Nga Lutfi Dervishi
Shpesh flitet për revolucion, bëhet thirrje për revolucion, caktohet afati për të nisur revolucion, kalitet shpresa për frytet e revolucionit dhe ai nuk ndodh.
Të gjithë revolucionet më të rëndësishme të epokës sonë (revolucioni anglez, francez, amerikan, kinez) janë bërë pa paralajmërim. Revolucioni nuk është ftesë për dasmë, dhe Yuval Harari në librin e tij mjaft popullor “Sapiens” e shpjegon mjaft thjesht se pse nuk ka kalendar për revolucionin. Ata që janë në pushtet, nuk janë aq budallenj dhe duke bërë publike datën, natyrshëm marrin të gjitha masat që revolucioni/ndryshimi të mos ndodhë.
Revolucion nënkupton një transformim rrënjësor, jo thjesht ndërrim të qeverisë me dhunë, por një organizim tjetër politik, institucional dhe ideologjik.
Gjendja ku ndodhet sot vendi nuk kërkon një revolucion të tipit të rrëzojmë Hasanin që të vijë Hyseni, por kërkon disa “revolucione”. Thënë më saktë nevojiten ndryshime revolucionare pa bërë revolucion.
- Revolucion në mendësi: Janë taksat e tua
Pa ndërruar mendësi dhe pa qytetari aktive, përpjekjet për revolucion i ngjajnë njeriut që merr shatin dhe prashit në det vazhdimisht e vazhdimisht. Sot, sidomos, në rrjetet sociale, del më shumë se kurrë në pah analfabetizimi ekstrem për qeverinë, për taksat, për shtetin për institucionet, pra për kontratën që kemi me ata që zgjedhim. Po marr një shembull banal të kthyer në rutinë: publikimi i punëve publike. Reagimet në rrjet (pa llogaritur ushtrinë e paguar dhe telekomanduar të komentuesve) janë fyese dhe revoltuese. Qartazi këta njerëz realisht mendojnë se rrugët po i bën kryeministri dhe ministri apo drejtori me paratë e veta, duke djersitur dhe duke ndenjur pa gjumë nga puna me tre turne në kantiere. Më shumë se qesharake është e dhimbshme.
Pa e mësuar të gjithë se buxheti i shtetit (ai buxhet që përdoret për rroga, pensione dhe investime) janë të ardhurat nga taksat dhe tatimet e gjithë shqiptarëve, (shto edhe borxhet që merr qeveria, por që prapë i paguajnë shqiptarët), zor se mund të kemi dhe të kërkojmë funksionarë të përgjegjshëm. Pa kuptuar se kur votojmë nuk zgjedhim veç për njërin kah politik, por votojmë dikë që do të administrojë paratë tona, korrupsioni dhe abuzimi me fondet publike do të vijojnë të jenë edhe më të mëdha dhe më spektakolare se telenovela e incineratorëve. Ai që paguan taksa nuk ta shet votën, nuk e duron arrogancën dhe nuk e bën dot për leshko. Kur paraqet një punë publike qeveria- duhet të shkruhet me germa të mëdha, pse jo edhe të arta “RRUGË E NDËRTUAR ME PARATË E TAKSAPAGUESVE SHQIPTARË.” Pa lidhur taksimin me qeverisjen nuk do të ketë përgjegjshmëri. Sa më shpejt të kuptohet kjo aq më vështirë do ta ketë kryeministri dhe ministrat të paraqesin “punë publike” pa treguar afatet, faturat, kostot dhe krahasimin me punët publike të bëra nga parardhësi apo me standardet në vendet e BE-së. Nga pagesa e taksave pa përfaqësim lindi revolucioni amerikan. Nëse kuptohet se “e gjithë bota rrotullohet rreth taksave”, atëherë debati në zgjedhje nuk do të bëhet më për mustaqet e Çelos, por për taksat dhe mirëadministrimin e tyre, nuk do të bëhet për të majtën apo të djathtën, për komunistët apo antikomunistët, por për prioritete dhe politika zhvillimi.
