është i pasur me mioglobinë që do të thotë se hyn në kategorinë e mishit të kuq.
Në vitin 2019, profesori suedez Magnus Soderlund tha se trupat e vdekur mund të jenë një zgjidhje më e qëndrueshme se sa industria e mishit dhe bulmetit ose ngrënia e insekteve nëse burimet ushqimore do të pakësohen në të ardhmen.
Sipas tij, ‘diskutimi’ për tabutë e kanibalizmit mund të ndryshojë me kohën dhe njerëzit mund të shtyhen për të marrë vendimet e duhura.
Discussion about this post