Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit në Tiranë vendosi sot të lërë në burg drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë “Bankers Petroleum”, shtetasin kinez Hong Ping Xiao dhe ish-drejtorin Leonidha Çobo, duke konfirmuar kështu masat “arrest me burg” të lëshuara nga gjykata e Fierit më herët.
Po ashtu, Apeli i Tiranës vendosi që Diona Gogës, që më herët i ishte vendosur masa “arrest shtëpie”, t’i zbutej në “detyrim paraqitje”, duke marrë parasysh arsyetimin se është nënë e një fëmije 2 vjeç.
Sa i përket Majlinda Thana, Matilda Ibraliu dhe Erton Ademaj, që më herët ishin me “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit, Apeli vendosi të heqë kufizimin e fundit, duke lënë në fuqi vetëm masën “detyrim paraqitje”.
Kështu, me vendimin e sotëm.gjykata e Apelit në Tiranë, konfirmoi 2 masat e sigurisë “arrest me biurg”, la në “arrest shtëpie” 4 prej të akuzuarve dhe “vendosi detyrim paraqitje” për 4 të tjerët.
Masa “arrest me burg” për:
Leonidha Çobo
Hongping Xiao
Masa “arrest në shtëpi” për:
Lianyi Wang
Ardit Kero
Flavia Capo
Kledi Xhani
I hiqet masa e arrestit në shtëpi, caktohet “detyrim paraqitje”
Doina Goga
Lihet në fuqi masa “detyrim paraqitje”, i hiqet “ndalimi i largimit jashtë vendit” për:
Majlinda Thana
Matilda Ibraliu
Erton Ademaj
Shqyrtimi i ankimimeve të masave të sigurisë u zhvillua dje, në një seancë që zgjati 6 orë për shkak të numrit të lartë të të arrestuarve. Përfaqësuesit e ambasadës kineze nuk u lejuan brenda gjykatës ditën e martë.
Të akuzuarit pretenduan se nuk kanë lidhje me akuzat dhe kërkojnë masa më të buta sigurie.
Gjykata e Fierit lëshoi 14 masa sigurie në total, ku 10 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa 4 punonjës janë ende në kërkim.
Hetimet për Bankers janë zhvilluar nga Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me strukturat tatimore dhe policore, dhe lidhen me dyshime për deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në një shkallë masive.
Prokuroria e Fierit ngriti 5 akuza në total, “Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre” dhe “Moskryerje e detyrave nga organet tatimore”, duke argumentuar se ka grumbulluar prova të mjaftueshme.
Aksioni në “Bankers Petroleum”, erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, sipas prokurorisë së Fierit ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend.
“Bankers Petroleum” krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë. Në këtë mënyrë për 20 vite ka shmangur detyrimet tatime, madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je.










Discussion about this post