Taksapaguesi, është punëdhënësi i Presidentit, Kryeministrit, Kryetares Kuvendit, administratës, pushtetit lokal, policisë e ushtrisë. Çdo punë publike paguhet nga taksat. Punëdhënësi e ka për detyrë të kërkojë llogari ndaj punëmarrësit. Nuk është parë e dëgjuar në asnjë vend normal që punëdhënësi t’i ngrejë këngë punëmarrësit. (?) Është për të ardhur keq që edhe pas 32 vitesh ne ende nuk i kemi harruar “veprat e partisë”, por përkundrazi, kemi rritur cilësisht edhe këngët për udhëheqjen lavdiplotë.
Si mundet që prokurorimet të cilat duhet të përfundonin në dyert e drejtësisë, vazhdojnë përfundojnë në rapsodi për liderin?
2.Revolucion në qeverisje
Një qeveri e mirë “nga populli, e popullit dhe për popullin”, do të thotë që “shërbëtorët e popullit”, përpiqen dhe bëjnë më të mirën me burimet financiare (dhe ato natyrore) për të plotësuar nevojat bazë të popullit. Pra shërbëtorët publikë kujdesen e përkujdesen për një demokraci egalitare.
“I gjithë pushteti vjen prej popullit. Po ku shkon?” – pyeste me të drejtë Bertold Brecht.
-Si ndodh që shërbëtorët arrijnë deri aty sa keqtrajtojnë pronarët e tyre, punëdhënësit e tyre?!
-Si ndodh që qeverisja në vend të jetë shërbëtore dhe rregullatore e shoqërisë, transformohet në një formë moderne sundimi?!
Një qeverisje e përgjegjshme në krye të së gjithave kërkon TRANSPARENCË.
Po, transparencë, llogaridhënie, efikasitet dhe efiçencë. Në epokën e digjitalizimit ku nuk kushton asgjë përpos dëshirës, që çdo institucion publik në Shqipëri, në nivel qendror dhe lokal të ketë një website ku të publikohen në kohë reale shpenzimet që nga letra e lapsi e deri te tenderat e mëdhenj. Bëhet fjalë për lekët e mbledhur nga taksapaguesit. Nëse dikush po mendon se nuk paguan taksa e ka tërësisht gabim. 34% e të ardhurave në buxhet janë nga TVSH (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar), ku çdo mall që blihet në vend e ka 20% këtë taksë. Nëse nuk arrijmë të taksojmë si duhet pasurinë, konsumin e taksojmë që çke me të.
Nëse një zyrtar nuk të jep informacion/dokumente bazuar mbi të drejtën që të jep Kushtetuta dhe ligji për informimin e publikut me dokumente zyrtare, nuk duhet shumë filozofi për të thënë hapur se ai ka diçka për të fshehur. Madje, çimentohet dyshimi për të thënë se ai/ajo po vjedh/abuzon.
Një qeverisje e mirë do të thotë luftë pa kompromis ndaj abuzimit dhe korrupsionit. Një angazhim për transparencë dhe zbatim të ligjit njëlloj për këdo dhe kudoqoftë, përbën kusht të panegociueshëm. Dhe për korrupsionin në nivelin ku ka arritur nuk duhen më strategji kombëtare dhe ndërsektoriale, as matrica dhe plane masash, por vullnet për të zbatuar ligjet dhe masat drakoniane.
Nuk duhet të jesh Nostradamos për të kuptuar se lufta (e vërtetë) ndaj korrupsionit dhe meritokracia reale do ta kthenin Shqipërinë brenda pak vitesh në një magnet për investime të huaja cilësore.
Mungesa e meritokracisë në administratë i kthen “shërbëtorët publikë” në rastin më të mirë në “idiotë publik” dhe në rastin më të keq në “gangster publik”. (Si ndodhi që nga premtimi për meritokraci kemi përfunduar në klientelizëm?)
