Segmenti i turizmit kulturor po përjeton tendencën rritëse të sektorit të turizmit në tërësi. Në muzetë e vendit, numri i vizitorëve u rrit me 46% në vitin 2023 në raport me vitin paraardhës teksa të ardhurat ishin mbi 3 milionë euro, përfshirë dhe parqet arkeologjike. E njëjta tendencë vijon edhe këtë vit. Në vend janë të paktën 12 muze si institucione kulturore publike, me vlera të ndryshme nga njëri-tjetri, në atë që përfaqësojnë dhe me potencial të konsiderueshëm për t’u rritur. Ministria ende e re e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e ka të qartë se duhet të hidhen disa hapa për të maksimizuar përfitimet, teksa muzetë kanë planet e tyre të promovimit për të rritur frekuentimin dhe ndikimin në ekonomitë lokale. Edhe biznesi po zhvillohet sipas nevojës që shfaq tregu. Të gjithë janë dakord se përfitimi nga turizmi kulturor mund të jetë më i madh. Ajo që mungon është unifikimi i masave që të gjithë palët të ecin në një drejtim, për të marrë më të mirën nga ky moment.
Është thuajse ora 11:00. Pas një rrugëtimi jo dhe aq komod, në një rrugë që nuk të lë aspak shijen se po shkon drejt një destinacioni turistik, parkojmë dhe kalojmë nga ish-Turizmi në Krujë, drejt Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Shkëmbehemi me vendasit që qetësisht janë në rutinën e tyre.
Pritshmëria jonë ishte ndoshta të hasnim pak më shumë të huaj, një ide e krijuar nga shifrat e turizmit dukshëm në rritje të numrit të vizitorëve, por edhe interesit të shtuar për Muzeun e këtij qyteti, siç raportohet nga statistikat.
Turistët e parë arrijmë t’i shquajmë në kafenetë mes Pazarit dhe Hyrjes së Muzeut. I dëgjon teksa flasin italisht, spanjisht, anglisht – duke folur me njëri-tjetrin apo duke dhënë porositë, por numri është ende modest në këtë mes prilli.
Kalojmë portën e madhe hyrëse në Kala dhe shkojmë drejt Muzeut. Këtu panorama ndryshon, pasi numri nuk është më aq modest sa na u duk në fillim. Janë grupe të tëra turistësh që qëndrojnë së bashku në dalje kur sapo kanë përfunduar vizitën në muze.
Disa po bëjnë fotot e fundit, e të tjerë qëndrojnë qetësisht duke biseduar, drejtuar nga pjesa ballore e muzeut. Mund t’i dallosh lehtësisht që janë turistë nga vendet aziatike. Me një anglishte jo të rrjedhshme, njëri prej tyre na tregon se janë turistë të organizuar të ardhur nga Kina në një tur kulturor rajonal 10-ditor, ku tri ditë i dedikohen për Shqipërinë.
“Na pëlqen Shqipëria, është ndryshe” shprehet ai. E kur kërkojmë detaje mbi atë “ndryshe” thotë: kultura, ndërtimi, njerëzit janë ndryshe, diçka atipike për stilin e tyre.
Përveç Krujës, itinerari përfshinte Tiranën dhe Shkodrën, për të dalë më pas në Mal të Zi. Destinacioni final për këtë grup të organizuar do të ishte Serbia.
I lëmë pas dhe hyjmë në muze. Biletat, që i presim në hyrje, kushtojnë 500 lekë dhe të japin mundësinë të vizitosh muzeun nëpërmjet kalimit me barkod. Sapo kalon, pavijoni i parë është ai i antikitetit. Pyesim nëse ka një guidë apo nëse ka përkthim që mund ta marrësh për t’u orientuar kur një turist shpreh dëshirën për ta pasur këtë.
“Të dhënat për secilën nga sallat janë në formë audio dhe mund të dëgjohen në ambientin përkatës. Sigurisht në rastet kur kemi grupe, ne e mundësojmë edhe shoqërimin me guidë”, – na pohon Klodian Loka, përgjegjës në Muzeun e Krujës, i cili vendos të na shoqërojë në këtë vizitë.
