Partia Demokratike i ka kërkuar qeverisë të ndërhyjë me masa fiskale për të ulur çmimin e karburanteve, duke argumentuar se niveli aktual po rëndon kostot e familjeve dhe bizneseve.
Përmes një deklarate, përfaqësuesi i PD-së, Eno Bozdo, e cilësoi situatën emergjente, ndërsa tha se nafta në Shqipëri po tregtohet në rreth 229 lekë për litër, ose afërsisht 2.5 euro.
Sipas Bozdos, çmimi i naftës në vend është rreth 30% më i lartë se mesatarja e rajonit dhe mbi atë të Bashkimit Evropian. Duke iu referuar të dhënave të cituara prej tij, përfaqësuesi demokrat tha se më 7 shtator 2026 mesatarja në BE ishte rreth 2 euro për litër.
Ai iu referua gjithashtu një mesatareje botërore prej rreth 1.4 euro për litër dhe prej 2.03 eurosh për litër në vendet e Bashkimit Evropian. Bazuar në këto shifra, Bozdo pretendon se Shqipëria është ndër vendet më të shtrenjta të Evropës për naftën dhe se çmimi në vend është rreth 55-60% mbi mesataren botërore.
Në deklaratën e tij, Bozdo solli edhe shembuj nga vendet e rajonit, të cilat, sipas tij, kanë ndërmarrë masa për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve të karburanteve.
Ai përmendi Serbinë për uljen e përkohshme të akcizave mbi benzinën dhe naftën, si dhe Maqedoninë e Veriut për uljen e TVSH-së së karburanteve nga 18% në 10%.
Sipas Bozdos, edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina kanë përdorur në periudha të ndryshme masa si ulja e akcizave apo kufizimi i marzheve për të frenuar rritjen e çmimeve.
Përfaqësuesi i PD-së akuzoi qeverinë se rritja e çmimit të naftës sjell më shumë të ardhura në buxhet, ndërkohë që familjet dhe bizneset përballen me kosto më të larta.
Bozdo deklaroi se gjatë krizës së mëparshme të naftës qeveria arkëtoi rreth 15 milionë euro të ardhura shtesë. Sipas tij, këto të ardhura duhet t’i kthehen ekonomisë dhe familjeve nëpërmjet mekanizmave lehtësues.
Në kushtet e rritjes së çmimeve, Partia Demokratike kërkon nga qeveria ndërhyrje të menjëhershme për reduktimin e barrës fiskale mbi karburantet, me synimin për të ulur kostot për qytetarët dhe bizneset.
Deklarata e plotë e PD:
Këto ditë, çmimi i diezelit/karburantit në Shqipëri ka arritur nivele rekord, të papërballueshme për ekonominë tonë familjare por edhe atë prodhuese, duke u tregtuar me rreth 229 lekë për Litër, ose ndryshe rreth 2,5 euro për litër.
Ky nivel e vendos Shqipërinë:
Si vendin me çmimin më të lartë të diezelit në rajon, rreth 30% mbi mesataren rajonale;
Mbi mesataren e Bashkimit Evropian, ku çmimi mesatar i dizelit ishte 2 €/L (më 7 shtator 2026)
Mesatarja botërore: 1,4 euro/L
Mesatarja në BE‑27: 2,03 €/L
Sipas të dhënave globale (Global Petrol Prices, Fuel Ëide), Shqipëria:
është në grupin e 5 vendeve më të shtrenjta në Evropë për diezel, bashkë me Monakon, Finlandën, Gjermaninë, Holandën dhe Danimarkën.
ka çmim diezeli dukshëm mbi mesataren evropiane dhe rreth 55–60% mbi mesataren botërore
Për krahasim, në të njëjtën periudhë çmimet e dizelit në vendet fqinje janë:
Serbi: rreth 2,00 €/L ose 18% me lire se ne Shqiperi;
Kosovë: rreth 1,76 €/L ose 32% me lire se nje Shqiperi;
Maqedoni e Veriut: rreth 1,6 €/L ose 41% me lire se nje Shqiperi;
Mal i Zi: rreth 1,87 €/L ose 20% me lire se nje Shqiperi;
Bosnjë‑Hercegovinë: rreth 1,7 €/L ose 27% me lire se nje Shqiperi;
Arseyeja kryesore sot e çmimeve kaq të larta të dieselit në Shqipëri është ngarkesa shumë e lartë fiskale: shqiptarët paguajnë taksa afërsisht dyfishin e rajonit, dhe nuk marrin në këmbim atë që meritojnë!