Një qeverisje e mirë do të thotë caktimi i prioriteteve dhe shpenzimi i parave ashtu sikundër shpenzon paratë për familjen tënde. A duhet nisur nga investimi në arsim? Ka vende tejet të suksesshme (pa asnjë burim natyror) që kanë investuar deri në 30% të buxhetit për arsim.
Një qeveri e mirë është ajo që kur harton ligje ka parasysh të mirën e “numrit më të madh” dhe jo interesin e një grushti njerëzish që gabimisht ne i quajmë oligarkë.
Një qeverisje e mirë është ajo ku vendin e qeveris ligji, rregulli dhe institucioni dhe jo “lideri” që thotë: “unë edhe iki se nuk e kam problem, po kujt do ja lë në dorë vendin”…
Në një vend ku sundon ligji dhe ku institucionet janë të forta, të pastra, eficente, qeverisja është shumë e lehtë.
“Shqiptarët- ah këta njerëz të mirë dhe punëtorë, por si nuk patën njëherë fat të kenë një qeverisje të mirë”, -konstatonte me dhimbje Edith Durhan në fillim të shekullit të kaluar.
Ishte korrupsioni galopant, mungesa e efiçensës së administratës, pakënaqësia në rritje e fshatarëve, punëtorë dhe ushtarëve- shkaku i revolucionit rus që përmbysi perandorinë dhe solli në pushtet bolshevikët.
3.Revolucion në shoqëri
Shqipëria është një vend me popullsi homogjene me një gjuhë, një kulturë, një histori dhe thuajse të gjithë dakord për një të ardhme të përbashkët. Ky vend pa asnjë problem të madh (etnik, fetar, me fqinjët), ka plot 1001 probleme të vogla të cilat vijojnë të udhëtojnë dhe gangrenizohen nëpër kohë.
Mund të hartosh kushtetutën më të mirë, mund të ndërtosh institucione të përkryera, por mënyra se si sillemi dhe ndërveprojmë me njëri-tjetrin janë edhe më të rëndësishme se vetë institucionet.
Një nga rreziqet më të mëdha me të cilën ndeshemi sot është modeli i gabuar i “njeriut të suksesshëm”. Nuk është i suksesshëm njeriu që lexon, mëson, punon, djersitet, por është modeli “i të fortit, që ka bërë lekë brenda a jashtë dhe kthehet fillimisht biznesmen, pastaj drejtor, më pas deputet dhe njeri i rëndësishëm në politikë e media. Nuk besoj se ka vend tjetër në këtë kontinent që të ketë kaq shumë lajme për vrasje “biznesmenësh” të kësaj natyre që çuditërisht u del edhe ndonjë skaf rrugësh apo ndonjë vazo lulesh ilegale. Kultura e punës nuk ekziston, ndërkohë që puna duhet kthyer në kult. Puna duhet mësuar në kopësht e në shkollë. (kemi edhe fjalë të urta ku stigmatizojmë punën: (Kush i ka parë hajrin punës, apo t’ishte puna e mirë, punonte edhe mbreti). Jemi vendi që kemi më shumë drejtorë e shefa se punëtorë. Se çfarë lidhje/raporti kanë të ardhurat me punën mjafton të analizosh listë-pagesat që u bënë publike në film të këtij viti.
Nuk kërkohet shumë mund dhe as filozofi për të mbajtur një ambient të pastër. Mjafton të mos e ndotim vetë. Një revolucion në shoqëri nis nga ndryshimet e vogla, në shtëpi, në kopshte e shkolla, pra revolucioni në komunikim. Të dëgjojmë me respekt për të kuptuar dhe jo për të kthyer përgjigje, jo vetëm t’i dëgjojmë, por edhe të respektojmë njerëzit e ndryshëm me të cilët mbase nuk jemi fare dakord. Një luftë ndaj zhurmës në ambiente private dhe publike nuk do të bënte thjesht ambienti më të qetë, por edhe më të bukur. Është rast për t’u studiuar se si ndodh që rrëmbehemi për një “parkim” apo për një “pse më pe” dhe nuk ngremë as zërin ndaj padrejtësisë ekstreme apo abuzimit të dukshëm…
4.Revolucion në media
Në media në fakt revolucioni ka ndodhur dhe është koha për “kundër revolucion”. Para se të ndodhë, mbase kemi nevojë t’i japim një përgjigje të sinqertë disa pyetjeve që nuk e kanë përgjigjen e lehtë.