Të huajt, gjithmonë e më shumë interes për turizmin kulturor
Numri i vizitorëve të huaj në muze ka ardhur gjithmonë në rritje. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Turizmit tregojnë se në total, në muzetë e vendit, në janar 2024, kemi rritje me 83% të vizitorëve krahasuar me janarin e një viti më parë.
“Këtë periudhë ka shumë turistë nga Kina, pasi përkon me Vitin e Ri kinez. Gjatë pandemisë, ky grup ndaloi, por tani është rikthyer dhe në numra që bien në sy. Ka vizitorë nga Europa kryesisht spanjollë, polakë.
Këta të fundit ishin grup i rëndësishëm edhe vitin e shkuar ngaqë vijnë të organizuar dhe qëndrojnë në zonën e Durrësit dhe Golemit.
Turizmi kulturor duket se po tërheq gjithmonë e më shumë vëmendjen dhe këtë vit pritet të kemi grupe të organizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ka tur-operatorë që kanë lidhur kontrata.
Kemi të bëjmë me ture për një kategori elitare të turistit dhe do guida të personalizuara”, – na thotë z.Loka. Ai nënvizon se turistët nga Kina kanë interes të veçantë për Shqipërinë nisur nga nostalgjia e viteve ‘60-’70 kur kishim marrëdhëniet politike me ta, por edhe prej filmave.
Ndërkohë polakët kanë dobësi veçanërisht për Krujën, sipas tij, pasi e lidhin këtë me besimin tyre. “Janë katolikë dhe kanë vëmendje për Skënderbeun. E njëjta gjë ndodh edhe me italianët të cilët kanë interes për Krujën, për historinë dhe atë që përfaqëson ky muze”, nënvizon z. Loka.
Të njëjtën tendencë për të huajt na pohon edhe Fjoralba Prifti, drejtore e Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë, ku sipas saj institucionet kulturore shihen me interes.
“Interesi i vizitorëve ka qenë gjithmonë në rritje, ku më të shumtët dhe ata më të interesuarit kanë qenë të huajt. Qyteti i Korçës dhe muzeu gjithmonë janë vizituar, kryesisht nga turistë francezë, dhe më pas ata spanjollë, italianë, holandezë, gjermanë, etj., numri i të cilëve u rrit ndjeshëm në vitin 2023. Gjithashtu, është shtuar numri i vizitorëve edhe nga kontinentet e tjera”, – shprehet znj. Prifti.
Të dhënat zyrtare të vëna në dispozicion nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit tregojnë qartësisht se turizmi kulturor do të vijojë trendin rritës të sektorit të turizmit në përgjithësi.
“Në krahasim me muajt janar-shkurt 2023, vizitueshmëria në të njëjtën periudhë 2024 ka shënuar rritje prej 75.08%. Në krahasim me muajt janar-shkurt 2022, vizitueshmëria në të njëjtën periudhë 2024 ka shënuar rritje prej 110.66%.
Në krahasim me muajt janar-shkurt 2021, vizitueshmëria në të njëjtën periudhë 2024 ka shënuar rritje prej 285.27%” raporton Ministria.
Paralelisht me vizitorët janë rritur edhe të ardhurat në këto institucione. Gjatë vitit 2023, të ardhurat nga vizitorët, në institucionet kulturore për vitin 2023, ishin mbi 342 milionë lekë, rreth 43,2% më shumë se të ardhurat e përfituara gjatë vitit 2022.
Turistët po orientojnë modelet e biznesit, por institucionet nuk po e ndjekin dot ritmin
Investimet në akomodim nëpërmjet strukturave të posaçme apo apartamenteve të përshtatura kanë shënuar rritje të dukshme në vitet e fundit. Kruja duket se nuk i ka shpëtuar kësaj tendence, duke u kthyer nga një destinacion që vizitohej brenda ditës në një destinacion ku mund të qëndrosh edhe një apo dy net.
Vetëm në Booking sot janë të regjistruara mbi 20 struktura, ndërsa në AirBNB mbi 94 njësi. Biznesi është i pari që e ka kuptuar nevojën që sjell ky vrull i turizmit dhe po udhëheq në planet e zhvillimit.