Në çmimin final të dizelit në Shqipëri, ngarkesa fiskale përbën rreth 53% (afërsisht 1,00–1,16 €/L taksa për litër), përfshirë:
akcizën fikse (~0,41 €/L),
taksën e qarkullimit,
taksën e karbonit, dhe
TVSH‑në 20% që aplikohet mbi çmimin total, pra edhe mbi taksat e tjera.
Në vendet e rajonit, barra fiskale mbi dizelin është dukshëm më e ulët, zakonisht rreth 35% e çmimit final. Kjo do të thotë se, për të njëjtin çmim ndërkombëtar të naftës, qytetarët dhe bizneset në Shqipëri paguajnë taksa afërsisht dyfishin e rajonit për litër dizel.
Ajo që e veçon Shqipërinë përsëri, në dallim me vendet e tjera të rajonit dhe të BE-së, është mungesa totale e masave lehtësuese, ndërsa të gjitha vendet e rajonit kanë vepruar me ndërhyrje fiskale lehtësuese:
Serbia ka ulur përkohësisht akcizat mbi benzinën dhe diezelin,
Maqedonia e Veriut ka ulur TVSH‑në për karburantet nga 18% në 10%, për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta.
Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja kanë përdorur në periudha të mëparshme ulje akcizash dhe kufizime marzhesh, duke mbajtur çmimet më të ulëta se në Shqipëri.
Nuk mund të mos përmendim këtu edhe në argument tjetër: ndërsa çmimet e dieselit rriten, ndërsa qytetarët paguajnë më shtrenjtë nga xhepi i tyre, qeveria fryhet. Nga kriza e mëparshme e naftës, qeveria shqiptare arkëtoi rreth 15 milionë euro më shumë në xhepat e saj, në mënyrë të pamerituar. Asnjë qeveri normale nuk i mban këto para, por gjen mekanizmat për t`ia kthyer ato ekonomisë dhe familjeve. Sepse asnjë qeveri e përgjegjshme nuk pranon të majmet, kur popullata e saj varfërohet!
Të nderuar qytetarë,
Përballë kësaj situate të paprecedentë, që nuk dihet se si dhe se kur do të zgjidhet, dhe që realisht ka tronditur tregjet në të gjithë vendet, të gjitha qeveritë në botë kanë zgjedhur një apo disa mekanizma lehtësimi të cilat i aplikojnë mbi strukturën/ngarkesën fiskale të çmimit të dieselit, për të lehtësuar, me aq sa kanë mundësi, çmimin e lartë të dieselit i cili, ka ndikim jo vetëm në ekonomitë familjare të secilit prej nesh, por mbi të gjitha në ekonominë prodhuese dhe atë të shërbimeve.
Për këtë qëllim, Partia Demokratike i kërkon me këmbëngulje qeverisë të lehtësojë menjëherë ngarkesën fiskale mbi karburantet. Në veçanti, ne i qëndrojmë propozimit tonë të eleminimit të taksës mbi qarkullimi dhe uljes së përkohëshme të akcizës, kombinim ky që do ta sillte çmimin e dieselit në Shqiperi në mesataren e rajonit.
Më duhet të rikujtoj këtu se cdo inisiativë ligjore e Partisë Demokratike për një propozim të tillë, është rrëzuar me votat e Partisë Socialiste në Kuvend!
Cdo refuzim i mëtejshmë i këtyre nismave si dhe cdo këmbëngulje në pozicionin e papërgjegjshmërisë, do të sjellë pasoja shumë të rënda për të gjithë.










Discussion about this post