-Si ndodhi që nga ëndrra për një media të lirë sot jetojmë makthin e “lirisë” së “medias”?!
-Si ndodhi që nga ëndrra për media të pavarur përfunduam te media partizane?!
-Si ndodhi që nga licenca për të mirën publike sot kemi licence për gjueti?!
-Si ndodhi që nga misioni për të luftuar dhe demaskuar gjobëvënësit, media të kthehet në “gjobëvënëse”?
-Si ndodhi që dje konsideronim faktet të shenjta dhe opinionet të lira, ndërsa sot opinionet janë të shenjta dhe faktet “alternative’, ku njerëzit dyllosin veshët ndaj fakteve dhe hapin zemrën ndaj opinioneve?!
-Si ndodhi që faktet i ngjajnë pjatës me fasule që të duhet të konsumosh 100 lugë opinion para se të kapësh ndonjë kokërr fasule -fakt?!
-Si ndodh që fjala etikë të ngatërrohet me etiketë?!
-Si ndodhi që nga deviza informacioni është pushtet sot jemi në devizen keqinformimi/propaganda është pushtet?!
-Si ndodhi që vendin e debatit publik mbi tema me interes për publikun e ka zënë kacafytja publike ku ka më shumë zhurmë në studiot televizive në Tiranë se nga bombardimet ruse në Ukrainë?!
-Si ndodhi që nga një media që kontrollon liderët dhe pushtetet, sot kemi liderë dhe pushtete që bëhen vetë media dhe transmetojnë çfarë duan, kur duan, ku duan dhe mbi të gjitha si e duan?!
-Si ndodhi që nga një media që kontrollon liderët, sot jemi në një situate ku demagogët digjital të pasuar nga komentues të paguar- synojnë trushplarjen në masë të turmave digjitale?!
-Si ndodhi që rrena mbërrin në tezgat e vjegzat digjitale më shpejt se e vërteta?!
-Si erdhi dita që nuk është e lehtë të dallosh:
- Sharlatanin nga parimori?
- Gënjeshtarin nga i sinqerti?
- Ekspertin nga manipuluesi?
- Paqtuesin nga demagogu?
-Si ndodh që më shumë plehra ka në ambientin digjital se në jetën reale?!
-Pse gjuha urrejtjes, ekstremizmi, lajmet e rreme, teoritë konspirative kanë zënë vendin ballor në konakun digjital?!
-Pse anonimët kanë lirinë të damkosin njerëzit publik duke zbrazur mllefin, zilinë, urrejtjen dhe duke dhunuar dinjitetin njerëzor?!
-Kush e kishte menduar se do të vinte dita që të bëhej fakt-cheking nëse toka është e rrumbullakët apo jo?!
-Kush e kishte menduar që sfera publike digjitale do të jetë kaq toksike sa detoksifikimi i saj duket më i vështirë se zhdukja e qeseve plastike në planet?!
Revolucioni i ri në media kërkon që të mos ketë më neutralitet mes së mirës dhe së keqes, që terroristët digjital duhen trajtuar si terroristë dhe debati publik duhet bërë për interesa publike.
Distanca e medias me realitetin dhe audiencë është e frikshme, andaj duket se detyra e parë e medias është te misioni bazë: informimi i saktë dhe mbikëqyrja e abuzimit të pushteteve të tjera. E lehtë për ta thënë dhe duket e pamundur për ta bërë!