Dragush Gega, sipërmarrës i cili ka investuar në një restorant në Krujë, shprehet se rritja e turizmit e ka bërë të mendojë seriozisht për një investim në akomodim, ndoshta për një rigjallërim të ish-Turizmit të qytetit, që aktualisht është i braktisur dhe në gjendje të amortizuar.
Teksa biznesi po bën të vetën për t’ju përgjigjur këtij ritmi duket se qeveria apo institucionet nuk po arrijnë ta kapin atë. Rruga që të çon drejt qytetit të Krujës ka nevojë urgjente për ndërhyrje. Po kështu, transporti mbetet një problem më vete.
Turistët nuk kanë shumë kohë për të shpenzuar në qytet, teksa u duhet që me një frymë të shohin gjithçka në të dhe brenda orës 16:00 të largohen pasi nuk ka mundësi të tjera të transportit publik.
Në qytetin turistik, ende nuk ka një pikë informacioni ku çdo i huaj apo edhe vendas që vjen të ketë mundësinë të konsultohet për të marrë detaje mbi pikat më tërheqëse për të vizituar, për t’u ushqyer, për të kaluar kohën.
Mbi të gjitha duket se ka një indiferentizëm për të shkuar drejt shfrytëzimit të plotë të potencialit që ka ky rajon. Kruja mund të ishte shumë mirë një pikë edhe për turistët religjiozë me Sarisalltikun, apo për ata që duan të vijojnë edhe më tej në Parkun Kombëtar të Qafështamës, por kufizohen nga koha apo marketimi i dobët në një paketë të integruar të të gjithë potencialeve që paraqet kjo zonë.
Qytetit i mungojnë gjithashtu alternativat për jetën e natës, apo aktivitetet e posaçme, ku rolin kryesor në organizim e kanë institucionet vendore. Turistët e duan traditën dhe kulturën dhe këtë më së miri e tregon suksesi i disa nismave të konsoliduara që kanë krijuar “markën e tyre”.
“Për Krujën, grupe me 100 turistë në ditë të ftohta funddimri bëjnë diferencën. Rrisin ndikimin në qytet, pasi konsumojnë në restorantet e qytetit, presin bileta për të parë Muzeun, shohin shfaqje apo ‘folk show’ që u duket interesant, siç është edhe grupi i Pleqve të Krujës, që u duket mjaft i veçantë dhe diçka për të cilën paguajnë.
Të gjitha këto janë përfitime që vijnë për qytetin dhe ndoshta me pak më shumë nxitje të të gjithë palëve bashkë mund të jepte një efekt edhe më të madh”, – shprehet z.Loka.
Pazari i Krujës, i rikonceptuar si një zonë biznesi në një format të zbatuar edhe në një sërë qytetesh të tjera në vend përmes Fondit Shqiptaro-Amerikan, mbetet zemra e traditës së qytetit. Por rrahjet e saj janë të ngadalta, të paktën këtë të transmetojnë tregtarët e vendosur aty.
Shumica e produkteve që tregtohen nuk prodhohen më në qytet dhe nuk kanë asnjë përfaqësim të traditës apo kulturës së tij. Ata pak që ende prodhojnë në punishtet e tyre sixhade, qeleshe apo elemente të ngjashme shprehen se janë drejt dorëzimit.
Dallëndyshe Tabaku, e cila ka një dyqan në këtë zonë që nga viti 1993, sot punon e vetme.
“Dikur kisha një punishte me 10 gra për punimet në tezgjah. Sot jam vetëm unë. Turistët nuk kanë interes për të blerë produkte të këtij niveli, pasi kostoja e punimit me dorë është e lartë.
Parapëlqejnë të marrin një punim me makinë që është shumë më i lirë, edhe pse nuk përfaqëson aspak vlerat që ka punimi në tezgjah.
Punën në tezgjah ia kam mësuar edhe vajzës, edhe pse nuk ka interes pasi është dentiste në profesion, por më tepër e shtyrë për hir të zakonit që ta ketë si njohuri”, – tregon ajo.