5.Revolucion në drejtësi
Prej 6 vitesh ka nisur një reformë e madhe e quajtur Reforma në Drejtësi. Pastrimi dhe heqja nga sistemi e disa personave që nuk hiqeshin dot ndryshe, është realizuar. Por kjo nuk është as gjysma dhe as çereku i punës. Do të duhet kohë të kemi një figurë popullore nga fronti i Drejtësisë: Një hetues/prokuror, gjyqtar, oficer policie që të gëzojë simpatinë dhe mbështetjen e publikut. (Por kemi këngë për “komisar Katanin”, personazhi i famshëm nga seriali televiziv Oktapodi i viteve ‘90, këngë që vetë italianët nuk e kanë ende.)
Pas 6 vitesh ndryshime të thella kushtetuse për një drejtësi të re, është koha për një bilanc dhe për të thënë çfarë shkoi mirë dhe çfarë duhet ndrequr. Kjo s’bëhet me tribuna partiake dhe as me statuse në rrjetesh sociale por me bashkëpunim konkret të një sërë aktorësh majtas e djathtas, partnerësh ndërkombëtar, shoqëri civile, media të vërtetë, të cilët duhet të udhëhiqen nga Kuvendi i Shqipërisë, institucioni që duhet të ketë seriozitetin dhe balancën që i takon. Edhe për nopranët në drejtësi sot është e qartë se disa llogari nuk u bënë mirë. P.sh, në kuptimin e burimeve njerëzore i hynë detit me këmbë. P.sh, kriteret e vendosura për postet në institucionet e reja të drejtësisë i ngjanë kritereve të tenderave që paracaktojnë fituesit. P.sh, arnimet e vazhdueshme pa kryer analizë specifike dhe reflektim pas saj, të sinjalizojnë për hije dyshimi.
-Si është e mundur që është mbyllur dera dhe dritarja për të pasur në sistemin e ri të drejtësie dhjetëra e qindra juristë të diplomuar (madje me rezultate shumë të mira) në universitetet më të mira të BE-së dhe SHBA-së?
Sot ende flasim për vende vakante në Gjykatë Kushtetuese, në Gjykatë të Lartë dhe për përgjysmim të numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve në gjykatat e Apelit dhe ato të faktit. Juristë të mirë kemi (si ato të shkolluar në Shqipëri ashtu edhe jashtë) dhe nuk i duam brenda sistemi! Para të ndërtohej sistemi më shumë u mendua për gardhin e madh që do të linte jashtë të padëshiruarit dhe derën e vogël për të futur brenda të paracaktuarit(?) A është konflikt i pastër/flagrant interesi që ata që hartuan kriteret të jenë të vetmit që i plotësojnë kushtet?
Sot kemi një pritshmëri të tepruar nga 17 prokurorë të SPAKU-t dhe mbase zhvillimet na detyrojnë që me keqardhje të heqim dorë nga pritshmëria e tepruar. Ky institucion u ngrit për të ndëshkuar korrupsionin në nivele të larta dhe logjika e kërkon që kryqëzata anti-korrupsion nuk nis nga 10 vjeçari i parë apo edhe i dyti i tranzicionit tonë, por nis nga 10 vjeçari i fundit ku duket se ideja që nuk ka më as gjykata as prokurori, ka bërë që korrupsioni dhe abuzimi i dy dekadave të para të tranzicionit të duket “fëmijëror”?!
SPAK ka treguar që ka kurajë të godasë “ish-ët” dhe një revolucion në kutinë e votimit bën që zyrtarët/qeveritarët përgjegjës për aferat e sotme, që mbajnë më shumë erë se plehrat, të ndëshkohen në mënyrë shembullore. Por ama ndëshkimi nis nga votuesi dhe përfundon te gjyqtari. Koha për të hequr dorë nga iluzionet dhe pritshmëritë e larta pasi sado e kulluar të jetë drejtësia, nuk i zgjidh të gjitha problemet. Nuk ekziston në historinë e njerëzimit një “Republikë Gjyqësore”. Ndryshimi duhet nisur në mënyrë frontale dhe duke qenë të ndërgjegjshëm për situatën në të cilën ndodhemi. Vettingu në polici u ndërpre menjëherë. Testi i drogës në polici u ndërpre menjëherë. Mjaftojnë këto dy fakte për të kuptuar gjendjen në të cilën ndodhemi. Kemi më shumë shqiptarë në burgje jashtë (12 000) sesa në vend (5500)
Pa drejtësi asgjë nuk është e mundur. Vendet që kanë përparuar më shumë gjatë 250 viteve të fundit, nuk kanë qenë domosdoshmërisht vendet me pasuri natyrore, por janë vendet ku ka spikatur më shumë sundimi i drejtë i ligjit dhe pjesëmarrja aktive e qytetarëve në politikë.