Por cilët turistë blejnë më shumë? Znj. Tabaku na tregon se më të interesuar për suverire apo punime dore janë shqiptarët e diasporës. “Ata nuk kursehen në shpenzime, marrin më shumë dhe kanë interes. Të huajt preferojnë gjëra më të vogla dhe nuk i kushtojnë shumë rëndësi çfarë është. Duan dhurata të lira”, – pohon ajo.
Në dyqanin e saj mund të gjesh shumëllojshmëri produktesh dhe jo të gjitha janë të punuara në qytet, kur bëhet fjalë për punimet me dorë.
“Ende si rrjet artizanësh kemi bashkëpunim nëpër Shqipëri, për shembull marrim nga Shkodra filigramin. Por rrethi sa vjen e zvogëlohet, pasi tradita po humbet dhe po e zëvendëson teknologjia. Këtu në Pazar jemi të gjithë të njëjtat biznese, me të njëjtat produkte dhe kjo e bën të vështirë mbijetesën.
Duhet të studiohet më mirë hapja e bizneseve nga institucionet dhe të orientohen në aktivitete të reja, që nuk përsërisin ato ekzistuese. Ka ditë që nuk shesim asgjë, pavarësisht këtij fluksi turistësh që vijnë në qytet” nënvizon ajo.
Turizmi është një mundësi e artë për sektorin dhe gjithë industritë e lidhura me të, por duket se ajo që mungon është nevoja për orientim, ku të gjithë palët të ulen dhe të plotësojnë pjesët që mungojnë për të arritur më të mirën.
Ardhja e papritur e këtij fluksi turistik duket se i ka gjetur të papërgatitur institucionet të cilat po lënë zhvillimet të ndjekin rrjedhën e tyre, si të vijë dhe nën moton “të fitohet çfarë të fitohet”, kur në fakt duhet të jenë udhëheqës drejt objektivave të qarta.
Të ardhurat nga institucionet kulturore në 2023 ishin 3 milionë euro
Të ardhurat e gjeneruara nga numri i vizitorëve në insitucionet kulturore vitin e shkuar pësuan rritje me 43.2 për qind në raport me vitin paraardhës.
Raporti i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që i referohet të dhënave të deklaruara nga muzetë dhe parqet arkeologjike në vend tregojnë për një rritje të vëmendjes që është reflektuat edhe në më shumë para të arkëtuara.
“Në lidhje me të ardhurat nga vizitorët, në institucionet Kulturore për vitin 2023, janë përfituar 342 milionë lekë, që janë rreth 43,2% më shumë se të ardhurat e përfituara gjatë vitit 2022” thuhet në raport.
Kjo shumë prej më shumë se 3 milionë euro erdhi si efekt i 1 milionë vizitorëve në 28 institucione kulturore të marra në vlerësim për raportimin nga ku 12 janë muze dhe 7 janë kala, amfiteatro, manastire dhe 9 janë parqe arkeologjikë.
Muzeu Historik i Tiranës mes dilemës: Do të mbyllet apo do të qëndrojë i hapur?
Në fillim të marsit Muzeu Historik Kombëtar njoftoi se do të mbyllte dyert e tij për të paktën katër vite. Ky institucion njoftoi palët e interesit se nuk do të mund ta vizitonin deri më 15 mars 2028.
“Të nderuar drejtues të agjencive turistike, drejtues të tureve kulturore dhe palë të tjera të interesuara, ju bëjmë me dije se: Në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 Mars 2024 deri më datë 15 Mars 2028” thuhej në njoftimin e Muzeut Historik Kombëtar.
Reagimi i turoperatorëve dhe grupeve të interesit mbi këtë hap të cilët kundërshtuan fort mbylljen e një prej pikave kyçe të interesit për turistët në kryeqytet duket se i bëri institucionet të tërhiqen, të paktën përkohësisht.
Nga faqja e Muzeut Historik të Tiranës u hoq njoftimi për mbylljet dhe vizitat pranë tij kanë vijuar normalisht por nuk dihet ende për sa kohë.
Për momentin ky institucion nuk ka ende një drejtor në krye të tij dhe mbetet e paqartë nëse do të vijojë të mbetet i hapur për vizitorët përgjatë këtij viti./ Monitor
Discussion about this post