6.Revolucion në politikë
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë mekanizmi që garanton stabilitet politik, institucional dhe ekonomik në një vend demokratik. Vetë Shqipëria e ka provuar se çfarë do të thotë të kesh zgjedhje të lira dhe të pranuara (1992, 2005, 2013) dhe çfarë do të thotë të kesh zgjedhje me probleme dhe të kontestuara (1996, 2001, 2009, 2017, 2021). Fakti që pas tri dekadash kemi ende probleme me zgjedhjet, me ndikimin dhe zgjedhjen e personave të inkriminuar, me shpërdorimin e fondeve dhe burimeve shtetërore, me përdorimin e policisë, me shitblerjen e votës, tregon se jemi më keq se ç’kemi qenë 100 vjet më parë.
Kontestimi konstant i zgjedhjeve ka shërbyer edhe si alibi për të penguar rotacionin e elitave brenda partive politike. “Pas humbjes, do të kisha dhënë dorëheqjej, po të ishin zgjedhje të rregullta”. Këtë refren e kemi dëgjuar nga liderët si të të djathtës ashtu edhe të të majtës.
Partitë politike nuk bëjnë zgjedhje, lideri është i pakontestueshëm, nuk diskutohet për program, ide dhe politika/alternativa zhvillimi. Partitë këto “kështjella të demokracisë” janë praktikisht pasqyra e pushtetit dhe opozitës së radhës. Partitë më shumë sundohen se drejtohen.
Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme demokracia kthehet në slogan.
Pas “fitores” së zgjedhjeve, kur nuk bën gjërat që thua dhe bën gjërat që nuk thua- pushteti që ke marrë me vota- nuk është më pushtet i deleguar, por pushtet i tjetërsuar, me fare pak dallim nga pushteti uzurpuar.
Me ndryshimet kushtetuese (2008) ku është fuqizuar roli i kryetarëve të partisë është mbyllur dera për alternativa të reja. Më lehtë hyn deveja në vrimë të gjilpërës se partitë/lëvizjet e reja në sistem. Kryetari i gjithëpushtetshëm dhe i gjithëdijshëm vrau jetën e brendshme politike dhe çdo gjë u kthye në emërim. Emërimi në parti kthehet në emërim në qeverisje. Emërimi në qeverisje kthehet në emërim në ekonomi, biznes, shkencë madje edhe në art, kulturë e sport. Kushtetuta 2008 vrau garën e përfaqësimin dhe rrjedhimisht solli sistemin e kryetarokracisë që zëvendësoi profesorët me halabakët. Në Kushtetutën e vjetër garonin profesorët dhe jo “silenciatorët” .
Demokracia është sundim i shumicës dhe kjo përcaktohet me votë, por me atë të lirën aman. Pa votë të lirë dhe rregulla të qarta loje, jeta politike dhe shoqërore manipulohet dhe deformohet. Praktikisht sot nuk votojmë për deputetët, nuk votojmë as për gjyqtarin, as për prokurorin, as për drejtorin e policisë, as për drejtorin e shkollës, as për administratorin e lagjes. Sot njerëzit kanë mundësi të zgjedhin vetëm “kryetarin e bashkisë”. Dhe ke të drejtë të votosh për kryetarin e bashkisë pasi ky të jetë i zgjedhur më parë nga lideri i partisë. Futja e primareve në zgjedhjet brenda partiake është vetëm hapi i parë, dhe i vonuar për t’i dhënë kuptim votës.
7.Revolucion në ekonomi
Nëse me fjalë pretendojmë se jetojmë në një ekonomi të lirë të tregut, praktikisht nuk kemi as ekonomi as liri, as treg. Të ashtuquajturit biznese të suksesshme apo “oligarkë”, marrin frymë vetëm nga fondet e buxhetit të shtetit. Pasuria e tyre jo vetëm nuk është rrjedhojë e talentit apo shpikjeve që ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e shqiptarëve, por përveç fondeve publike, në dispozicion të tyre po vihen ligje të favorshme. Ligje të posaçme për 10 persona, madje ndonjëherë ligj veç për një njeri të vetëm. Dhe qershia mbi tortë: Pasi marrin milionat e buxhetit të shtetit, paguajnë më pak taksa se çdo kioskë në Shqipëri dhe madje guxojnë dhe dalin edhe me humbje!
Konkurrenca, motori i ekonomisë së tregut minohet nga rregullat e pabarabarta nga ndryshimi i beftë i rregullave gjatë lojës dhe pjesën e luanit e kanë paratë informale në ekonomi. Ekonomia informale 50% do të thotë që beteja mes ligjshmërisë dhe paligjshmërisë ka shumë gjasa të fitohet nga kjo e fundit. Borxhet vijnë duke u rritur dhe pesha e tyre rëndohet nga koncesionet dhe PPP-të. Nëse qeveria në Gjermani do të rriste borxhin publik në nivele të papranueshme me siguri gjermanët do të ishin në rrugë. Borxhet janë për t’u paguar. Nuk do të mund t’i paguajmë ne, por do t’i paguajnë edhe fëmijët dhe nipërit e mbesat. Borxhet e rritura do të thotë pengmarrje e së ardhmes.
Kultura e punës është e vrarë nga modelet e “milionerëve të çastit” dhe sot më shumë se gjysma e GDP-së realizohet vetëm nga tregtia.
-Si ndodhi që e nisëm me thirrjen për “investitorë të huaj” dhe përfunduam te “investitorët strategjikë” një strategji e kulluar klienteliste?!
40 firma bujqësore hollandeze ka sot në Serbi! Fabrika belge më e madhe e autobuzave është hapur në Shkup. Benzi do të hapë fabrikë në Tetovë.
Investimet e huaja nuk vijnë për shkak të fjalëve të bukura dhe sloganeve. Thamë: “Shqipëria 1 euro”, por investimet e huaja me pikatore. U futëm në NATO dhe thamë se do të vërshojnë investimet e huaja por veç Iluzion, dhe dy investime që sot e kanë mbyllur ciklin; trumbetuam “Reforma në Drejtësi”, prapë hiç investimet e huaja! Investime të huaja nuk kemi jo se nuk ka se për çfarë të investohet, jo se nuk ka kapital të lirë të huaj për të investuar, por duket se edhe kapitalizimin duam ta ndërtojmë me forcat tona. Me “oligarkët” tanë.
Burimet natyrore vendi i ka të shumta, por nga shfrytëzimi tyre përfitojnë vetëm një grusht njerëzish që nuk kanë vetëm shumë para, por kanë edhe shumë oreks për më shumë akoma, që mendjen nuk e kanë te inovacioni dhe Zot na ruaj te rrisku, por si të kafshojnë sa të mundin fondet dhe pasurinë publike.
Një pasuri në dorë të një 0.1% të njerëzve duhet shpërndarë, se si këtë duhet ta mendojë qeveria apo të paktën të ketë vullnet të pyesë për të mësuar nga modelet e suksesit. Kemi pensione dhe pagë mesatare më të ulët se Kosova edhe pse premtimet më të mëdha. Imagjino për një moment pensionin sot të një pensionisti. Fakti që janë gjallë, padyshim e kthen edhe ateistin në besimtar të devotshëm, sepse as me aritmetikë, as me kimi nuk duhet të ishin gjallë. Është Zoti i që mban gjallë!
Ishte despotizmi i mbretit, ndarjet e thella në shoqëri, rritja e çmimeve, angazhimi filozofëve, roli i shtresës së mesme që bëri të mundur- revolucionin francez 233 vjet më parë.
Ndryshime revolucionare
“Në demokraci, revolucionet përgjithësisht shkaktohen nga zullumet e demagogëve”, thoshte Aristoteli i ndritur, te Politika dhe Demagogët Platoni i quante “tiranë në pritje”.
Sot, njerëzit janë dukshëm të shqetësuar dhe të zemëruar për situatën në të cilën ndodhen, por zemërimin nuk e kthejnë në rebelim. Një pjesë e mirë, në vend të “ndryshimit të qeverisë”, po bëjnë një ndryshim tjetër, atë të vendbanimit duke parë për një të ardhme më të mirë jashtë Shqipërisë. Jashtë me shumë gjasë krenohen kur dëgjojnë këngën: “o sa mirë me qenë shqiptar…”, teksti i së cilës fatkeqësisht lipset të editohet në: : “o sa mirë me qenë shqiptar, jashtë…”
Me statistika, çdo ditë largohen nga vendi banorët e një kulle dhe çdo ditë jepet leja për një “kullë”. As Naçertanija e Ilija Graçanin në 1844, as Memorandumi i Vaso Çubrilloviq më 1937, nuk kanë guxuar të shkojnë deri në këtë pikë. Sot nuk ka eksod, por hemorragji kombëtare. Për të ndalur këtë hemorragji: Duhen reforma të mëdha, por ngaqë kjo fjalë është nga më të shpërdoruara, gjatë tri dekadave duket më e udhës “fjala revolucion”. Duhen reforma revolucionare, por jo në Facebook e as në Instagram. Revolucion, por jo revolucion me “trurin e Maos”. Jo “Nga gryka e pushkës dhe përmbysje me dhunë”, por transformim rrënjësor.
Nuk na e ka fajin sistemi, por modeli i gabuar që zgjedhim me zell. Komunizëm ka qenë edhe ⅕ e globit, por jo aq brutal dhe ç’njerëzor sa në Shqipëri. Na kanë kritikuar për ekstremizëm Tito, Stalini, Hrushovi, madje edhe vetë shoku Mao! Në fjalët e një vëzhguesi francez: “ndërtuat komunizmin më të keq, dhe tani po ndërtoni variantin më të keq të kapitalizmit”.
Ndryshimi nuk bëhet dot me “urdhër të peshkut”, ai kërkon kohë, por jo kohë të pafundme sepse s’mund të jetojmë përherë në një laborator.
Revolucioni i shoqërisë duhet të jetë mbi të gjitha kulturor për të kaluar nga mendësia dhe praktika totalitare te gara e lirë. Emërimi i gjithçkaje po e çon shoqërinë drejt një kolapsi aftgjatë.
Janë të gjitha mundësit për një ndryshim cilësor në 10 vitet e ardhshme ku me udhëheqjen e duhur dhe me vullnetin e duhur, vërtet mund të arrihen shumë.
Mjaft të kujtojmë ku ishte Shqipëria më 1997 dhe ku mbërriti më 2007. Nga prag – gremina në vend anëtar i NATO-s dhe me një rritje ekonomike konstante për më shumë se 7%.
Nëse është shumë e vështirë realizimi i “revolucioneve” mjafton dëshira dhe vullneti për të mbyllur kapitujt e bisedimeve me BE-në dhe në fund të 10 viteve pavarësisht kush është në pushtet, e kush në opozitë vendi është i transformuar në mënyrë revolucionare. Nuk mund të ndryshojmë dot botën, as rajonin, as fqinjin, por vetveten. Revolucioni nuk është më përmbysje në rrugë, por përmbysje në mendësi. Ai vjen nga dëshpërimi, por ushqehet nga shpresa. Ai nuk bëhet me thirrje, por me bindje dhe besim. Andaj, kot nuk thonë: Revolucionin e bëjnë REVOLUCIONARËT!
Discussion about this post